
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Nga kohërat e lashta e deri më sot, krizat politike dhe konfliktet, ngelen një dukuri dhe veprimtari që edhe për shumë kohë, do të jetë komponent dhe pjesë e historisë së njerëzimit. Në qoftë se bota e djeshme e polarizuar aq shumë për shkak të Luftës së Ftohtë, pati uljet dhe ngritjet e saj, evidentoi më se një herë momente të ballafaqimit bërthamor që vetëm frika e shfarosjes, i detyroi politik bërsitë dhe vendim marrësit në çështjet globale, të jenë shumë të matur, kur bëhej fjalë dhe po përflitet edhe sot për luftën e tretë botërore të radhës. Shtetet demokratike dhe udhëheqëse të demokracisë në botë po mundohen që të gjejnë shkaqet kryesore që do të jenë kërcënime për fillimin e konflikteve të reja dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të parandaluar konfliktet si ato civile apo etnike. Jo gjithmonë ekziston mundësia për të shmangur konfliktin etnik apo civil në një vend, si rezultat i paaftësisë dhe mos menaxhimit të shoqërisë nga strukturat dhe autoritetet e vetë shtetit. Të shumtë janë ata që nëpërmjet analizave të plota dhe shkencore, mbështetur në eksperiencat luftarake të ndodhura ndër shekuj, kanë argumentuar se si lindi lufta, cilët janë autorët që iniciojnë atë, objektivat që kërkohen të arrihen nëpërmjet saj dhe pasojat që shoqërojnë luftën si fenomen. Një faktor potencial me ndikim të fuqishëm në një konflikt civil është edhe përbërja etnike.
Rasti më i freskët e që ende është një potencial i lartë për një konflikt të përmasave të superfuqive, është Ukraina, ku Rusia në kundërshtim me çdo konvent ndërkombëtare vazhdon luftën me forcat ushtarake me pretekstin për të shkëputur Krimenë dhe ta aneksoj. Kjo situatë ka acaruar marrëdhëniet në një shkallë shumë të lartë në mes të perëndimit dhe Rusisë. Duke analizuar ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, del në pah se tani ajo nga grupe të veçanta që depërtonin përmes kufirit në pjesë të ndryshme të vendit, ka kaluar në luftë frontale. Ky është një kërcënim i hapur për sigurinë globale dhe praktikisht një rikthim prapa duke pasur parasysh ndërhyrjet ruse dhe se tani perëndimi nuk e shikon Rusinë si një partner për paqe por si një kundërshtarë, pasi këtë po dëshmon me veprimet e deritanishme.
Memorja historike ka se çfarë të afrojë dhe trajtojë në këtë drejtim, por rasti i Ish-Jugosllavisë është një “dossier”, voluminoz për një konflikt ndëretnik brenda një shteti federal, por që tani është kthyer në një premisë potenciale që këto konflikte të rikthehen në përmasa ndërshtetërore. Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kërkeses për vetëvendosje në kuadër të ish Jugosllavisë u kristalizuan dy opsione.
Opsioni i parë ishte i bazuar në vlerat dhe normat perëndimore me theks të veçantë vlerat dhe normat liberale, ndërsa i dyti i bazuar në vlerat dhe normat antidemokratike dhe anti liberale. E para ka qenë e përqafuar nga dy republikat veriore të Jugosllavisë, Sllovenia dhe Kroacia kurse e dyta nga Serbia dhe aleati i saj i vogël, Mali i Zi. Shkaktarët kryesorë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ishin kroatët, marrëdhëniet e tyre me serbët dhe perceptimi i ndryshëm i tyre për idenë e jugosllavizmit. Pas vdekjes së Titos më 1980, Federata jugosllave ishte në krizë dhe gjendja e keqe ekonomike s’ishte gjë tjetër veçse rrjedhojë e keq administrimit dhe disniveleve të theksuara midis republikave. Shembja e komunizmit në Evropën Qendrore, pati efektin e një tërmeti destabilizues në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, dhe bëri që kjo të humbasë dhe atë pak besim që i kishte mbetur. Për popujt jugosllavë tashmë të mbërthyer nga ankthi, shembja nënkuptonte rrugë të lira drejt një ekonomie tregtare të tregut të lirë, që miliona punëtorë sezonalë në Gjermani e njihnin mirë.
Pas dështimit të Kongresit të 14-të të LKJ-së, Partia Komuniste sikurse edhe Federata Jugosllave filloi të përçahet në linja republikane. Sllovenia dhe Kroacia shkuan larg duke planifikuar zgjedhje shumëpartiake të shpallura në pranverën e vitit 1990. Në sipërfaqe doli çështja më e rëndësishme: kush është sovrani?, popujt apo republikat? Në rastin e Sllovenisë kufijtë nacionale (etnik) dhe republikan kanë qenë esencialisht të njëjtë. Në pjesën tjetër të Jugosllavisë, situata ka qenë e komplikuar. Sidoqoftë, zgjedhjet e para shumëpartiake ishin mbajtur në të gjitha republikat jugosllave. Sllovenia printe në këtë proces. Pas zgjedhjeve të prillit të vitit 1990 sllovenët shkuan edhe më tutje në kërkesën e tyre për vetëvendosje duke mbajtur një plebishit të suksesshëm për pavarësi në dhjetor të vitit1990. Liderët kroatë filluan të thonë se Kroacia, po ashtu, do të shkëputet nëse këtë e bën Sllovenia. Që të dy republikat punonin me kushtetuta të reja të modeluara në bazë të demokracive perëndimore. Me Marrëveshjen e Brionit të 7 korrikut, të nënshkruar nga përfaqësuesit e Komunitetit Evropian dhe shefat e republikave të Jugosllavisë, Sllovenia fitoi të drejtën për t’u bërë e pavarur më 8 tetor 1991. Në fund të vitit 1991 Jugosllavisë së Titos do t’i vinte fundi. Në dhjetor të këtij viti, Mesiç jep dorëheqjen si Kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë dhe po ashtu do të japë dorëheqjen edhe Markoviç. Dy republikat veriore fituan njohje ndërkombëtare dhe bashkësia ndërkombëtare filloi ta shohë Jugosllavinë si shtet që është në proces të shpërbërjes graduale.
Për Bosnjë – Hercegovinën dhe Maqedoninë, historia e formimit të tyre pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë rezultat i balancimit të forcave të brendshme. Qëllimi i formimit të tyre ka qënë për të kontrolluar dhe balancuar zgjerimin e Serbisë në jug Maqedoni dhe për të parandaluar konfliktin serbo-kroat për Bosnjë-Hercegovinën. Për Kosoven nuk flitet fare, pavarsisht se që pas viteve 80-të edhe këtu kishte filluar lëvizja për vetëvendosje.
Kursi anti serb në politikën maqedone filloi në nëntor të vitit 1989, në Kongresin e Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (LKM). Në këtë Kongres, udhëheqja partiake dogmatike dhe pro serbe nuk u votua. Shenjat e para të çarjes mes Serbisë së Millosheviçit dhe Maqedonisë u dukën kur ligji i ri për kolonistët u propozua për miratim në Kuvendin e Jugosllavisë. Kjo u pa në Maqedoni si një shenjë e kërcënimit potencial nga Serbia. Pas Sllovenisë dhe Kroacisë, komunistët maqedonas të dalë nga Kongresi i sipër përmendur, filluan përgatitjet dhe përcaktuan platformën për pavarësi duke i dhënë kështu Millosheviçit një shenjë se kjo republikë nuk e pranon as nuk e mbështet kursin e Beogradit. Sidoqoftë, referendumi i shtatorit të vitit 1991 për pavarësinë e Maqedonisë ka qenë më i butë se ai i Kroacisë duke e lënë hapur çështjen e bashkëjetesës së mëtejshme në Federatën e Reformuar Jugosllave. Pas dështimit të propozimeve të tyre si Maqedonia ashtu edhe Bosnjë-Hercegovina, aplikuan për njohje ndërkombëtare. Procesi i shpërbërjes përfundimtare të ish-Jugosllavisë, pas një kalvari të gjatë përfundoi me Luftën e Kosovës. Duke tejkaluar barbarinë e mjeteve të përdorura, bilanci i kësaj shpërbërje flet për afro 200.000 të vdekur, më tepër se 2.8 milionë refugjatë apo përsona të zhvendosur. Teza më e përhapur, si në elitat politike perëndimore, gjithashtu dhe në media, ishte ajo e kthimit të “urrejtjeve të vjetra”.
Fakti i ish-Jugosllavisë ishin një hapësirë kontaktesh, takimesh mes katolicizmit, ortodoksisë dhe myslimanizmit, që ka shtyrë shumë analistë ta interpretojnë atë si një luftë të re “fetare”. Tundimi ishte aq i fortë sa që disa nga protagonistët kryesorë të konfliktit evokonin një papajtueshmëri themeltare, fetare dhe kulturore të serbëve, kroatëve dhe myslimanëve. Presidenti kroat, Franjo Tuxhman, në të gjitha takimet me ndërkombëtaret nuk linte pa përmendur dhe shpjeguar atyre se ish-Jugosllavia, “Mbulon përsëri linjat e ndarjes ndërmjet Romës, Bizantit dhe Islamit, mes trashëgimisë së Perandorisë Osmane dhe asaj Habsburge, dhe që si konsekuencë, ai nuk ishte i habitur që moskuptimet të shëndrrohen në konflikt, në një kohë kur tërësia artificiale, që ishte për të ish-Jugosllavia, nuk mbahet më në këmbë nga logjika e komunizmit apo e luftës së ftohët”. Kaosi në tokat dhe popujt që dikur njiheshin si Jugosllavi, ekspozoi evidenca shokuese deri në ato përmasa sa që Evropianët shpresonin se ajo që po ndodhte ishte vetëm një iluzion, por në fakt doli se ishte një realitet i gatuar prej tyre dhe se teoria e bashkëjeteses midis kombeve në Jugosllavi nuk kishte funksionuar asnjëherë. Eksperimenti i shumë kulturave dhe shumë kombeve nuk ishte thjesht një dështim. Ky eksperiment nxori në shesh violencën më antinjerëzore dhe arbitrare midis grupeve etnike. Për më tepër, duke u gjendur në pikën më të lartë euforike të prodhuar nga përfundimi i Luftës se Ftohtë, Komuniteti Ndërkombëtar u kap totalisht i papërgatitur përballë detyrave të reja që po ekspozonte shembja e bipolaritetit. Europa dhe SHBA-ja po paguanin atë që kishin bërë vite më parë, që nga Traktati i Shenstefanit dhe deri tek Konferenca e Paqes. Një nga mënyrat më racionale për të portretizuar konfliktin e përgjakshëm në Jugosllavi është përcaktimi i tij si një produkt i urrejtjeve shekullore etnike midis popujve të rajonit. Argumentet e dhëna më parë mbështesin fuqimisht tezën e zbërthimit të shkaqeve të konfliktit nisur nga këndvështrimi i urrejtjes që buron nga lashtësia. Argumenti kryesor që bie ndesh me këtë tezë dhe me pohimin se dhuna ka qenë një mënyrë jetese në rajon është fakti se Jugosllavia gjatë Luftës së Ftohtë, ishte një shtet multietnik dhe multinacional në të cilin popujt e grupeve të ndryshme etnike jetuan në një paqe të plotë vetem si iluzion. Kjo na çon në prodhimin e argumenteve se, përveç ndikimit të rrënjëve të vjetra të konfliktit, në copëtimin e Jugosllavisë ndikuan edhe rënia e bipolaritetit dhe kriza ekonomike që filloi të shfaqet në vitet 1980. Me rënien e bipolaritetit, ish-komunistet kërkuan mbështetje duke i bërë thirrje nacionalizmit. Ata e panë nacionalizmin si një mundësi për të mbajtur pushtetin politik nën rregullat e reja që kërkonin zgjedhje pluraliste konkurruese.
Krizat ekonomike krijuan një terren dhe kushte për zgjimin dhe fuqizimin e nacionalizmit, veçënarisht atij serb.
Rënia ekonomike dhe nacionalizmi shkatërrues i kategorizon vendet Ballkanike ku sundoi komunizmi në dy grupe: Së pari, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania. Gjatë Luftës së Ftohtë, këto vende udhëhiqeshin nga diktatura të ashpra dhe me një ekonomi shumë të centralizuar. Së dyti, ish Jugosllavia, një vend socialist, që devijoi dhe u përpoq të zbatoj një model të ndryshëm ekonomik. Ky model konsistonte në të ashtuquajturën ekonomi socialiste (maket socializëm) e mbështetur në vetë administrimin e kapitaleve prej punëtoreve. Ky model nuk funksionoi mirë pasi ai ishte bazuar në koalicionin midis ndërmarrjeve dhe autoriteteve të cilat shpesh ndanin të njëjtat interesa. Duke nxjerr në plan të parë vetëm serbet, ky model pengoi prirjet konkurruese midis ndërmarrjeve. Në rastet e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Rumanisë, me rënien e komunizmit në fund të viteve 1980, krizat ekonomike u manifestuan nëpërmjet rënies së treguesve kryesor makroekonomike. Këto ishin rrjedhojat e një procesi të thellë transformimi shoqëror, ekonomik dhe politik që shprehte fenomeni i tranzicionit. Në rastin e Jugosllavisë, rrënjët e krizës ekonomike mund të gjenden më herët. Në fakt, ato janë një përzierje e faktorëve të brendshëm me ato të jashtëm. Kështu, faktorët e jashtëm si ngritja e lartë e çmimit të naftës që filloi në vitin 1973 dhe huatë e rënda ndërkombëtare përkeqësuan problemet e brendshme ekonomike që rridhnin nga modeli ekonomik Jugosllav. Dështimi i udhëheqësve federal për t’i bërë balle krizës së përkeqësuar ekonomike nxori në pah, në nivel federal, vakumin e pushtetit që la pas vdekja e Titos. Kjo i hapi rrugën udhëheqësve të rinj të republikave të realizonin ambiciet e tyre. Në vitin 1986, një lider i ri, Sllobodan Milosheviç nga Serbia, shfrytëzoi më së miri këtë rast. Gjatë viteve 1988-89, inteligjenca serbe dhe elita e partisë komuniste serbe të Millosheviçit bashkuan forcat për të inkurajuar një revolucion nacional që do të krijonte një “Serbi të bashkuar” duke prekur pa kënaqësitë sociale dhe nacionale në republik. Mesazhit nacionalist të cilit i mëshoi me shumë forcë Millosheviçi ishte ideja se nëse shteti Jugosllav do të shpërbehej, të gjitha pjesët e popullit serb në Kroaci, në Bosnje, dhe në Kosovë do të liheshin të vuanin nën kontrollin e nacionalisteve të tjerë. Millosheviçi i bazonte thirrjet e tij për një Serbi me të madhe në nevojën e bashkimit të të gjithë serbeve të Jugosllavisë në një shtet të vetëm. Ideologjia nacionaliste e të qenit të kërcënuar dhe të pambrojtur ndezi lëvizjet masive të serbëve. Duke e vënë retoriken nacionaliste serbe në një shtrirje mundësisht sa më të madhe, gjatë vitit 1990, Millosheviçi ishte në gjendje të mobilizonte serbët në një luftë të gjatë dhe gjakatare që prodhoi në rritje të ish-Jugosllavisë. Duket i çuditshëm fakti që në Jugosllavi ideologjia komuniste, një doktrin që kushtëzonte principet internacionaliste, shkoi shumë lehtë në dogmë të nacionalizmit. Eshtë për të ardhur keq që këtë tezë po e vazhdon edhe pasardhësi i tij Vuçiç. Kush mendon sot se Serbia ka ndryshuar është i gabuar.
Komunizmi ortodoks dhe nacionalizmi agresiv kanë disa ngjashmëri. Të dyja ideologjitë janë kolektive, duke vënë në plan të parë grupin ndaj individit. Të dyja kanë të njëjtën lente duke i identifikuar të huajt (tjerët) si armiq. Për më tepër, të dyja janë radikale duke insistuar që këta armiq duhen eliminuar, pra parapëlqejnë dhe kanë preference të tyre përdorimin e forcës. Ajo që ndodhi në Kosovë dhe fatkeqësisht po vazhdon është argument i gjallë i paradoksit të etnitetit pakicë të serbëve dominant mbi etnitetet e tjera të asaj se çka mbeti nga Jugosllavia e Titos, në raport me predikimet e Serbisë për barazi politike, ekonomoke, kulturore dhe fetare.
Mendohet se konflikti i pari dhe me i madhi në Evropën e pas Luftës së Ftohtë morri fund. Në fakt është ende herët për të thënë dhe garantuar se do të vazhdojë paqja apo është vetëm një pushim zjarri. Situata në Ballkan dhe kryesisht në Kosovë, Bosnje dhe fqinjët e tyre e lëkundin shumë këtë përfundim. Kjo situatë sjell pasoja të mëdha për Ballkanin dhe Evropën për sa i përket rolit të islamizmit, çështjes së kufijve dhe minoriteteve, marrëdhënieve transatlantike etj. Luftërat gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe qëndrimi i Perëndimit ndaj tyre, ka të bëjë me kufijtë dhe minoritetet. Me njohjen ndërkombëtare të kufijve të brendshëm të Jugosllavisë, problemet e minoriteteve etnike të një shteti pasardhës u kthyen në një problem të jashtëm për fqinjët e saj.
Turbullimet midis çështjeve të sigurisë së brendshme dhe asaj të jashtme nxorën në dukje një problem më të përgjithshëm lidhur me Evropën Juglindore post-komuniste; kërcënimet për sigurinë janë të lidhura me dobësinë e brendshme të shteteve më shumë se me fuqinë e tyre të tepërta. Ballkani mund të mbetet një ndër çështjet, kryesore për sa i përket identitetit të ardhshëm dhe të besueshmërisë së një aleance të zgjeruar.
Procesi i integrimit përfundimtar të Ballkanit në strukturat euro-atlantike do të ndikoj drejpërsëdrejti në krijimin e kushteve të reja dhe frymës së bashkëpunimit rajonal që do të jetë një garanci për paqe dhe stabilitet në këtë regjion. Kjo ka gjasa të jetë e largët, në radhë të parë nga vetë qëndrimet e këtyre vendeve, por edhe nga situata e turbullt në vetë Bashkimin Europian.
Kjo do të mund arrihet vetem kur Bashkimit Europian e sidomos SHBA-së përcaktojnë një strategji të qartë globale për Ballkanin.
Si përfundim mund të themi se një konflikt etnik (ndëretnik), është produkt i keqmenaxhimit që shteti me strukturat e tij, i bënë mbarëvajtjes dhe drejtimit të shoqërisë me të gjithë përbërësit e saj, të shumicës dhe minoriteteve, tradicionalisht apo jo, të qenësishëm brenda juridiksionit shtetëror.
Foto: https://www.af.mil