
– Sheuqet Muka, personalitet i shquar i arsimit kombëtar, që përhapte dritën e diturisë edhe në qelitë e errëta-/

Nga Pertefe LEKA/




“Mësuesi
ynë në shkollën e burgjeve, Zotni Sheuqet Muka ……
Këta
ishin mësuesit tanë,Etërit tanë, të cilët menduan e punuan aq shumë për ne
….u jemi borxhli shpirtmadhësisë së tyre që më aq durim e kënaqësi prindi na
falën dritën e mendjes e pastërtinë e tyre shpirtërore. Na plotësuan ate
çka shteti monist na e mohoi…..por mësuesi ynë gjithmonë mbetej
nxënës i të tjerëve…..shkruan Z.Sheuqet Kraja, nxënës
bashkëvuajtës në shkollën e burgjeve marrë nga libri “Sheuqet Muka
,Shkodrani “f.104-114 botuar Tetor 2019).
Është
mirë për brezat që vijnë të njohin vlerat e njerëzve të shquar, të njohin
konkretisht punën e tyre vetëmohuese, trashigimisë që kanë lënë ata.Të njohin
aktivitetin frymëzues, këshillat e vyera, qendresën burrërore për mbrojtjen e
parimeve të drejta. Të njohin humanizmin e thellë dhe vizionin e qartë që
kishin për të ardhmen e popullit e të atdheut .
Një personalitet i tillë i këtyre përmasave
është Sheuqet Muka me pseudonimin, Shkodrani.
Ai jetoi
në ngjarjet më kulmore të vendit tonë në vitet, 1912-1939. Ecja e tij në
këto tri dekada njeh vetëm punë intensive, duke dhënë një kontribut të
madh në fushën e arsimit dhe si aktivist shoqëror e politik. Ai ka
qenë prezent në të gjitha ngjarjet historike e politike të kohës nga ku u bë i
njohur si mendimtar modern. Historigrafia shqiptare i ka borxh një vend
nderi këtij luftetari të lirisë: Një institucion bamirësie, një
shkollë, një bibliotekë do të krenoheshin po të
mbanin emrin e tij.
Profesioni i tij si mësues nuk e
ndaloi që të bëhej një forcë e pathyeshme në mbrojtje të të drejtave
njerëzore dhe kombëtare.
Karrierën arsimore e filloi me 1910 si mësues në
Mejtep, por shpejt po me ate klasë bëhet nismëtar për të kaluar në
shkollën e Parrucës e cila u hap me 1913. Atje punoi si mësues e më vonë
si drejtor për 20 vjet rrjesht, ku u dallua për një punë të çmuar
organizative, edukative e kulturore. Etja per dije dhe njohja e shumë
gjuhëve të huaja i dhanë mundësinë të njihte nga afër literaturën e pasur
botërore në fushën e pedagogjisë dhe mendimit përparimtar bashkëkohor.
Gjënë e
parë që bëri në këtë shkollë ishte krijimi i bibliotekës për
nxënësit dhe mësuesit. Motoja e tij ishte “Me i paisë bijtë e
shqipes me flatrat e diturisë që janë stolitë ma të
çmueshme të kësaj jete.” Në këte shkollën qe nismëtar i krijimit të
orkestrës me vegla frymore e quajtur “Trupi muzikuer, Shkolla e
Parrucës“ ku pati përkrahjen dhe ndihmen e dy mësueve shumë të
njohur shkodranë, Shuajp Domnori dhe Ragip Gjylbegu. Kjo shkollë
mbahej ndër më të mirat në Shqipëri. Shumë mësues të vjetër që kishin
punuar me Z. Sh Muka e mbanin në gojë përvojen e mirë të kësaj
shkolle dhe meritat ia jepnin drejtorit ekzigjent dhe
organizator. Ai vuri në jetë mendimin pedagogjik më të
përparuar të kohës.
Si ithtar
i Herbartit dhe Pestalocit nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i dhënë
shkollës një frymë të re . Ishte mësues autodidakt dhe
s’pushoi së shkruari, artikuj pedagogjikë, tekste shkollore, poezi
patriotike e përkthime për pjesë leximi . Duke pasë këte formim ai ndikoi
për një arsim masiv të djemve dhe të vajzave të Shkodrës, luftoi kundër
analfabetizmit, hapi kurse për mësimin e gjuhës amtare
sepse thoshte “ka vorfnue mija djelmoca dhe duhet me u shti ne
zemër dashninë për gjuhën shqipe “ Për këte nuk nguroi te ngreje zërin e
të bëhet nje luftëtar i zjarrtë për arsimimin e vajzave dhe
edukimin e tyre përmes shkollës. Në fjalën përshëndetëse, që
mbajti diten e inaugurimit të shkollës së vajzave në
vitin 1917 e cilësoi këte eveniment si ngjarje shumë të rendësishme
sepse vajzat nesër do të bëhen nëna dhe femijët e ardhshëm
prej tyre do të marrin edukaten.
Duke
theksuar edukimin patriotik nepërmjet kësaj shkolle ai mburret se “
Vajzat përveç mësimeve që do të marrin nuk do të harrojnë nesër t’u
kendojnë fëmijëve “U rritsh bir ,o loçka eme, dëshmitar për Atdhe
tand”
I entuziazmuar nga fillimet e mbara për
hapjen e shkollave të para në gjithë vendin,
lufton po me ate vrull për emancipimin kulturor të rinisë
shkodrane. Me 10 Mars 1919 së bashku me një grup patriotësh
themelojnë Shoqërinë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia” që bëri emër
në shumë aktivitete. Përpjekjen më të madhe e bëri për të hapur në
Shkodër një gjimnaz shetëror. Në shumë artikuj e ligjerata, letra e peticione
dërguar autoriteve vendore dhe shtetërore ”.. për nji shkollë të
mesme d.m.th.për nji Gjymnaz Zyrtar Kombëtar me profesor
krejt të mirë që fëmija të kenë ku të ndjekin mësimet e
mesme, që kështu të mos bjerret shpresa e re e Atdheut tue
lanë pa e pajisur me nji kulturë për të cilën ka nevojë.”
Kjo shkollë do të vlente sipas tij edhe për bashkim dhe
mirëkuptim fetar. Në këto kushte ai thekson se pjesa katolike
i kishte shkollat përkatëse, ate të Franceskanëve dhe të Jezuiteve ndërsa pjesa
myslimane nuk i dërgonte femijët në këto shkolla për arsye fetare.”
Ne duhet të luftojmë që myslimanët e Shqipnisë duhet të jenë ma te
zhvilluemit e te gjithë myslimanëve të botës për arsye se janë të
Evropës”. në përpjekje e sipër ai e realizoi qellimin e shumë
kërkuar. Gjimnazi i shtetit u hap me 1922. Ky institucion u
bë shpejt një qendër e bashkimit kombëtar e fetar. Shkolla e
re u mbush me nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria me nxënës
te besimeve të ndryshme. Tani ai afirmohet si organizator i arsimit
Kombëtar. Në Maj të vitit 1922, Ministri i Arsimit, Rexhep
Mitrovica i dërgon një njoftim me programin e Kongresit që do
të mbahej së shpejti.
Nga
pikëpamja fetare ishte mysliman i betuar ai bashkëpunonte me
klerikët më të kulturuar islam si H. Ibrahim Repishti, H.Abaz
Golemi, H.Ali Tari, H.Kaduku, H.Sabri Bushati etj. Ai solli të reja
në mësimin e fesë ashtu siç bëri Noli me përkthimet e psalmeve në
gjuhën shqipe. Ne përkthimet e librave fetare ai vet shkruan:”Me botime librash
e përkthimesh në gjuhën e dashtun t’onen, ka me pasë rasë zogu i
shqiptarit mysliman m’e mësuem e me njoftë fenë e vertetë të veten e, tue
mësuem urdhnat e ndalimet e fesë, ka me qenë vertetë nji gjymtyrë e
shëndoshe për bashkëfetaret e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin
njerzore mbarë”.
Nga ana
tjetër ishte shumë i lidhur edhe me klerikët katolikë me të cilët
diskutonte dhe bashkëpunonte për çështje kombëtare, si Pater Gjergj
Fishta, PaterAnton Arapi, Pjeter Meshkalla, për këte të fundit u jepte
porosi fëmijëve të vet nga burgu :” Meshkalles, mos harroni
me i shkue për Pashkë, te m’i sillni urimet përshëndetjet e
falenderimet e mija”.
Si
përkrahës i ideve te Fishtës, Ai mbajti Kumtesen “Gjergj Fishta për zgjimin
Kombëtar “ në ceremoninë e organizuar me rastin e 60-vjetorit të
lindjes . Në ate eveniment, Ai u radhit me personalitetet me të shquara
të elitës shkodrane.
Idenë e
tolerancës fetare në Shqipëri e mbron me një ligjeratë të
mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë: ”Hala s’paskan marrë vesh
armiqtë e tradhëtaret e kombit t’onë se ne Shqypni nuk ka turk e kaurr ?!
S’ka jo, turk e kaurr ka vetëm shqiptar me besim
mysliman,katolik e ortodoks.”
Për merita të veçanta në edukimin e brezit
te ri në vitin 1933 e emërojne drejtor në shkollën modelore të
Tiranës “Hoxha Tahsin” në të cilën qendron pak vite, por jep një
ndihmesë të madhe në planin pedagogjik e shoqëror. Pas
tre vjetesh, emërohet drejtor i” Strehës Vorfnore” të
Tiranës.
Atje vë të gjitha energjitë fizike e mendore në
shërbim të këtij institucioni shkollë-familje, këte punë të
dyfishtë si prind dhe si mësues e bën me shumë dashuri per t’ju
dhëne fëmijëve jetim gjithçka që u mungonte. Edhe
pse kishte një afeksion të madh për femijët, nuk bënte lëshime në drejtim
të rregullit e të disiplinës, pastërtisë dhe punës
sistematike. Me që shkolla financohesh nga Kryqi Kuq Shiptar, ai
mundohej që këto fonde t’i ekonomizonte sa më mirë në dobi të
shëndetit të fëmijëve për të cilët kishte krijuar kushtet më të volitshme për
jetë të kulturuar. I prirur nga mësimet e Xhon Djuit, pragmatisti i
njohur amerikan, i cili i jepte rendësi praktikës mësimore,
hapi reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Organizoi
orkestren me vegla frymore, zhvilloi veprimtari sportive e
kulturore të larmishme. Një punë frytdhënëse dukej në
repartet e zdrukthtarisë, rrobaqepësisë, tezgjahut,
qendisisë, këpucarisë dhe gjithashtu në parcelat ku bëhej puna
bujqësore në rrethinat e Tiranës. I aftësonte fëmijët të ishin në
aktivitet të vazhdueshëm ku njëherësh mësonin dhe nxirnin shumicën e
shpenzimeve të veta. I kënaqur nga puna dhe sukseset që kishte arritur me
fëmijët e strehës i shkruante mikut te tij, Jahja Domnorit,
me te cilin mbante korrespondencë të rregullt, po citojmë fjalët që
i shkruante mbrapa kartolinës në të cilën dukeshin
fëmijët të rreshtuar bukur dhe të veshur me uniformë. ” Kjo
fotografi vllai im, asht estetikë në vetvete. Për ditë më shkon mendja ma ba
nga nji gja të re. Më knaqet shpirti kur i shoh në rregull.
Detyra jonë asht gjithmonë perpara.” (fotografite jane marre nga
arkivi i familjes se J.Domnorit )
Në kulmin
e veprimtarisë së tij, pushtimi fashist ia ndërpret këte punë pasionante
prej misionari të devotshëm. E arrestojnë dhe e internojnë si njeri
i padëshiruar për rregjimin fashist. Po nga italianët ishte arrestuar dhe
internuar si person i rrezikshëm në vitin 1919, kur ai ishte në
Vlorë me detyra të rendësishme.
Patrioti
i flaktë qe i kushtoi gjithë jetën përparimit të kombit, denimin më të
madh e mori nga diktatura komuniste. Burgu i gjatë,
peripecitë, torturat nuk e mposhtën, edhe atje në qelitë e errëta
përhapte dritë duke mësuar te rinjtë për gjithçka dinte nga
eksperienca e gjatë si mësues. Bashkëvuajtësi i tij, Sheuqet Kraja në
shkrimin “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve “ ndër te tjera shkruante
:“Ndonëse kalova një kohë të gjatë me mësuesin tim kam të veshtirë
të ve në pah të veçantën, me çka ngadhnjeu disa herë ky luftëtar në fushat e
përpjekjeve e të përleshjeve më rrënqethëse që pau me dhimbje Historia jonë
Kombëtare. Per vite të tëra, përballë, pranë e pas tij, nuk arrita
të zbuloj heroiken që e bëri të fitojë respektin e vendnderin krah burrave më
të rrallë të Shqipërisë.”
Në të
njëjten kohë ai vazhdonte edukimin e fëmijëve të vet me letra nga burgu.
Dëshmi për këte janë 200 letrat që edhe sot ruhen në arkivin e familjes Muka,
103 prej letrave u botuan në librin “Sheuqet Muka Shkodrani “ Tetor 2019
.Në të gjitha letrat u shruante familjarëve me fjalë te urta e këshilla
që t’i shërbenin ardhmërisë së tyre dhe për secilin fëmijë
shkruante në mënyrë të veçantë, ndërsa këshilla e përgjithshme për
to ishte “Të jeni gjithmonë nxanës të mirë”.
Djali i
tij, Adnan Muka, në një letër falenderimi që ia drejtonte
auditorit në një konferencë kushtuar Z.Sheuqet Muka, pas
1990, shkruan:”Ne, 5 fëmijët e tij, fati na privoi të drejtën
e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej tij. Po
megjithate ai me mjeshtëri artisti nepërmjet letrave nga
burgjet na ka dhenë leksione të mirëfillta edukative, shumë të
çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare.
I jemi pakufi mirënjohës.”
Mesazhi
i vlefshëm që ka lënë për të gjithë ne i cili do
të transmetohet nder breza ështe : “Sa ma të ditun që të jemi, aq
ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjiherë edhe vetë do
të jemi ma të lumtun.”
Veprimtaria Kombëtare e Z.Sheuqet Muka,
pavarësisht nga nepërkëmbja, ishte e njohur. Shkodra ziente përbrenda nga
këto padrejtësi që i bëheshin intelektualëve patriotë.
Kjo u duk qartë në ditën e ceremonisë mortore ku pjesëmarrja masive
pa dallim klase e feje ishte një sfidë për rregjimin e egër.
Ai vdiq dy vjet pasi kishte dalë nga burgu. Ishte viti 1967, kur lufta e
klasave ishte acaruar së tepërmi, por shkodranët si gjithmonë pa
marrë parasysh se çfarë mund t’u ndodhte e manifestuan
paqësisht urrejtjen për të lartësuar respektin ndaj atyre qe
u sakrifikuan për Kombin. Ky tubim ishte i papritur për
autoritetet vendore. Ata nuk munden ta ndalnin ate lum njerëzish,
ate nderim të veçantë që i bënë bashkëqytetarët, Martirit te
Demokracisë. Më pas u morën disa masa, por s’mund të dënonin
gjithë qytetin.
Studiues të ndryshëm të aktivitetit të
tij e kanë vlerësuar me krenari trashëgiminë e
vyer kulturore, edukative dhe politiko-shoqërore:
Studiusi
i mirënjohur shkodran, Mentor Quku, i bënte këte vlerësim:”Ndriçimi
i kësaj maje olimpike të qytetit tonë, do te shtojë një gur tjetër në
tempullin, ku brezat do të vijnë të mësojnë si të punojnë per vendin e
vet “
“ Sheuqet
Muka, intelektuali dhe atdhetari i njohur, nacionalisti i shquar
dhe antikomunisti i vendosur, luftëtari i unitetit kombëtar dhe
misionari i dijes, i arsimit, i kulturës dhe fesë. Njeriu që aqë
shumë e deshi, lirinë e shkollën shqipe, por që aqë shumë u ndoq
dhe u persekutua”. shkruante Dr. Vehbi Hoti .
“Sheuqet
Mukës: Burrë si burrat e motit shoq i paharrueshem i burgimit komunist, këte
ligjeratë teologjike mbi të Shenjten Trini, shkrue sipas dishirit e
nxitjeve të shpeshta të tij, autori në shenjë miqësie e çmimit me
kënaqësi te vërtetë ja kushton . Nga vepra e P.Mark
Harapi
“Ai është
shembull tipik i MËSUESIT TË POPULLIT.” Nga studiusi i shquar i arsimit
kombëtar, Islam Dizdari.
‘
Hallall’kjoftë e Shqipnisë buka./Xhemal Naipi e Sheuqet Muka /Patriotë
fetarë e atdhetarë/ Egër i shtypi diktatura “- Nga rapsodi popullor Dedë
Shyti.
“ Ne
vargun e krijimtarisë së Sh. Mukës është për t’u shenuar angazhimi i tij si
ligjërues që shquhej për thellësinë e përmbajtjes, qartësine e trajtimit,
bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e
gjuhës e stilin elokuent prej oratori.”Nga studiusi Dr. Faik
Luli.
Për të njohur aktivitetin politik te
Sheuqet Mukës po shenojme disa pjesë të shkëputura
nga proces-verbali i hetuesisë
ku ai pohon me kurajo çdo veprimtari që ka kryer .
– A ke pasë ndonje nëpunësi në kohën e
turqisë?
-Në vjetin 1910 kam mbaruar shkollën ushtarake ,
-A
të pëlqente okupacioni turk?
– Në vendin tonë ka pasë elemente që
punonin për t’u çliruar nga kjo zgjedhë nji nga këta jam edhe unë.
– A ke qenë antiitalian apo e ke simpatizuar?
-…Forcat italiane më kanë arrestuar dhe më
internuan si antiitalian…
– Ç’punë keni bërë në regjimin e Zogut e ke
dashur këte rregjim apo ke qenë kundra tij?
– Gjatë regjimit te Zogut kam punuar
si arsimtar … Regjimi i Zogut ka pasë statut ku sigurohej
demokracia, ka pasë liri shtypi, ka pasë Parlament dhe senat, pra i ka pasë të
gjitha elementet e demokracisë. Në parlamentin e Zogut ishin shqiptarë,
regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në nji shtet te ri ka edhe të
meta, nuk mund të kërkohet menjëherë shtet ideal. Per t’u bërë
shtet ideal do kohë dhe mua me pëlqen zhvillimi i
gjërave me evolucion. Unë jam ithtar i evolucionit.
-A të pëlqeu okupacioni Italian?
-Fashizmi nuk më pëlqeu.Jam arrestuar nga
fashistet në daten 5 qershor 1939 …Une jam internuar si antifashist
dhe jo si zogist.
– A
i quaje gjermanët okupatore?
–
Gjermanët i konsiderova si nje okupator më të rëndë se italianet.
– A mereshit me politikë?
– Në fillim të vitit 1944 u formua në
Shkodër “Besa Shqiptare”. Inisiatoret e kësaj organizate qenë: Ndoc Çoba,
Tef Gera, Hysen Lohja, Hys Draçini Xhemal Naipi dhe unë Sheuqet Muka.
–
Mbledhjen e parë për të organizuar këte organizatë e kemi bërë
në shtëpinë e Ndoc Ç obës .
– Si pikë
kryesore kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e
Atdheut, largimi nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.
– Na trego për lidhjen e Shkodrës…
…..është bërë një marrëveshje
ndërmjet këtyre organizatave : “Besa Shqiptare”,”Grupi Nacional
Indipendent”, dhe “Balli Kombetar” Marrëveshja ka qenë në këto
pika: Me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe e dyta bashkim
në rast mësymje nga jugosllavët. Në mbarim të luftës
organizatat do të jenë të lira të tregojnë aktivitetin e tyre ….
A
kishit marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit?
……Nder të tjera pohon :”Tendenca e
kësaj besëlidhje ka qenë ÇLIRIMI I KOSOVES nga jugosllavët
dhe me u bashkue me Shqipërinë.
– A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë
Kongresi i Legalitetit?
-Organizata “Besa Shqiptare”u ftua në këte
kongres si organizatë më vete …..
– Ndoc Çoba mbajti një fjalim me
rastin e hapjes së kongresit ….ai foli mbi mënyren e bashkimit të
anëtarëve të Legalitetit.Në këte mbledhje u vendos që të
bashkohen dhe të përgatiten forcat për të luftuar okupatorin…..
Zotëri të pushtetit, veprimtarinë time nuk
e quaj tradhëti,pse s’ kam ba tradhëtii që të pendohem e të
denohem.”Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhëtare, as “Lidhja e Shkodrës”.
Materiali i plotë në dosjen me
numër arkivor 1162/a dhe në shkrimin e Astrit Jusuf
Jegenit ‘Sheuqet Muka në personalitetin e tij politik e historik.