Nga Frank Shkreli/
Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore prej dy ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u mbajtë në Dublin të Irlandës, të ënjtën dhe të premtën e javës që kaloi. Në mbledhjen ministrore prej dy ditësh,
Kryetari i radhës i Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve pjesëmarrëse kanë rënë dakord për projekt planet e ardhëshme të OSBE-s, duke thënë se ”kemi arritur një marrveshje për një proces për të forcuar dhe për të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin 2015, viti që shënon 40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të Helsinkit.” Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrveshjen duke e cilësuar atë si një bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.
Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet të ketë ndihmuar në dhënjen fund të luftës së ftohët. Por roli i saj pas rënjes së Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ”mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.” Por ai u tha delegatëve se ajo që është ”shumë shqetsuese është realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore është tani më i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së’’.
Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së. Ndërkaq, nuk është aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ”mbetet pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë”, dhe njëkohësisht theksoi ”shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate dhe të vlerave që ajo ka promovuar”, për pothuaj 40-vjetë.
Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në vendet e tyre. Sekretarja amerikane e shtetit ishte dakord me përfaqsuesit e shoqërive civile se ”hapësira për veprimtarinë e tyre po ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj kundërshtarëve.” Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes së kufizimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.
Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Duke përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit paralajmëroi delegatët duke kritikuar ashpër ato që ajo quajti, ”përpjekje për të sovjetizuar rishtas rajonin”, një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë proces’’. Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj, “shqetësuese’’ në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se ”ia vlenë t’ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) –përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara — kanë hapësirë për përmirësim”, në këtë fushë.
Megjithë kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës së përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ”Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe, si edhe ndaj parimeve të OSBE-së”, dhe njëherazi u bëri thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të ”zbatojmë dhe jo të minojmë angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit dhe qytetarëve tanë”, për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe zhvillimet demokratike anë e mbanë eurozonës.
Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ”ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë ç’prej themelimit të saj”.
Caption:Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s në takimin e tyre në Dublin, javën që kaloi.