-Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland: Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike/
PRISHTINË, 11 Korrik 2016/ SHBA e do Kosovën shtet të fortë e të zhvilluar, citohet ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland në një intervistë ekskluzive për radiotelevizionin publik kosovar, RTK, gjatë vizitës dje në Prishtinë.
“Mendoj se e dini që Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike”, ka theksuar ajo.
“Dëshirojmë një Kosovë të fortë, të pavarur e demokratike. Këtë e duam për ju”, ka theksuar ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland.
“Afat deri në vjeshtë”, është kryetitulli sot i gazetës kosovare Zëri, e cila thekson se, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka rikujtuar liderëve shtetërorë luftën kundër krimit e korrupsionit, si dhe përfundimin e demarkacionit me Malin e Zi para pushimeve të verës, në mënyrë që të ecet përpara drejt integrimit evropian më së largu deri në vjeshtë. Nuland gjatë vizitës në Kosovë injoroi opozitën duke mos i takuar fare, derisa u takua me shoqërinë civile.
Gazeta merr vesh nga burimet e saj brenda takimit se Nuland ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, si dy liderët e partive në koalicionin qeverisës, që para pushimeve ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacion, ndërsa ka qenë e pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivel të lartë.
“Nuland e ka quajtur artificial debatin për demarkacionin”, thekson në kryetitull balline gazeta tjetër e Prishtinës, Koha Ditore. Kjo gazetë shkruan se ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka bërë të qartë udhëheqësve shtetërorë kërkesat që duhet t’i plotësojë Kosova për të arritur perspektivën evropiane.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë tema diskutimi në takimet e ndara që ajo pati, të dielën, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, gjatë vizitës njëditore në Prishtinë.
Në takimet, ajo pohohet të ketë theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës./b.j/
EKSKLUZIVE – NULAND: SHBA E DO KOSOVËN SHTET TË FORTË E TË ZHVILLUAR
Intervistë ekskluzive e ndihmëssekretare ammerikane të Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, për RTK-në
RTK: Zonja ndihmëssekretare, mirë se vini në Kosovë! Kjo është vizita juaj e dytë në Kosovë gjatë një viti. Sa është e rëndësishme Kosova për Shtetet e Bashkuara dhe cilat janë synimet tuaja në Uashington, për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?
Ndihmëssekretarja Nuland: Ju faleminderit Xhevdet, për këtë mundësi. Po, kam qenë këtu me sekretarin Kerry në dimër dhe përpiqem që edhe vetë të vij çdo vit. Mendoj se e dini që Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike. Porosia jonë sot ishte se Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm, përfshirë edhe prej herës së fundit kur isha këtu me sekretarin Kerry në dimër. Gjykata Speciale po ecën, keni zgjidhur çështjen e EULEX-it, kemi stabilitet politik relativ. Por, tani është koha që Kosova të marrë hov dhe t’i adresojë disa prej problemeve që të gjithë njerëzit në këtë vend po presin që të adresohen, duke përfshirë vazhdimin e pastrimit të sistemit të drejtësisë, të pastrohen krimi dhe korrupsioni, të siguroni se po e rritni ekonominë tuaj, po krijoni një mjedis që stimulon investime. Kemi investitorë amerikanë që duan të vijnë këtu, por ata duan ta dinë se vendi është në një trajektore të fuqishme. Dhe, natyrisht edhe integrimi juaj me Evropën dhe procesi juaj me Serbinë. Pra, këto ishin temat kryesore sot.
RTK: Duke folur për përparimin në Kosovë, kemi parë shumë pak përparim në Kuvend, në veçanti çështja me partitë opozitare që e kundërshtojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e shihni punën e Kuvendit dhe si e shihni zgjidhjen e këtyre dy çështjeve të rëndësishme?
Ndihmëssekretarja Nuland: Gjatë tërë kësaj periudhe, fare nuk e kemi fshehur brengën tonë se Kosovës i duhet një Kuvend dinamik dhe funksional, ku politikanët e zgjedhur vijnë dhe debatojnë, e jo që hedhin gaz lotsjellës ose bojkotojnë e bëjnë gjëra të tilla. Nëse dëshironi të keni një demokraci të fortë, duhet të merrni pjesë në procesin demokratik. E pashë kryetarin e Kuvendit sot, e takova për herë të parë si prijës i Kuvendit. Ne e nxitëm për përshpejtimin e punës në Kuvend. Ne jemi mbështetës të fuqishëm të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi sepse kjo është çështje e sovranitetit për Kosovën. Vendeve sovrane u duhen kufij stabilë dhe të sigurt. Është diçka që duhet ta bëni për të ardhmen tuaj. Sinqerisht, nga këndvështrimi ynë, i tërë ky debat rreth kësaj çështjeje është relativisht artificial. Është problem i sajuar dhe sinqerisht, ne dëshirojmë ta shohim Kosovën duke pasur mundësi për integrim më të thellë në Evropë. Dëshirojmë të shohim se si kosovarët e rinj kanë rastin të udhëtojnë andej-këtej, që të mos ndihen se u duhet të dalin jashtë, por që kanë mundësi këtu për ta bërë Kosovën qendër të vërtetë për Evropën. Pra, kjo është çështje e rëndësishme. Është çështje e sovranitetit, është çështje e së ardhmes suaj dhe nuk duam ta shohim duke u politizuar. Dëshirojmë t’ju shohim duke e zgjidhur këtë çështje këtë verë dhe të ecni tutje.
RTK: Serbia vazhdon ta bllokojë integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Udhëheqësit e saj politikë kanë deklaruar se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Si i ndihmon kjo marrëdhëniet ndëretnike dhe si mund të ketë përparim në dialog me këto lloj deklaratash provokative nga udhëheqësit serbë?
Ndihmëssekretarja Nuland: Shtetet e Bashkuara, siç e dini, kanë qenë përkrahëse e fuqishme gjatë këtyre viteve e dialogut Kosovë-Serbi. Është arritur një lloj përparimi, por mendoj se çka duam të shohim tash është zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët. Na vjen mirë që po shohim se tashmë është formuar grupi për hartimin e legjislacionit për Asociacionin e komunave. Natyrisht, kur të shkoj në Beograd do të flas me kryeministrin dhe qeverinë atje për zbatimin e atyre marrëveshjeve që tashmë janë arritur. Por, më gjerësisht, dëshirojmë ta shohim që procesi i dialogut po vazhdon dhe dëshirojmë të shohim që po arrihet një zgjidhje e plotë e çështjeve të sovranitetit ndërmjet të dy vendeve. Por, po aq me rëndësi është që Kosova të punojë vetë në ndërtimin e vet, që të jetë shtet sa më i fortë i mundshëm, si dhe si vend shumetnik, ku shqiptarët dhe serbët dhe të gjitha etnitë e tjera mund të jetojnë në paqe sepse jo vetëm që një gjë e tillë i duhet rajonit, por i duhet dhe planetit dhe Kosova ka mundësinë për ta dhënë këtë shembull.
RTK: Shqetësimet për ekstremizmin fetar në Kosovë vazhdojnë të jenë në lajme në Shtetet e Bashkuara kohët e fundit. Këto janë shqetësime edhe këtu në Kosovë. Kosova është pjesë e aleancës botërore kundër terrorizmit, por a po bëjnë mjaft institucionet e Kosovës për luftimin e ekstremizmit?
Ndihmëssekretarja Nuland: Xhevdet, do të thosha se Kosova ka arritur përparim vërtet të mirë në rajon sa i përket punës që e bëni për t’i identifikuar të rinjtë në rrezik, për t’i rritur ndëshkimet penale për ata që luftojnë në luftëra të huaja, për penalizimin e ekstremizmit, por natyrisht duhet të bëhet më shumë. Dhe kjo vlen për çështjen në përgjithësi – nuk është vetëm çështje e Kosovës, por është edhe rajonale – se kur nuk ka rritje mjaft të shpejtë të ekonomisë, kur papunësia ndër të rinjtë është në nivel aq të lartë, veçanërisht jashtë qyteteve, këta të rinj bien pre e rekrutimit. Pra, për këtë arsye na nevojitet një Kosovë që është e fortë, e pavarur, që rritet ekonomikisht, është e integruar me Evropën, ashtu që të rinjtë shohin të ardhme pozitive dhe që i thonë ‘Jo’ thirrjes së sirenave për ekstremizëm të dhunshëm. Por, po ashtu është me rëndësi edhe puna në komunitet që të gjithë po e bëjnë: marrëdhënie të forta ndërmjet prindërve, punëdhënësve, udhëheqësve fetarë dhe qeverisë për të ditur se çka po ndodh në komunitetin tuaj dhe për ta ndërprerë këtë në ngjizje. Mendoj se Kosova po ia del mirë në këtë. Ne, në Shtetet e Bashkuara po përpiqemi që të nxisim më shumë punë rajonale në këtë aspekt, po punojmë edhe me Shqipërinë dhe mendoj se fakti që vendet e këtij rajoni po fillojnë të punojnë së bashku për ta luftuar ekstremizmin është zhvillim i mirë. Pra, vazhdoni kështu.
RTK: Zonja ndihmëssekretare, ju faleminderit për kohën tuaj.
Ndihmës-sekretarja Nuland: Xhevdet, faleminderit juve për mundësinë për të folur me ju dhe me shikuesit tuaj. Dëshirojmë një Kosovë të fortë, të pavarur e demokratike. Këtë e duam për ju.
RTK: Ju faleminderit.
Intervistoi: Xhevdet Sfarça