Aspekte të propagandës ateiste në revistën “Vatra e Kulturës” përgjatë regjimit komunist 1965-1975.
Sokol Paja
PJESA 2
Zhdukja e fesë në Shqipëri, pjesë e projektit shtetëror ateist
Përgjatë aksionin kombëtar komunist të zhdukjes së fesë, në propagandën ateiste dhe në rrethin e punës së zinxhirit ateist shtetëror, komunizmi përdori edhe nxënës dhe mësues që u përfshinë masimalisht në luftën kundër mbeturinave të ideologjisë fetare. Puna ideologjike sipas S. Sinanit në shkrimin “Luftë e pandërprerë kundër mbeturinave të ideologjisë fetare”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më 1975, e bërë nga organizatat e Partisë së bashku më prindër, nxënës mësues, të edukuar me mësimet e partisë, kanë afirmuar norma të reja dhe kanë zhdukur ritet dhe festat fetare. Normat dhe konceptet e vjetra sipas Sinanit po luftohen në çdo normë dhe formë të shfaqjes së tyre. “Fjalori fetar pothuajse nuk përdoret nga nxënësit e shkollës. Edhe vënia e emrave të tillë si petrit, agim, arta për zonën e Qelës me ish-besim katolik është një fitore”[1] që sipas autorit, flet qartë për goditjen në çdo formë të ideologjisë së vjetër fetare dhe afirmimim e të resë socialiste. Sipas Sinanit, në luftën kundër fesë dhanë ndihmesë çelja e ekspozitës “Feja opium për Popullin”, libri “Gjurmët të çojnë në qelë”, “Veprimtaria reaksionare e klerit”. Këto shfaqje të organizuara nga shtëpia e Kulturës në Qelë, sipas Sinanit, mbajtën ndezur luftën kundër mbeturinave fetare dhe demaskuan me orë të tëra në debate e leksione rolin reaksionar të fesë. Çdo mësues sidomos në Pukë, sipas autorit Sinani dha një kontribut në këtë aksion kombëtar për çrrënjosjen e fesë duke zhvilluar detyra konkrete me tema edukimi, informacione dhe punime të veçanta. Si objektiv i punës së vazhdueshme të nxënësve dhe mësuesve për zhdukjen e mbeturinave të ideologjisë fetare del: harmonizimi i punës edukative dhe aksionit me punë jashtëshkollore jo vetëm më nxënësit por edhe fshatarët, të evidentohet rezultatet e arritura, të bëhen analiza në mënyrë që lufta të mos jetë me fushata por e vazhdueshme, fletërrufetë dhe aktivitete kulturore-artistike të demaskojnë gjithnjë e më shumë fënë dhe ideologjinë fetare.Në shkrimin e Rakip Mustafaj me titull “Këtu shërohen njerëzit” botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më 1968, flitet për teqenë e Martaneshit e cila kishte shfrytëzuar përgjatë gjithë veprimtarisë së saj popullin. “Teqeja ishte një qendër parazitësh e dembelësh ku ditën dhe natën derdhej si lumë rakia e mishi i pjekur”[2] ku për të plotësuar qejfet dhe dëshirat e Babait të Teqesë punonin një numër i madh hysmeqarësh dhe në tokat e Babait të teqesë një numër i madh fshatarësh. Sipas autorit Mustafaj, njerëzit e zotit që rrinin në këtë teqe nuk ishin veçse injorantë e të pashkollë, shfrytëzues të paster të popullit deri në palcë. Teqeja sipas Mustafajt, ishte një qendër për sëmundje të ndryshme pasi besimtarët pinin ujin e bekuar në një gjym dhe shumë të tjerë sëmureshin rëndë duke fjetur në Teqene e shtruar me çemento me qëllim për të gjetur shërim. Organizatat e masave dhe të partisë me qëllim suksesin dhe masivizimin e luftës kundër fesë filluan një punë të diferencuar me masën e nxënësve, me rininë, gratë, pleqtë etj. Për të gjitha brigadat shtëpia e kulturës shfaqte shfaqje të ndryshme duke sulmuar fenë me qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për punën dhe gjithpërfshirjen në aksionin ideologjik. Puna e gjerë propagandistike dhe demaksimi i veprimtarisë së teqesë në Martanesh, sipas Rakip Mustafaj, bëri që në publik të dilnin të gjithë të palarat e Babait të Teqesë në Martanesh i cili pohoi në mbledhje para mbarë popullit se feja ka qenë një rrugë reaksionare dhe se ai kishte mashtruar popullin me qëllim për të jetuar si parazit në kurriz të njerëzve të ndërshëm e punëtorë socialistë.
Propaganda ateiste dhe zhdukja e fesë
Propaganda ateiste gjithnjë në rritje ishte mënyra më efikase sipas ateistëve shqiptarë për zhdukjen e fesë dhe praktikave fetare. Feja në zonën e Burrelit në mënyrë djallëzore kishte depërtuar sipas Skender Tunës në shkrimin “Ne për propagandën ateiste-shkencore ”, botuar në revistën “Vatra e kulturës” më1968, duke përfituar nga mënyra e jetesës së fshatarëve dhe nëpërmjet përdorimit të zakoneve të mira si besa, guximi, ndershmëria etj. Si fillim i suksesit të luftës kundër fesë bëhej demaskimi i veprimtarisë së klerit dhe përgatitja e mirë ideologjike me botëkuptim marksist-leninist. Sipas Tunës, pasi populli u bind për kotësinë e fesë dhe natyrën shtypëse dhe gënjeshtare, u organizuan mbledhjet e pelqve për ti kthyer xhamitë nga vatra për helmimin e ndërgjegjes sënjerëzve, në qendra arsimi, kulture dhe edukimi dhe për zëvendësimin e festave fetare me festat kombëtare. Pas bindjes dhe aprovimit popullor njëra xhami në Gurrë ta Matit u kthye në shkollë dhe tjetra në magazinë të koperativës, ndërsa një hoxhë që nuk ishte dakord për këtë u nxor në autokritike nga pleqtë u vu me shpatulla aps murit dhe u demaskua roli i tij dhe fesë që përfaqëson duke ia nxjerrë në shesh të gjithë të palarat. Në shkrimin e Trifon Dafës me titull “Si u përgatit një kumtesë”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” më1968, shigjetohet teqeja e Sukës në Përmet ku kjo teqe që në vitet e paraçlirimit e pasçlirimit ka qenë një qendër për shtypjen e fshatarëve, ishte një qendër injorance, vatër që përhapte besime të kota, shfrytëzonte e mashtronte. Sipas shkrimit propagandistik, me qëllim që masa e punonjësve të bëhej përvete dhe revolucioni të kishte përkrahje sa më të madhe duheshin gjetur në popull deklarata të veprimtarisë së kësaj teqe në mënyrë qëtë demaskohej totalisht veprimtaria e saj. Angazhimin më të madh në këtë aksion në lidhje me veprimtarinë shfrytëzuese dhe shtypëse të teqes së Sukës, e morën mesuesit e shkollës 8-vjeçare të fshatit. Ata gjejnë dëshminë e një plaku Çuli Kano i cili deklaron në shkrimin propagandistik ateist të autorit se Teqeja e Sukës “ i ka tmerruar bujqit. Rrahje, uri, vuajtje, mjerime, ja kush kanë qenë dhuratat e saj për fshatarët”[3]. Veprimtaria e kësaj teqeje, sipas Trifon Dafës është shumë armiqësore pasi feja tentonte të depërtonte edhe tek ritet dhe marrëdhëniet familjare të popullit, ku Babai apo Dervishi ndërhynin tek të gjithë bujqit dhe ua fejonin vajzat ku donin edhe sikur burri të qe një plak apo anormal, mjafton që babai të mbushte xhepin, këmbëngulte propagada ateiste e regjimit komunist ateist.
Lufta kundër “paragjykimeve fetare” në Shqipërinë ateiste
Në regjimin diktatorial, nuk lejohej asnjë ideologji tjetër përveç ideologjisë marksiste-leniniste që ishte ideologjia shtetërore. Në luftën për zhdukjen përfundimtare të fesë si njollë e së kaluarës, sipas Arif Gashit në shkrimin “Si mund të punohet kundër paragjykimeve e mbeturinave fetare”, botuar te revista “Vatra e Kulturës” më 1974, kërkohet kujdes i veçantë në specifikat e seciëls lagje, fhsat apo zonë dhe të zbulohen e studjohen njollat që shfaqen rastet e format e shfaqjes, arsyet e shfaqjes së këtyre normave, moshat e mbartësve, dëmet që sjellin këto shfaqje, ndikimet tek të rinjtë e fëmijët që kanë shfaqjet e normazve e zakoneve prapanike e fetare. Në luftën ndaj fesë sipas Gashit, mjeti shumë i fuqishëm i propagandës antifetare është organizimi i ekspozitave anti-fetare. Në to duhet të pasqyrohen tematikat: “Roli reaksionar i klerikëve të zonës, krahinës, fshatit, të qytetit, format e shfrytëzimit e të mashtrimit që kanë përdorur klerikët, organizim përçarjesh e ngatërresash në masë nga klerikët, shtimi i pasurisë sëtyre më anën e shfrytëzimit të ceremonive fetare të lindjeve, të vdekjeve, të përshpirtjeve, të martesave, të taksave, dallaveret e priftërinjve për të grabitur pasurinë e atyre që vdisnin, duke thënë se gjoja ia kishin lënë amanet kishës, dhuratat e shumta për shpirtin e të vdekurve, mjetet e mashtrimit e të magjisë fetare si hajmalitë, nuskat etj, kultivimi i përçarjes e armiqësisë midis besimtarëve dhe atyre që nuk besonin”[4]ku përveç këtyre, nga propaganda e koës sugjerohej edhe përdorimi i karikaturave si mjet për ta bërë më të kuptueshëm teorinë. Zbërthimi ateist i dogmave të fesë, sipas autorit, çon në sqarimin e tyre dhe nxit agjitacionin kundër praktikave e dogmave fetare. Si një mjet shumë efikas në propagandën ateiste ishte diskutimi rreth tryezës ku biseda të ishte e mirëpregatitur dhe shumë tërheqëse. Në këto biseda ateiste duhet që përmbajtja e temës, zhvillimi i dialogut, i shoqëruar me skeçe, parodi, kuplete, recitime, këngë, pyetje-përgjigje, të cilat tërheqin masën dhe ndikojnë në ngritjen peshë të opinionit shoqëror kundër njollave fetare dhe në forcim e formim të individid me idealet marksiste-leniniste. Një formë efikase si mjet i fuqishëm propagande ishte organizimi i pyetje- përgjigjeve në skuadra e brigada në kohën e lirë. Në këtë komunikim propagandistik, regjimi synonte që pyetjet të ishin të përcaktuara e konkrete, përmbajtja e pyetjeve të ketë alegori pa fyrje sepse gjallërohet humori dhe diskutimi bëhet më interesant nxitës dhe tërheqës. Në propagandën ateiste-shkencore rol të rëndësishëm kishte libri duke përfshirë letersinë artistike, romanet, dramat, tregimet, novelat etj dhe kjo punë me librin kërkonte rekomandime, biseda, lexime në rrethe të ngushta, propagandim me tabela e fletë fshikulluese ndaj fesë.Xhavit Mëzezi në shkrimin “Çajupi demaskon fenë”, botuar në revistën“Vatra e Kulturës” më1967, propagandon se në shkrimet e poetit Çajupi vihen në lojë priftërinjtë që me dinakërinë e tyre kanë futur heshten e përçarjes në trupin e Shqipërisë me politikën përçaj e sundo dhe kanë hedhur vrer kundër shqiptarëve. “Feja shenjtëron zakonet prapanike në jetë dhe në familje. Ajo mbron çdo gjë konservatore dhe është kundër çdo gjëje të re. Ajo përbuz gruan duke e quajtur qënie të ulët”[5]. Çajupi, sipas Mëzezit, në poezinë “Vaj” ngrihet në mbrojtje në nënave e grave të cilat feja i ka zhytur në errësirë, nënshtrim dhe në padije. Sipas autorit Mëzezi, në poezitë e Çajupit lexohet qartë kritika që i bën shkrimtari traditave të popullit dhe disa zakoneve fetare e prapanike që kanë mbajtur popullin të zhytur në injorancë të ardhura këto sipas predikimeve boshe të Biblës. Sipas autorit në veprat e Çajupit flitet edhe për imoralitet dhe poshtërsi të njerëzve të fesë të cilët sjanë asgjë tjetër veç njerëz me moral të ulët. Edhe në Komedinë “14 vjeç dhëndërr” sipas autorit Mëzezi, arrin pika kulminante e akuzës që Çajupi i bën kishës duke e quajtur priftin një hokatar, qejfli, pijanec dhe njeri të ulët.
BIBLIOGRAFIA
- Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002
- Fuga, Artan, Shtigje drejt guvës së gjarprit, Ora, Tiranë 2004
- Fuga, Artan, Majtas jo Djathtas, Ora, Tiranë 2003
- Fuga, Artan, Monolog, Dudaj, Tiranë, 2010
- Hajati, Marash, Dera e prapme e shtypit, Logoreci, Tiranë 1998
- Ngjela, Spartak, Përkulja dhe rënia e Tiranisë Shqiptare 1957-2010, UET Press, Tiranë 2011
- Repishti, Sami, Nën hijen e Rozafës, Onufri, Tiranë 2004
- Revista “Vatra e Kulturës”, monitorim viti 1965-1975
- Velo, Maks, Esse për diktaturën komunistë, Tiranë 2003
[1] Sinani, S. “Luftë e pandërprerë kundër mbeturinave të ideologjisë fetare”, Vatra e Kulturës nr:1, Tiranë 1975, faqe 29
[2] Mustafaj, Rakip “Këtu shërohen njerëzit”, Vatra e kulturës nr: 2, Tiranë 1968, faqe 11
[3] Dafa, Trifon, “Si u përgatit një kumtesë”, Vatra e kulturës nr: 3, Tiranë 1968, faqe 11
[4] Gashi, Arif “Si mund të punohet kundër paragjykimeve e mbeturinave fetare”, Vatra e Kulturës, nr:4, tiranë 1974, faqe 42
[5] Mëzezi, Xhavit, “Çajupi demaskon fenë”, Vatra e Kulturës, nr: 4, Tiranë 1967, faqe 39