
Sokol Paja/
New York, 11 shtator 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” bashkoi mjekë të shquar shqiptarë nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë dhe personalitete të mjekësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mbështetje të vazhdueshme dhe promotore e fuqishme, Federata “Vatra” si institucioni patriotik, shpirtëror e kulturor më i fuqishëm në diasporë bashkoi intelektualët që nderojnë kombin e promovojnë arritjet e vlerat tona kombëtare. Një takim emocional e shumë shpirtëror patriotësh që hapë një dritare të re komunikimi, bashkëpunimi, ndihme e promovimi të komunitetit e profesionistëve të rinj të kombit tonë.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti vatrani historik Marjan Cubi i cili u shpjegoi të pranishmëve historinë e themelimit të Vatrës dhe kontributin patriotik e kulturor, ndërsa Dr. Skender Murtezani detajoi rolin e Vatrës dhe aktivitetet atdhetare në komunitetin shqiptar në Amerikë siç ishte rasti i riatdhesimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit, kontributin e shqiptarëve të Amerikës në Kongresin e Alfabetit, kontributin për tërmetin, idetë për bashkimin e ligave kombëtare të sportit si mundësi promovimi e bashkimi kulturor, veprimtarinë e mjekëve shqiptarë në pandeminë globale Covid -19, rolin e diasporës shqiptare si fuqi shpirtërore e kulturore, punën për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri etj.
Drejtuesja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë
Dr. Aurora Dollenberg shprehu mirënjohje për Vatrën për mikpritjen dhe punën kombëtare në dobi të kombit shqiptar. Dr. Fatjona Lubonja, Terapiste Renina Varfaj , Dr. Zana Nikolla, Dr. Lydra Tapia, Dr. Shpresa Xhakli, Dr. Ermal Zatriqi, Dr.Leana Sapunxhiu, Dr.Arjan Bregu, Dr. Tana Bregu, inf-mami Marinela Sema, Dr. Dhurata Alla, artisti Andis Gjoni dhe biznesmeni Ylli Fejza mbajtën fjalime prezantuese për formimin e shkëlqyer profesional, rrugëtimin në institucionet mjeksore, arritjet në fushat specifike, kontributin komunitar për bashkatdhetarët në mërgatë, ndihmën për Kosovën e Shqipërinë dhe vlerësimet për Federatën Vatra si institucion i shenjtë kombëtar. Nën shoqërimin e fotografit Olsi Beçi, miqtë e shkëlqyer të Vatrës u mikpritën gjithashtu dhe nga anëtari i kryesisë së Vatrës z.Anton Raja dhe ambasadorët e kulturës shqiptare në Amerikë Gëzim Nika e Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh”. Dr. Dollenberg në përfundim të takimit i dhuroi bibliotekës së Vatrës librin e saj mbi urgjencën mjeksore.