Fillimi i Nëntorit 2016, nisi më një nismë atdhetare me shumë vlera për shqiptarët e Maqedonisë. Në Tetovë, kryeqendra e shqiptarëve, një grup intelektualësh, në përbërje të një komisioni nismëtarë, u mblodhën për të krijuar Shoqatën”Miqtë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA”. Ideja nisi para dy vitesh gjatë vizitës që bëri në Selinë e Vatrës në Nju Jork, Zonja Elita Masha. E mirëpritur nga Kryetari i Federatës Vatra, dr. Gjon Buçaj dhe Kryetari i degës së Vatrës në Queens, NY, njëkohësisht anëtar i Kryesisë Federatës Vatra, dr. Skënder Murtezani dhe Editori i Diellit, Dalip Greca, ideja erdhi duke u forcuar.Idesë iu bashkuan historiani Arben Llalla me zonjën e tij Teuta Llalla, Arsim Sinani, Dr. Bashkim Pollozhani, Shpëtim Murtezani, dhe shumë intelektualë të tjerë, të cilët e quajnë këtë nismë të domosdoshme për të ngjallë frymën Kombëtare, karakteristikë e vatranëve të Amerikës për më shumë se një shekull. Dr. Skënder Murtezani vazhdoi kontaktet për dy vjet dhe këto ditë u realizua takimi i parë i Komisionit Nismëtar në qytetin e Tetovës.
Në këtë takim nismëtar ishin të pranishëm 22 vetë. Takimin e hapi i dërguari i Kryesisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, personalisht i dërguari i dr. Gjon Buçaj , Kryetar i Vatrës, dr. Skënder Murtezani. Ai përcolli mesazhin me shkrim të dr. Gjon Buçaj.
Në mesazhin e dr. Buaçajt, ndër të tjera shkruhej: “Të dashtuna motra dhe vllazën shqiptarë, në emën të Kryesisë së VATRËS dhe timin personal ju përgëzoj me mirënjohje për idenë shumë pozitive me formue nji grup me emin “Miqtë e VATRËS”, për bashkëpunim të ngushtë për të mirën e përbashkët.
Meqenëse, simbas Kanunores së VATRËS, nuk parashihet themelimi i degëve të saj jashtë kontinentin amerikan, ju keni gjetë mënyrën ma të përshtatshme për t’u lidhë me këtë Federatë ma se njishekullore dhe me shndërrue mendime dhe me kordinue qendrime e veprime të përbashkëta saherë që e lypë nevoja e interesavet kombëtare.
Fryma e VATRËS asht idealizmi kombëtar, mbi dhe jashtë rrymave të ndryshme që identifikohen me programet e tyne politike kombëtare, por edhe specifike, shpeshherë në kundërshtim me njena-tjetrën. Qendrimet dhe veprimet e VATRËS synojnë vetëm interesin kombëtar, pa marrë parasyshë kujë i shkon përshtat e kujë jo. ..”
Më pas Dr. Murtezani u fokusua tek fryma Kombëtare e VATRËS, frymë që ia plazmuan vatranëve, themeluesit e saj, dhe vazhdon për 104 Vjetë. Ai theksoi se të jesh vatran do të thotë te jesh luftëtar i çështjes kombëtare, të jesh vullnetar i Kombit tënd, të dalësh mbi partitë politike, se Kombi është mbi të gjitha.
Dr. Murtezani shprehu shpresën dhe dëshirën që kjo Shoqatë e miqëve të Federatës Vatra të nis të transmetojë një kulturë të re komunikimi dhe t’u hapë rrugë ideve pozitive demokratike dhe kombëtare.
Dr Myrtezani i pyetur nga pjesmarrësit per menyren e strukturimit dhe të funksionimit të shoqatës, tha se gjithçka është, në kompetencat e vetë shoqatës. Ne kete tubim, edhe pse shumë i zene me aktivitetin e tij kombetar ne Diber, Z. Ibrahim Kolari, anëtar i Keshillit Drejtues të Vatrës,i pranishëm në takim, nuk mungoi t’u urojë nismëtarëve pune te mbare dhe suksese shoqates“Miqte e Federates Vatra”.
Urojmë që Shoqata të tërheqë në radhët e saj sa më shumë intelektualë dhe të kryej misionin e saj fisnik që ka marrë përsipër.(Dielli)