Prof. Romeo Gurakuqi/
Një skicë e paraqitjes sime, të titulluar: “Mbi peizazhin politik dhe parlamentar të Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924”, mbajtur ne Konferencen e organizuar ne Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më, 24 qershor 2024. Në prezantimin tim në konferencë ofrova një lexim/ kuptim personal dhe disa përkufizime mbi kohën e pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, mbi rrugën drejt stabilitetit institucional të shtetit, kahun nga eci Legaliteti Institucional në raport me periudhën pararendëse (1912-1914) të themelimit të shtetit shqiptar si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, elitat drejtuese themelvënëse dhe mënyra e pasimit të tyre në krye të punëve mbi atdheun, eliminimin në harkun kohor 1913-1926 i një aradhe të tërë të themelvënësve të shtetit kushtetues dhe të europianizuem, dhe kundërshtarëve të tyre, origjinat dhe prejardhjet e Kreut të Shtetit dhe përplasjet për udhëheqësinë, jetën politike dhe parlamentare të Shqipërisë në përiudhën nga Kongresi i Lushnjës i janarit 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe Kundër-Revolucionit që pasoi 6 muaj më pas, me themelimin e një kuadri të ri institucional, me fshirjen dramatike të pjesës fundore të themelvënësve të Shqipërisë nga Regjimi i Ri. Përkufizimet janë të mbështetura mbi burime arkivore të vëzhguesve dhe diplomatëve amerikanë, italianë dhe britanikë dhe i përkasin historisë politikë. Po ashtu leximi dhe kuptimi i ngjarjeve, zhvillimeve të kësaj periudhe nuk mund të mos kishte dëshminë e personaliteve më të rëndësishme me formim oksidental dhe patriotik të botës shqiptare. Kjo sepse, Shqipëria e asaj kohë ka pasur korrektorë të brendshëm mendjehapur dhe vullnetmirë, lexues të kthjellët të thelbit të zhvillimeve politike në vend, analizues të fakteve të shkëputura, që ia kanë dalë të kapin fillimet dhe fundet e fenomeneve historike me impakt afatgjatë.
I mbetëm qëndrimit se Revolucioni i Qershorit 1924 , ose Kryengritja e armatosur për përmbysjen e sundimit të oligarkisë konservatore të pjesës më primitive të bejlerëve prej forcave përparimtare, modernizuese, ende në pakicë në një shoqërie të prapambetur dhe të pa zgjuar nga gjumi otoman, nuk mund të kuptohet si një akt i shkëputur historik nga periudha pararendëse e jetës politike për kontrollin e vendimmarrjes shtetërore, nga konflikti i thellë mes dy pjesëve të botës shqiptare me vizione të ndryshme mbi vendin e Shqipërisë në kontinentin e vjetër dhe nga ndërhyrjet e vendeve drejtëpërdrejtë të interesuara për mbajtjen e Shqipërisë vend të përçarë në shtyllat përbashkuese të nacionit.
Përfundimi i LPB dhe 6 vitet që e pasuan janë të shënuara Koha e Rithemelimit të Shtetit, Ripërcaktimit të Kufijve, Rivendosjes së Konstitucionalizmit, Lirive, stabilizimit të Shekullarizmit dhe e vendosjes së Ekuilibrit të Brendshëm Ndërkulturor dhe Krahinor, në aspektin administrativ dhe udhëheqës institucional.
Mbi të gjitha, jetën politike të Shqipërisë e ka trazuar vakumi i krijuar në Kreun e Shtetit, kuptuar si figurë institucionale unike vendimmarrëse dhe përbashkuese e qytetarëve, prejardhur ky vakum prej vendimit të paplotë të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve në raport me vendimin e 29 korrikut 1913, nga mosgjetja e zgjidhjeve të përshtatshme edhe prej faktorëve të brendshëm që endeshin, nga aspirata për vijimësinë e para luftës, tek përsëritja e modeleve esadiste në zënien me forcën e mercenarëve krahinarë dhe qarqeve shoviniste fqinje, të pushtetit në Tiranë, për llogarina individuale dhe ballkanike. Normalisht që edhe prishja e konsensusit të Fuqive të Mëdha në lidhje me Shqipërinë ndikoi mjaft në këtë zbrazëti.
Një kombinim i faktorëve të jashtëm ndërhyrës që lidheshin me interesat xhonturke, serbe dhe malazeze dhe greke, me aleatët e brendshëm esadistë dhe elikjamistë, respektivisht otomanistë, kishin rrënuar Themelimin e Parë Shtetëror të Shqipërisë pas shtatorit të vitit 1914 në kaosin e vitit 1915.
Austro-Hungaria dhe Italia, më pas, për interesa të përkundërta strategjike, në zonat e tyre të kontrollit ushtarak, në 3 vitet fundore të Luftës, përveçse njohën formalisht nën kontrollet e tyre ushtarake, autonominë në Veri (njoha e vetëqeverimit për gjithë Shqipërinë me 24 janar 1917 brenda Perandorisë) dhe pavarësinë e Shqipërisë në Jug (pas shpalljes së 3 qershorit 1917 të Komandantit të Giacinto Ferrero për bashkimin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë), nxorën jashtë ushtritë e vendeve fqinje, rindërtuan administrimin e brendshëm shqiptar, që edhe pse në rrafshe të ndryshme strategjike, shërbeu si proces për ringritjen shtetërore të pas luftës, kur diskutohej rendi i ri europian, jeta shtetnore e Shqipërisë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
Austriakët gjatë kontrollit shtetërorë 3 vjeçar (1916-1918) arritën të stimulonin mjaft impulse të qytetërimit dhe administrimit europian dhe vendosën në drejtim të punëve shumë prej njerëzve të shkolluar, nga të gjitha viset që ato kontrollonin.
Mbi të gjitha, sundimet e lartpërmendura, austriake në njërën anë dhe italiane në jug, shuan gjurmët e lëvizjes otomaniste, ndërsa Tërheqja e Madhe Serbe (nëntor 1915-shkurt 1916) mori me vete dhe transferoi jashtë Shqipërisë, Esadin dhe burimet e tij njërëzore, institucionale dhe ushtarake të shtetit të vogël arnaut. Ishte mirë që fundi i luftës e gjeti Shqipërinë me faktorët destabilizues të qeverisjes së parë shtetërore të neutralizuar, por hija e tyre do jetë ende vepruese dhe kujtuese edhe më tutje.
Gjithsesi, edhe pse kemi mbërritur në “post” luftë, valët e pushtimeve serbe, malazeze dhe greke, kishin lënë pas goditjen e krahut të armatosur të Lëvizjes Kombëtare Albanianiste të Vlorës 1912:
Eliminimet e Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit, Mustafa Qullit, Gjeto Cokut disa dhjetra pasuesve dhe bijve të tyre, ishin vetëm fillimi i një serie eliminimesh të udhëheqësve politike të Pavarësimit të Parë, që do të përmbyllen në rrjedhën e pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit”, ose i eliminimit të faktorëve relevantë që llogarisnin në mënyrën shqiptare të politikbërjes dhe vendimarrjes së brendshme.
Kjo fazë e dytë fillon me vdekjen e papritur i helmuar në Perugia (Itali), të Babait te Kombit, Ismail Qemali, ndërkohë që ishte nën mbikqyrje të rreptë prej autoriteteve italiane të sigurisë dhe inteligjencës , vijon me vrasjen me atentat të figurës më të fuqishme të Shqipërisë, të Princit Trashëgimtar të Mirditës, Preng Bib Dodës, ekzekutimin për arsye të ndryshme nga të parët, të Essad Pashë Toptanit, udhëheqësit të rrymës së fuqishme politike dhe ushtarake për një Shqipëri të Vogël të qethur nga kristianizmat e lashtë autoktonë arbnorë, nga Kosova, nga Malësia dhe nga Epiri, gjegjësisht Shqipëria Natyrale e Jugut.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me eliminimin e dy personazheve, por kemi daljen nga skena të dy faktorëve vendimtarë, që kishin mundësinë, për arsye të ndryshme nga njëri tjetri, Bib Doda për arsye princore tradicionale, Essad për arsye të një tradite formative pashallarësh otomanistë dhe mercenarë, të organizimit brenda natës së dy forcave ushtarake, që impononin pushtet në Shqipërinë ende të pastabilizuar.
Edhe pse e privuar nga forca mbështetëse pararendëse politike e Ismail Qemalit dhe ushtarake e Bib Dodës, e Dedë Gjo Lulit dhe Isa Boletinit, Rryma Albanianiste e Shtetformimit të Vlorës dhe Principatës së Wied, tharmi i asaj kohe krenare të bashkimit të elitës së vetëdijshme dhe të përgjegjshme, kishte lenë pas një trashëgimi të rëndësishme, një frymë që u përforcua me pasues të një kualiteti të lartë politik dhe diplomatik. Mërgata shqiptare në SHBA (Fan Nolin, Faik Konica, etj.) dhe në Zvicër (Mihal Turtulli, Pandeli Cale, Sotir Kolea) ushqeu me udhëheqësi të një kualiteti të epërm intelektual, nuklet e gatshme patriotike në vend, të ringjallura nga koha e artë e Austrisë për kombin shqiptar, pas traumes esadiste dhe elikjamiste (kryengritëse). Kjo rrymë ia doli të “prodhojë” dy kongrese nacionale dhe dy qeverisje kushtetuese, patriotike mbarëkombëtare pas luftës, në Durrës në dhjetor 1918 dhe në Lushnjë në janar 1920, të mbronin me përkushtim të patriotik çështjen e Shtetit në kufijtë etnikë, të ristabilizonin kushtetutshmërinë dhe legalitetin e paraluftës dhe të fillonin për herë të parë në historinë tonë, jetën politike parlamentare, por pa zgjidhur dot në mënyrë përfundimtare problemin e vijimësisë së Kreut të Shtetit.
Gjithsesi, vërtet nga skena ushtarake e Mbrojtjes së Nacionit si Një i Tërë, ishin larguar prijësit e rendit të parë tradicionalë të trojeve, por vendin e tyre e plotësuan me po aq vendosmëri të mbijetuarit e një kohe sakatimesh të atdheut si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Prishtina;
largimin nga kjo jetë të bashkëthemeluesit të Shtetit, Dom Nikollë Kaçorri, e vijuan me një përkushtim në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar Luigj Gurakuqi, Faik dhe Mehmet Konica, Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Fan Noli, Stavri Vinjau, Abdi Toptani, Mihal Turutulli, Lef Nosi dhe mbi të gjitha, figura më e fuqishme dhe më e respektuar në vend ndër shqiptarët e të gjitha besimeve, Aqif Pashë Biçakçiu nga Elbasani.
Ndërkohë mes prijësve krahinorë që ia kishin dalë të përforcoheshin nën Austrinë, të kishin forca ushtarake krahinore, krahas grupeve kosovare të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, ishte Ahmet Bej Zogolli, i dalluar ky i fundit në dy faza: në avancimin e trupave austro-hungareze në territorin e Shqipërisë në fundin e dimrit 1915- 1916 dhe më pas në rivendosjen e autoritetit shtetëror dhe nxjerrjen jashtë të trupave pushtuese jugosllave nga Kongresi i Lushnjës dhe në vijim. Transformimi i tij nga një Prijës Ushtarak Lokal i një krahine të brendshme në përkrahje të rrymës progresiste të nacionalistëve, në një politikan që mban gjithmonë me vete forcën e tij pararendëse të besnikëve të krahinës dhe mbetjeve mercenare të Essadit të shuar, në Tiranën tanimë me Parlament, Qeveri dhe jetë civile, do të ushtrojë ndikime përcaktuese, vendimtare, do të thoja, mbi gjithë jetën politike, institucionale të Shqipërisë 1920-1926, rendin publik, në të dy kahet, pozitivë dhe negativë, por mbi të gjitha në neutralizimin dhe nxjerrjen tërësisht jashtë Shqipërisë të burimeve njerëzore politike progresiste të Vlorës 1912, të Durrësit 1918 dhe Lushnjës 1920, pas Kundërrevolucionit, ose Rikthimit të Legalitetit qeverisës për të vendosur një Legalitet të Ri krejt të ndryshëm nga Marrëveshje e Brendshme dhe e Jashtme për Shtetin, një Legalitet të transformuar, në dhjetorin e vitit 1924.
Si paraqitej Shqipëria e viteve 1920’?
Shqipëria ishte shfaqur në dekadat e para të shekullit XX tërësisht e deformuar nga pikëpamja kulturore nga Arbëria e dikurshme Adriatikase. Ky deformim në mënyrë të natyrshme do te reflektohej në vizionet politike të shtresave të ndryshme shoqërore, krahinave, partive parapolitike, që ngjizen, formësohen dhe shkërmoqën brenda ditëve, javëve dhe muajve, të individëve me edukatë europiane dhe demokratike dhe të fortëve me mercenarë dhe gangsterë të paskrupuj, të mbetur trashëgim nga koha otomane. Gjithsesi fryma demokratike që kishte përfshirë mbarë kontinentin u ndie edhe në këtë vend: Shqipëria, pas Luftës së Parë Botërore, doli nga feudalizmi dhe mesjeta dhe dalëngadalë filloi të marrë ngjyrën e një shteti modern , por ky modernitet do të ecë vështirësisht për shkak trashëgimisë që i rëndonte nga pas.
Problemi kryesor për shtetin ishte se nga do të ecte procesi stabilizues i Shqipërisë?
Nga linja e përcaktuar nga vendimi i 29 korrikut 1913, i konkretizuar me Monarkinë e Wilhelm von Wied, d.m.th. nga Ripërtëritja deri ne fund e Legalitetit të afirmuar tanimë, të lënë hapur si opsion nga kuvendet e Durrësit dhe të Lushnjës? Apo do të prirej drejt zgjidhjeve të reja, drejt një legaliteti të ri të prodhuar me forcën e armëve të turmave, të financuara nga fqinjët, që kërkonin në këmbim heshtjen ose teatrin kinse nacionalist, të Tiranës zyrtare, për tokat shqiptare të lëna jashtë sërish prej vendimit të 9 nëntorit 1921?
Në çdo skicë të kompleksitetit politik të Shqipërisë do të duhet të kemi parasysh se ky vend kishte mbërritur në modernitet pas aq trazimesh, i copëtuar jo vetëm territorialisht, por edhe me vektorët e vet kulturorë përbërës të copëtuar, të Veriperendim, Verilindje, Lindje dhe Jug, me balanca natyrore të prishura artificialisht, me dallimet ndërfisnore dhe krahinore që ushtronin një rol vendimtar në cilësinë e produktit modernizues dhe europianizues. Për rrjedhojë edhe ndarja në partitë e reja politike që fillojnë e formësohen vetvetiu, sapo pluralizmi u impostua në qendrat politike, në Durrës ose në Tiranë, ishte në një farë mase një pasqyrim i dallimeve të mprehta që ekzistonin në besimin fetar, formacionin kulturor dhe krahinor, shkollimin dhe rrethet kulturore nga vinin.
Mes kësaj tërësie që mbërriti nga mesjeta në modernitet dallonin dy qendra:
Korça në mënyrë të veçantë ishte shtëpia e shkollës progresive dhe demokratike, e burrave të shtetit që pak nga pak, në vitin 1922 do të vendosën në kontroll të qeverisë, por si apendiks i atyre qe kane forcën e armëve.
Shkodra, qyteti më modern në Shqipërinë e asaj kohe, ishte jo vetëm qendra më e madhe tregtare dhe ekonomike, por edhe kryeqyteti moral intelektual, që prodhonte përfaqësi politike intelektuale për shkak të shkollave të kahershme, rolit të klerit katolik në përcjelljen e frymës arbnore në të gjithë grigjen e vet, dhe hapësirës publike me përmbajtje nacionale që u mundësua ndër sundimet ndërkombëtare dhe posaçërisht në kohës e Austrisë.
Elita pro europianizimit të vendit, e mberthyer ne Boshtin Korçë -Shkodër kërkonte që në Shqipëri të vendosej një sistem perëndimor i demokracisë, me një opozitë parlamentare, por bejlerët e botës së vjetër provinciale, pra jo aq pjesa më elitare e tyre, dëshironin të përjetësonin një stil të administrimit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Otomane, e kështu pushteti të mbetej edhe më tutje në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave.
Shqipëria e sapodalë nga sundimi i gjatë obskurantist otoman ishte vendi më i prapambetun i Europës, e nga nji vend i tillë nuk mund të prisje që të dilnin në mënyrë demokratike, apo të vetëvetishme, administratorë me përvojë dhe të aftë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte një klasë fshatare pa tokë, e shfrytëzuar prej shekujsh në emër të të huajve nga ata që këto kohë kontrollonin jetën politike të Tiranë; ishte analfabete në mënyrë masive, e kësisoj liderët e kësaj klase, bejlerët e trashëguar nga Perandoria Osmane, nuk mund ta kuptonin dot ndryshe dashurinë për atdheun, vetëm si një dashuri dhe prirje drejt pushtetit. Personat e arsimuar ishin të paktë në numër, kryesisht nga radhët e popullsisë së krishterë, që përbënin një të tretën e numrit të popullsisë, por ata nuk ishin të pajisur me artin e të qeverisurit, e mbi të gjitha ishin pa kurrfarë të drejte nga klasa e bejlerëve të ish perandorisë, e cila kishte zënë tanimë, njëlloj si më parë, vendet në administratë dhe i mbarështronte punët me metodat e vjetra otomane. Pas shpalljes së pavarësisë kjo klasë i drejtoi tashmë sytë nga marrja e pushtetit në Shqipëri, duke kërkuar që të përfitonte nga kushtet politike primitive që ekzistonin në vend.
Si në çdo shkencë, mbledhja e të dhënave (dokumenteve), menaxhimi i tyre mbi kritere përzgjedhore dhe sistemimi, është shumë i rëndësishëm edhe në studimin e historisë.
Bazuar mbi prioritetet kryesore të jetës politike dhe parlamentare të Shqiperisë nga Kongresi i Lushnjës deri në prag të Revolucionit të Qershorit, Prirjen Vendimarrëse në Zgjidhjen e Problemit Themelor të Stabilizimit Institucional – Kush do ta drejtojë vendin?, Rrugës së vështirë dhe mundimshme për transformimin e Statutit në Kushtetutë Shtetërore, thyerjeve në udhëheqësinë e përkohëshme të vendit mes dy rrymave kryesore, spikatjes se individeve të udheheqesise, në ballë ose në hije, jetën politike dhe parlamentare në këtë hark 5 vjeçar une kam menduar ta ndaj në pesë faza, por me dy spikatje në tërësinë e vet:
Nga janari 1920 deri ne dhjetor 1921, figura me e rendesishme politike ka qene Babai i Kongresit te Lushnjes: Aqif Pashe Elbasani, figurë tërësisht e respektuar ne vend. Ai, Imzot Bumçi, Abdi Toptani, Mihal Turtulli, donin t’i jepej fund situatës së anarkisë së shkaktuar nga ndërhyrja gjithnjë e më e përshkallëzuar e elementeve kundërshtarë të linjës politike rilindase, përmes rikthimit të legalitetit kushtetues të vitit 1914, kthimin e monarkisë dhe restaurimin e Princ Wied-it në fronin e Shqipërisë, por nuk dëshironte të bënin presion për një gjë të tillë, në qoftë se kjo nuk do të pëlqehej nga Fuqitë Aleate.
Dokumentacioni arkivor italian, amerikan dhe britanik tregon se në vitet 1920’ në Shqipëri ekzistonte një deshirë e përgjithshme për të pritur sërish në vend sovranin legjitim të njohur ndërkombëtarisht, Princin Wilhelm von Wied, ose në qoftë se ai nuk do të mund të rikthehej si sovran i vendit, djalin e tij të vogël. E gjitha kjo me qellim që dinastia e shtëpisë mbretërore të Shqipërisë të mund të vazhdonte, së paku shteti i paraluftës të krijonte vazhdimësi e legalitet, një arbitër mbi palët të komandonte vendin e përçarë kulturalisht dhe krahinarisht, faktorët agresive dhe primitive të modelit esadist të shmangëshin nga mundësia e imponimit me armë mercenarësh. Ardhjen e Tij sërish e favorizonte fakti se në Shqipëri nuk kishte ndonjë traditë të përhapur republikane, dhe partizanët e Republikës llogariteshin shumë pak, vetëm disa qindra, kryesisht ndër emigrantët e kthyer nga ShBA.
Kauza e Princ Wiedi-t, përfaqësonte sipas Ministrit Fuqiplote Italian ne Durrës, sinjalin e pavarësisë së njohur nga Londra (1913) dhe të sanksionuar nga të gjitha fuqitë, me dërgimin e përfaqësuesve të tyre pranë Princit në Durrës dhe tani në vitin 1921 merrte fizioniminë e një qëllimi për t’u arritur për të kënaqur “l’amor proprio nazionale”, por jo vetëm, edhe si provë më e lartë dhe e fundit e shpirtit të ri demokratik, fitorja e rrymës që kishte mundur esadizmin dhe regjimin e bejlerëve deri në shfuqizimin e këtij titulli me vendim në Parlament.
Signor Pollanz, triestin, për një përiudhë të gjatë diplomat i ish Konsullatës Austro-Hungareze në Durrës, njohes krejt i mire i Shqiperise jepte këtë sondazh mbi preferencat politike në Shqipëri në shënimet e tij të datës 28 prill 1921: atij i rezultonin se 70 deri 75% e popullsisë së Shqipërisë prireshin për Partinë e Wied; 25 % ishte e formuar nga republikanë të ndarë në Cecilisti (partia angleze), italofilë, grekofilë dhe serbofilë. Ai shtonte se edhe shifra prej 75% do të mund të shtohet drejt 80% mbasi asaj mund t’i shtohen edhe ata që deri më tash nuk kanë një ide të qendrueshme, por për maturi qendorojnë në hije.
John F. Carter Jr., diplomat i i atashuar pranë ambasadës amerikane në Romë në vitin 1921 në një raport të hollësishëm mbi gjendjen në Shqipëri deklaronte se rajonet qendrore dëshirojin rivendosjen e monarkisë së William of Wied, për të cilën gjeta një prirje të konsiderueshme pajtimi. Është e mundshme që në rrethanat aktuale, vendi është më i përshtatshëm për një monarki liberale, sesa për një formë republikane të qeverisjes. Bejlerët do të favorizonin Monarkinë, qoftë edhe për t’i vendosur ata si një aristokraci trashëgimore, shkruan ai.
Nga ana tjeter, duhet të nenvizojmë se Traktati i Saint Germain, neni 158 i tij, ua ndalonte nënshtetasve të shteteve ish armike të Antantes, te merreshin në shërbim ushtarak në vende të tjera dhe kjo e vështirësonte rikthimin e së njejtës dinasti në Shqipëri.
Derisa Aqif Pashë Elbasani ishte në krye të Regjencës, 22 dhjetor 1921, derisa vetë Regjenca ishte një institucion i pavarur e dirigjues dhe një kryetar i mirëfilltë kolektiv i shtetit, mendoj se brenda shtetit ka ekzistuar një mbështetje për rikthimin e Legalitetit Origjinal në Kupolën shtetërore, ashtu sikurse kanë ekzistuar edhe kandidatura të tjera të vendosjes së princërve të tjerë në huaj, për të kapërcyer pengesën e nenit 158.
Mirepo, pas grushteve të shtetit të fundvitit 1921, rënies Regjencës së Parë, pra në fund të fazës së tretë, me ardhjen në kontroll të punëve të qeverisë, fillimisht si ministër i brendshëm, më pas si kryeministër dhe në fund si kryeministër hije dora e e fortë e një klike post esadiste, të Ahmet Zogut, mund të themi opsioni i lartpërmendur fillon rënien dhe gradualisht, kur të fortët e tjerë të Shqipërisë janë fshirë më kohë, mbetej veç ai figura kryesore më e mundshme për të ushtruar diktatin, imponuar zgjidhjen dhe marrjen e drejtimit të vendit.
Ai paraqitej figura më e fuqishme e Shqipërisë dhe në përiudhën në vijim ai do të jetë aktori kryesor i ngjarjeve në Shqipëri. Besoj se viti 1922 do shënojë këtë impostim përfundimtar të tij në skenën politike shqiptare, që me pak muaj ndërprerje ne kohen e Revolucionit/Kryengritjes se qershorit 1924, ai do ta luaje për 17 vite me radhë. Sjellja e tij politike dhe ushtarake, pozicionet që ai ka mbeshtetur në skenën politike të Shqipërisë së prapambetur dhe në shtet në fazen ende embrionale, janë të lidhura me origjinen, formimin dhe interesat e grupimit nga ai rridhte.
Sidomos qendrimi i tij kundërshtar ndaj rikthimit të sovranit të ligjshëm të Shqipërisë, Princ Wiedit, është një element që mund të nxjerrë mirë në pah ambicjet e tij për të qenë njëriu me i rëndësishëm i shetit shqiptar, siç edhe u bë, kur të gjithë pretendentët e deritanishëm ishin larguar nga kjo jetë.
Cili ishte qendrimi zyrtar që mbante Ahmet Zogu?
Cila ishte perpspektiva e tij politike mbi vendin dhe si e konceptonte ai të ardhmen e Shqipërisë?
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, po sjell një bisedë që diplomati britanik Robert Parr pati me Ahmet Zogun në shtëpi të tij, në 10 ditëshin e fundit të muajit tetor 1923:
Përsa i përket situatës së brendshme të Shqipërisë, Zogu mendonte se Shqipëria në vitin 1923 nuk qeverisej sipas institucioneve, mbasi ato nuk ishin ndërtuar sipas zakoneve të vendit dhe sipas kuptimit mbi politikën të popullit, por ishin kopjuar, ose marrë hua nga një vend tjetër.
Në këndëvështrimin e tij autoriteti i postit të Kryeministrit ishte i vogël, ose krejtësishit i pandjeshëm. Përndryshe, pozitat e tij si kryetar i trashëguar i Matit ishte më e madhe se sa pozita e tij si kryeministër.
Në këndëvështrimin e Ahmet Zogut, Shqipëria karakterizohej nga tre ndarje, nënsisteme, për të cilat qeveria ishte e shqetësuar:
Në Veri dhe në zonat malore përgjithësisht, mund të ishte e lehtë të sundohej sipas disa formave të ngjashme me sistemin feudal.
Në Shqipërinë Qendrore njerëzit ishin përgjithësisht më të bindur ndaj autoritetit qëndrorë shtetërorë. Në këtë pjesë të vendit nuk mund të luhej shumë duke përdorur bindjet e tyre fetare.
Jugu i vendit ishte rajoni ku nuk ishte e lehtë të gjendeshin parime të përgjithshme mbi bazën e të cilave mund të ruhej një qeverisje e mirë.
Vështirësia më e madhe në Veri vinte nga fakti që prefektet dhe nën prefektet që ishin caktuar atje nuk ishin njerëz që i përshtateshin postit. Shumë prej tyre ishin njerëz jo të degjuar, që vinin nga Jugu i Shqipërisë, të cilët, edhe pse dinin të lexonin dhe të shkruanin, kishin edhe njohuri ligjore, por qenë krejtësisht të paaftë për qeverimin e krahinave ku ishin caktuar.
Problemi tjetër që synonte Ahmet Zogu ishte themelimi i një dhome të dytë parlamentare. Për mënyrën hierarkike se si ishte qeverisur prej shekujsh veriu i vendit, ky projekt, sipas tij, nuk do të gjente kundërshtim as në Veri dhe as në Shqipërinë Qendrore.
Por problemi më i madh mbetej Shqipëria e Jugut. Kjo sepse, në fillim të shekullit XIX, Reshid Pasha kishte masakruar familjet kryesore drejtuese në Shqipërinë e Jugut dhe që atëherë askush nuk e kishte zënë vendin e tyre. Kjo pjesë e Shqipërisë, sipas Ahmet Zogut, ishte plot me njerëz të rinj, të cilët pas disa vitesh në emigracion në SHBA, ishin kthyer si apostuj të demokracisë dhe po e trazonin rendin tradicional arkiak të vendit. Në mendimin e Ahmet Zogut, Klika në vitin 1923 e kishte të pamundur të vepronte sërish si një organizatë. Falë ndërhyrjeve të tij, ai kishte arritur të konfiguronte bërthamat e katër partive parlamentare, të cilat ai i emërtonte: Rojaliste, Republikane, Liberale dhe Konservatore.
Në politikën e jashtme, Ahmet Zogu ka qenë partizan i ruajtjes së status quo-se politike të Shqipërisë në Ballkan, me fqinjët, qoftë edhe me koston e lëshimeve të vogla të metëjshme ndaj Mbretërisë SKS dhe Greqisë, mjaft që të ruante marrëdhëniet miqësore dhe pozicionin e tij në krye të qeverisë dhe politikës shqiptare.
Ai i përmbahej asaj që Shqipëria dhe Greqia duhej të formonin në bashkim të ngushtë politik dhe ekonomik, që do të shikonte nga Britania e Madhe si frymëzim për politikën e tyre të jashtme, dhe në këtë mënyrë të formonte një lloj balance ndaj mbizotërimit të Francës dikund tjetër në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo kjo deshirë e tij për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë nuk koincidonte me palen greke, e cila vazhdonte t’i përmbahej politikës së jashtme jo aq miqësore të Greqisë ndaj Shqipërisë.
Mirëpo, mes asaj çfarë Ahmet Zogu komunikonte me diplomatët e huaj dhe lëvizjeve të tij të verteta në terrenin shqiptar, kishte një ndryshim thelbësor. Ahmet Zogu ishte i përfshirë drejtpërdrejtë nën veprimin e Klikës së tij, një parti e mirëfilltë reaksionare, e cila përdorte metodat e vjetra turke dhe fanatike dhe që shkonte përkundër ideve liberale, bartësit e të cilave synonin t’i jepnin vendit një zhvillim të qendrueshëm duke rivendosur unitetin kombëtar.
Parlamentarizmi në kuptimin perëndimor të fjalës, bazuar mbi votimin e përgjithshëm nuk dukej se në atë kohë ishte i një sistem i përshtatshëm për Shqipërinë të cunguar territorialisht në gjysmen e saj natyrale dhe palcën e kombit (Malesia e Madhe, Kosova, Çamëria), me një popullsi kaq heterogjene nga pikëpamja kulturore dhe e kuptimit e formësimit të ndjenjës kombëtare, me një përhapje aq të madhe të analfabetizmit, në të cilen, format e feudalizmit ishin ende mbizotëruese për një pjesë të madhe të vendit. Ishte e nevojshme me pasë një qeveri të fortë qendrore, por në të njejtën kohë u duheshin lejuar krahinave të ndryshme një masë të caktuar të administrimit krahinor, gjë që udhëheqësit e papërvojë dhe jo aq vullnetmirë të vendit nga klasa post otomane dhe që shihnin vetëm nga interesat e veta, nuk mund ta kuptonin asokohe.
Shqipëria nuk ngjante ende që të kishte përqafuar edhe standardet minimale të një shteti konstitucional. Ajo vazhdonte të ngjante më së shumti si një Turqi e vogël e dikurshme, në të cilën administrata qeveritare përdorte format e hershme otomane për të dhunuar liritë dhe për të fshehur përsekutimin e ndaj shtetasve të vet.
Incidentët e fillim vitit 1924 të cilat çuan në Revolucion ishin rezultat i përpjekjes së Ahmet Zogut për të krijuar përshtypjen se vendi kishte nevojë për një dorë të fortë. Gjitha ngjarjet në vitin 1924 shkrinë nje here e mire, të gjithë përspektiven e kthimit të Legalitetit Themeltar te Shqiperise Shtet, te Princ Wied-it,, çështja e të cilit erdhi dhe u harrua dhe filluan të projektonin marrjen e pushteteve nga Ahmet Zogu, dora e re e fortë që zëvëndësoi Essadin. Vetë çështja e rendit kushtetues dhe e formës së regjimit, mbeti një çështje e pazgjidhur në këtë kohë, duke hapur rrugën Ahmet Zogut të luaj siç dëshironte ai pas dhjetorit 1924, fillimisht si president autoritar i një republike formale dhe më pas si mbret i gjithpushtetshëm në një Monarki Kushtetuese që nuk mbronte dot liritë, parlamentarizmin, të drejtat e njeriut dhe demokracinë e mirëfilltë.
Kryengritja e qershorit 1924 ishte nje perpjekje e armatosur, (e fundit para mohimit afatgjatë të demokracisë dhe parlamentarizimit të mirëfilltë, do të thoja), e forcave te mbetura nga Elita Shtetformuese, progresistëve të vërtetë europianistë, e nacionalistëve albanianistë e demokratë, ne rrethanat e mungesës së një shumice të kjartë legale në Parlament per te gjitha palet, per te ndaluar rrugen e ngritjes se Ahmet Zogut drejt pushtetit absolut, te mbetur vakant.
Karl Gurakuqi shkruan ne kujtimet e tij:
“Qetsija e mbrendëshme ishte tronditë; nji hije e rândë i kishte rá Tiranës; pritej nji shkëndí e vogël për me e ndezë zjarmin. Nepër zyra e nepër kafe nuk bâhej tjetër veç komendoheshin ngjarjet e ditës. Fletoret frŷjshin në zjarm sá ku mujshin nga të dyja anët; i a hudhshin fajin grindjes njêna tjetrës.”
Dý ngjarje me rândësí e turbulluen edhe mâ fort atmosferën:
1.-me 6 prill 1924 dy gazetarë amerikanë po udhëtojshin prej Tirane në Shkodër me automobilin e Llukës. Të mrrijtmën në Mamurras, pak përtej pijetores, tue i u afrue Laçit të Kurbînit, shofin rrugën e pengueme me trupa lisash. Zbresin për të hapë rrugën, por menjiherë i presin disá batare pushkë e rrëxihen vdekun për dhé. Lluka, shoferi, nuk pëson gjâ… Vrasësit zhduken….
Kush qiti me i vrá Amerikanët?… Nuk dihej me sigurí, por opinjoni botnuer i a vînte fajin partís së Zogut, e cila me këtë vrasje donte me lânë me kuptue se pá Zogun në qeverí, nuk mund të kishte qetsi në Shqipní.
2.-Por ngjarja qi i hapi derën plasjes së luftës qytetare, qe vrasja e Avni Rustemit. A jemi , apo s’jemi në Shqipní?…. Atentati kundra Zogut (23.II. 1924), simbas mendësís shqiptare, nuk mund të rrinte i pa –shpaguem…. Dikush e armatosi dorën e mullísit-qiros tiranas për me vrá Avni Rustemin, kryetár i Shoqnís “Bashkimi”, qi dyshohej se kishte qênë shtŷsi i parë i atentatit në parlament.”
Vendi po shkonte në revolucion.
Vrasja e Avni Rustemit, udhëheqësit të rinisë më patriotike shqiptare, ishte një sinjal për një ndarje në Asamblenë Kushtetuese:drejt Vlorës u nisën deputetët e pakënaqur me pretekstin e pjesëmarrjes në funeralin e Avniut, i konsideruar tanimë si hero kombëtar. Perveç kësaj, Deputetët e Shkodrës u kthyen në qytetin e tyre. Një Manifesto me përmbajtje të qartë revolucionare u dërgua nga Vlora për Qeverinë, por ajo nuk kreu detyrën e vet dhe nuk mori asnjë veprim. Ushtria kaloi nga urdhnimi i Qeverisë tek kryengritësit. Filluan përgatitjet ushtarake. Tirana ishte e pambrojtur dhe në këto rrethana qeveria iku nga detyra. Shefqet Verlaci dha dorëheqjen, ndërsa Ministri i jashtëm Iliaz bej Vrioni fomoi një qeveri, e cila ishte aq jetëshkurtër, sa nuk është regjistruar fare ndër faktet historike, mbasi nuk prodhoi rezultatet e dëshiruara dhe vetë kryeministri i ri nuk shfaqi ndonjë energji të ndryshme nga paraardhësi i tij. Ahmet Zogu tentoi të ndërtonte mbrojtjen e kryeqytetit, por qeveria nuk e lejonte atë të merrte terren, mbasi frikësohej se Tirana do të ngrihej sërish për shkak të urrejtjes kundër tij në qoftë se ai ndërmerrte ndonjë veprim. Bajram Curri në veri, Rexhep Shala në Shkodër, Kolonel Kasem Qafzezi dhe Major Shefqet Korça në jug, sulmuan ashpër forcat e mbetura qeveritare. Qeveria shfaqi një pavendosmëri dhe mungesë efektiviteti të plotë dhe pas disa ditësh përplasjesh, kryengritësit në Shkodër ia arritën të çajnë rrugën ndërsa forcat qeveritare në jug dezertuan. Të gjithë Ministrat dhe shumë deputetë ikën në mënyrën më të turpshme në Itali ose Korfuz, duke e lënë Ahmet Zogun të vetëm në Tiranë. Pas kësaj edhe ai u tërhoq me nge drejt veriut, me një forcë të përbërë nga anëtarët e klanit të tij dhe me pak topa. Ai kaloi kufirin shtetërore me Serbinë dhe kërkoi strehim në Beograd.
Kjo është historia e një kryengritjeje kundër qeverisë, një revolucioni kundër autoritarizmit qeverisës, në qoftë se dëshirojmë ta thërrasim, për të parandaluar kontrollin e kamufluar absolut, me mjete kercenuese për lirinë civile dhe parlamentare, të Ahmet Zogut mbi shtetin, një pëmbysje e legalitetit formal të qeverisë, me objektiva progresistë, të demokratizimit dhe rikthimit të parlamentarizmit real dhe kontrollit te gjithanshëm të institucioneve prej pjesës patriotike dhe te qytetëruar të shoqërisë.
Ishte një sipërmarrje e pamundur, jo vetëm për shkak të mungesës së vendosmërisë për të imponuar një Diktat të pandërprerë governativ për të konsoliduar fitoren ushtarake dhe politike, mungesës së mbështetjes perëndimore mbi regjimin e demokratë dhe patriotëve intelektualë e të qytetëruar, por edhe për shkak pamundësisë së shoqërisë për ta kuptuar dhe mbështetur ndryshimin. Rrëzimi i dhjetorit 1924 me ndihmën e jugosllavëve, që nuk mund të pranonin elitën e vërtetë dhe të pakët të Shqipërisë në krye të një vendi që duhej të mendej me “Kokë të Turbullt”, i Kontrollueshëm, i dorëhequr nga nacionalizmi, ishte logjik.
Pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit” të qeverisë pararendese te qershorit 1924, shkatërrimit definitiv të “Legalitetit të Kreut të Shtetit Themeltar”, vendosjes së një akordi të heshtur me Mbretërinë Serbo Kroato Sllovene në lidhje me neutralizimin e rrymës politike nacionaliste kosovare brenda vendit, premtimit për respektimin e disa akordeve bazë me Italinë e Musolinit, pasoi neutralizimi i përgjakshëm dhe afatgjatë i kundërshtarëve politike, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe pikëtimi i një numri personazhesh të rëndësishme të Opozitës. Shënjestra kryesore e represionit u vendos kundër komunitetit katolik edhe malësive mbështetëse.
Dokumentet e zbuluara së fundmi në Arkivin e Shtetit të Republikës së Kroacisë, Fondi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, viti 1926, muaji shkurt, nga studiuesi nga Shkupi, Skender Asani, që lidhen me marrjen në pyetje të Baltion Stamollës në Policinë Kroate (pas 5 muaj e gjysëm burg në Itali, atentatori i Luigj Gurakuqit ishte shndërruar menjëherë në biznesmen i pajisur me disa liçenca në Tiranën e Triumfit të Legalitetit dhe po pergatitej te vriste Dom Loro Caken dhe Luk Luken ne Kroaci), 6 raporte të tilla, deshmojnë qartësisht komplotin shtetëror mbi eliminimin e Opozites Demokratike dhe Europianiste.
I represionit të kësaj kohe, pas Kryengritjes së Dukagjinit, është e ekzekutimi i martirit të Shqipërisë dhe Kishës, i sapo lumnuar nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, Dom Gjon Gazullit.
Kjo është pra historia 13 vjeçare e marrjes së kontrollit të Shqipërisë prej duarve të Elitës Patriotike Nacionale e Rilindjes, e Pavarësisë së Parë (Vlore) dhe të Dytë (Durres dhe Tirane), tek nje 28 vjeçari qe ia doli te mbisundoje ne Shqiperine qe zhdukë dhe syrgjynos vetë Bijtë e Vet më të Mirë. Rruga e Ahmet Zogut drejt pushtetit absolut ishte hapur prej eliminimit të faktorëve të tjerë imponues politikë, nga rastësitë, kombinacionet e brendshme dhe të jashtme, meritat e tij personale në ndjekjen me ndihmën e çdo mjeti, të objektivit të tij të vendosjes në krye të punëve të Shqipërisë, fshirjes së legaliteteve pararëndëse kushtetuese dhe institucionale dhe krijimit shkallë-shkallë të një legaliteti të ri, të cilin forca e pushtetit dje, paqartësia dhe pasionet me afilacion kulturor dhe religjioz te perkunderta me albanianizmin, sot, ua kanë ofruar publikut si një të vertëtë të pakontestueshme.