Dorjan Greca/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, Kryesia, Këshilli, anëtarët e saj, miqtë dhe kolegët e të ndjerit babait tonë, Dalip Greca, meritojnë një mirënjohje dhe falënderim të veçantë për punën e tyre në botimin dhe promovimin e kontributit të tij shumëvjeçar permes librave “Editorët e Diellit ne 110 vite histori” dhe “Editorial”. Sinqerisht, ndjehemi të nderuar e të respektuar që Federata “Vatra” botoi një pjesë të punës dhe veprës voluminoze së babait tonë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Federatës “Vatra”, gazetës “Dielli”, dhe në kulturën e shqiptarëve kudo që janë.
Për komunitetin dhe gazetarinë, Dalip Greca ishte një zë i fortë për fjalen e lire, dhe nje pene e zjarrte per drejtësinë, shqiptarinë, kulturën dhe gjuhën shqipe. Gjate nje karriere gazetareske 40 vjecare, ai pati një ndikim të madh në shoqëri, ne Shqiperi, ne Kosove, ne komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo ne bote ku shkon shtypi shqip. Ai ishte një mbrojtës i flaktë i lirive dhe vlerave demokratike kudo ku veproi dhe punoi. Ai ishte një njeri me një zemër të madhe, një shpirt të palodhur, guximtar dhe luftarak për të ndihmuar komunitetin dhe çështjen shqiptare.
Vitet e fundit, duke punuar për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe gazetën “Dielli”, ai dha ndihmesën e tij për zhvillimin e komunitetit shqiptar në atdhe dhe në diasporë, bashkimin kombëtar dhe promovimin e kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar. Ai punoi me vetmohim, me largapamesi, me një qëllim dhe vizion të qartë për të ndihmuar komunitetin shqiptar, dhe për të mbështetur shqiptarët kudo qofshin. Ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke ndihmuar në formimin e opinionit publik dhe duke mbajtur gjallë traditën dhe kulturën e shqiptarëve në diasporë. Kontributi i tij në këtë fushë është i shkruar në histori.
Për familjen, të thuash që ishte një baba dhe bashkëshort i jashtëzakonshem, nuk do të ishte një përkufizim i plotë. Babai ynë ishte një njeri i veçantë, një baba dhe burrë i ndjeshëm, i cili shfaqte kujdes dhe dashuri të pafundme për familjen e tij. Ai e gjente kohën gjithmonë për t’u ndalur dhe dëgjuar, për të na inkurajuar dhe për të na ndihmuar në çdo mënyrë që mund të ishte e nevojshme. Ai ishte një frymëzim dhe një shembull i mirë për ne, familjarët, dhe për të gjithë ata që e njihnin. Nëse kishte diçka që babai kishte vlerësuar më shumë se gjithçka tjetër, ishte familja e tij.
Për familjen e tij, Babai ynë ishte shumë më shumë se një udhërrëfyes, ai ishte një rrëfimtar i jetës dhe një udhëheqës i vërtetë. Ai ishte një njeri me integritet të lartë, me një vullnet të jashtëzakonshëm, me guxim dhe një vizion të qartë. Ai ishte një udhërrëfyes i vërtetë qe me shembullin e mire dhe gjurmet qe la na tregoi rrugen e drejte. Ai ishe një baba dhe nje gjysh i jashtëzakonshëm i cili do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe zemrat e të gjithë atyre që e njihnin dhe e adhuronin atë. Ne, femijet e tij, të gjitha arritjet dhe sukseset, të mëdha apo të vogla, i kemi arritur falë keshillave dhe drejtimit te tij. I jemi mirënjohës në përjetësi.
Babai do të na mungojë shumë, por kujtimet, mësimet, influenca dhe VEPRA e tij do të jenë gjithmonë këtu mes nesh, si frymëzim, burim inkurajimi dhe udhërrëfyes për të gjithë ne. Ai gjithmonë do të kujtohet për karakterin e fortë dhe shpirtin fisnik, i cili përjetoi shumë sfida, por kurrë nuk u dorëzua. Le të nderojmë jetën, veprën dhe të ndjekim shembullin e tij të mirë në gjithçka që bëjmë.
Në një kohë kur jeta dhe botëkuptimi kanë ndryshuar aq shumë, është tepër e rëndësishme të ruajmë dhe të mbrojmë trashëgiminë dhe kulturën tonë, dhe puna dhe misioni i Federates “Vatra” janë me të vërtetë një shembull me i mirë. Përmes botimeve të vepres së babait tone dhe kontributit të jashtëzakonshme në “Vatër” dhe gazetën “Dielli”, “Vatra” po le pas gjurmë të thella në trashëgiminë kulturore të vendit tonë për brezat e ardhshëm.
Falenderime dhe mirënjohje për Federaten “Vatra” dhe të gjithë te pranishmit,
Me nderim të veçantë,
Familja Greca