
Thanas Gjika/
(FSHATARËT JANË BAZAMENTI I KOMBIT)
Sivjet bëra një vizitë të shkurtër në atdhe për të takuar njerëzit e mij në Korçë e për të bërë disa ditë plazh në Durrës, ku duhej të merrja kopjet e librit të ri “Panvera është kthim” të Julias, Botimet Jozef, 98 faqe. Më 17 maj ora 2:00 PM arrita në Rinas. Kësaj here atdheu më priti me shi të rrëmbyer, por taksisti, miku im i vjetër Besim Zorba, ma bëri të lehtë udhëtimin për në Korçë. Së pari pushuam te “Vila Bimbli” në Pogradec. Kjo vilë e bukur anës liqenit ka pronar Ing. Sotir Bimblin, vëllain e kunatit tim, Dr. Piros. Sotirin e takova në hyrje të vilës ku po bisedonte me një ingjinier për riparimin e pjesës para vilës për ta bërë më komode gjatë dimrit dhe kohëve me shi. Do ta mbulonin e rrethonin me xhama e plastmas.
Pasi kaluam të përpjetën e Plloçës shiu pushoi dhe përpara na u shfaq një ylber i madh që shtrihej nga Alarupi deri përtej Çërravës. Besimi ndali makinën dhe unë hapa xhamin e bëra disa foto. Mu duk si shenjë kozmike, që më thoshte se Korça e dashur, po më priste krahëhapur.
U sistemova te “Vila Trebicka”, rruga “Jorgo Plaku”, pronë e kushëririt tim, Arjan Trebicka. Në Korçë kisha jetuar vetëm 18 vjetët e parë të jetës e pasi mbarova shkollën e mesme ika në Tiranë. Këtu jetova 34 vjet, nga gushti i vitit 1962 deri më 4 korrik 1996, kurse nga kjo datë e deri sot, 29 vjet të tjerë, po jetoj në ShBA. Mirëpo kudo e kurdoherë, pavarësisht se ku ndodhem, e kam ndjerë dhe e ndjej veten korçar. Sa herë shkoja me pushime atje nga Tirana dhe sa herë po shkoj nga Amerika, më duket sikur aty kam jetuar pandërprerje. Këtë ndjenjë besoj ma krijojnë pamja e maleve që e rrethojnë, fushat pjellore të sistemuara, e sidomos takimet me njerëzit e fisit, me shokët e shoqet e shkollës e të mëhallës, si dhe pamja e shtëpive të bukura të mirëbajtura, oborret e ballkonet me trëndafila, mëllaga e lule plot ngjyra. Shumica e murreve të avllive dhe të kateve të para të shtëpive janë me gurë të gdhendur nga duart e ustallarëve duarartë.
Vizitën e parë e bëra të nesërmen, ditë e dielë, tek vorrezat e qytetit, sipas porosisë së Julias, bashkëshortes sime, e cila nuk mundi të vinte sepse arthriti e pengon të ecë gjatë në këmbë dhe të ngjitë shkallët.
I kisha njoftuar në fb dy kunatat, Kozetën dhe Vjollcën bashkë me burrat e tyre, Kriço Luarasin dhe Argjir Gjatën, baxhanakët / sivëllezëtit e mij. Vjollca erdhi me makinën e saj të më merrte tek katedralja ku dëgjova meshën e asaj dite. Më bëri përshtypje jo të mirë fakti se prifti gjatë meshës thoshte disa fjali greqisht. Kur pyeta, pse bëhet mesha në Korçën shqiptare e përzierë me gjuhën greke, më thanë se ka banorë që kanë qënë në Greqi e duan të dëgjojnë disa formula greqisht. U thashë, po kur ishin në Greqi këta zotërinj e zonja pse nuk u kërkonin priftërinjve grekë të mbanin meshën pjesërisht dhe në shqip? Po në fshatrat përtej Gramozit dhe në gjithë Çamërinë, ku ka shqiptarë autoktonë pse nuk u është dhënë kurrë e drejta të mbajnë meshën në gjuhën shqipe? Nuk më dhanë asnjë përgjigje e unë vijova: Sipas logjikës së këtyre grekomanëve të sotëm, u dashka që ne korçarët që vijmë nga Amerika e ata që vijnë nga Italia, Gjermania etj duhet të kërkojnë që mesha të mbahet pjesërisht dhe anglisht, italisht, gjermanisht, etj. Kjo që po ndodh në këtë katedrale të Korçës, nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës, është thjesht shovinizëm grek. Kundër këtij shovinizmi luftuan rilindasit tanë dhe e kthyen gjuhën e kishës në shqip, kurse ju po lejoni të kthehet mbapsht historia. Do t’i ankohem Hirësisë së Tij Imzot Joan Pelushit, Kryepeshkopit të Kishës Shqiptare Ortodokse. Dhe kur të kthehem në Amerikë do ta bëj problem tek Federata Pan Shqiptare Vatra e Fan Nolit tonë të pavdekshëm…
Me Vjollcën shkuam tek varrezat, vendosëm lulet tek varret e prindërve dhe sollëm në mendje kujtimet tona për ta. Shkuam dhe tek varri ku prehej Ladi (Vladimir Naçi) vëllai i dytë i motrave Naçi.
Kozeta kishte përgatitur drekën te shtëpia, në lagjeja e jashtme e Korçës, ish-fshati Barç, ku ajo me të shoqin janë sistemuar pasi u kthyen nga kurbeti nja 15 vjet më parë. Ata blenë një shtëpi të vjetër rrëzë malit, me kopsht e bashtë, të cilën Kiçua me duart e tij e ka kthyer në vilë. Ka mbjellë pemë frutore, kultivon dhe zarzavate të shumta bio. Aty ke qejf të rrish jo disa orë sa për një drekë, por me ditë. Kur fjetëm një natë atje, unë e Julia disa vjet më parë, jemi kënaqur, sikur fjetëm në Voskopojë. Në mëngjez na zgjuan këngët e bilbilave dhe kanarinave. Dallëndyshet vinin e iknin me shpejtësi për të ushqyer të vegjlit që i prisnin gojë hapur. Kurse qeni na përshëndeti disa herë duke u ngritur në dy këmbët e prapme, kurse dy të parat i bashkonte para fytyrës, sikur bënte lutje. Natyra dhe ambjenti i këndshëm, si dhe bujaria e të zotëve të shtëpisë, e kanë kthyer këtë vilë në një teqe, ku vemë të gjithë për vizita herë të shkurta e herë të gjata. Aty shkojnë një herë në vit, ose më shpesh, dy djemtë dhe vajza e tyre me gjithë fëmijët. Olsi me nusen dhe Teon venë nga Greqia e afërt, Adoni nga Gjermania dhe Odeta me vajzën e djalin nga Anglia, si dhe motrat e vëllezërit e Kozetës e të Kiços nga Greqia e Amerika. Kozeta lodhet, por lodhja e saj shpëlahet shpejt nga gëzimet dhe emocionet që krijohen gjatë vizitave të njerëzve të gjakut. Kurse ne këtu në Amerikën e largët ndjejmë boshllëk në shpirt, na merr malli të na vijë njerëzit tanë.
Unë me Julian sa herë kujtojmë shtëpinë e Barçit, e kritikojmë veten që nuk ndoqëm dhe ne rrugën e Kozetës pas daljes në pension, po qëndruam në Worcester MA, ku po na dërrmon lagështia e oqeanit dhe të ftohtit e hidhur gjatë dimrit. Tani është shumë vonë për ta bërë një lëvizje të tillë…
Kozeta kishte pjekur një pulë fshati, kishte bërë dhe një lakror me qepka të njoma të kopshtit. Nga kopshti kishte mbledhur dhe gjethet e marules për sallatën. Verën e kishte blerë Argjiri. Gjatë gostisë ngritëm një dolli, duke thënë: “Të rrojmë e t’i kujtojmë prindërit dhe vëllezërit e motrat që janë larguar nga jeta!”.
Pas disa minutash biseda kaloi, si zakonisht, në politikën e brendshme. Unë vura në dukje ndryshimet e mëdha që bien në sy në ndërtimet cilësore të qyteteve dhe fshatrave, si dhe në rritjen e turizmit. Pastaj urova familjen Gjata për zgjedhjen e vajzës së tyre, Romina, deputete e Korçës.
-“Kjo nuk është gëzim vetëm për ju, shtova unë, por për mbarë familjet tona. I lumtë Rominës që punon me përkushtim dhe i rri larg korrupsionit! Kam parë në TV disa intervista të saj. Flet rrjedhshëm e qartë. Më ka tërhequr kultura e lartë e të folurit. Më është dukur sikur dëgjoj ndonjë pushtetare europiane, ose amerikane.”
Të nesërmen, bashkë me motrën time Margarita, bashkëshortin e saj Dr. Piro Bimbli dhe Z. Arian Trebicka, shkuam në Vithkuq, me makinën e Arianit. Drekuam te restorant-hotel “Grabocka”. Një gosti modeste për të kujtuar motrën e madhe, Pandora, që kishte punuar atje dy vite shkollore (1952-1053; 1953-1954), si mësuese matematike në shkollën 7-vjeçare.
Ushqimet e këndëshme e të shijshme dhe vera e kuqe që kishte nxjerrë Ladi vitin e kaluar, e ndezën muhabetin. Bashkëshortja e pronarit të hotel-restorantit, është një kuzhiniere e talentuar. Ajo gatuan me dashuri e cilësi gjellët, lakrorët, mishrat, ëmbëlsirat, etj. Këto vitet e fundit ka përgatitur djalin si mjeshtër kuzhine. Ndërsa Ladi shkëlqen në ndërtimin e mezeve, turshive, rakisë, verës dhe bulmetrave. Sivjet po e shtojnë sallën e restorantit duke e zgjatur nga ana lindore, sepse kishte pasur raste që i kërkoheshin gosti me më shumë vende sesa merrte salla. Rritja e kërkesave, nxit rritjen e biznesit.
Doktor Pirua, na kënaqi me disa histori gjahu, që i kishin ndodhur gjatë viteve të rinisë së tij, kur marshonte me kilometra nëpër ato male e pyje për të vrarë thëllëza, lepuj, etj. Nja dy prej tyre kam pasur fat t’i shijoj dhe unë të gatuara prej sime motre, gjatë vizitave.
Të gjitha pjatat me mezera e mish keci, ishin të mëdha e të mbushura plot, sa që nuk mundëm t’i mbaronim. Ariani bleu dy kile mjaltë për t’ua servirur pushuesve të hotelit të tij gjatë mëngjezit, që përfshihet në çmimin e fjetjes.
Kësaj radhe nuk pata kohë të flija ndonjë natë tek hotel “Grabocka”. U kthyem mbas dite vonë me stomakun e ngopur dhe mushkëritë plot ozon. Rashë të flija pa ngrënë darkë…
Të nesërmen u takova nga ora 10:00 me dy shokë të gjimnazit, Piro Cepën dhe Pandush Stefanin. Pimë kafen e mëngjezit duke kujtuar ndonjë ngjarje nga vitet e shkollës. Pandushi na mahniti me ngjitjet e tij çdo ditë në majë të Malit të Shën Ilisë mbi Mborje. Na mungoi shoqja jonë Jadi (Jadigjar Merdani Golka), sepse ishte duke lyer shtëpinë e nuk mundi të vinte.
Mbas dy ditësh, kunati i vogël, Argjiri, bashkë me Vjollcën më ftuan të drekonim te “Taverna Agolli” në një nga luginat në të majtë të rrjedhës së Lumit Devoll, 3 km më tej se Maliqi. Më shëtitën me makinën e tyre deri afër Moglicës ku dukej liqeni i krijuar nga diga e re mbi rrjedhën e Devollit. Lugina kishte një gjelbërim të shëndetshëm. Banorët e Lozhanit e të fshatrave të tjerë kishin shtuar shumë rritjen e bletëve dhe tregtonin mjaltë.
Argjiri dhe Vjollca janë amatorë peshkimi. Gjatë muajve të verës dalin për peshkim, herë anës Devollit e herë te rezervuari i madh i Gjançit. Disa herë, kur nuk kapin mjaftueshëm peshq, ndalin për të drekuar në ndonjë nga bujtinat aty pranë. Një nga këto është dhe “Taverna Agolli” ku ndalëm e u kënaqëm me zarzavate të freskëta të kopshtit, me troftë taze të pjekur në zgarë. Zoti Ervin Agolli e kultivon troftën te rezervuari që ka krijuar vetë duke ia prerë rrugën përroit. Vera si zakonisht ishte verë e bërë vetë, pije pa hile.
Uji i ftohtë më bëri ta ndjeja stomakun bosh. Porosita e një pjatë të dytë me mish gici të pjekur në bidon. Mishi ishte si llokume. Mbasi mbaruam së ngrëni na erdhi në tavolinë i zoti i tavernës. Na tregoi historinë si arriti ta krijonte këtë lokal kaq të suksesshëm, ku gjatë muajve maj-shtator, të shtunave e të djelave bujtin rreth 200 persona për dreka. Gjatë dimrit dhe në ditët e javës shkojnë rreth 40-50 bujtës.
“Gjyshi im, filloi të tregonte Ervini, një djalosh 40-vjeçar, kishte ndërtuar një mulli afër grykderdhjes së përroit në Devoll, kurse shtëpitë e vjetra i kishte ngritur ja atje sipër, ku është godina e re dykatshe ku banon familja ime sot. Katin e parë të saj e përdorim si restorant për dasma, si dhe gjatë dimrit, kur e mbyllim tavernën. Gjyshi im, Bektash Agolli, që i ndrittë shpirti, e kishte blerë gjithë këtë luginë të vogëln që shtrihet nga fshati Plovisht e deri te Lumi Devoll. Mirëpo në fillim të viteve 1960-të, ushtria na e shtetëzoi shtëpinë dhe tokat. Krijoi një pikë hapjeje (depo armësh). Gjyshi u detyrua të ngjitej lart në fshat e të hynte në kooperativë. Mbas ndërrimit të regjimit, në vitin 1994, babai im, Ademi, shkoi te zyrat e kadastrës në Korçë dhe u tregoi tapitë e tokës e të shtëpisë. Me gjyq mundi ta rimerrte gjithë tokën e luginës bashkë me godinën e depos ushtarake, të cilën e ktheu në shtëpi banimi e lokal të vogël. Të ardhurat ishin të pakta, popullsia ishte ende e varfër. Ne nuk kishim mundësi të investonim. Unë u detyrova të emigroj në Greqi. Punova për ndërtim pishinash gjatë viteve 2001-2012. U ktheva me mendjen top, që të ndërtoja me kursimet që kisha mbledhur një restorant të vogël, por modern, si ato të Greqisë. Dhe ja, si e shikoni, mund të them se e realizova ëndrrën time: Kam krijuar familje. Me gruan kemi dy djem, dhe të katër punojmë në restorant e tavernë. Kam në plan të blej dhe disa shtëpi druri e t’i vendos në dy anët e përroit, e t’i lidh me një urë në mes. Kështu klientët, vendas e të huaj, mund të vijnë të jetojnë disa ditë, të peshkojnë në Devoll, të shëtisin në luginë, të hanë e të flenë këtu, në këtë pikë pushimi në gji të natyrës, larg zhurmave të qyteteve.
Kurse dy vëllezërit e mij vijojnë të punojnë në mërgim, i madhi në Greqi merret me ndërtime, i mesmi, punon hidraulik në Nju Jork. U janë rritur fëmijët dhe nuk duan të kthehen, por pasi të dalin në pension mund të vijnë të kalojnë disa muaj behari këtu…
U ngritëm dhe e uruam me gjithë zemër: “Të lumtë dhe të vaftë mbarë!”
Unë nxora kuletën të paguaja, por Vjollca kishte mbaruar punë. Gjatë kohës që fliste Ervini, ajo, gjoja se donte të shikonte bidonin ku piqeshin mishrat, kishte takuar kamarjerin dhe kishte paguar.
Gjatë kthimit, kur po i afroheshim Korçës, rreth orës 4:00 PM, Vjollca propozoi të pinim një kafe te resorti i hipizmit “H 3 – House horses & Hilton”, të cilin e ka krijuar miku i tyre, Z. Hilmi Myrtollari. Pastaj ktheu makinën në të djathtë të rrugës. Parkoi makinën dhe na udhëhoqi të hynim tek salla e restorantit, ku takuam të zotin e biznesit dhe zonjën e tij, Daniela.
Mikpritja shqiptare filloi. Daniela la grupin e kamarjereve dhe erdh i hodhi duart në qafë Vjollcës, duke thënë:
– “Nga keni humbur, keni disa javë që nuk na keni dalë.”
Vjollca, si e turpëruar i tha me zë të ulët, se kishin pasur shumë punë këto kohë te zyra e Argjirit, për përkthime dokumentash të disa emigrantëve…
Hilmiu, nga ana e tij na dha dorën përzemërsisht dhe na drejtoi te karriket. U ul bashkë me ne. Argjiri më prezantoi dhe sqaroi se u ndalëm për një kafe. Pastaj shtoi: “Im kunat, Thanasi, ka ardhur nga Amerika për disa ditë. Eshtë vatran dhe ka dëshirë të dëgjojë se si munde të ngresh ti këtë biznes që është pak i përhapur në Shqipëri.
Daniela nuk dërgoi kamarjeren, por erdhi vetë e na pyeti se ç’ dëshironim të pinim. Argjiri e Vjollca kërkuan kafe, unë çaj kamomili. Hilmiu nuk e zgjati. Filloi të tregonte thjesht, shkurt dhe pa emocione:
– “Viti 1992, kur u ndërrua regjimi mua më gjeti djalë të vogël, 10-vjeçar. Jetonim në fshatin Porodinë, babai im ishte kryetar i këshillit. Unë kisha shumë qejf kuajt. Kur u vendos që të ndaheshin pronat e kooperativës, unë iu luta babait: “Mos kërko lopë, e dele, po ki kujdes të marrësh atë kalin dori të kooperativës. Dhe ai ma plotësoi dëshirën, krahas tokave, një lope e dy deleve, mori dhe kalin dori. Babai u tregua largpamës. Vendosi menjëherë të shpërnguleshim në Korçë. Shiti tokat, shtëpinë dhe delet dhe me ato para bleu tek hyrja e Korçës, anës rrugës që vjen nga Voskopoja, një nga stallat e reja të Kooperativës Bujqësore të Korçës, për 1.000.000 (një milion lekë të vjetra). Ishte godinë e re e painaguruar ende. Kështu babai hodhi hapin e duhur në kohën dhe vendin e duhur.
E kthyem stallën në shtëpi, në një anë krijuam një bilardo, shtuam dhe një lopë tjetër. Unë me biçikletë vija tek pallatet pranë u shisja qumshin e 2 lopëve. Pastaj blemë dhe një lopë tjetër. Në vitin 1997 vëllai i madh, Eltoni, 17-vjeçar, shkoi në Greqi ku filloi punën në bujqësi.
Me paratë që mblidhnim nga shitja e qumshtit dhe ato që dërgonte vëllai nga Greqia ndërtuam shtëpinë e re me dy kate dhe një kafene, ku punonte nëna e babai. Në vitin 2000, sa mbusha dhe unë 17 vjetët, u nisa për Selanik të Greqisë. Gjeta punë në një stallë me kuaj garash (hipizëm). Pastroja bajgat, i krehja kuajt, ngrija pengesat kur i rëzonin kuajt gjatë stërvitjeve e garave. Pas një viti sollën dhe disa kuaj të rinj garash. Ishin disi të egër se nuk ishin stërvitur. Asnjë grek, serb, ose çek që punonte atje, nuk guxoi t’i hipte e të kalëronte me ta. Unë, 18-vjeçar guxova. E mora njërin kalë me të mirë, e fërkova dhe e shalova. Ai filloi të përpiqej të më rëzonte, por unë rezistova. Kalërova sa e binda kalin, pastaj e ndala dhe zbrita. Trajneri serb, Zoti Rajko Dokiç erdhi më përgëzoi dhe mori pësipër të më trajnonte. I jam borxhlli se punoi me mua me dashuri e përkushtim. Ai më bëri mësues / trajner të fëmijëve. Kështu punova tre vjet si trajner i fëmijëve për t’i stërvitur në tri stade, secili stad zgjaste një vit. Pastaj më emëruan trajner vetëm për grupin e rritur. Punoja me rrogë të mirë trajneri.
Në vitin 2007 babai filloi ndërtimin e lokalit të ri, restorant, të cilin e mbaroi mbas dy vjetësh, me sallë të madhe dasmash dhe me pishinë. I vumë emrin HILTON duke bashkuar pjesë nga emrat tanë Hilmi dhe Elton. Gjatë vitit 2010 fillova të vija çdo të dielë e të hënë, se i kisha pushim të dy këto ditë të javës. Gjatë këtyre vizitave u njoha me Danielën. U fejuam e u martuam. Dasmën e bëmë në lokalin tonë. Në vitin 2012 erdha për fare në shtëpi dhe fillova punën në restorant. Më 2013 na lindi Dionisi, e më 2019 djali i dytë, Agimi. Në vitin 2018 i blemë këto toka. Shitëm restorantin që kishim dhe krijuam këtë biznes të ri me hotel (12 dhoma gjumi me 30 shtretër), pishinë, restorant me sallë të madhe për dasma, pista për vrapim të kuajve të garve, si dhe stallat përkatëse. Gjashtë kuajt e parë i blemë mëza në Greqi të pastërvitur, se kushtonin lirë. I srërvita unë. Pastaj blemë mëza edhe në Gjermani. Tani kemi gjithsej 30 kuaj. Disa janë pella për mbarështim, disa mëza dhe të tjerët janë kuaj garash, me të cilët marr pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare. Kam fituar shumë medalje, ja ku i kam vendosur mbi banakun e bartenderit. Punojnë dy stallierë, disa kamarjere e një kuzhinier.
Jam i gëzuar se djali ynë i madh, Dionisi, e dashuron hipizmin. Ai, që tani, as 12-vjeç, ka marrë pjesë në 17 gara, ku ka fituar dy vende të dyta e një të tretë me kalin arab Nazirin, 6-vjeçar.
Duke dëgjuar historitë e Ervinit dhe të Hilmiut u mbusha me optimizëm. Edhe dy vjet më parë, kur vizitova gati krejt Shqipërinë, pashë se shumë shqiptarë, bij të lindur e rritur në fshatra, pasi kishin mbledhur në mërgim disa vjet kursimet e tyre ishin kthyer në atdhe dhe kishin investuar. Punonin me këmbëngulje për rritjen e bizneseve të tyre. Me shtëpitë, godinat e bizneseve dhe me hotelet e restorantet e reja që kanë ndërtuar këta ia kanë ndërruar pamjen Shqipërisë.
Fshatari shqiptar ka qenë dhe vijon të jetë bazamenti i kombit shqiptar. Ja konkretisht Ervin Agolli dhe Hilmi Myrtollari, bij fshati, me punët e tyre arritën të ndërtojnë biznese të suksesshme. Të tillë trima meritojnë mirënjohje të mbarë shoqërisë sonë, sepse me vullnetin, zgjuarësinë dhe punën këmbëngulëse nderojnë veten, familjen, fshatin e origjinës, krahinën dhe mbarë kombin shqiptar.