Shkruan:Driton Smakaj/
Në shoqërinë shqiptare, në trevat ballkanike në përgjithësi, është në ‘trend’ që ata që janë bërë milioner, bëjnë ç’mos që edhe të na përcaktojnë sistemin e demokracisë, sistemin ekonomik, sistemin bankar, sistemin e polisave të sigurimit, sistemin e mediave dhe gazetarisë, sistemin e bërjes së familjes, sistemin synetisë…pra, me një fjalë këta milionerë po duan të na përcaktojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë, sepse ata po mendojnë që kush nuk është milioner, nuk është i mençur, kush nuk është milioner nuk din asgjë për shtetin dhe organizimin shoqëror, kush nuk është milioner nuk e kupton ekonominë dhe shfrytëzimin e klasës punëtore.
Kaq injorantë mendojnë se janë masat e gjëra shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë, saqë nuk e kuptojnë sesi këta milionerë i grumbulluan milionat dhe sesi po i grumbullojnë ende këtyre ditëve.
Mbi të gjitha mos na shitni mendë. E dijmë kush jeni, nga vini, ku ishit, çka bënit dikur, çka bëni tash, sa jeni humanitar duke dhënë mijëra euro për të varfur, pasi të keni plaçkitur milionat nga djersa e atyre që fitojnë paranë në mënyrën më të ndershme të mundshme.
Pra, të nderuar milionerë, lëreni shoqërinë tonë të zhvillohet lirshëm, mos i bleni gazetarët e varfër që të iu bëhen pararojë duke shkruajtur përralla për ju, mos i bleni mediat e televizionet për të ua shpërlarë trurin njerëzve me përralla që shkruhen për ideale të mëdha. Mos i bleni universitetet dhe profesorët për të krijuar kuadra falso që mëpastaj do të jenë instrumente, apo siç janë quajtur në Romen e lashtë, vegla pune që flasin.
Milionerë të nderuar, lëreni shoqërinë tonë të zhvillohet mbi bazen e ndershmërisë dhe dijes, mbi bazen e vlerave ku individi vlerësohet mbi bazën e aftësive që ka, e jo mbi bazen se cilit klan i përket.
Milionerë të nderuar, mos tentoni ta shëndrroni skenen politike në një pazar të deputetëve.
Duhet të bindeni njëherë e përgjithmonë se shteti nuk është ndërmarrje, nuk është as kafeteri e nuk është as diskotekë.
Shteti nuk është instrument për milionerët e as nuk është konsorcium për menaxhim të bizneseve. Shteti është për popullin dhe për të mbrojtur të drejtat e popullit, si në aspektin e sigurisë, poashtu edhe në aspektin ekonomik. Shteti është gjykatësi dhe avokati i masave të gjëra shoqërore, për të mbrojtur masat që të mos shfrytëzohen nga pakica.
Pra të nderuar milionerë, duhet ta dini edhe një fakt tjetër. Nëpër botë ka edhe miliarderë dhe nuk i fusin hundët kaq thellë në çdo fushë të sistemit shoqëroro-politik. Ka edhe miliarderë që janë njerëzit më të urryer dhe nuk kanë asnjë pikë respekti as brenda shoqërisë e as nga institucionet, nuk kanë kurajo të dalin në një shesh për një shëtitje apo në një lokal për një kafe. Ka të atillë që thonë: -Oh të kem miliardat, pastaj s’më intereson ç’farë thonë të tjerët-
Por, nuk mendojnë kështu këta miliarderet e urryer, ata ndjehen tmerrësisht keq sëbashku me miliardat e tyre.
Pra milionerë të nderuar, jetojmë në shekullin e informacionit, kështu që, na lini të zhvillohemi lirshëm dhe mos na shitni mend.
Një gjë është e sigurtë, nëse vazhdoni kështu, padyshim do të bëheni MILIARDERË, por do të hyni në klubin e miliarderëve të urryer.