


Arlinda Suka, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën për fëmijët shqiptarë në Staten Island – New York, në klasat: “Mëso Shqip” dhe “Vallëzim Tradicional”, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Staten Island, aktivitetin edukativ dhe artistik, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Amerikës. “Mëso Shqip” dhe “Vallëzim Tradicional” si programe mësimore, edukative dhe kulturore janë një mundësi e shkëlqyer që fëmijët shqiptarë që të ruajnë gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar.
SHOQATA “KRAJA”, “ANA E MALIT” DHE “ULQINI”, PROJEKTE PËR GJUHËN DHE KULTURËN SHQIPTARE
Shoqata “Ana e Malit” filloi rreth gjashtë vite më parë një projekt kombëtar për zhvillimin e gjuhës e kulturës shqipe në Staten Island. Angazhimi im në këto tre shoqata së fundmi erdhi në një mënyrë aq sa spontane aq dhe natyrale dhe në momentin e duhur dhe kohën e duhur. Pasi kisha 4 muaj që kisha ardhur nga Ulqini dhe isha zhvendosur plotësishtn në New York, isha shkëputur nga vendlindja dhe nga puna ime si mësuese dhe isha akoma me kujtimet dhe mallin për familjen, punën dhe çdo gjë që më lidhte me vendlindjen. Në një pasdite të bukur dimri me vjen një ftesë ku shoqatat Kraja, Ulqini dhe Ana e Malit më kërkojnë që në mënyrë vullnetare të jem mësuese e nxënësve shqiptarë që jetojnë në New York dhe të jem pjesë e projekteve të tyre. Pa hezituar e pa menduar pranova sepse doja të jepja kontributin tim për këto nxënës dhe e ndieja si një borxh që të gjithë ja kemi vendlindjes dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Me vonë së bashku me të tre shoqatat vendosem që projektin ta quajmë ” Mëso shqip”. Pasi çdo gjë erdhi shumë shpejt dhe as vetë nuk mendonim që do fillojmë aq shpejt me realizimin e këtij projekti nuk ishim dhe aq të përgatitur për materialet dhe gjërat e nevojshme si abetaret dhe librat tjera që do të na duheshin për të mbajtur në mënyrë sa më cilsore mësimin. Sidoqoftë kemi mundur të sigurojmë mjete mësimore falë Konsullatës së Kosovës që ka bërë dhurimin e shumë materialeve me të cilat kemi startuar, për çka e falenderojmë pa masë dhe jemi shumë mirënjohës. Gjithashtu jemi duke u munduar të sigurojmë sa më shpejt Abetaret ndërkombëtare me të cilat mendojmë të punojmë në vazhdimësi.
VALLËZIM TRADICIONAL E MUZIKË AUTENTIKE SHQIPTARE
Përveç organizinit të mbajtjes se orëve në gjuhën shqipe, tri Shoqatat Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, si risi tjetër do të kenë dhe klasat e vallëzimit ku theks të veçantë do të vihet në përforcimin e përfomimin e valleve tradicionale nga trevat shqiptare të Malit të Zi. Për këtë gjë do të kujdesen me mjeshtri e profesionalizëm mësueset tona të talentuara që më parë vetë kanë qenë valltare në këto shoqata patriotike. Pa dyshim që presim vallëzime e kërcime aq sa kreative, qoftë koreografisë qoftë kostumevë të larmishme nga trevat e ndryshme shqiptare.
GJUHA SHQIPE SI ELEMENT I LASHTËSISË SË KOMBIT DHE KULTURËS SHQIPTARE
Kur flitet për gjuhën që është një element shumë i rëndësishëm i kombit dhe kulturës shqiptare pa dyshim që do jemi më sensitiv dhe shpesh herë dhe emocionalisht të lidhur me ketë element. Për fat të keq jemi dëshmitarë që gjuha shqipe dhe përdorimi i saj po zbehet sidomos nga shqiptarët e diasporës. Duhet të punohet fort për tu ruajtur gjuha shqipe. Roli jonë si prindër dhe edukues të brezit të ri është që t’a ndalojmë këtë fenomen dhe të kontribuojmë në forma të ndryshme që të ruhet e të fitet anë e mbanë botës ku ka shqiptarë. Pikërisht ky projekt ka për synim që brezat e ri të ruajnë gjuhën e tyre, të mos harrojnë nga vijnë dhe nga i kanë rrënjët.
GJUHA SI RUAJTJE E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE TE SHQIPTARËT E MËRGUAR
Përmes aktiviteteve që po planifikojmë të realizojmë në këtë projekt do mundohemi që theksin ta vendosim në ruajtjen e gjuhës shqipe si trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve që me vite janë në mërgim. Të detyruar nga rrethanat e ndoshta dhe nga “modernizimi i tepruar” apo zhvillimet e kohës sikurse ka filluar që gjuha shqipe në mërgim të flitet më pak sidomos tek moshat e reja, gjë që e vërejta që nga ora e parë e mbajtjes së mësimit, do mundohem që jo vetem unë por të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në këtë projekt që të investojmë sa më shumë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe këtu në Amerikë. Kjo gjë duhet shikuar si një borxh që ne ia kemi mëmëdheut tonë. Jo më kot kërkesa ime e parë që ju bëra prindërve që në diten e parë ishte: Flisni sa më shumë shqip me fëmijët tuaj. Me një përpjekje të përbashkët besoj se filizat tona shqiptare jo që do ta flasin e shkruajnë bukur gjuhën shqipe por dhe do ta mbartin brez pas brezi tek fëmijët e tyre.
BOTIMET NË DOBI TË GJUHËS SHQIPE
Unë jam autore e dy librave në fushën e mësimdhënies: “Metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies” të botuar në vitin 2014 ku zakonisht trajtohen tema që kanë lidhje me mësimdhënien pasi vetë kam ushtruar profesionin e mësueses për 11 vite radhazi dhe libri i dytë: “E dua shkollën”. Është libri i letërsisë për klasa të para që u botua në vitin 2021 dhe përdoret si libër zyrtar për klasat e para në shkollat shqipe në Mal të zi. Këto dy kontribute shkencore në specialitetin edukim, kanë rezultuar mjaft të rëndësishme në fushën e mësimdhënies.
PRITSHMËRITË NGA SHKOLLA SHQIPE E STATEN ISLAND
Nga kjo shkollë pres në radhë të parë vullnet të çeliktë si nga ana e nxënësve dhe prindërve për të ecur para me mësimin e gjuhës shqipe. Nuk pres rezultate të menjëhershme sespse e di që nuk është e lehtë. Sepse çdo fillim ka vështirësitë dhe sfidat e veta por mendoj që jemi mbledhur së bashku të gjithë për një kauzë të mirë: për ruajtjen, kultivimin e gjuhës dhe së bashku në këtë rrugëtim të bukur do kalojmë çdo sfidë dhe gjuha shqipe do të flitet e do të tingëllojnë shumë më bukur nga brezat e ri që po rriten këtu në Amerikë. Na mbetet që të presim që dëshirat tona të flakta të na realizohen falë punës sonë, vullnetit të nënësve, mbështetjes së prindërve e këmbënguljes së jashtëzakonshme të të gjithëve së bashku.