-Përurohet libri “Më shumë heroizma, se sa grurë”, me autor albanologun suedez, Ullmar Kvik/
-Festohen 6-vjetori i Banjave “Nëna Naile” dhe 70-vjetori i presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella/
Nga Prof. Murat Gecaj/
1.
Në mëngjesin e ditës së premte, më datën 3 maj 2013, u nisëm nga Tirana, bashkë me av.Gjin Niklekaj, kryetar i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Kishte për të ardhur me ne edhe shkrimtari e publicist i njohur, Viron Kona, por u pengua për këtë gjë, nga një fatkeqësi familjare.
Nëpër “Udhën e Kombit”, në tunelin e Kalimashit dhe deri në Kukës, në bisedat tona zuri vend edhe kjo vepër shumë e rendësishme e viteve të Demokracisë, e cila ndihmon për bashkimin e mëtejshëm shpirtëror e fizik të bashkatdhetarëve tanë. I ardhur nga fshati Zogaj, në dalje të atij qyteti na priste kolegu e miku Ibrahim Hajdarmataj, publicist e ish-drejtor Gjimnazit atje. Për t’u çlodhur pak, në një lokal tërheqës, pimë kafe dhe e vazhduam udhën më tej. Pas kontrollit të zakonshëm, në pikën e kalimit kufitar me Republikën e Kosovës, vazhduam udhën nëpër Autostradën e Re, në të cilën çdo drejtues mjeti e ndien veten shumë mirë.
Nuk ishte hera e parë, që ne e shihnim Kosovën. Megjithatë, duke vijuar për në pikëmbërritjen tonë, u kanaqëm duke parë bukuritë e këtij vendi të stërlashtë shqiptar, fshatra me toka pjellore dhe qytete të bukur, si Suhareka, Shtimja e Ferizaj.
Sigurisht, kërshëria jonë ishte të arrinim sa më parë në Banjat e Kllokotit. Këtë gjë na e lehtësoi edhe takimi i rastësishëm i yni, me publicistin e autorin e njohur, Mustafa Spahiu, me të cilin edhe bëmë foto për kujtim, kur u ndamë.
Megjithëse kishim parë dhe lexuar një botim të posaçëm, shoqëruar me disa pamje, ishte befasi e këndshme, kur na dolën përpara Banjat e Kllokotit, me emrin tashmë të njohur, “Nëna Naile”. Edhe këtë gjë e dinim, se Presidenti i kësaj qendre të madhe kurative e rehabilituese, Sabri Maxhuni-Novosella e kishte bërë për të ndruar kujtimin e nënës së tij, të dashur dhe të paharruar. Sapo Gjini e parkoi makinën, pranë nesh u afrua me mirësjellje një përfaqësues i këtij institucioni, i cili na uroi mirëseardhjen dhe na shoqëroi deri brenda.
Në një sallë mobiluar bukur, të pajisur dhe të ndriçuar shumë mirë, gjetëm disa të ftuar në veprimtaritë e asaj dite. Siç ndodhë zakonisht, në krye ishte mikpritësi ose më mirë të themi vëllapitësi, Sabri Maxhuni-Novosella. Meqenëse ai e kuptoi se cilët ishim, megjithëse nuk ishim takuar ndonjëherë më parë, iu paraqitëm atij dhe të tjerëve, se ishim një grup i ardhur nga Tirana. “Sa, po na e bëni qejfin, që vini nga një qytet i trojeve tona të përbashkëta!…”-u shpreh gjithë kënaqësi, gëzim e dashamirësi, kur na takoi ai. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit dhe bëmë njohjen me njëri-tjetrin, na pyetën se çfarë donim të pinim, për t’u freskuar e qetësuar, pas atij udhëtimi, të cilin na e zvogëluan e na e lehtësuan udhët e rehatshme, që janë ndërtuar kohët e fundit, në Shqipëri e në Kosovë dhe, më së pari, na bashkojnë zemrat e mendjet tona.
2.
Nuk kishte kohë për të pritur, pra kishim ardhur sipas parashikimit, për fillimin e veprimtarive. Në një sallë tjetër të madhe u tubuam për të marrë pjesë në përurimin e librit të albanologut të njohur suedez dhe mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik, “Më shumë heroizma, se sa grurë”, me këshilltar editorial Sadulla Zendelin-Daja, shqipëruar nga Hajdin Abazi dhe me redaktor Baki Ymerin. Ishte edhe dëshira e autorit, që në atë ngjarje me rëndësi, për atë e të gjithë pjesëmarrësit, të kishte edhe te ftuar nga Tirana. Këtu ai na kishte dërguar, pak ditë më parë, afër 100 copë të këtij libri, dhuratë për lexuesit në Shqipëri.
Veprimtarinë e organizuar e drejtoi Selatin Novosella. Rreth përmbajtjes së këtij libri u lexua një shënim i Shefki Osekut, dërguar nga Suedia, posaçërisht për këtë përurim. Pastaj, mbresat nga leximi i librit të prof. Ullmarit, dërguar nga shkrimtari e publicisti Viron Kona, i lexoi Ibrahim Hajdarmataj. Me interes u ndoqën edhe folësit e tjerë, prof.dr.Emin Kabashi e Myrteza Nura. Ndërsa prof.dr. Resmije Kryeziu e juristi Ylli Morina lexuan një shënim të autorit, rreth librit në fjalë dhe falënderimin e tij, për organizimin e këtij përurimi, i cili ishte një nder dhe vlerësim tjetër për të.
U duartrokit nga gjithë të pranishmit propozimi, i cili u bë në këtë përurim, që dy shtetet tona shqiptare lipset ta çmojnë dhe vlerësojnë lart ndihmesën e veçantë për çështjen tonë kombëtare, të albanologut të shquar suedez, Ullmar Kvik. Tash afër 50 vjet, ai është i përkushtuar në këtë fushë, me punë, shkrime e botime të tij. Disa kopje të këtij libri, i cili është botuar me mbështetjen e Sabri Maxhunit-Novosella, iu dhuruan të pranishmëve në tubim.
3.
Pjesë e rëndësishme e veprimtarive, ku ne morëm pjesë, ishte edhe festimi i 6-vjetorit të fillimit të punës dhe jetës së Banjave “Nëna Naile”, në Kllokot të Kosovës, si dhe jubileu i 70-vjetorit të ditëlindjes së presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella, autor edhe i disa librave me temë atdhetare etj. Në ceremoninë e organizuar, përshëndetën dhe uruan disa veta. Ndër ta, ishin Pashk Staka, Kadri Botusha e M.Gecaj. U recitua dhe poezia e bukur, “Kosova jonë” etj.
Për kërshërinë e lexuesit, shënojmë këtu se kjo qendër kurative e rehabilituese është ndër më të bukurat dhe të vlefshmet, në Ballkan e më gjerë. Qindra e mijëra veta, nga Kosova, Shqipëria dhe shtete të tjerë të Europës etj., shkojnë aty në 12 muajt e vitit, ku gjejnë një shërbim të përkryer dhe kushte mjaft të mira, në interes të shëndetit të tyre. Fakt domethënës është se aty, pjesëtarët e ish-UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve, kurohen falas. Uji mineral, i nxjerrë nga mbi 50 metra thellësi, ka veti të shumta shëruese, ai pihet dhe përdoret në vaska etj.
Mund të flisnim edhe më gjatë për dobinë e këtyre banjave, për të cilat edhe kësaj here pjesëmarrësit u shprehën: “Këtu është një parajsë e vogël”, “Në Kllokot gjen mrekullinë” etj. Vlerësimet janë të tilla, pasi njerëzit, që shkojnë aty, ripërtërihen fizikisht, nga ana fiziologjike e psikike etj. Sigurisht, nuk mund të mos lëshë pa përmendur shërbimet mjekësore të specializuara dhe aparaturat më të reja rehabilituese. Por edhe ekonominë ndihmëse disahektarëshe dhe tufat e lopëve, nga të cilat sigurohen ushqime të freskëta dhe bëhen gatime të disallojshme e cilësore.
Pastaj, 6-vjetori i Banjave “Nëna Naile”, në Kllokot dhe ditëlindja e presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella, u kthyen në një “dasëm” të vërtetë e masive, me këngë e valle etj. Në drekën e shtruar, ai preu torten e rastit dhe na qerasi me nga një copë të saj. Atij iu dhuruan libra, sidomos me përmbajtje nga vizitat në Suedi, të autorëve V.Kona, M.Gecaj e I.Hajdarmataj, por dhe buqeta me lule të freskëta, në shenjë nderimi e respekti për veprimtaritë e tij: atdhetare, mirëbërëse e botuese etj. Interesante e mjaft mbresëlënëse ishin vizitat tona në mjediset e banjave dhe pjesëmarrja në darken e shtruar, me këtë rast etj. Në qendër të bisedave të të gjithëve ishin edhe emrat e Ullmar Kvikut e Sabri Maxhunit-Novosella.
…U larguam nga vizita jonë, në Banjat “Nëna Naile” të Kllokotit, në Kosovë, me mbresa e kujtime të paharruara, pasi morëm pjesë në ato veprimtari masive festive, me tri “degëzime” të bukura. Me këtë rast, e përshëndesim nga zemra gjithë kolektivin shërbyes dhe mjekësor të tyre, si për punën e deritanishme, por dhe i urojmë ata për arritje të reja, në të ardhmen dhe u dërgojmë falënderime të sinqerta për ftesën e tyre, vëllazërore e bujare.
Tiranë, 5 maj 2013
NE FOTO: Gjatë përurimit të librit, me autor Ullmar Kvik…Duke diskutuar, E.Kabashi