Nga Enver Bytyçi. /
Duket se një konflikt i hapur po zhvillohet midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të renditur në krah të Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, të radhitur në anën e NATO-s. Pas një takimi që ata patën ditën e djeshme kanë vijuar deklaratat kundërshtuese sa i përket dialogut me Serbinë dhe diskutimit në tryezë të opsionit të ndarjes së Kosovës. Haradinaj është shprehur qartë: “Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes” Ndërsa Thaçi iu përgjigj sot me slloganin “për paqe”, sllogan të huazuar nga Sorosi në funksion të “kompromisit me falje tërritoresh për Serbinë”! “Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, shkruan presidenti Thaçi. Nga deklarata e presidentit duket se kryeministri akuzohet se “ndjell luftën” dhe ai duke akuzuar kryeministrin na hiqet si “njeriu i paqes”! Kështu Thaçi po na shfaqet me degën e ullirit në dorë, sepse dikush e paska gënjyer se kësisoj do të marrë çmimin “Nobel për Paqen” bashkë me Vuçiqin dhe Edi Ramën. Kaq i marrosur është pas lavdisë fallco, sa harron se kompromisi i tij është “thirrje e akt për luftë e dhunë”, ndërsa opsioni që mbron kryeministri është dhe mbetet kusht për paqen. Nëse krerët e shteteve në botë do t’i kishin zgjidhur konfliktet me faljen e territoreve të vendeve ku ato drejtojnë, nuk kish mbet deri më sot asnjë konflikt pa zgjidhje. Cili vend në botë nuk pajtohet me një vend tjetër, kur vendi dhe populli i dhunuar dhe masakruar pranon t’ia flaë territoret e veta vendit agresor e dhunues?! Mesazhi që shfaqet në deklaratën e Thaçit është krejt i qartë: “Territore në këmbim të paqes! Territore në këmbim të integrimit! Territore në kombim të njohjes! Ndërsa dje u dha një fije shprese se presidenti i Kosovës nuk do të flasë më për humbjen e territoreve të vendit, sot ndryshoi melodia dhe filloi përsëri avazin e sulmeve kundër kryeministrit dhe kujtdo tjetri që është kundër faljes së territoreve. Ky është Hashim Thaçi, i pabesë, hipokrit, mashtrues, dhunues dhe imponues me arrogancën e një personi ordiner, por i maskuar me “degën e ullirit”, me sllogaet sorosiste të paqes. Mjeti arrin qëllimin! Ai nuk ka problem të përdorë çdo gjë, çdo mjet, mjafton të arrijë qëllimin e tij për ndarjen e territorit të Kosoëvs dhe ta mbajë fjalën e dhënë ndaj presidentit të Serbisë Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Para këtyre të dyve Thaçi është zotuar se edhe i vetëm do ta ndajë Kosovën. Në fakt ia ka arrit qëllimit. Thaçi e shndërroi Kosovën nga problem ndërkombëtar në një problem serb. Presidenti i Kosovës i hodhi në kosh të plehrave të gjitha përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe ndërkombëtarëve për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Thaçi është rrjeshtuar pro aleatëve të Serbisë dhe të Rusisë. Shihni sa ashpër rëagon kundër deklaratave që dy ambasadorët britanikë në Prishtinë dhe në Beograd, bëjnë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe asnjë fjalë nuk thotë kundër ambasadorit francez, i cili vazhdimisht shprehet se “kompromisi do të jetë i dhimbshëm”, duke nënkuptuar humbjen e territoreve nga ana e Kosovës. Nga aleat i NATO-s është shndërruar në aleat të Rusisë, Serbisë dhe miqve të tyre në Europë. Ndërsa Haradinaj mbahet fort në anën e orientimit euro-atlantik. Sllogani për paqen ishte aq i përhapur kur NATO bombardoi Serbinë më 24 mars 1999. Ishte sllogan kundër ndërhyrjes në Kosovë, ishte sllogan i përligjjes së politikave të Milosheviçit! Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po bën të njejtën gjë, po përdor slloganin për paqe në funksion të një prej qëllimeve të Milosheviçit, ndarjes së Kosovës. Ruhuni nga gjarpëri! Gjarpërit i duhet shtyp koka, nëse doni të shpëtoni prej tij! Sa më shpejt ta largoni presidentin proserb të Kosovës nga tryeza e bisedimeve me Beogradin, aq më mirë do të bëhet për Kosovën, për rajonin, për Europën! Sa më gjatë të qëndrojë ai në atë tryezë, aq më dramatike, e pasigurt. madje shkatërruese do të jetë e ardhmja e Kosovës! Tiranë më 31.08.2018