
Nga Merita B. McCormack/
Kam dy librushka të shtrenjta ne raftet e mia letrare. Ato nuk mund t’i gjesh nëpër libraritë me emer, as në amazon.com. Ato janë thesare të cmuara historike për familjen tone më së pari e pastaj për kedo qe mund të këtë interes të dijë origjinën e fisit Bajraktari ne Cangonj dhe historine e ndodhive ne zonën tonë (Korcë e Devoll) nga koha e fillimit të Luftës se Dytë Botërore e deri ne mes të viteve nentëdhjetë kur familja jonë nga nje fole e madhe, u shndërrua ne disa kurora martesore e secili krijoi folezën e vetë.
Doja që, jo vetëm si vajza e Samiut, por edhe si një bashkëkombëse e tim eti, e një brezi tjetër, ta falenderoja edhe kështu në mungesën e tij fizike, babain për plotësimin e dëshirës së fëmijeve të tij për të shkruar kujtimet e për ti treguar gjerat ashtu si i mbante mend ai e pa shtimin ose heqjen e elementeve që mund ta bëjnë ndodhinë më shumë interesante dhe për të shkruar e dokumentuar origjinën e fisit, brez pas brezi për aq sa mbante mend ai nga rrëfenjat e më të parëve.
Babai gjenealologjinë e “ka qarë”, tregoi aty për të parin e fisit tonë, për fëmijet e tij, për personin që udhtoi Brenda ditës me kale në Manastir në moment delikat e historik. Por ai rrëfen në liberthin me kujtime edhe për vegjëline e tij, pjekurinë e parakohshme të brezit të tij, mbrojtjen nga rreziqet e luftës, largimin e Mbretit Zog përmes fshatit tone dhe sentimentet e burrave të krahinës në ato momente. Shkruan për periudhen e vështirë kur Shqipëria u përfshi në L2B dhe se si e manaxhuan prindrit e tij dhe bashkëkohësit e tyre atë periudhë.
Babai nuk harroi të shkruajë për muajt e parë pas Luftës së Dytë Botërore, për dëshirat e fëmijëve, të djelmoshave e vashave të mësonin shkrim e këndim e të kontribonin në rimëkembjen e vendit e rritjen e mirëqenies pas luftës. Ai shkoi në shkollat e atëhershme katër vjecare dhe kur u mundësua shtatëvjecarja në fshatin Proger, i mbaroi tre vite shkollore në dy vite kalendarike.
Ndihmonte prindërit me punët e tyre si fermerë dhe pa i “dale ende mustaqja” ai morri pjesë në nje trajnim për sanitarizimin e mjedisit dhe shumë shpejt mësoi edhe gjëra elementare nga shkenca e mjekësisë. E vlerësuan mjekët, infermierët dhe kur shkoi ushtar në Vlorë ai për tre vjet u trajnua edhe me shumë në atë fushë. Atij shume shpejt ia ngjitën nofkën “doktor” pa qenë i kualifikuar ose i licensuar. Kjo sepse ai ishte nje diagnostikues i pagabueshem i sëmundjeve, një dorelehtë ne injeksion e një njeri i papërtuar në cdo orë të ditës apo natës për t’i sherbyer njerezve. Sami Bajraktari, babai im nuk përtoi kurrë t’i vinte në ndihmë cdokujt!
Ndërkohë që babai kishte aspiratat e tij për edukim e punësim, me mbarimin e Luftës se Dytë Botërore e vendosjen e pushteti komunist, pronat, arat e kodrat e babait të tij, u kolektivizuan e u rishpërndanë nëpër gjithë popullin në menyrë të barabartë për nga sasia. Shume shpejt pastaj, filloi kolektivizimi, ndertimi i kooperativave bujqesore e ndermarrjeve shtetërore. Gjithcka u bë prone e shtetit. Në një nga liberthat e tij , im atë tregon për rezistëncen e familjes dhe gjithë fisit e bashkefshatareve të tjere për t’iu bashkuar kooperatives, dhe gjithashtu edhe për kercënimet e pasojat e mos bindjes dhe marrjen e shtëpisë sonë nga qeveria për ta përdorur si hotel e mencë për punonjesit e qytetit. Ai kujton deklasimet, varjet e vrasjet e disidentëve, e futjen e frikës ndër njerezit. Të gjitha këto jane ilustrime të luftës klasore.
Babai tregon dhe për jetën e tij si beqar dhe si i martuar. Martesa me nënën time, Hamidenë nga familja Kalaja, fisi i kulakëve të Zemblakut, shkaktoi të tjera probleme. Ato ishin humbje pune, humbje mundësish shkollimi, bullizëm politik, marrje shtëpie, gjera këto që iu ndodhën shumë shqiptarëve, si fenomene shoqëruese të regjimit të flamosur.
Por në të gjitha kujtimet e tij, unë ve re një djalë e burrë të zgjuar, nje kapedan, një optimist, që shumë herë, sic thoshte ai e ka shpëtuar Zoti. Po ashtu ai nuk urreu shefat e Keshillit Poullor të kooperatives kur ja nxinin karakteristikat politike, por me durim e forcë shikonte si ta shndërronte dhimbjen në forcë e si të gjente rrugen e duhur e pa kompromis për mbijetëse e për të mos na plagosur më tej, ne femijët. Unë kam vene re si si në gjithë këto shkrime, babai nuk gjykon njerëzit, por gjykon fenomenin, një veti që e kam pare edhe tek gjysherit e mi.
Teksa nëna ime lante me lot fushat e Devollit kur Partia na ndalonte të jetonim sipas natyrës e regullit hyjnor e njerezor, të ushtronim të drejtat tona më elementare, të benim “nje copë shkolle” babai thoshte : “edhe këtë here, do ja dalim”. Gjyshja thoshte “eshtë mort me shokë, bëni durim”, e megjithë pasojat që kemi kaluar, mendoj se ka qenë pikërisht largpamësia e tim eti, forca e tij, aftësia e tij e talenti i tij professional ( kurrë nuk bëri një gabim mjekësor , sado të vogël) që mëshiroi dashurinë e Zotit në familjen tonë. E kur s’kishim drita, vaj ose bukë mjaftueshëm, babai im me gjithe nënën time, ja merrnin këngës, herë folklorike, herë serenata. Ata kishin shumë dashuri mes tyre.
Keshtu u rrita une, mes asaj dashurie e mes idesë që gjithmonë do ja dalim. E kur dita ish me diell e babai ishte ne shtëpi, ai praktikonte bletëritjen dhe lojen e shahut. Mes vjeljes se majltit dhe lojës së shahut nuk mungonte asnjeherë edhe humori e vjersherimi I tij i memorizuar. Një mendje enciklopedike, një kujtesë e pakrahasueshme, një humor që shaktonte të qeshura që degjoheshin në mehalle, ky ishte babi im, i rrepti shqiptar, i brishti ati im.
Ne këtë ditlindje të tij (16 Janar, do të behej 90 vjec), shfletoj libërthat dhe here qesh e herë mallengjehem, e me vjen se dua të shkoj ta gjej atje ulur ne divanin karshi derës, ta përqafoj e ta falenderoj. Por ai s’eshtë më aty, por me shpresën se është me Zotin në mbretërine e tij, une ngushëllohem e i bej homazh , keshtu publikisht e ti them se jam krenare qe jam bija jote dhe shpresoj se ti e ke ndjerë dashurine time. Mirenjohje e nderim ty o Zot që më dhe për at Samiun. Mirenjohje për atin tim, për të gjitha dhuratat prinderore. Pusho ne paqe babi dhe megjithëse të ndarë fizikisht, ne nuk do ndalojmë të themi Gezuar Ditlindjen me shpresën se Zoti të ka ndjerë e të dhuron hirin e tij.
Vatra, Dielli dhe mbarë vatranët e kujtojnë dhe nderojnë më respekt. I përjetshëm kujtimi dhe nderimi.