“Popuj, dëgjojeni poetin, dëgjojeni ëndërrimtarin e shenjtë. Në natën tuaj, që pa të do t’ishte e gjitha errësirë, vetëm ai e ka ballin të ndriçuar.”-/
VIKTOR HUGO nga “Rrezet dhe hijet”/
Pak ditë më parë prof. Dr. Thanas Gjika, nëpërmjet shtypit dhe rrjeteve sociale, bëri një propozim të hapur për zgjedhjen e pritme të kryetarit të Shtetit shqiptar, një veprim institucional që diktohet nga kohët kushtetuese, sepse detyra e Kryetarit të tanishëm mbaron në verën e këtij viti.
- Gjika, si një qytetar shqiptar, edhe se me banim në SHBA, e quajti me vënd t’i këshillonte politikës një emër për vendin e Qytetarit të parë të Republikës shqiptare. Mendoj se është një nismë e lëvdueshme fakti që z. Gjika vendosi të shprehë opinionin e tij, në lidhje me një ngjarje të rëndësisë së shkallës së parë në jetën institucionale të Vendit të tij. Më pëlqen t’a quaj atë nismë si një përçapje për të filluar një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë ndërmjet politikës e shoqërisë shqiptare. Duhet të jetë një hap i nisur nga e dyta e jo i diktuar nga e para, një veprim që duhet të tregojë se shoqëria është e gjallë dhe politika synon të vendosë marrëdhënie ndërtimtare me të, duke u munduar të mos thellojë hendekun që e ndan, por të vendosë ura lidhjeje të mendimeve e veprimeve.
Në këtë kontekst dua të shpreh edhe un një opinion, i cili përputhet me atë të z. Gjika. Është fjala për emrin e personit, të cilin nismëtari e quan si më të përshtatëshmin për t’u ngjitur në krye të Shtetit. Ai emër është z. Visar Zhiti, i njohur në Vendin e tij, në mjediset shqipfolëse e në botë. Mbi atë emër do të duhej të gjëndej një mirëkuptim i përgjithshëm i politikës shqiptare, në tërësinë e saj.
Megjithë vështirësinë e madhe që paraqet kjo sipërmarrje, për një sërë arsyesh e motivesh, të trashëgimisë e të çastit të tashëm politik, po të merret me përparësinë e idesë se Presidenti i Republikës duhet të jetë më shumë shprehje e vullnetit të bashkuar të qytetarëve, se sa e një partie apo grumbulli të tillash që fitojnë zgjedhjet, ndoshta mund të gjindet udha e mirëkuptimit.
Visar Zhiti është një figurë kaq e njohur sa që nuk ka nevojë për asnjë paraqitje. Vlera e tij letrare i ka kaluar me kohë sinoret e botës shqiptare dhe është bërë një përfaqësuese e shkëlqyer e saj në botën e madhe. Pa rradhitur mendimet e shumë intelektualëve shqiptarë e të huaj për veprën e tij, po mjaftohem me një shprehje të studjuesit të shquar të botës shqiptare, kanadezit Robert Elsie : “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar jeta dhe vepra e të cilit, mbase, pasqyron më mirë historinë e kombit të tij.” Një vlerësim të tillë besoj se nuk e gjejmë në asnjë jetëshkrim të Kryetarëve të Shtetit shqiptar.
Duke shtjelluar mendimin tim vetiak, që besoj se përkon edhe me atë të shumë të tjerëve, sidomos me atë të bashkëvuajtësve tanë në regjimin komunist, do të mundohem të rrjeshtoj këtu, në këtë shprehje të lirë opinioni, se pse bashkohem me yshtjen e z. Gjika e pse e quaj Visar Zhitin kandidatin më të përshtatëshëm për postin e Kryetarit të Shtetit.
Zgjedhja e z. Visar Zhiti do t’ishte një shenjë e prekëshme, jashtë çdo lloj demagogjie, e shkëputjes së Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale. Për klasën politike shqiptare, përfytyresa e një dukurie të tillë në opinionin ndërkombëtar është tepër e rëndësishme. Mjafton të kujtojmë se vende të tjera si Ҫekosllovakia e Polonia, në fillimet e demokracive të tyre, patën në drejtimin e Shteteve të tyre personalitete të njohura të disidencës kundërkomuniste, të cilët përfaqësonin kursin e ri të politikës. Kjo dukuri e shtoi besueshmërinë e “botës së lirë” kundrejt atyre shoqërive, me pasojat pozitive të njohura. Tek ne ka qenë një dukuri pozitive prania e dy Kryetarëve të Kuvendit nga rradhët e ish të përndjekurvet, Pjetër Arbnorit e Jozefina Topallit, por dhe ajo ishte shprehje e vullnetit të një shumice partiake (PD), e jo e një mirëkuptimi shumëpartiak, siç kërkohet tani në personin e z. Zhiti.
Sendërtimi i një synimi të tillë, nëpërmjet një mirëkuptimi të politikës në tërësi, do të ishte një tregues edhe i një tjetër dukurie pozitive e të rëndësishme, asaj të dëshmisë se përballë sfidave të mëdha kombëtare, vetë kombi nxjerr në pah e i bën zotërues faktorët e bashkimit, duke u dhënë përparësi në vendimet madhore të tij. Do të ishte edhe tregues i një tjetër fakti, në kundër prirje me të shkuarën tonë, atë të vlerësimit të pasurive të vërteta intelektuale kombëtare e vënies së tyre në vendin e duhur.
Figura e poetit të nivelit botëror, i njohur dhe i vlerësuar nga shumë personalitete e institucione të botës së sotme, do t’i jepte një prestigj e një zë të mirë edhe vetë institucinit të Presidencës së Republikës shqiptare, shumë më tepër se sa qënia në të e një përfaqësuesi të politikës së vjetër apo të re, apo më keq akoma, e një kukulle në duartë e atyre që fitojnë zgjedhjet. Përvoja e tij e gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare do t’ishte një tjetër atù e domosdoshme në kryerjen më së miri të detyrës së tij, ashtu si edhe pjesëmarrja që herët në proçeset demokratizuese, vitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, detyra si ministër e të tjera veprimtari politike e shtetërore.
Për vetë natyrën e tij, për formimin kulturor, për lidhjen shpirtërore që ka me Vendin e tij, mendoj se është një njeri që bashkon e nuk ndan, një figurë e cila mund të bëhet pikë riferimi e vlefshme për të gjithë qytetarët, por edhe për të gjithë segmentet e politikës, të cilët mund të shohin në të një siguri, në drejtim të barazpeshave institucionale.
Shtati moral e dinjiteti vetiak, të dy të shprehur pakundërshtueshmërisht, si në provën e madhe të burgjeve politikë gjatë diktaturës, ashtu sikurse edhe gjatë ushtrimit të detyrave të ndryshme në vitet e demokracisë, përbëjnë një çertifikatë sigurie se ai do të jetë njeriu i duhur në vendin e duhur, në një periudhë kur jeta politike dhe administrative shqiptare paraqet zbrazësira, deri në humnera, sa i përket faktorit moral. Një Kryetar i tillë do të jepte ndihmesën e tij themelore në moralizimin e institucioneve.
Kryetari i shtetit shqiptar duhet të jetë edhe një figurë e njohur në të gjitha bashkësitë shqipfolëse që jetojnë nëpër botë, qoftë si pakica kombëtare, si qytetarë të shtetit të dytë shqiptar, apo si pjestarë të mërgatave shqiptare në Vende të ndryshme të botës. Mendoj se figura e z. Zhiti mund të jetë ajo më e vlerësuara në gjithë këta mjedise, një figurë në të cilën çdo shqiptar do të ndihej i përfaqësuar. Si një personalitet i njohur në të gjitha mjediset mbarëkombëtare, në sajë të veprës së tij letrare, mund të bëhet një pikë e rëndësishme riferimi edhe për problemet e përgjithëshme e të veçanta të gjithë kombit.
Ishin këta disa nga motivet për të cilët vendosa t’i bashkohem nismës propozuese të z. Gjika, të cilin e falënderoj shumë për mendimin e tij të vyer. Nëse këta motive shihen si qenësore, të vlerta e të bashkëpranueshme nga aktorët kryesorë të politikës, është rasti që këta të fundit, kur të vijë çasti, të lenë mënjanë mëritë vetiake e politike, të ulen në një tryezë të përbashkët, në të cilën të vendosin me vullnetin e tyre të lirë, pa shtysat apo detyrimet e të tjerëve, të votojnë në krye të Shtetit një koleg të tyre, disi të veçantë, një nga intelektualët më në zë të hapësirës mbarëshqiptare, z. Visar Zhiti.
Uroj që kjo zgjedhje, gjatë këtyre muajve, t’ishte objekt rrahje mendimesh, në shkallë të gjërë, edhe për të vërtetuar se jetojmë në një demokraci, në të cilën mendimi i lirë gëzon plotësisht të drejtë qytetarie.
Janar 2017 Eugjen Merlika
Nuk ke ç’i shton këtij shkrimi kaq të plotë e të vërtetë. Ju faleminderit zotërinj, Gjika dhe Merlika, për propozimin e zgjedhjes së Z. Visar Zhiti në krye të Shtetit të sotëm shqiptar. Sqarimi me udhë-rrëfimin e pastër për njeriun e pastër e të ditur, është më i drejti e më dritëdhënësi. Më në fund, kombi ynë do të arrijë të marrë frymë thellë në nji ajër të pastruar e me më shumë oksigjen. Zotin Visar e përfytyroj si nji Promethe, të zgjidhur tashmë, i cili mori dritën nga Zeusi, për të ndriçuar jetën e njerzimit. Ka ardhur koha që shqiptarët të mësojnë edhe më mirë për çfarë udhërrëfyesi u flitet. Ata e njohin dhe e dinë se në çfarë ekuilibri (të dëshiruar) do ta mbajë drejtimin e Shtetit Shqiptar ky njeri virtuoz në politikën e brendëshme e të jashtëme, për t’u rikthyer shqiptarëve dinjitetin e nëpërkëmbur e të humbur. Nën drejtimin e tij edhe yjet do të ndriçojnë më shumë dhe më bukur.
Me shumë rrespekt dhe mirënjohje
Fatbardha Pali
Brooklyn, NY, USA
Janar, 22 / 2017
Bashkohem me mendimin progresist te dy zoterinjeve qe kane shkruar dhe vleresuar lart figuren e Z.Zhiti si morale dhe kulturore .Dikush mund te thoshte e te na propozonte nje tjeter figure “madhore “ne artin shqiptar .Une do ti pergjigjesha se atij ,Kadarese i mungon nje pjese e jetes ne Shqiperi ku ai i ngre hymne e lavde dikatatorit e ndyresires me te madhe ne historine e Shqiperise, ,antishqiptarit ,demagogut dhe hajdutit te qindra kallepe florishsh ne fshehura ne bunkerin e tij ne Corovode ,mes malesh ku u bene shpenzime kolosale ,per te strehuar “komandantin famekeq qe nuk dinte te qellonte me asnje arme “nga ndonje mesymje atomike .I pam ato pamje tre dite me pare ne TV dhe u renqetha duke i ballafaquar me thenien e tij–Eshte prekur thesari i shtetit ,ne menyre te dhimbshme “–Natyrisht qe banka e shtetit u boshatise sepse ai i depozitoi dhe vodhi si asnje kusar tjeter ne Shqiperi ,per tua lene neperkes se tij nexhmijes dhe djemeve te bredhin neper bote me pasuri qe asnje mbret nuk i ka pasur .Prandaj jam plotesisht dakord me zoterinjte Gjika e Merlika qe nje President i tille se paku nuk eshte i njollosur nga bajgat komuniste ,perkundrazi ai i ka vuajtur dhimbjet ne kampet e perqendrimit te Byroisteve e personalisht te “shokut endhjer hoxha “KJo do te ndodhi ne se pranohet qe Presidenti te zgjidhet nga Populli e jo nga Parlamenti .PO e lane zagaret komunist te ndodhi kjo mrekulli ,perndryshe do te zvariten akoma 50 vjet me PUSHT-SHTETET qe do te pasojne
Z.Merlika.
Edhe une ju bashkangjitem mendimite tuaj shume te qelluem.Ashte e pa mund per tu plotsue prej ngercit POLITIK se pse nga kjo politike e flliqet nuke ju dha titulli AMBASADOR qe e meriton. E verteton kete edhe aktiviteti i tij profesional ne Vatikon, ku po vazhdon me e bamune punen si ashte ma mire .
Te shpresojme se perendija ua ndricon mendjen ketyne politikanve tane, qe te perdorin logjiken e shndoshe dhe mos te luejne politike me fatin e popullit dhe Shqiperine.Emri i Visar Zhitit, eshte shuem i qelluem per te qene ai president i shqiptareve.
Visar Zhiti president,,E VETMJA ARESYE PER TU REFUZUAR KY PROPOZIM ,DO ISHTE FAKTI SE NE PERSONIN E VISARIT DO KISHIM NJE PRESIDENT TE VERTETE,NJE PRESIDENT QE DO I BENTE NDER INSTITUCIJONIT,NJE PRESIDENT QE NUK DO TE MUND TE PERDORESH NGA ASNJE FORCE POLITIKE.AI SHERBEJNE TE ARDHMES KETO KONSIDERATA,SIGURISHT QE NUK I SHERBEJNE.A DO E BENTE ME TE RESPEKTUAR PRESIDENT ZHITI INSTITUCIJONIN ,PA ASNJE DYSHIM.A DO JETE NE GJENDJE KLASA POLITIKE TE KALOJE NGA PRIMITIVITETI NE NJE STAD QE DO E NDERONTE ATE SI KLASE POLITIKE DHE DO I SHEBENTE ATDHEUT,LE TE SHPRESOJME DHE TE BEJME PRESION QE ZERI YNE TE NDIGJOHET
Falenderojme zoterinjte Th. Gjika dhe E. Merlika per emrin e propozuar te presidentit te ardhshem ne
vendit tone:
Z. Petro Koci, aktualisht zevendes ministri i mbrojtjes ne vendin tone ka thene: “Neve socialistet sot, jemi shkeputur ploteshisht nga e kaluara komuniste.” Ky grupim politik duke bere “lakmusin” gjeten tek Zoti Visar Zhiti njeriun e duhur dhe e derguan te perfaqesoje vendin tone ne ate tempullin e larte, Vatikan.
Zoterinjte Socialiste, por edhe demokrate, duke i pare tek Zoti Visar Zhiti vlerat e tij intelektuale dhe shume me shume ato njerezore, morale dhe kombetare, le te merren nga ana juaj shume seriozisht propozimet e zotit Th. Gjika dhe zotit E. Merlika. Emri shume i paster i zotit Visar Zhiti per ta vene ne fronin e kryetarit te ardhshem te shtetit.
M. Xhydollari
New Jersey, USA
23 Janar 2017