AVNI ALCANI/
“Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit…”. Homeri, ILIADA, Kënga 1
- Hyrje
Ky shkrim i kushtohet princit shqiptar Moisi Golem Araniti, njërit prej pinjollëve më të shquar të familjes Araniti të shekullit të 15-të, si dhe mërisë së madhe të tij, e cila shkaktoi një tronditje dhe brengosje të madhe te bashkëluftëtarët e tij?
Por cili ishte shkaku i mërisë së Moisi Golemit dhe përse figura e tij ende ruan te shqiptarët një farë admirimi dhe përçmimi njëkohësisht, ndonëse biografët e Skënderbeut patën shkruar se Moisi Golemi ishte ndër luftëtarët më të shquar të ushtrisë arbërore të shekullit të 15-të, i cili kishte një “shkëlqim të pashoq të emrit të vet” (Marin Barleti “Historia e Skënderbeut”, Tiranë 1983, f. 408.), që “kishte famën se vinte i dyti në zotësi pas Skënderbeut”, dhe kishte qenë “krahu i djathtë (dhe) gjenerali më i mirë i ushtrisë së Skënderbeut” (Fan S. Noli: “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, Tiranë 1967, f. 140). Por, fatkeqësisht, për shkak të mërisë dhe qëndrimit inatçor që Moisiu i mbajti Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, figura e tij u mbulua nga një hije misteri e tronsformuar njëkohësisht nga një dashuri-urrejtje 5-shekullore.
Në këtë shkrim do të përpiqemi të hedhim dritë mbi disa çështje dhe fakte që kanë mbetur ende të pa sqaruara për figurën e Moisi Golemit, me qëllim zbardhjen e të vërtetave rreth mërisë së madhe të tij, të konsideruar si “tradhtëti” ndaj Skënderbeut, e cila e ka njollosur padrejtësisht këtë figurë të shquar historike të kombit shqiptar. Gjithashtu do të tentojmë t’i japim përgjigje një sërë pyetjeve mbi disa të vërtetat që dihen por nuk thuhen dhe të lëna enkas në heshtje, për të denigruar figurën e tij, të tilla si: Cilat ishin shkaqet e mërisë së madhe, që e çuan Moisiun t’i kthente armët kundër mikut dhe komandantit të tij? Kush ishte shkaktari kryesor i prishjes së marrdhënieve Moisi-Skënderbe? A ishte tradhtar Moisi Golemi? Si qëndron e vërteta e “pendimit”, apo e “mëshirës”, që, sipas biografëve të Skënderbeut, Moisiu ishte kthyer “zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë” (Dh. Frangu: “Kumtar i luftrave të turqve kundër Skënderbeut”, Tiranë 2000, f. 31), i cili, i “pikëlluar sa s’ka, i ra përpara (Skënderbeut) në gjunjë, i kërkoi me lot në sy që ta falte” (Barleti 1983, f. 468)?
Para se t’i shqyrtojmë çështjet që kemi ngritur më lart, le të njihemi shkurtimisht me disa aspekte të jetës së princit Moisi Golemi, si: cila ishte origjina e tij, familja, prindërit, vendlindja, pronat (zotërimet), lidhjet familjare të Moisiut me disa prej figurave arbërore nga më të rëndësishme të shek. të 15-të etj.
- Jeta, familja dhe zotërimet
Informacionet kryesore në lidhje me jetën dhe familjen e tij i kemi nga libri i biografit të Skënderbeut, Marin Barleti, i cili, në lidhje me origjinën e Moisi Golemit, shkruan: “Moisiu i Dibrës ishte epirot (shqiptar) nga kombësia”, që kishte lindur në qytetin e Valmëve (Elbasani i sotëm) dhe ishte pinjoll i familjes Araniti (Barleti 1983, f. 402). Babai i tij quhej Muzak Komnen Araniti, i cili, siç shkruan Barleti, “kishte dy vëllezër, d.m.th.., Aranit Golemin, Kominatin, të vjehrrin e Skënderbeut… dhe Vladen Golem Aranitin…” (Barleti, po aty). Nëna e Moisiut vinte nga dera e Muzakajve, Despotëve të Beratit, dhe quhej Vojsava Muzaka (po aty), kurse, sipas Gjon Muzakës, quhej Zonja Suina (Muzaka), e derës së Muzakajve të Beratit, e cila, siç shkrun Gj. Muzaka: “pati për burrë Zot Muzak Komnenin (babain e Moisi Golemit -shënimi im A. A.)” (Gjon Muzaka: “Memorje” (botim shqip), Tiranë 1996 , f. 35 ). Nuk ka të dhëna në se Moisiu ka pasur vëllezër apo motra të tjerë. Dimë se ai ishte i martuar me Zanfina Muzakën, me të cilën pati dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Djali quhej “Zot Komneni ose ndryshe Cezar Komneni”, (Muzaka, f. 52) i cili la vetëm një vajzë, të quajtur Johana Komnena, që ishte e martuar me Pal Brankaçi-n, një fisnik italian i derës “Nido”, (po aty) ndërsa vajza e Moisiut, Despina, u martua me Stanisha Kastriotin, nipin e Skënderbeut (nga i vëllai, Stanishi) Muzaka, po aty; Shuteriqi: “Aranitët-Historia, Gjenealogjia, Zotërimet”, Tiranë 2011, f. 59).
Ku ndodheshin pronat e Moisi Golemit? Nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodheshin pronat e Moisiut. Ato nuk i përmend as Gjon Muzaka në “Memorien” e tij, i cili ishte një njohës i mirë i pronave të familjeve fisnike të Arbërisë së shekullit XV. Gjon Muzaka në “Memorien” e tij ka përmendur vetëm pronat e atyre Aranitëve që ishin në lidhje të ngushta martesore me familjarët e tij. Kështu, p.sh., ai përshkruan me imtësi se ku ishin pronat e Gjergj Aranitit, Muzak Komnenit (atit të Moisiut), Muzhaqit të Angjelinës dhe Aranitit (djalit të Moisiut), të cilët ishin martuar me gra nga dera e Muzakajve të Beratit. Për Gjergj Aranit Komnenin, Muzaka shkruan: “Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti, pati për burrë Zot Aranit Komnenin, që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia) deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me tonin dhe e ka kufi” (Mazaka, f. 19). Kurse Muzak Komneni, i cili ishte i martuar me Zonjën Suina, motër e Gj. Muzakës, “kishte shtet të tij në pjesën e Çermenikës dhe në pjesën e Mokrës. Fshati i parë (i tij) quhet Liborasi (Librazhdi), Drago, Stugna (Dragostunja), Dorisa (Dorëzi), Zuchisi (Qukësi?), Guri (Gurra?) dhe fshatra të tjerë” (Muzaka f. 35). Kurse motra e dytë, Zonja Maria, ishte martuar me Muzhaq Aranitin, i cili, shkruan Muzaka, “kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë dhe Tomadhi” (Muzaka, f. 36). Kurse motra e katërt e Muzaks, Zonja Komita, kishte “për burrë Zotin Aranit, të birin e Muzak Aranitit, i cili kishte një Principatë të mirë në Çermenikë…” (Muzaka, f. 37). Dhe ky Aranit, shkruan Dhimitër Shuteriqi, ishte djali i Moisi Golemit (Shuteriqi 2011, f. 27 dhe 105). Këtë djalë, me sa duket, Moisiu duket se e ka pasur nga një martesë e tij e mëparshme dhe jo nga martesa me Zanfina Muzakën, pasi, siç e pamë te Muzaka, djali që Moisiu pati me Zanfinën, quhej Cezar Komneni.
Dhimitër Shuteriqi, një nga studiuesit dhe biografët e familjes së Aranitëve, në artikullin “Aranitët-Zotërimet”, botuar në revistën “Studime Historike” (Nr. 1, Tiranë 1967), në lidhje me zotërimet e Moisiut në viset e Librazhdit të sotëm, shkruan: “…zotërimet e Moisiut e të familjes së tij gjendeshin në viset afësisht që nga Maqellara e gjer në kufijtë e Mokrës së sotme, në anët më lindore, të krahinave ku sunduan Aranitët. Dimë, në mënyrë më të përcaktuar, se familja e tij kishte pasur fshatrat e Librazhdit…, këtu ishte, si të thuash, bërthama e “shtetit të tij” (Shuteriqi, f. 106). Ndërsa pronat që Moisiu mund të ketë patur në Çermenikë, supozojmë se ia pati lënë djalit të tij, Aranitit, që ai e kishte nga martesa e tij e parë.
Moisiu kishte prona edhe në Dibër dhe për këtë shkak ai thirrej “Moisiu i Dibrës”, apo, shpesh herë edhe si “dibrani” (Barleti 1983: f. 234, 270, 399, 402, 537 dhe 604.). “Moisiu, – shkruan Barleti, – i cili është mbiquajtur “i Dibrës” …Skënderbeu i kishte dhuruar shumë prona dhe një pjesë të madhe të vendit” (Barleti 1983, f. 402). Këto prona i ishin dhuruar si trofe (shpërblim) për shkak të trimërisë dhe heroizmit që ai kishte treguar gjatë betejave kundër ushtrisë osmane (Po aty). Autorët bashkëkohës të tij, si Barleti, Frangu apo Muzaka, nuk japin asnjë të dhënë se cilin fshat në Dibër ka pasur Moisiu pronë të tij. Por në një dokument osman të vitit 1467, të një defteri (regjistër) kadastral, në të cilin ishin regjistruar fshatrat e trevave të Dibrës, Çermenikës etj., një timarli me emrin Jakup, i cili zotëronte dy fshatra në Dibrën e Poshtme, të quajtura Pllashci dhe Dolna Dorovjani, kishte kapur “tradhtarin Moisi” (Arkivi i IH, A. III. 315. Nr. inv. 1086 dhe Grup autorësh 2018, f. 45.). Mendojmë se dy fshatrat kishin qenë më parë pronat e Moisi Golemit dhe pas kapjes rob të tij nga Jakupi, ato i kishte marrë ky i fundit, pasi sulltani i shpërblente ata që kishin vrarë apo kishin kapur rob një fisnik të lartë, duke u dhënë pronat që kishin qenë më parë në zotërim të fisnikut të vrarë apo të zënë rob (O. J. Schmit: “Skënderbeu” (përkthim shqip), Tiranë 2009, f. 250).
- “Gjenerali më i mirë i ushtrisë” (Noli)
Historianët që janë marrë më figurën e Gj. K. Skënderbeut, kanë shkruar se një nga gjeneralët më të mirë dhe ndër më të shquarit që pati Skënderbeu në ushtrinë e tij, më trimi dhe më i zoti ndër ta ka qenë Moisi Golem Araniti. Marin Barleti shkruan: “Të shumtë ishin në atë kohë ata që kishin autoritet të madh dhe gëzonin fort besimin e Skënderbeut si në kohë paqeje, si në luftë, por vendin e parë ndërmjet tyre e pretendonte Moisiu, jo vetëm për trimëri në luftë, por edhe për një farë shkëlqimi të pashoq të emrit të vet…” (Barleti, f. 408). Pas kthimit të Gjergj Kastriotit në Arbëri, Moisiu, si shumica e princërve arbër, iu afruan vullnetarisht Skënderbeut, duke i bashkuar armët e tyre për të luftuar kundër ushtrisë osmane. Por, nga ana tjetër, shkruante Barleti, “… fati kishte sjellë këtu Moisi Pjetër Golemin, burrë të shquar dhe bujar, me fis e me shpirt” (Po aty, f. 91). Janë të shumta betejat që kanë zhvilluar të dy së bashku kundër ushtrisë osmane. Trimëria dhe prania e tij kanë qenë vendimtare në këto beteja. Moisiu drejtoi betejat më të rëndësishme që ushtria arbërore ka zhvilluar kundër ushtrisë osmane.
Një nga betejat e para dhe më të rëndësishme që ndërmori Moisiu, sapo Skënderbeu nisi luftën kundërosmane në Arbëri, ishte pushtimi e kështjellës së Sfetigradit, pasi kjo kështjellë ishte një nga pikat më të rëndësishme strategjike, e cila shërbente si portë për kalimin e ushtrive osmane që futeshin në trojet e ku sundonte Kastrioti. Moisiu në atë betejë, shkruan Barleti, çfaqi një strategji të jashtëzakonshme, e cila bëri që kjo kështjellë të pushtohej dhe të binte lehtësisht në dorën e luftëtarëve arbërorëve, e cila, sikurse shkruan Noli, kështjella ra pas një rrethimi të gjatë (Barleti 1983, f. 104; Noli 1967, f. 81). Pushtimi i kështjellës së rëndësishme të Sfetigradit ishte sprova e parë e tij. Në betejën pasardhëse, ajo e vitit 1444, e përcaktoi Moisiun si gjeneral të ushtrisë arbrore, në të cilën Moisiu u tregua një luftëtar dhe drejtues i shkëqyer. Barleti shkruan se Skënderbeu e vuri Moisiun në vijën e parë dhe në krahun e djathtë të tij. (Barleti 1983, f. 142 dhe 143).
Pas këtyre betejave të para dhe fitoreve të rëndësishmë që korri ushtria e Skënderbeut kundër osmanëve, Moisiu dhe luftëtarët e tij merrnin pjesë në çdo betejë, atje ku rreziku ishte më i madh dhe ku përcaktohej fati i betejave. Ai inkurajonte bashkëluftëtarët e tij dhe i ftonte në beteja, duke u bërë thirrje të çfaqnin heroizmin e tyre. Moisiu tregonte një kujdes të jashtëzakonshëm për ushtarët e tij, kur ata ishin plagosur në betejë, apo ishin në gjëndje të vështirë emocionale (Po aty, f. 244-245).
Skënderbeu, sipas Barleti, kishte një dashuri dhe admirim të madh për Moisi Golemin dhe tregonte një kujdes të jashtëzakonshëm për të. Në një nga betejat Moisiu ishte plagosur shumë rëndë dhe për kurimin e tij ai u përkujdes nga vetë Skënderbeu (Po aty, f. 314). Moisiu, shkruan Barleti, qortohej shpesh prej Skënderbeut, që të tregonte kujdes për jetën e tij dhe të ishte më i vetëpërmbajtur në betejë: “Moisiu ishte fort i admirueshëm si për merita ushtarake, ashtu dhe meritat prej kapedani, por ishte me gojë ngaherë të gjakosur e, siç thonë, me kreshta përpjetë, që s’i frenonte dot dhe që shumë pak e urdhëronte veten. Prandaj thonë ai u qortua nga Skënderbeu dhe u këshillua që guximin e tij ta përdorte më me masë dhe fitoren më me mend; një veprim i tillë do t’i falej një ushtari të thjeshtë të turmës; për një kapedan ai do të ishte i rrezikshëm, si rrjedhim, fort i qortueshëm dhe një shembull shumë i keq” (Po aty, 402 ).
Deri në fund të jetës së tij Moisi Golemi mori pjesë gati në të gjitha betejat që zhvilloi ushtria arbërore kundër ushtrive osmane (Po aty, f. 426, 142, 143, 234, 243, 246, 263, 270, 279, 309, 314, 352, 399, 403, 407, 470, 512, 603 dhe 604), venedikase (Barleti 1983, f. 194, 196, 197 dhe Noli 1967, f. 92), por dhe kundër ushtrive italiane në Itali (Barleti 1983, f. 531, 537, 547, 548, 550 dhe 587; Frangu 2000: f. 35, 36 dhe 52.), kur Skënderbeu kishte shkuar për të ndihmuar mbretin Ferdinand të Napolit, djalin e Alfoncit, mikut të tij, që kërcënohej nga princërit rebelë të Italisë së jugut, të cilët ishin aleatë me Burbonët e Francës, rivalë të hershëm të Mbretësisë së Napolit.
- Mëria e madhe e Moisi Golemit
Autorët shqiptarë, duke filluar nga Barleti, Frangu e deri te Noli etj., kanë shkruar se Moisi Golemi kishte tradhëtuar Skënderbeun për shkak të një zemërimi të madh dhe u bashkua me osmanët kundër tij. Por cili ishte shkaku i zemërimit të tij dhe përse Moisiu u nda nga Skënderbeu? Si qëndron e vërteta e “tradhtisë” së luftëtarit më të famshëm të ushtrisë arbërore të shek. të 15-të? Përse Moisiu iku në Stamboll dhe ç’e shtyu atë që të ngrinte armët kundër bashkëluftëtarit dhe mikut të tij? A është e vërtetë se ai, pas disfatës që pësoi ushtria osmane e komanduar prej tij, u kthye “fshehurazi” e “i penduar” dhe, siç shkruajnë Barleti dhe Frangu, u “përul i gjunjëzuar” duke i kërkuar Skënderbeut “me lot në sy” që ta falte? Këto dhe disa pyetjeve të tjera do të mundohemi t’iu japim përgjigje në vijim të shkrimit tonë.
Sipas Barletit dhe Frangut, “tradhtia” e Moisiut zuri fill pas humbjes së rëndë që pësoi ushtria e Skënderbeut në betejën e Beratit në vitin 1455. Barleti shkruan se shkak i tradhtisë së Moisiut ishte “Barbari”, dmth, Sulltani, i cili, sipas tij, pasi nuk e mundi Skënderbeun në fushën e betejës, bëri ç‘mos për ta mposhtur me anë të dredhive, duke i “grishur” (ftuar) në bisedime bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë e më të zot me qëllim për t’i joshur e korruptuar dhe, për këtë, gjithnjë sipas Barletit, ai përzgjodhi Moisi Golemin, kryegjeneralin e ushtrisë së arbërorëve dhe krahun e djathtë të Skënderbeut. Sulltani, shkruan Barleti, “s’la gurë pa luajtur për këtë punë. Mbi të gjitha ai vuri në veprim tërë urtësinë dhe mençurinë e vet për të tërhequr në bisedime Moisiun…” (Barleti 1983, f. 409-468.). Kurse Dh. Frangu shkruan se pas Betejës së Beratit dhe të përmbysjejes, sipas tij, së gjendjes në Arbëri: “Moisiu nuk shpresonte më se Skënderbeu të qe në gjendje të mbronte vendin” dhe kaloi tek osmanët, me qëllim “për ta shporrur Skënderbeun prej Shqipërisë nëse i jepeshin mijëra ushtarë turq të zgjedhur dhe me kusht që, pasi ta kishte përzënë Skënderbeun prej Shqipërisë, të bëhej zot i atij vendi, duke i paguar Turkut një tribut vjetor” (Frangu 2000, f. 29). F. S. Noli, biografi më i shquar shqiptar i Skënderbeut në shek. XX, shkruan se ishin venedikasit ata që e kanë nxitur Moisiun dhe princërit e tjerë arbër që ta tradhëtonin Skënderbeun dhe të hidheshin te turqit. “Ka të ngjarë, – shkruan ai, – që vendikasit të kenë dashur që ata të hidheshin në anën e turqve dhe të ktheheshin pastaj me ushtrinë turke, kundër ish komandantit të tyre të përgjithshëm. Në fakt ata i kanë inkurajuar dezertorët për të vepruar në kërë mënyrë (Makushev, Marinesco). Ata shpresonin ta likujdonin Skënderbeun me anë të luftës vëllavrasësë dhe të agresonit turk (112)” (Noli 1967, f. 113).
Por cili ishte shkaku i mërisë së Moisi Golemit, sa e çoi atë në një reagim ekstrem kundër Gjergj Kastriot Skënderbeut? A ishte e vërtetë se Moisiu e “tradhëtoi” Skënderbeun, siç shkruan Barleti, për shkak të grishjes që i bëri Sulltani, apo, siç shkruan Frangu, të egoizmit të tij që ai të bëhej Zot i Arbërisë, apo të intrigave të Venedikasve, siç shkruan Noli?! Akuzat e mësipërme të disa prej biografëve të Skënderbeut janë naive, kurse insinuatat e Nolit, se kanë qenë intrigat e venedikasve shkaku i tradhtisë së Moisiut, nuk mund të merren në konsideratë, pasi nuk ka dëshmi dokumentare apo fakte reale që e vërtetojnë një pohim të tillë.
Mëria e Moisi Golemit kishte shkaqe më të thella nga ato që kanë përmendur autorët e mësipërm. Së pari, ishte bashkëshortja e tij, Zanfina Muzaka, që, sipas Gjon Muzakës, Skënderbeu e kishte ndarë nga bashkshortit i saj i parë, Muzak Topia, për ta martuar këtë të fundit me të motrën, Mamica Kastriotin. Muzaka shkruan: “… Dhe ju them se Zot Skënderbeu e prishi këtë martesë të të lartpërmendurit Zot Muzakë e zonjës Zanfina Millosaka e lartpërmendur, pa e dashur as perëndia dhe askush, dhe as fëmijët që ata kanë dhe i dha të motrën, Mamicën” (Muzaka 1996, f. 48). Edhe Noli, duke u mbështetur te Muzaka, shkruan se në ikjen e Moisiut duhet të ketë pasur gisht e bashkëshortja e tij, zonja Zanfina. “Padyshim…, – shkruan ai, – Ajo do t’i ketë mbajtur mëri Skënderbeut që i kishte marrë burrin e saj të parë për ta martuar me të motrën (112), Mamicë Kastriotin” (Noli 1967, f. 113.).
Së dyti, kishte të bënte me rrëmbimin që Skënderbeu u bëri pronave të Moisiut në Dibër. Skënderbeu, i cili në vitin 1444 ishte zgjedhur Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë arbërore, me kalimin e viteve iu shtuan ambiciet për t’u bërë Mbret i Arbërisë, ndaj synonte zgjerimin e territoreve të shtetit të tij, që ishte ende i vogël, dhe këtë zgjerim ai kërkonte ta bënte duke u rrëmbyer tokat e fisnikërisë shqiptare. “Zot Skënderbeu…, – shkruan Muzaka, – u bë Zot i qytetit të Krujës, të cilën i ati nuk e kishte … e në pak kohë synoi të zotëronte të gjithë vendin… mori dhe Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër” (Muzaka 1996, f. 50). Por, shkruan Muzaka, Skënderbeu, “na mori dhe neve Tomorrishtën, domethënë Myzeqenë e vogël dhe kështu bëri dhe me zotërinjtë e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës që nuk mbroheshin dot, sepse ai kishte ushtrinë për luftë dhe turku kërcënonte çdo vend” (Po aty). Ai (Skënderbeu) nuk i kishte rrëmbyer prona vetëm Moisiut dhe Muzakajve, por edhe fisnikëve të tjerë arbër, si dhe dy nipërve të tij nga e motra Jella, vëllezërit Gjon dhe Gojko Balsha, të cilëve, pasi ua rrëmbeu fshatrat, u vuri prangat dhe “ia dërgoi Mbretit Ferrant plakut në Napoli, i mbajti në burg dhe iu mori Principatën e tyre që shtrihej midis Krujës e Lezhës e që thirrej vendi i Misisë” (Muzaka 1996, f. 50.). Fan Noli i justikon rrëmbimet e përdhunshme që u bënte Skënderbeu pronave të feudalëve të tjerë arbër. “Ishte fare e natyrshme, – shkruan ai, – që Skënderbeu t’i hiqte këta krerë të paafrueshëm, t’i aneksonte kantonet (krahinat e tyre) dhe ta bashkonte të gjithë vendin kundër Turqisë dhe Venedikut” (Noli 1967, f. 113). Por, nga ana tjetër, vetë Noli pranon pasojat që rrjedhin nga një veprim i tillë. “Këto dezertime, – shkruan ai, – i detyrohen faktit që Skënderbeu po i aneksonte principatat e gjithë këtyre gjysëm feudalëve, ose më mirë, krerëve patriarkalë, të cilëve s’u mbetej më gjë tjetër, veç të kërkonin mbrojtje nga turqit ose nga venedikasit….“ (Po aty, f. 113). Mosmarrëveshjet, armiqësitë, mëritë etj. të fisnikve arbër, shkaktoheshin kryesisht për pronat dhe për territoret. Mjaft nga çështjet e mprehta, siç ishin, mëritë, apo zënkat, zgjidheshin në fushën e betejës, në dyluftimet trup me trup, apo me vrasje në pusi, siç ndodhi vrasja në pusi e Lekë Zaharisë nga Lekë Dukagjini (Aleks Buda: “Studime për Skënderbeun”, Tiranë 2018, f. 132), e cila nxiti një luftë të re të Skënderbeut kundër Venedikut, pasi venedikasit, pas vdekjes së Zaharisë, kishin zaptuar pronat e këtij të fundit si dhe qytetin e Danjës. Në se fisnikët e tjerë, që u ishin rrëmbyer pronat, ishin më të dobët dhe të pafuqishëm të përballonin fuqinë e Kastriotit. Por “Moisiu, – shkruan Muzaka, – ishte njeri me zemër dhe trim dhe, duke mos mundur të durojë një dhunë të tillë, u arratis tek Sulltani” (Muzaka 1996, f. 50).
Së treti, shkaku kryesor, sipas mendimit tonë, kishte të bënte me sojin apo rangun e lartë të fisit të tij të Aranitve, në krahasim me Kastriotët, që vinin nga një familje e vogël fisnikësh, e kishin origjinën e tyre nga familje të vjetra feudale, me lidhje të shumta me dyer mbretërish e perandorësh europianë.
Në Mesjetë marrdhëniet midis fisnikërisë arbërore të shekullit të 15-të, si aleancat, vasalitetet, ndarjet, mosmarrëveshjet, tradhtitë etj., ishin të vendosura mbi bazë të një kodi, të quajtur “Kodi i nderit”. Skënderbeu e kishte thyer kodin e nderit ndaj një fisniku arbër të sërës së lartë, që ishte Moisiu. Historiani Pëllumb Xhufi, kur analizon marrdhëniet e familjes Araniti me Kastriotët, shkruan se edhe “Gjergj Arianiti …nuk e duronte lehtë autoritetin epror të Skënderbeut, aq më shumë kur bëhej fjalë për një kapedan që, ndryshe nga ai, vinte nga një familje fisnikësh të vegjël…” (Xhufi Pëllumb: “Nga Principata e Arianitëve tek shteti i Skënderbeut”, “Aranitët në Librazhd”, Tiranë 2019, f. 61).
Kishte pasur edhe me parë armiqësi të mëdha mes familjeve aristokrake, të cilat kishin shkaktuar luftime të përgjakshme mes tyre. E tillë ka qenë ajo e Dukagjinëve kundër Kastriotëve. Dukagjinët dikur kishin qenë aleatë të Skënderbeut. Ata kishin marrë pjesë në Besëlidhjen e Lezhës (2 mars 1444), ku Skënderbeu u zgjodh Komandant i Përgjithshëm. Por ata kurrë nuk iu nënshtruan këtij të fundit dhe në mes tyre kishte plasur një mëri dhe armiqësi e egër, gjë që shkaktoi kalimin e Dukagjinëbe tek osmanët kundër Sknëderbeut. “Dukagjinët, – shkruan Schmiti, – u bashkuan me osmanët, pranuan, pra, më mirë të tërhiqnin sulltanin në vend se sa t’i nënshtroheshin Skënderbeut” (Schmitt 2009, f. 204-205). Kjo gjë shkaktoi shqetësim te Vatikani, sa që e detyroi Papën Nikolla V t’i kërcënonte Dukagjinët me çkishërimin e tyre (Po aty).
Pas mërisë së madhe, edhe Moisi Golemi u largua nga Skënderbeu, ashtu siç kishin bërë fisnikë të tjerë para tij dhe, për ta luftuar Skënderbeun, dhe u bashkua me Sulltanin, armikun më të madh të tij. Kodi mesjetar për kohën se “Armiku i armikut tim është miku im”, ndoshta ka qenë arsyeja kryesore përse Moisiu shkoi te Sulltani, pasi shkaktari kryesor i konfliktit ishte i Skënderbeu, i cili, siç e pamë, kishte rrëmbyer pronat e Moisi Golemit dhe e kishte detyruar këtë të fundit që të hakmerrej. Historiani zvcerian, Oliver Jens Schmit, autori i librit “Skënderbeu” (Tiranë 2009), shkruan në librin e tij: “Fajin nuk e ka tradhtari, por Skënderbeu, i cili kishte fyer rëndë një fisnik dhe e kishte detyruar këtë të hakmerrej. Moisiu nuk kishte rrugëdalje tjetër, nëse donte të ruante nderin e vet…” (Po aty, f. 216).
Moisiu u rikthye në krye të një ushtrie osmane të komanduar prej tij, por u thye keq nga Skënderbeu. Siç e kam analizuar këtë betejë në një artikull kushtuar Muzhaqit të Angjelinës (A. Alcani, “Muzhaqi i Angjelinës, Princi i Çermenikës dhe i Tomadhesë”, “Aranitët në Librazhd”, Tiranë 2019, f. 147), Skënderbeu hartoi një strategji të jashtëzakonshme kundër Moisiut, duke e vendosur ushtrinë e tij, e cila ishte e komanduar nga vëllezërit Muzhaq Komnen Araniti dhe Gjuric Vladan Araniti, që ishin djemtë e xhaxhait të Moisiut, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, gjë e cila shmangu dyluftimin vëllavrasës, si dhe i siguroi fitoren e ushtrisë së tij.
Moisiu u kthye i mundur me një ushtri të shpartalluar. Brenda shpirtit të tij ka pasur tallaze të mëdha, pasi ai nuk mund të kthehej as te Sulltani, por as te Skënderbeu.
- A ishte e vërtet se Moisiu u kthye i penduar dhe i kërkoi falje Skënderbeut?
Barleti dhe Frangu shkruajnë se Moisiu u kthye Skënderbeui penduar dhe i kërkoi falje. “I pikëlluar sa s’ka, – shkruan: Barleti, – i ra përpara në gjunjë, i kërkoi me lot në sy që ta falte e të mos i bënte gjë, jo se e meritonte, por për vetë bujarinë dhe njerëzinë e shpirtit të tij… Skënderbeu e zuri prej dore dhe e porositi që të ngrihej menjëherë. I gatshëm për ta falur, i foli me shumë mirësi dhe, duke e përqafuar e puthur shpesh, ia hapi zemrën krejt dhe u pajtua me të…” (Barleti 1983, f. 468). Kurse Frangu shkruan:“(Moisiu) erdhi fshehurazi në Shqipëri zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë. Skënderbeu shtriu menjëherë dorën, e ngriti dhe nisi të bisedonte me të në një mënyrë të tillë, a thua se nuk kishte marrë as edhe një fyerje më parë nga ana e tij” (Frangu 2000, f. 31). A ishte e vërtetë se Moisiu u kthye i përulur ndaj Skënderbeut dhe i kërkoi falje? Muzaka shkruan krejt të kundërtën. Ishte Skënderbeu, shkruan ai që i shtriu dorën e pajtimit dhe i “…dërgoi lajm që të kthehej e të mbeteshin vëllezër dhe Moisiu, duke parë se nuk ishte i sigurtë tek Sulltani dhe për të mos rritur më gjakderdhjen e të krishterëve, u kthye” (Muzaka 1996, f. 50). Skënderbeu kishte gabuar me Moisi Golemin, por dhe Moisiu, me sa duket, kishte qenë i penduar dhe dy zotërinjtë e mëdhenj të Arbërisë bënë pajtimin e tyre historik. Edhe O. J. Scmitt-i, kur analizon kthimin e Moisit, shkruan se “…nuk ishte Moisiu ai që u kthye i përgjëruar te Skënderbeu, porse… ka ndodhur gati e kundërta… Skënderbeu e kishte kuptuar gabimin e tij edhe Moisiun e kaploi pendesa… kështu që interesat e të dy zotërinjve përputheshin me njëri-tjetrin; ishte harruar fyerja, ishte rimëkëmbur vëllazëria e armëve deri në vdekje…” (Schmitt 2009, f. 216).
- Beteja Vajkalit. Fundi i Moisi Golemit
Në vjeshtë të vitit 1464 u zhvillua Beteja I Vajkalit, midis ushtrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga sanxhakbeu osman i Sanxhakut të Ohrit me origjinë arbërore, Ballaban Badera, i cili ishte një renegat i dërguar nga Sulltan Mehmeti II që të shkatërronte Skënderbeun. Ushtria arbërore sërish i ishte besuar Moisi Golemit. Para betejës, Skënderbeu u paraqiti luftëtarëve planin e luftimit, në të cilin ishte planifikuar që t‘i mashtronte osmanët, duke i bërë të mendojnë se forcat e tij janë shumë më të dobëta për të luftuar dhe tepër të frikësuara. Osmanët u futën në betejë me një ndjenjë të rreme sikur luftëtarët shqiptarë ishin më të pakët se ata në numër. Skënderbeu i lejoi ushtarët osmanë që të vinin sa më pranë tij dhe pastaj filloi kundërsulmin. Beteja u zhvillua e ashpër dhe ushtarët osmanë të frikësuar filluan të tërhiqeshin në panik. Në ndjekje të ushtrisë së shpartalluar të Ballabanit, shkruan Frangu, drejtuesit e ushtrisë së Skënderbeut nuk zbatuan urdhërat e tij për të ndaluar ndjekjen e forcave osmane dhe u kapën në befasi (Frangu 2000, f. 52). Disa nga luftëtarët më të shquar, më të afërt e më të besuar të Skënderbeut, të cilët, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej” (Barleti 1983, f. 603-604), u kapën si robër nga ushtria e Ballabanit. Ndëmjet tyre ishte Moisi Golemi. Në një dokument osman të vitit 1467, shkruhet se Moisiu ishte zënë rob nga një rrenegat i quajtur Jakub, i cili ishte “kthyer sërishmi mysliman” (Arkivi i IH, A. III. 315. Nr. inv 1086.). Së bashku me Moisiun u kapën Gjuric Vladani dhe Muzhaqi i Angjelinës, që ishin nipërit e Skënderbeut nga e motra, Angjelina, si dhe Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi. Të tetë robërit e shquar u dërguan në Konstandinopojë.
Skënderbeu dërgoi ambasadorët te Sulltani, që, kundrejt një shume të madhe të hollash, apo duke i afruar robër osmanë, t‘i këmbete me luftëtarët e tij, në të kundërt ai do të ekzekutonte të gjithë robërit osmanë të luftës. Sulltani nuk pranoi. Të tetë robrit e shquar u torturuan në mënyrën më çnjerëzore, duke i rrjepur të gjallë. “Me vdekjen e tyre, – shkruan Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake” (Barleti 1983, f. 604).
Moisi Golemi. Nga Johann Theodor de Bry, viti1596