



“USALB TV”, TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË NEW YORK-UT/
Gjergji Kovaçi, themeluesi i Televizionit “Usalb Tv” në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e televizionit “Usalb Tv”, televizioni si arkiv dhe memorie digjitale e komunitetit, televizioni si trashëgimi mediatike, kulturore e kombëtare e mërgatës shqiptare në Amerikë.
HISTORIKU I “USALB TV”
Që në vitin 2010 kur u zhvendosa në USA dhe lashë pas një karrierë artistike prej 40 vjetësh përpos vështirësive si çdo fillim i vështirë i një jete të re, unë fillova të mendoj më saktë të ëndërroj se si mund të ndërtoj një mjet komunikimi mes artit, komunitetit shqiptar në Amerikë dhe kulturës kombëtare. E vetmja mënyrë ishte hapja e një kanali televiziv për komunitetin tonë. Eksperienca ime e gjatë televizive i ka zanafillat që në shtetin Grek pasi kam punuar në dy nga kanalet televizive Omegas dhe Macedonia. Në 7-8 mars të vitit 2017 mbas një sërë vështirësish teknike dhe informative “Usalb Tv” mori jetë në një nga organizimet e festës aq të dashur të mësuesit dhe të nënës që unë dhe bashkëshortja ime Valbona Kovaçi kishim dy vjet që organizonim aktivitete kulturore dhe patriotike për komunitetin shqiptar në New York.
TELEVIZIONI SI PJESË E PANDARË E KOMUNITETIT SHQIPTAR
Televizioni është një pjesë e pandarë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Risitë që solli “Usalb Tv” për komunitetin shqiptar në New York, Brooklyn, State Island, New Jersey, Connecticut, Philadelphia, Boston e Westchester ishin të shumë të larmishme me ndjekjen e të gjitha aktiviteteve komunitare, intervistave ekskluzive e sidomos emosioneve të posaçme si: emisionin IN & OUT ALBANIA. Që kur u themelua, “Usalb Tv” kishte për qëllim që televizioni të ishte s amë afër komunitetit ku intervistat e bashkatdhetarëve, ndarja e sukseseve dhe eksperiencave të vështirësive të ndryshme, pjesëmarja masive në 4-5 eventet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në çdo vit i jepte mundësi shqiptarëve të bëheshin bashkë dhe të kalonin disa orë të bukura nën shoqërinë e muzikës dhe këngëtarëve të ardhur nga Shqipëria enkas për t’iu bërë festat e bukura bashkatdhetarëve tanë. Krijova një ekip pune duke ndarë eksperiencën time dhe televizioni mori rrugën e suksesit si televizion i komunitetit dhe për komunitetin e kombin tonë.
TELEVIZIONI SI MEMORIE E AKTIVITETEVE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË AMERIKË
Media ka një efekt dhe rol të jashtëzakonshmë në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë e kulturës kombëtare. Televizioni “Usalb Tv” që në fillim e ka vijuar këtë besnikëri fanatike të ruajtjes e promovimit të vlerave kombëtare. Kamerat e “Usalb Tv” janë gjendur kurdoherë në çdo cep të New York e shteteve përreth për të pasqyruar ngjarjet e komunitetit, për të intervistuar figurat politike, publike dhe artistike të ardhur nga Shqipëria e Kosova për të mësuar të rejat e shkëmbimeve, marrëdhënieve e mbarëvajtjeve midis dy kombeve miq e aletaë. Një ndër intervistat më mbresëlënëse ka qënë ajo e ish Presidentit Bujar Nishani në Manhattan. Në vitin 2019 duke marrë shkas dhe nga audienca masive që pati televizioni “Usalb Tv”, vendosëm të sjellim guzhinën tradicionale shqiptare në fokusin e kamerave tona dhe sa ishte ruajtur tradita shqiptare në komunitet. Ndërthurja e brezit të vjetër që mundohej t’ia kalonte stafetën e kuzhinës tradicionale dhe brezit të ri që tashmë bën pjesë dhe në komunitetin amerikan ishte magjia dhe suksesi i këtij emisioni komunitar. Kamerat tona depërtuan në brendësi të familjeve shqiptare për të mësuar gatimet tradicionale të secilës krahinë që ajo familje i përkiste.
USALB TELEVIZION
“Usalb Tv” është një kanal mediatik shqiptar që trasmeton të gjitha aktivitetet e bashkëtdhetarëve tanë, diasporës shqiptare në Amerikë-Kanada por jo vetëm kudo ku ka shqiptarë jemi të pranishëm me sinjal dhe mbulim mediatik satelitor. “Usalb Tv” gjithashtu organizon dhe shumë aktivitete kombëtare, sociale, shoqërore e kulturore. “Usalb Tv” ka transmetim 24 orë, bën pjesë në paketën e gjithë kanaleve shqiptare të “TV ALB” tek nr.33 i kanaleve, si edhe në kanalin e YouTube Usalb Televizion, ku mund të shihni një pjesë nga aktiviteti i këtij televizioni. Vendodhja është në Brooklyn NY. Administrohet nga Gjergji Kovaçi, prej 6 vitesh. Karriera e tij si krijues fillo para 40 vitesh ku ka qenë valltar, koreograf pranë Ansamblit “Skenderbeu” në Korçë si edhe as.regjisor prej 3 vitesh në një nga emisionet në kanalin Televiziv Omega, Selanik, Greqi.