Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/
Në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!/
Unë e dua Shqipërinë, thotë nëna ime, tek e ka lënë mbrapa para rreth 9 muajsh. Pasi ka vizituar Kanadanë, i gjen fjalët më të bukura për t’i bërë elozhe këtij vendi që e ka vizituar të paktën 4 herë. Dhe kuptohet, çfarë mund të thotë për Amerikën? Nëna ime, dy nga katër djemtë, i ka përtej Atlantikut. Por historia e kalimit të oqeanit Atlantik prej familjarëve të saj fillon një shekull më parë, kur babai i saj me dy vëllezër do të kalonin Oqeanin për shkuar në Amerikën e ëndrrave ku do punonin për vete por sidomos për Shqipërinë. I vendosur në Boston, babai i nënës sime do të bëhej anëtar i VATRËS dhe flamurtar i saj. Madje para disa ditësh, më kontaktoi një i ri tepelenas në facebook dhe ngaqë ishte nga Salaria, i thash se dhe unë jam nip në Dukaj, jam nipi i Jaho Sinanit. –Oh, më tha, – ti qenke nipi i flamurtarit…Ndoshta, paratë që bëri për vete, u harruan, por ajo që gjyshi im bëri për Shqipërinë (ndonëse komunizmi bëri të pamundurën për t’ia mohuar…) nuk u harrua dhe nuk do të harrohet
Nëna ime, shembulli tipik i dashamirësve të Amerikës Në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nëna ime u ndodh këtu në Montreal dhe e festuam së bashku festën e madhe. Dhe, kuptohet, atdheu duket ndryshe kur je larg, u dashka edhe më shumë. Ose, largësia dhe malli përzihen në mënyrë të tillë që edhe deklaratat e dashurisë ndaj dheut të mëmës tingëllojnë edhe më të ëmbla se deklaratat e bëra pikërisht në Shqipëri. Nga ky ritual nuk bënë përjashtim as nëna ime.
Por, në datën një korrik është festa e Kanadasë dhe tre ditë më vonë festa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, puna e do të urojmë njëri-tjetrin ne të Amerikës së Veriut. Por nëna ime, si nënë që është, nuk do që t’na e prish qejfin ne të Kanadasë dhe, pasi na uron për festën, nuk harron të lëvdoj vendin që na është bërë atdhe i dytë.
Po, Amerikën nuk e do, – e ngacmojmë ne?
-Po si nuk e dua Amerikën, fillon mamaja ime. Po Amerika na ka mbrojtur në ditë të vështira, po në Amerikë po jetojnë e përparojnë kaq e kaq shqiptarë, po nga Amerika merr shembull gjithë bota, po Amerika është vendi i demokracisë. Babai im më tregonte qysh atehere (fillim-shekulli i kaluar…) se sa e zhvilluar ishte Amerika… Dhe tregimet e legjendat për Amerikën dhe ëndrrat që ka ushqyer ky vend emigrantësh nuk mbarojnë. Sepse i madh është ndikimi i Amerikës dhe amerikanëve në jetën e shqiptarëve. Prandaj edhe ata e duan aq shumë sa që një fakt i tillë cudit edhe tek vet amerikanët.
Pas disa ditësh, nëna ime do të largohet nga Amerika për në Shqipëri. Në ditën e lindjes së Amerikës ajo ndihet e emocionuar që do lëri vendin e ëndrrave dhe realiteteve të mëdha që për të kanë nisur një shekull më parë dhe që vazhdojnë edhe sot … e që do të vazhdojnë edhe nesër …
Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!(Kortezi:Tribuna)