Sokol Paja/
Viti 2024 ka qenë një vit historik për Federatën Vatra e gazetën Dielli si institucione të shenjta të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja ndaj shkollave shqipe në Amerikë me flamuj kombëtarë, abetare, libra shqip dhe gazeta Dielli e rikthyen Vatrën në lavdinë e saj shekullore në mbështetje të gjuhës shqipe, historisë kombëtare, identitetin kulturor shqiptar, traditës e trashëgimisë së shkëlqyer atdhetare në mërgatën e Amerikës. Në vitin e gjuhës shqipe, Federata Vatra dhe gazeta Dielli iu gjend pranë shoqatave e organizatave patriotike që punojnë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndërsa vetë si organizata më e fuqishme dhe më e vjetër funksionale mes shqiptarëve të Amerikës, drejton tri shkolla shqipe duke dhënë një ndihmëse të jashatëzakonshme në ruajtjen e gjuhës kombëtare në mërgatë.
Shkolla Shqipe “Vatra” në Tampa e Tasim Rukos, Klubi Patriotik “Flas Shqip” në Miami e Dr. Iris Halilit dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” në New York e Dr. Paulin Markut, mbështetja nga degët e Vatrës në Boston, Chicago, Michigan, New Jersey, Connecticut etj janë dëshmi e fuqishme se Vatra këtë vit ishte flamurmbajtësja e veprimtarive atdhetare e komunitare në mbrojtje të gjuhës e kulturës kombëtare në Amerikë.
Më 3 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” në Bronx, New York. Vatranët shprehën falenderim, vlerësim e mirënjohje për punën e shkëlqyer të shkollave shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Vatrës theksoi se puna e shkëlqyer e mësuesve dhe shkollave shqipe do të ruajë të pastër trashëgiminë kulturore shqiptare në brezat që do vijnë. Shkollat shqipe në Amerikë e kudo ku ka diasporë shqiptare janë vazhdimësi identitare dhe përpjekje dinjitoze në mërgatën e Amerikës duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shqiptarinë. Mësuesit e shkollave shqipe në mërgatën e Amerikës dhe në diasporën shqiptare kudo në botë janë misionarë të shenjtë të kombit shqiptar.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra e mbështet arsimin shqip e shkollat shqipe që prej vitit 1912 ku vetëm në vitet 1918-1940 Vatra dërgoi më shumë se 120 mijë libra në Shqipëri të shtypura në Shtypshkronjën e Diellit. Më 12 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.
Më 4 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip” në Staten Island dhe Queens, New York. Aktivistët, patriotët e vullnetarët shprehën vlerësim të lartë për Vatrën e gazetën Dielli si ikona të shqiptarizmës. Vatranët shprehën falenderim të përzëmërt për punën e shkëlqyer patriotike, edukative dhe kulturore të mësuesve, prindërve dhe drejtuesve të shoqatave të cilët mbështesin shkollat shqipe. Shpirti atdhetar i patriotëve, puna profesionale e mësuesve, pasioni i tyre, këmbëngulja e prindërve e mbështetja e drejtuesve të shoqatave përbëjnë një garanci për të ardhmen e mësimit shqip në mërgatën e Amerikës ku Vatra do jetë aty për ta përgjithmonë. Zoti i nderoftë të gjithë patriotët, atdhetarët e mbështetësit e mësimit shqip, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e jashtëzakonshme ndjesia që përjeton në shpirt teksa sheh gjeneratat që flasin, mendojnë, studiojnë, vallëzojnë e jetojnë shqip.
Kjo mbështetje shpirtërore e materiale e Vatrës të bën krenar e mbush zemrën plot. Më 14 shtator 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Më 21 shtator 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 30 flamuj kombëtar, 30 libra shqip dhe 30 gazeta Dielli për fëmijët shqiptarë të shkollës shqipe të shoqatës Iliria në Saint Louis. Më 14 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore e atdhetare. Dhurimi u bë ceremoninë e përurimit të Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, nëpërmjet gazetës Dielli është kthyer në promotorën më të fuqishme të shkollave shqipe në diasporën e Amerikës e Europës. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë përpjekjet e shenjta të çdo shqiptari për gjuhë, flamur, komb e atdhe.