Prof. Dr. Bedri Muhadri
Instituti i historis, “Ali Hadri”, Prishtinë/
Figurat më të shquara ne luftën e madhe të popujve të juglindjes së Evropës kundër zgjerimit të fuqishëm të perandorisë osmane nga mesi i shekullit XV ishin dy kolosët e kohës Janosh Huniadi, vojvodë i famshëm me origjinë rumune prej Transilvanie, që u bë regjent i Hungarisë, dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu princi i famshëm e Shqipërisë. Lidhjet e tyre të jashtëzakonshme është plotësisht e shpjegueshme po të kihet parasysh ngjashmëri e karrierës së tyre mahnitëse që pasqyrohet si në burime historike ashtu edhe në ato të shekujve të mëvonshme më botime të shumta e studime. Në fakt është fjala për dy protagonistët e një lufte me karakter epik kundër armikut të përbashkët, megjithëse në dy sektorë të ndryshme, brenda të cilëve ne konstatojmë sigurisht nga varfëria e dëshmimeve, kemi shumë më pak kontakte nga sa mund të pritej prej rrethanave historike, që duhej të krijonin një bashkëpunim shumë të ngushtë, madje në nivel të një aleancë të natyrshme. Huniadi si përfaqësues i popujve të sektorit Danubain, zhvillonte një luftë pothuajse të pareshtur, e cila synonte të dëboheshin feudalët osmanë, dhe për t’iu dhënë fund sulmeve shkatërrimtare të osmanëve. Në krahasim me këtë politikë kundërsulmi të Janosh Huniadit, programi i Skënderbeut në sektorin shqiptar, megjithëse i përshkruar nga një frymë e njëjtë, ndonëse më ushtri më të vogël e burime mjaft të kufizuara, bashkoi forcat e popullit të etur për liri dhe i dha një përpjesëtim të ri, me forcë e madhështi të jashtëzakonshme, luftës për pavarësinë e Shqipërisë, duke e udhëhequr për një çerek shekulli me trimërinë e vet legjendare këtë qëndresë kundër fuqisë së madhe osmane. Në analizë boshti i krijuara nga Skënderbeu dhe Huniadi qe një luftë për lirin e vendeve të tyre, por që pati ndikim në mbrojte të vlerave themelore të qytetërimit evropian, me të cilat ishin lidhur popujt e këtyre krahinave. Duket se heroi shqiptarë ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë rol të vet historik, kur i shkruante me 1460 një fisniku napolitan, princit të Tarentoes: “…Et se io fosse stato spontanto, certamente Italia se ne sentiria…” “Nëse do të isha i mundur, sigurisht se Italia do ta ndiente”.
Marrëdhëniet që Skënderbeu kishte me Huniadin provohen nga burimet të kohës. Sipas historianit bizantin Laonik Halkokondili, bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, Janosh Huniadi i dërgoi përfaqësues Skënderbeut dhe Arianitit, duke pasur qëllim të bashkohej me ta me një marrëveshje të vendosur që më parë.
Për një aleancë të përfunduar pak kohë më përpara ekspeditës së re të Huniadit me Skënderbeun, flet gjithashtu Antonio Bofini, historiografi i oborrit të Matias Korvinit, (i biri i Huniadit dhe mbretit të Hungarisë, në vitet 1458-1490) por sigurisht bazuar në shënimet e Halkokondilit. Sipas Bofinit, në përputhje me këtë marrëveshje, Huniadi, duke përparuar nëpër Serbi e Bullgari, do ta sulmonte armikun ballë për ballë, ndërsa Skënderbeu do ta godiste nga prapa, nga ana e Ilirikut do të thotë Shqipërisë. Sipas letrës së Pasqual de Sorgos, fisnik i njohur i Raguzës, që gjendej në shërbim të Brankoviqëve, letër e shënuar me datën 11 shtator 1448, pas kalimit të Danubit, përmes Serbisë, Huiniadi priti disa ambasadorë nga Shqipëria, që i premtuan ndihmë prej njëzet mijë vetash. . Pavarësisht se shifra duket e fryrë, misioni i ambasadorëve tregon se Skënderbeu kishte ndërmend të merrte pjese në luftën e madhe që po përgatitnin hungarezët. Drejtimi i ri i Hunidati i kundër me fushatën në Varna, tregon edhe për qëllimin e Hunaidit për tu bashkuar forcat me ato shqiptare. 1448.
Huniadi edhe përkundër përpjekjeve nuk kishte gjetur përkrahje të duhur në shtetet italiane. Kështu, derisa Sulltan Murati II, në korrik të vitit 1448, sulmoi Shqipërinë me një armatë të madhe në luftë kundër Skënderbeut, Huniadi e pa këtë si moment të volitshëm për të marrë rrugën e ndeshjes me osmanët. Ai mblodhi një ushtri prej afër 50 000 ushtarësh, që ishin kryesisht hungarezë, dhe reparte të vogla vlakase (rumune), si dhe mercenarë gjermanë dhe çekë. Në depërtimin e ushtrisë hungareze nëpër Serbi e pengoi Gjergj Brankoviqi, i cili ishte në raporte vasaliteti me Sulltan Murtain II. Duke qenë besnik i Muratit II, Gjergj Brankoviqi, kishte arrit që përmes rrjetit të agjenturës së tij, në kampet ushtarake të Huniadit të informonte Murtain II për efektivat e ushtrisë së udhëhequr nga Janosh Huniadi. Nga fundi i shtatorit 1448, Huniadi hyri në Serbi, duke mos e përfillur fare Gjergj Brankoviqin, duke marshuar përgjatë luginës së Moravës. Gjatë depërtimit të ushtrisë së Huniadit nëpër Rashkë, Gjergj Brankoviqi lajmëroi Sulltan Murati II, duke i dhënë informata sekret mbi përbërjen e ushtrisë së Huniadit. Këto informata ishin dërguar nëpërmjet Pascuale de Sorgos, i cili ishte në shërbim të Gjergj Brankoviqit. Gjergj Brankoviqi i kishte pasur njoftimet më të hershme lidhur me kontaktet e Skënderbeut dhe Huniadit dhe ato njoftime i kishte marrë përmes të deleguarit të tij Pasquale de Sorgo, një bujar raguzan që kishte qëndruar në kampin hungarez. Sorgo, i kishte shkuar tri herë në bisedime me Huniadin, por nuk kishte arritur marrëveshje bashkëpunimi. Nga një letër, e datës 5 shtator 1448, e dërguar nga Sorgo prej kampit të Huniadit, kuptojmë se në Betejën e Dytë të Kosovës do të marrin pjesë edhe shqiptarët. “… Selgianech Turchus suo cum exercitu potimo ordine paratus est Panones vero, qiu et Hungari vicitantur, Appoliniique el Transilvani una simul et Albaneses unanimiter sancto patri fidelitatem iuvavere …”. Ky përfaqësues na del si i dyshuari kryesor që i përcjell informatat te Brankoviqit lidhur me qëllimet e Huniadit, të cilat pastaj ky ia përcjell Muratit II. Një letër e datës 11 shtator 1448 e dërguar nga Pasqualis Juni de Sorgo drejt Brankoviqit, jep hollësi për gjendjen e ushtrisë së Huniadit. Në raportin e Sorgos përfshihet edhe informacioni se te Huniadi kishin arritur emisarët e Skënderbeut të cilët i kishin premtuar atij 2 000 ushtarë. Sulltan Murati II, i informuar për lëvizjet e ushtrisë së Huniadit, me kohë u tërhoq nga rrethimi i Krujës që kishte planifikuar, duke grumbulluar ushtrinë e tij për të qenë në gatishmëri.
Huniadi duhet te ketë mbërritur në Fushën e Kosovës diku në fillim të muajit tetor. Sipas shënimeve të Matej Mazrekut, nga viti 1762, Huniadi kishte arritur edhe në Janjevë ku në shenjë falënderimi Zotit për fitoret e tija, kishte marrë pjesë në meshë në Kishën e Shën Nikollës. Mbi qëndrimin e tij në Janjevë tradita popullore kishte mbajtur gjallë këtë kujtim me shekuj.
Në këtë kohë Skënderbeu ishte i zënë me luftime me Venedikun rreth çështjes së qytetit të Danjës, por, duke parë pamundësinë e zhvillimit të luftës në dy fronte, ai lidhte paqe sa më shpejtë me Venedikun më 1448, në mënyrë që t’i kishte duart e lira për të vepruar në Kosovë së bashku me hungarezët. Sipas Traktatit të 4 tetorit 1448, Danja i mbetej Venedikut, kurse Republika i siguronte Skënderbeut dhe më tej trashëgimtarëve të tij (pra vetëm Skënderbeut dhe jo zotëve të tjerë), një pension prej 1 400 dukatesh në vit, i cili do të paguhej në Ditën e Shën Mitrit (26 tetor);.
Në fund të tekstit të Traktatit, thuhet se në kampin e Skënderbeut zotët e Shqipërisë (i signori de l’Albania) vendosën që Skënderbeu të nisej sa më parë me një ushtri sa më të madhe për t’u bashkuar me Janosh Huniadin në fushatën që po ndërmerrte kundër ushtrisë osmane prapa krahëve. Për këtë qëllim krerët shqiptarë i kërkuan Sinjorisë që t’i jepte para kohe, brenda 15 ditëve, pensionin vjetor që prej 1 400 dukatësh. Pra, ekzistonte interesi strategjik dhe përpjekja Skënderbeut për bashkim të forcave ushtarake me ato hungareze në luftë kundër osmanëve.
Menjëherë pas marrëveshjes më Venedikun, Skënderbeu bëri përgatitjet për ti ardhur në ndihmë Jonosh Huniadit, që sipas Kronistit Bofini, Huniadi i kishte kërkuar Skënderbeut që më nguti me ardhë në fushë betejë. Por Skënderbeu arriti tek me 19 tetor, një ditë pas mbarimit të luftës ku Huniadi ishte mundur dhe kishte pësuar humbje të rënda nga ushtria osmane. Sipas kronistit Bofini, trupar hungareze u gjendën në situatë të rëndë dhe kishin marr arratinë anekënd. Një pjesë të atyre ushtarëve që kishin shpëtuar kishin marrë arratinë në drejtim të Shqipërisë, dhe nja tredhjet kilometra nga vendi i Fushë Kosovës, Skënderbeu i takoi ata. Skënderbeu u ofroi strehë. Sipas kronikës të Raguzasit, Giunio Restit e shkruar në shekullin XVIII ardhja e princit shqiptar në ndihmë të Janosh Huniadit qe penguar prej Brakoviçëve, aleat i dhëndrit dhe sovranit të vet Sulltan Murati II, i cili kishte zënë grykat midis Shqipërisë dhe vendit të vet. Prandaj, për të mos mbetur pa u dënuar për këtë krim, shkruan Barleti: “Skënderbeu i cili ndodhej në kufijtë e Misisë, e mori vesh me pikëllim shpartallimin dhe shkatërrimin e ushtrisë së hungarezeve dhe, “… për të marrë hakun për pabesinë e Gjergjit (Despoti Gjergj Brankoviçi), u vërsul kundër viseve armike të Despotit, u vuri zjarrin e i shkatërroi me shpatë anë mbanë”. Skënderbeu vë në pah Barleti, trupave ushtarake hungareze e poloneze të shpartalluara u ofroi ndihmë me ushqim e banim. Pasta, u ndihmoi në transportimin e tyre me anije në qytetin e Raguzës, prej nga ky ata kanë mundur të kthehen në vendlindjet e veta. Edhe një pjesë tjetër e ushtarëve të Huniadit, të cilët u gjenden në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vushtrrisë, iu ofrua ndihmë nga dukë Bogdani, një stërgjysh i Pjetër Bogadanit, të cilët pa vështirësi shmangën rrezikun nga ushtria osman që i ndiqte.
Është e ditur se Marin Barleti, ngjarjet e Betejës sw Kosovës në vitin 1448 i vendos në vitin 1444, duke e ngatërruar me betejën Varnës.
Kjo ngjarje me karakter ndërkombëtar zë vend të dukshëm edhe në veprën e kronistit bizantin Dukas (1400-1470), “Historia turko-bizantine”. Dukasi shkruan për ardhjen e ushtrisë së Huniadit në Kosovë. “… Kur Jani mori vesh këtë, kaloi në bregun tjetër të Istrit, nga një rrugë tjetër dhe, mbasi kaloi të gjitha ngushticat erdhi në drejtim të Nishit ose drejt në Kosovë…”.
Me informata të shumta vjen edhe kronisti raguzan me origjinë arbërore nga Lezha Giacamo Pietro di Lucari me veprën e tij “Capioso ristretto degli Annali di Ragusa” (Pasqyrë e gjerë e Analeve të Raguzës), të botuar në Venedik 1605. Ky autor, ndonëse ngjarjen për luftën e dytë të Kosovës e vë në vitin 1447, pra një vit para se të bëhej kjo luftë, jep përshkrim të gjerë rrjedhave të kësaj lufte. Ai flet për një luftë të rreptë, të cilën e fituan turqit. Po ashtu, edhe G. Luccari, si shumë kronistë të kohës, për disfatën e koalicionit kudër osman në Kosovë, më 1448, e fajëson despotin serb Gjergjin.
Për këtë ngjarje të rëndësishme, studiuesi N. Malcolm, shkruan: “Kjo, Beteja e Dytë e Kosovës, është një nga ato ngjarje që mund të kishin ndryshuar historinë e Ballkanit. Në qoftë se është e vërtetë se beteja zgjati tri ditë, atëherë ky është një tregues se forcat e të dyja palëve gati kishin qenë të barabarta. Ardhja e Skënderbeut, i cili kishte përvojë të luftës kundër osmane dhe kishte korrur suksese të konsiderueshme, me kohë do të kishte qenë vendimtar. Po të kishte pësuar ushtria turke në këtë betejë, “tërë historia e Ballkanit do të mund të ndryshonte””.
Rrethanat diktuan që trupat ushtarake të këtyre trimave të asaj kohe të mos ndodhen të bashkuar në fushën e betejës kundër trupave turke. Por, megjithatë angazhimi dhe heroizmat e njëmendta të mëdha të Skënderbeut dhe Huniadit, kundër të njëjtit armik – Perandorisë Osmane ia lehtësonin njëri-tjetrit detyrat historike që kishin marrë – çlirimin, pavarësinë dhe lirinë e vendit.