
Dr. Elmi Berisha/
Ka momente në historinë e një populli, shteti e kombi që nuk harrohen kurrë. Për shqiptarët e Kosovës, senatorit amerikan Bob Dole i takon një vend i veçantë në kujtesën tonë kombëtare. Më 29 gusht 1990, në një nga periudhat më të dhimbshme e më errëta për Kosovën, Bob Dole vizitoi Prishtinën në krye të një delegacioni senatorësh amerikanë. Në rrugët e kryeqytetit mijëra shqiptarë kërkonin liri, të drejta dhe dinjitet, ndërsa represioni i regjimit serb po rëndonte çdo ditë e më shumë mbi popullin shqiptar. E kujtoj dhe nuk e harroj kurrë bashkëpunimin e ngushtë, miqësinë dhe punën e çmuar që bashkë me Bob Dole bëmë për Kosovën.
Vizita e senatorit Dole nuk ishte thjesht një vizitë politike. Ajo ishte një gjest guximi, solidariteti dhe humanizmi i lartë për shqiptarët e shtypur e të masakruar prej serbëve. Ai pa nga afër realitetin e Kosovës dhe u bë një prej zërave të rëndësishëm që e përcollën të vërtetën e popullit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ne shqiptarët e Amerikës, kjo ka një domethënie të veçantë. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, miq si Bob Dole dëshmojnë se kjo lidhje nuk është ndërtuar vetëm mbi interesa politike, por mbi vlera të përbashkëta: lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe respektin për dinjitetin njerëzor.
Bob Dole ishte një amerikan i madh dhe një mik i madh i shqiptarëve. Ai e kuptoi se çështja e Kosovës nuk ishte thjesht një çështje rajonale, por një çështje e drejtësisë dhe e të drejtave themelore të njeriut. Zëri i tij në Uashington ndihmoi që kauza e Kosovës të mos mbetej e izoluar dhe që realiteti i dhunës dhe represionit serb të dëgjohej më fuqishëm në Amerikë. Kujtojmë me nderim e respekt një njeri që në një kohë kur shumëkush mund të heshtte, zgjodhi të shihte, të dëgjonte dhe të fliste në favor të të drejtave të shqiptarëve.
Trashëgimia e Bob Dole mbetet pjesë e historisë së miqësisë amerikano-shqiptare dhe e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë, shtetformimit dhe integrimit euroatlantik. Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, shpreh mirënjohjen tonë të thellë dhe të përjetshme për Senatorin Bob Dole, për guximin, përkushtimin dhe kontributin e tij jo vetëm në mbështetje të popullit të Kosovës por mbi të gjitha të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.