Vëzhgim nga Abdurahim Ashiku- Athinë/
REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE DHE AUTOBUSËT PËR VOTIM…/
Ministri Tahiri shfrytëzoi udhëtimin në Athinë lidhur me problemet e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ku Greqia mban peshën kryesore në udhëtimet e tyre drejt Evropës, për tu takuar edhe me emigrantët (dikur refugjatë) shqiptarë në Athinë.
Takimet e pushtetarëve të lartë me emigrantët shqiptarë në Greqi historikisht janë bërë me “tel të nëndheshëm”, pa njoftime të gjera e pa ndonjë program diskutimesh dhe debati. Kështu që edhe fjalët e tyre, edhe diskutimet e të pranishmëve, kanë korrur “mbi kalli”, pa mbledhë bereqet për të bluar miellin dhe për të gatuar bukën e detyrimeve që ka shteti për mërgimtarët tashmë 25 vjet larguar e harruar.
E natyrshme do të ishte që edhe vendi i takimit të ministrit Tahiri, (oborri i një institucioni universitar amerikan – siç e treguan fotot dhe kronikat e përcjella), edhe tema e diskutimit të ishte pa “kalem”.
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e emigrantëve, një hap shumë i vonuar për një shtet të organizuar, për një shtet i cili e ka mbajtur (dhe e mban) frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe në hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve.
Në 25 vjet shteti shqiptar nuk qe në gjendje të regjistrojë shtetasit e vet që i kishte ”dërguar” në kurbet ndërkohë që shteti më i ri në botë, Kosova, e ndërmori këtë hap dhe e përfundoi plotësisht !
Në 25 vjet shteti shqiptar, me një numër ministrish rekord, nuk bëri një MINISTRI EMIGRACIONI që të dëgjonte zërin dhe të kujdesej për një të tretën e shtetasve të vet që punojnë e jetojnë në emigracion. Kosova, shteti më i ri dhe me një numër shumë më të vogël mërgimtarësh se sa Shqipëria, ka vite që komunikon me mërgimtarët e vet nëpërmjet MINISTRISË SË DIASPORËS (!)
Ka 15 vjet që në Selanik (7 mars 2001) është hapur shkolla e parë shqipe për mësimin e fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës, shkollë e drejtuarnga mësues atdhetarë të SHKALLËS SË PARË –“Rilindës të kohës sonë” (jo rilindje të Edit e Ilirit), shkollim vullnetar, pa asnjë lloj shpërblimi e stimuli moral e material.
Në 15 vjet të Ilirit, Nanos, Saliut e Edit-kryeministra, nuk u arrit të bëhet një ligj i posaçëm për shkollën shqipe në mërgatë, të regjistroheshin në një amzë të ministrisë së arsimit mësues e nxënës(!)
Këtë e bëri Kosova, shteti më i ri në botë. E bëri me disa nene në ligjin për ministrinë e diasporës dhe me një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë”.
Për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi nuk ekziston asnjë marrëveshje midis dy shteteve dhe dy ministrive të arsimit për krijimin e hapësirave legale për zhvillimin e mësimit shqip në mjedise shkollore greke, pse jo edhe si gjuhë e dytë për një popullsi legale që kap rreth 10 për qind të banorëve në hapësirën greke.
Problemet e mërgatës në Greqi shtruar me gojë e me shkrim, me letra në drejtim të organeve të larta të shtetit, kanë rënë në vesh të shurdhër dhe në sy të mbyllur.
Është kërkuar të njihen kontributet e mërgimtarëve në Greqi, kontribute që kanë mbajtur (dhe mbajnë) në këmbë sistemin grek të sigurimeve të IKA-ve, OGA-s, T.E.V.E. etj. Nuk është bërë dhe as që flitet që të bëhet ndonjë marrëveshje për këtë gjë.
Është kërkuar të njihen patentat e shqiptare në Greqi.Nuk është bërë dhe nuk është vënë “uji në zjarr” për bisedime e njohje.
Greqia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që nuk i njeh ligjërisht prindërit e djemve dhe vajzave shqiptare, gjyshet dhe gjyshet e vogëlushëve shqiptarë. Ata jetojnë ilegalisht, pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore.
Vargu i problemeve që shteti shqiptar duhet të zgjidhë në marrëveshje me shtetin grek dhe në ligje kuvendare nga shteti shqiptar, është i gjatë…
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi e më gjerë, për ligjin e miratuar por nuk foli për zbatimin praktik të tij.
Regjistrimi i emigrantëve shqiptar do kohën e vet, do njerëzit për regjistrim, do edhe shpenzimet e veta. Do ta uroja dhe përgëzoja z. Tahiri në qoftë se Ai, atë ditë, në prani të emigrantëve të mbledhur të niste procedurat praktike të regjistrimit, ta fillonte regjistrimin nga pjesëmarrësit në takim.
Thuhet që regjistrimi i emigrantëve do të bëjë që secili shqiptar që i ka mbushur në bazë të ligjit 18 vjeç do të votojë në zgjedhjet e ardhshme atje ku banon; në Athinë, Selanik, Kretë…në të gjithë hapësirën greke. Dhe më gjerë, në të gjithë botën.
Thuhet por asnjë hap nuk është hedhur.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare tashmë janë shumë afër, një vit e tre muaj larg, në qershor të vitit 2017. Regjistrimet nuk kanë filluar dhe nuk dihet kur do të fillojnë e kur do të mbarojnë. Votimi i emigrantëve në zgjedhjet e 2017 është i komprometuar.
Në shtyp flitet për autobusë që u nisën në Shqipëri për të votuar për kreun e partisë socialiste. Se ku do të votojnë dhe mbi bazën e cilave lista, nuk dihet.
Partia në pushtet nuk e din numrin e anëtarëve të saj në Greqi se po ta dinte do tua dërgonte kutitë e votimit atje ku punojnë dhe jetojnë, atje ku militojnë si anëtarë të devotshëm të Partisë Socialiste.
Siç “duken bathët”, votimi i emigrantëve atje ku punojnë dhe jetojnë, është larg.
Ministra e deputetë të “Rilindjes” shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë. Vetëm muajin e fundit kanë ardhur dy ministra dhe një deputet.
Vijnë, flasin, dhe nuk dëgjojnë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 9 prill 2016