Nga Dr. Lazër Radi/
Shkrue ekskluzivisht për “Diellin”
Ne Foto:Lazer Radi, Drita Ivanaj, Luan Leka/
Mirash Ivanajn e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtzakonshëm, qoftë kur e pata profesor në gjimnaz, qoftë kur u shfaq si Ministri ma reformator i Arsimit shqiptar, qoftë kur në kohën e dhunës, e pata shok vuejtjesh e sakrificash, po edhe përkthimesh në Burgun e Tiranës…
Ndonse natyrë e tërhequn, pak a shumë vetmitare, prap se prap ai ban pjesë ndër ata të paktë intelektualë të vërtetë që kishte Shqipnia n’ato vite të vështira 20-30 kur po përcaktoheshin konturet e shtetit të ri shqiptar, Ivanaj me shpirtin e tij prej demokrati atdhetar, të reformatorit dhe luftëtarit të mendimit të lirë, n’ato kohë të vështira e të rrezikshme u bë shteghapës për emancipimin e shoqnisë dhe kulturës shqiptare.
Mirashi ishte njeri që punonte në heshtje dhe nuk duronte as zhurma e as fanfarizime rreth emnit dhe veprës së tij! Asht kjo arsyeja që Mirash Ivanaj mbeti në hije, pothuej i panjoftun për gjeneratat e reja shqiptare. Megjithatë, Ivanaj nuk ishte personalitet i nivelit, të cilin koha mund ta përpije, ta zhduke e ta fshijë siç e fshin shpuza shkumësin në dërrasën e zezë!!
Opinioni demokratik shqiptar, ai që do të edukohet në institucionet e lira dhe demokratike, të së nesërmes do ta njohë, do ta vlerësojë dhe do t’i jetë mirnjohëse, staturës së tij në madhështinë e vërtete si atdhetar, si demokrat, si njeri i guximshëm, si njeri me karakter robespjeran, si i pakorruptueshëm dhe i vendosun t’i çojë veprimet e veta deri në fund…
S’ka dyshim se realizimi ma i madh i Mirash Ivanajt mbetet reforma e tij e madhe radikale e arsimit tonë kombtar. Kjo asht nji vepër e madhe edhe tepër e guximshme po të merret parasysh se u krye në vitin 1933, në nji mjedis të mbrendshëm thellësisht konservator, intolerant, rrezikshmërisht refraktar ndaj çdo risie, dhe se ishte nji reformë që prekte interesat e nji grupi shtetesh të mëdha edhe të vogla, prekte interesa e disa institucioneve fetare, etj. Shqipnia ishte mbushun me shkolla të huaja. Disa prej tyne, vërtet ishin hapë me qëllime të mira dhe humanitare, po pjesa ma e madhe e tyne, sidomos ato të fqinjëve, përdoreshin si për të përhapë propagandë antishqiptare në vet territorin e këtij shteti. Në këto kushte, reforma arsimore “Ivanaj” merrte dimensione të nji shkalle kombtare: ajo synonte me krijue nji shkollë shqiptare e laike. Shkolla e jonë duhej shkëputë nga paragjykimet mesjetare dhe nga prapambetja. Përndyshe i gjithë kombi, e gjithë Shqipnia do të mbetej jashtë Europës.
E mësumeja e shqipes ndër shkollat private në truallin e Shqipnisë konsiderohej barbarizëm. Ndër shkollat e minoritetit grek këndohej me shumë entusiazëm dhe eufori kënga:
“I simea me stavro, me stavro
en dio, en dio,
skotose ton alvano, ton alvano”
“Flamuri me kryq me kryq (i Greqisë)
një dy, një dy
vra shqiptar, vra shqiptar…”
Të tilla shkolla që funksiononin në tokën shqipëtare shpresohej të sillnin qytetërimin e të zhduknin “barbarizmën” e shqiptarve. Të tilla mësime antishqiptare jepeshin në shkollat e hueja që nuk kontrolloheshin nga Shteti shqiptar.
Reforma u krye. Dhe ajo mbante emnin e nji njeriu: Mirash Ivanaj!
Ajo qe nji bombë me fuqi të madhe shkatrruese jo vetëm në mjediset konservatore të mbrendshme, por edhe në rrethet reaksionare të jashtme që kishin interesa të veçanta strategjike e territoriale ne vendin tone.
Vërtet, reforma u krye, por ajo rrezikonte ekonominë e vëndit. Qeveria po lëkundej! Mbretnia ishte gati të zmrapsej, të cedonte, të bante kompromise, apo të lejonte koncensione…
Ivanaj nuk tundej në asnji mënyre. Ai s’pranonte të hiqte dorë nga reformat në arsim. Ajo ishte nji vullnet e tij, dhe si vizionar ai ishte i vendosun me e mbrojtë deri në fund. Dorëheqjen e mbante në xhep dhe ishte gati me e paraqitë, në rastin ma të parë që do t’i prekej reforma… Dy vjet ai luftoj me të gjitha forcat e veta: luftonte e drejta dhe kultura me varfërinë e nji shteti… ma në fund fitoj varfnia. Pra, duheshin bà disa koncensione në dam të reformës…
Ivanaj ishte intransigjent, ai as manipulohesh as manipulonte me parimet e veta: “Frangar, non flectar” (thyhem, por s’përkulem)
Mbreti i kërkonte Mirashit të bënte disa lëshime. Kryeministri ngulte kambë. Për Ministrin Ivanaj, s’mbetej tjetër veçse të largohej…
Me vetëdijen dhe krenarinë e tij prej malsori i dorëzoi kryeministrit aktin e dorëheqjes: “nga bisedat e mbrame të zhvillueme Këshillin Ministruer, kam vu re se në çeshtjen e shkollave të minoritetit, mendimi i qeverisë asht që: “t’i përshtatet mendimit konsultiv të shumicës së gjyqit Ndërkobëtar të Hagës të shqyptuem me datë 6 Prill 1935!
Mbasi e konsideroj se interpretimi i dhanun prej meje zbatimit të ndryshimeve të neneve 206 dhe 207 të Statusit themeltar të Mbretërisë ka mbështetjen e patundëshme si në të Drejtën konstitucionale ashtu edhe në vet deklaratën shqiptare para Shoqnisë së Kombeve, e m’anë tjetër tue qenë i bindun se vetëm në shkolla të shtetit, pa as ma të voglin cenim të së drejtës individuale ose kolektive, djelmënia shqiptare mund të edukohet si e tillë dhe të fitojë si ndiesinë kombtare e ndërgjegjen shqiptare, ashtu edhe moralin shoqnuer dhe disiplinën shtetnore, me kuptimin e sakrifcit për Atdheun dhe për Mbretin, dhe nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministruer e të pranoj çfarëdo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit te Mbretnisë.
Për këtë arsye kam nderin t’ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Arsimit.
Pranoni, ju lutem, Zotni Kryeminister, shrehjet e nderimit tem me te naltë…”
Mirash Ivanaj
Një njëri që mbante vazhdimisht dorëheqjen në xhep, s’mund të jetë tjetër veçse nji njeri parimor, i ndershëm, atdhetar e i pathyeshëm: Jeta e tij asht e lidhun me idealet dhe jo me kolltukun apo interesat personale.
Le t’i hedhim nji sy të përciptë nji pjese materiali që pata mundësi të konsultoj në “Fondin Ivanaj”, por së pari dua të flas për nji cikël poezish shumë të bukura të shkruara në vitet 1908-1909-1910, etj. Ky cikël poetik asht në dorëshkrim. Shkruar me nji kaligrafi të shkëlqyeshme, veçse në cirilicë, serbisht! Edhe këtu, ashtu si tek Migjeni, më ndihmoj njohja e serbishtes.
I kam fotokopjue të gjitha dhe mendoj t’i përkthej sa ma parë të jetë e mundun dhe t’i botoj në nji faqe origjinalin dhe në tjetrën përkthimin shqip të realizue prej meje. Kësaj broshure ata e kanë titullue: “Epopeja e Njeriut”, dhe autorë janë Martin e Mirash Ivanaj. Se si janë shkrue këto poezi nuk dihet… konfirmohet bashkautorsia pa asnji sqarim do të botojmë sot një poezi, atë të parën, të përkthyeme nga unë. Poezia asht shkrue ne Beograd, në tetorin e vitin 1908, kur Mirashi ishte në gjimnaz dhe vetëm 17 vjeç.
Kangë për të fundmin
Dikur do kalbet drun’i kryqit tim
e mbi varr gjithkah hithra do blerojnë
si mburojë e lashtë mbi kët hidhnim
gardh’i gjallë do më qëndrojë.
Kryqin e kalbun urthi ka me e shtjellë
mbi varr gram e egjër do t’kem përherë,
kurr mes tyne s’kam me pa të çelë
e njoma, e kaltra manushaqja plot erë.
Bari i vyshkun ngjyrë vdekje do jetë
e njerzit prej gardhesh do dëbojë,
nësa hithra e njomë, me t’egrën fletë
helmin e jetës, njashtu heshtje do tregojë.
Ndër dorëshkrimet gjendet edhe nji dramë “Il fuoco di Sant’ Elmos”, (Zjrri Shën Elmos) – dramë me tre akte nga Martin e Mirash Ivanaj. Janë 111 faqe të daktilografueme, shkrue në italisht, me nji prolog e me nji numër të madh personazhesh, rreth 16.
Përvec poezive “Epopeja e Njeriut” dhe dramës “Zjarri i Shën Elmos”, vepra ma përfaqsuese deri tani mbetet ditari i plotë i lanë në dorëshkrim, i daktilografuem, me titull:
“Na, qi shpëtimin e gjetëm në t’ikun” -Dritë e hije të Prillit 1939 –
Kjo vepër ka 105 faqe të daktilografuara.
Pak sqarime: Ditari ka nji hyrje interesante: tek sorteli i hotelit në Larisa dorëzohet një pako e lenë aty nga një njeri i paidentifikuar. E hap, gjen 28 fletore që përmbajnë një ditar… Libri fillon ne këtë shkrim.
Mbas ditarit “misterioz” fillon teksti:
“Na, qi shpëtimin e gjetëm në të ikun”.
Këtu paraqet kronologjia e ngjarjeve tragjike që u zhvilluan mbrënda 24 orëve të fundit të Mbretërisë Shqiptare. Nis në mëngjezin e 6 prillit dhe mbaron ne kortezhin mbretnor që kalon kufinin shqiptar në Kapështicë për me hy në Greqi. Ky tregim vazhdon… me jetën e emigracionit politik në Larisa. Këtu paraqitet nje tjetër panoramë infernale e shqiptarve të shkretë, nëpër udhët e vështira të refugjatit, t’ai që asht i detyruem me braktisë vendin e vet.
Ditari mbyllet me 22 prill 1939.
E vecanta e kësaj vepre asht se protogonisti, apo më mirë le të themi protogonistëst – me që ka dy autorësi – formojnë boshtin e krejt vepres: janë vetë Ivanajt që marrin pjesë – si personë të parë – në zhvillimin e tëre kësaj ngjarjeje tragjike. Me figura të gjalla përshkruhet drama e Kryeqytetit të Shqipërisë në çastet e pushtimit të vendit nga Italia Fashiste.
Mendoj se ky libër meriton të botohet: brezat e ardhshëm duhet ta njohin këtë katastrofë të madhe kombtare të paraqitun prej dy njerzve që vërtet zbritën në skenë dhe morën pjesë si aktorë protogonistë kur po luhej akt i fundit i tragjedisë sonë kombtare. Në kët burim primar lexuesi ka me ndeshë ngjarje dhe situata të gjalla, me njerëz që kishin emën dhe reputacion me njerzit e kohës dhe me personazhe historike.
Libri “Na, qi shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, ka dhe një parathanie, të cilën po e paraqesim të plotë si për informacionin, ashtu edhe për porosinë që jep, kujtdo që ky libër mund t’i bjerë në dorë për t’parën herë…
Ja teksti i parathanies:
Lexuesit të këtij dorëshkrimi
Ky dorëshkrim asht i kohnave të shenjueme në të! Në vitin 1941, ia kam lexue Z. Xhemal Farkës në Jeruzalem disa faqe. Prej vjetit 1942 e deri kët ia kam dhanë ne dorë të Z. Qemal Butka në Jeruzalem e Kairo.
Ky dorëshkrim asht rimarrë në dorë në verën e vitit 1944, pasi njeri nga shkruesit e tij u da kso jete, me qëllim qi, pasi të rishikohet edhe një herë, t’i mbetet së bijës së këtij të fundit, si i vetmi shkrim i prindit të sajë dhe i vllaut të këtij; tue kenë se të gjitha dorëshkrimet e këtyre dyve, punimi i 25 vjetve, janë zhdukë, me çdo send tjetër të tyne, gjatë pushtimit italian. Nuk mohohet se po t’ishin gjetë mjetet, ky dorëshkrim do t’ishte botue qysh atëherë. Po t’ishte rrah (në makinë shkrimi L.R.) ashtu si kje shkrue, pa ndreqje gjuhe ose ortografije.
Me përjashtim të nji episode të natyrës vetiake dhe të pa lidhje me ngjarjet e ditës së 7 prillit (po e ndodhun disa muej ma vonë), gjithë tjetër çka ashtë thanë në këtë shkrim, ashtë vetëm nji pasqyrë e zbetë e asaj që shkruesit mujtën me pa dhe me përjetue atë ditë…
Vajza që u përmend ma sipër ka më gjykue nëse dhe kur mund të botohet ky dorëshkrim, pa ia paksue prindit të vet, shkruesit kryesor të këtij dorëshkrimi, vleftën morale e burrnore të cilën ai aq naltë e ka mbajtë gjatë jetës së vet.
Mirash Ivanaj
Stamboll, gusht 1944
Pra siç shihet nga kjo parathanie, botimi i këtij ditari varet nga mbesa e Mirash Ivanajt, Drita Ivanaj, e cila, siç thotë autori: “…ka me gjykue nëse dhe kur mund të botohet ky dorëshkrim”.
Me kërkimet që kam ba deri më sot ndër biblioteka e ndër arkiva si dhe me qëndrimin disavjeçar në burg me Mirash Ivanajn kam mundun me përgatitë nji punim modest: “Vitet e fundit të Mirash Ivanajt” (Botue me titullin “Misteret e nji Ministri”). Ky libër sigurisht do të ngjallë interes për lexuesin shqiptar, sepse veç kujtimeve të gjalla të burgut, libri do të përmbajë dhe dy elemente të rij e të panjoftun deri më sot: Ftesa nga ana e Enver Hoxhës në Tiranë dhe ma pas futja e tij në burg.
Mirash Ivanaj, atdhetari dhe reformatori i madh i shkollës sonë kombtare, meriton mirënjohjen e Kombit. Brezat e ardhshëm duhet të informohen për rolin dhe kontributin e tij n’ato vite të largta e të turbullta 20, kur po viheshin themelet e shtetit shqiptar.
Mirashi fillimisht u mor me publicistikë e ma vonë me arsimin kombtar, ku vuni nji gur të randsishëm në themelet e kulturës shqiptare dhe kësaj Shqipnie, të cilën si atdhetar i kulluem e desh të lirë e demokratike. Nji shpirt të tillë e pasqyron edhe puna e tij e përditshme praktike dhe e frutshme, qoftë publicistika e madhe e botueme në shtypin shqiptar periodik, qoftë edhe dorëshkrimet e tij në Arkivin e Shtetit që presin dita ditës të shohin dritën e diellit.
(Dielli – Janar-shtator 1994)