Dr. Ilda Hoxhaj dhe Dr. Drieda Zaçe dy mjeke shqiptare në Romë, Itali, informojnë për “Diellin” e Vatrës New York në një bashkëbisedim me gazetarin e “Dielli”-t Sokol Paja, botimin së bashku me një grup studiuesish nga Università Cattolica del Sacro Cuore, Romë, nën udhëheqjen e Profesorit Walter Ricciardi të publikimit të një studim mbi strategjitë që janë hartuar e zbatuar për të kontrolluar shpërthimet e mëparshme epidemike apo pandemike virale respiratore në rang global si: Sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes (SARS), Sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS), Influenca A H1N1 dhe COVID-19.
VIRUSI KAPI BOTËN NË BEFASI
Sistemet shëndetësore aktualisht po përballen me pandeminë nga COVID-19 të shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, e cila ka vënë në dukje dobësitë dhe papërgatitjen e shumicës së sistemeve shëndetësore. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi gjendjen e pandemisë në 11 Mars 2020 dhe deri në 10 Janar 2021 janë infektuar rreth 89,396,983 njerëz dhe ka pasur mbi 1,921,952 vdekje në të gjithë botën. Edhe pse kjo pandemi ka tronditur gjithë botën dhe ka sprovuar sistemet shëndetësore, nuk është hera e parë që përballemi me një pandemi apo epidemi virale respiratore dhe njohuritë e fituara nga eksperiencat e mëparshme mund të jenë të rëndësishme për strategjitë e kontrollimit të transmetimit të SARS-CoV-2. Përvojat e kaluara na ndihmojnë të kuptojmë se ku sistemet e kujdesit shëndetësor kanë qenë të suksesshme, ku kanë dështuar dhe ku ka më shumë nevojë për ndërhyrje në përballjen me shpërthimet epidemike të viruseve respiratore.
STUDIUESIT NGA UNIVERSITÀ CATTOLICA DEL SACRO CUORE, ROMË
Për këtë, një grup studiuesish nga Università Cattolica del Sacro Cuore, Romë, nën udhëheqjen e Profesorit Walter Ricciardi ka publikuar një studim mbi strategjitë që janë hartuar e zbatuar për të kontrolluar shpërthimet e mëparshme epidemike apo pandemike virale respiratore në mënyrë që të informojnë mbi masat që mund të jenë të dobishme në të gjitha fazat e pandemisë COVID-19. Bashkë-autore në këtë artikull, të publikuar në revistën prestigjoze BMJ Global Health (https://gh.bmj.com/content/5/12/e003677) janë dhe dy mjeke shqiptare në Itali, pjesë e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Itali, Dr. Ilda Hoxhaj dhe Dr. Drieda Zaçe. Ky studim përmblodhi të dhëna mbi ndërhyrjet dhe strategjitë e zbatuara për të përballuar situatat kritike të shëndetit publik në vende të ndryshme të botës gjatë shpërthimeve virale respiratore si Sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes (SARS), Sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS), Influenca A H1N1 dhe COVID-19.
GJETJET E STUDIMIT SHKENCOR
Studimi vuri në dukje se në nivel kombëtar, ekziston nevoja për të zhvilluar politika dhe udhëzues për kontrollin dhe menaxhimin e epidemive ose pandemive për të ndihmuar procesin e vendimmarrjes. Këto politika duhet të përshkruajnë se si departamentet e shëndetit në nivel kombëtar, lokal dhe territorial, si dhe personeli dhe institucionet kryesore, duhet të veprojnë gjatë një pandemie dhe të inkurajojnë përditësimin e të dhënave. Siç raportojnë përvojat e mëparshme, është e rëndësishme që sistemet shëndetësore të bazohen në bashkëpunimin dhe transparencën ndërkombëtare, si dhe në bashkëveprimet e koordinuara midis ekspertëve shëndetësorë dhe zyrtarëve qeveritarë. Përvoja në Kinë gjatë shpërthimit të SARS ndikoi në ndryshime të rëndësishme në sistemin shëndetësor publik kinez, si dhe mundësoi një përgjigje proaktive ndaj influencës A H1N1. Për të përballuar fazat e para të pandemisë COVID-19 u ndërmorën masa të shëndetit publik në vende të ndryshme, të cilët raportuan një ulje thelbësore të shkallës së rritjes së infeksionit SARS-CoV-2. Këto masa kërkojnë bashkëpunim midis institucioneve qeveritare, autoriteteve shëndetësore, spitaleve, qendrave të kujdesit shëndetësor dhe publikut të gjerë.
ORGANIZIMI I STRUKTURAVE SHËNDETËSORE SI NEVOJË URGJENTE
E një rëndësie të veçantë është organizimi i strukturave shëndetësore sidomos spitaleve, të cilat, për parandalimin e përhapjes së virusit dhe kontrollin e infeksioneve virale respiratore duhet të koordinojnë dhe përcaktojnë rolet dhe përgjegjësitë, të mundësojnë transparencën në procesin e vendimmarrjes, edukimin si për pacientët ashtu edhe për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe së fundmi rritjen e përdorimit të teknologjive të informacionit për të përmirësuar komunikimin dhe informimin e personelit dhe pacientëve. Kombinimi i masave të kontrollit të infeksionit spitalor, zhvillimi i protokolleve të standardizuara, në veçanti për departamentet e urgjencës, dhe mbikëqyrja e zgjeruar brenda spitalit raportohen si strategji efektive në përballimin e mbingarkesës të departamenteve intra-spitalore. Kombinimi i masave të shëndetit publik si distancimi social, shmangia e grumbullimeve, përdorimi i maskave, larja dhe dizinfektimi i duarve si dhe higjena personale u raportuan si thelbësore për kontrollimin e transmetimittë viruseve në mjediset e kujdesit shëndetësor dhe jo-shëndetësor në kohën kur vaksinat ose terapitë specifike nuk janë të disponueshme.
PROGRAMET E SHËNDETIT PUBLIK DHE KOMUNIKIMI
Autorët theksojnë rëndësinë që mbart, për të minimizuar transmetimin e infeksioneve virale në vendet e punës, kombinimi i masave të ndryshme si: matjae temperaturës së trupit, raportimi i simptomave dhe qëndrimi në shtëpi i individëve simptomatik. Komunikimi efektiv konsiderohet gjithashtu thelbësor për t’u përballur me një pandemi. Programet e shëndetit publik duhet të sigurojnë një komunikim të saktë e të bazuar në të dhënat shkencore me publikun si dhe komunitetin e kujdesit shëndetësor. Një aspekt shumë i rëndësishëm në menaxhimin e pandemive ka të bëjnë me adresimin e shëndetit mendor si të punonjësve të kujdesit shëndetësor ashtu edhe të popullatës së përgjithshme. Siç është raportuar gjatë COVID-19 në Kinë, strategjitë që lidhen me shëndetin mendor duhet së pari të marrin në konsideratë statusin psikologjik të njerëzve dhe të identifikojnë nevojat e grupeve më në risk të popullatës për të siguruar ndërhyrjet e duhura. Kështu, hartimi i politikave për përballimin e pandemive duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë integrimit të shëndetit mendor, në mënyrë që të parandalohen dhe trajtohen rezultatet psikologjike negative. Autorët përfundojnë duke theksuar se të gjitha hallkat e një sistemi shëndetësor si dhe i gjithë komuniteti duhet të punojnë së bashku për të përmbushur sfidat e paraqitura nga përhapja e infeksioneve virale respiratore, për të arritur një përgjigje të duhur dhe në kohë të shëndetit publik.