“Vetëm kush mbahet fort mbas traditës, tradita i siguron nji vend të merituem në botën e qytetnueme” – Gjokë Vata, poet, këngëtar
Klajd Kapinova
editor i revistës Jeta Katolike, New York
Zef Oroshi u lind më 1912, në Mirditë. Ai mësimet fillestare i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e Jezuitve në Shkodër dhe studimet e larta më 1936-1940, në Teologji e Filozofi në Romë, në Universitetin Urbino në Propaganda Fide.
Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të tij. Kardinali Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide e shuguron meshtar, duke i dhuruar petkat dhe koletin e bardhë. Pas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e dikaturës së Enver Hoxhës, duke e parë se kishin vendosur ta arrestojnë ai pasi thotë meshën… hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste, ku vihet në krye të nacionalistëve në malet e Mirditës.
Pas arratisjes në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe nga aty shkon në Beograd. Dera e Gjomarkajve i dërgon një garanci udhëtimi, për të shkuar në Itali. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtarë politikë, që gjendeshin në Romë.
Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar në diasporë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar, i cili kaloi në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën barbare ateiste komuniste. Dr. Oroshi në vitin 1960, përkthen e boton “Visarthin Shpirtnuer”, një lloj katekizmi doracak, me lutje shpirtërore në gjuhën geg, për familjarët emigrantë shqiptarë katolikë të shpërndarë udhëve të botës.
Në Universitetin e famshëm “Angelicum”, më 1958 vijon studimet e vitit të pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit. Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.
Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës veriore geg, që kishin vulosur me erudicionin dhe përkushtimin e tyre brilant, u bënë objekt i studimeve të tij. Editorët e botimeve kulturore të kohës, si redaksitë e shumë revistave dhe gazetave të diasporës me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj me tematika të ndryshme.
Ai ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.
Në vitin 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe-Atdhe-Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke. Për këtë ngjarje të madhe të komunitetit katolik shqiptar dhe meshtarin dom Zef Oroshin shkruajti edhe gazeta amerikane The New York Times.
Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve dr. Oroshi, la një emër shumë të mirë në fushën e publiçistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët. Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik “Jeta Katholike Shqiptare” (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.
Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila vazhdimisht, i pushtonte mallin dhe i rizgjonte nostaligjinë e madhe për atdhelindjen e tij të paharruar.
Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit. Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim shpirtëror me Zotin. Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e persekutuar dhe shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.
Mesha e parë në Qendrën Katholike Shqiptare në New York City, në Natën e Madhe të Keshndellavet të vitit 1969, është një përrmbledhje brilante oratorie, ku si gjithnjë shquhet fjalimi elokuent, me fjalë të zgjedhura dhe frymë patriotike nga prelati ynë mons. dr. Zef Oroshit.
Si dëshmi e historisë Monsinjori, njoftonte vazhdimisht komunitetin e vogël katolik shqiptar në New York, mbi ngjarjet e rëndësishme, sikurse ishte asokohe blerja e Qendrës Katholike Shqiptare e New York-ut gjatë vitit 1969.
Fest XXX në kujtim të 110-vjetorin e lindjes së mons dr. Zef Oroshit
“Bukuria dhe madhështia e këtij festivali për tre dekada, janë fëmijët shqiptar të lindur e rritur në Amerikë, që vishen me veshjet popullore, këndojnë e vallëzojnë shqip.
Kjo tregon, se ata krenohen se janë shqiptarë, dhe, ne krenohemi me ta. Dom Zef Oroshi, prej ditës së parë, që ka ardhur në Amerikë, është interesuar si ti bashkojë emigrantët shqiptarë të porsaardhur, dhe pas disa vitesh organizoi blerjen e një funerali me “capel” ndërfetare, në adresën 4241 Park Ave, Bronx New York.
Dhe, natën e Krishtlindjeve të vitit 1968, ai me besimtarët e kremtojnë meshën e parë shqip, në qendrën e re shqiptare, dedikuar Zojës së Këshillit të Mirë. Kjo kishë është një shkëndijë e vogël sot, por, që një ditë do të rritet e bëhet Dritë e Madhe, për të gjithë shqiptarët.
Sot, ne gëzojmë këtë kishë të bukur, që i shërben fesë edhe kombit tonë. Sa e sa organizime, që janë bërë në këtë kishë, një ndër to është edhe ky festival, që këtë vit është jubilar dhe po feston 30-vjetorin, ndersa i kushtohet monsinjor Zef Oroshit, themeluesit të kishës shqiptare në Amerikë.
Vit pas viti në festime të tilla, ne bashkohemi me njëri-tjetrin, dhe i ripërtërijmë realiacionet tona, shprehem kënaqësinë për gjuhën e kulturën tonë. Përkrahim njëri-tjetrin, gëzohemi së bashku dhe qëndrojmë së bashku.
Për jetëgjatësinë dhe suksesin tridhjet vjeçar, në shenjë faleminderimi sot, për të gjithë ata njerëz, që kanë punuar për këtë qëllim. Duke filluar prej monsinjor Zef Oroshit, e pasardhësve të tij, deri më sot, kur ne kremtojmë me këngë e valle shqiptare të kënduara e të vallëzuara prej të rinjëve e të rejave të komunitetit tonë.
Madje, shumica prej tyre janë të lindur e rritur këtu në Amerikë, por, janë krenar që janë shqiptar. Gjithashtu, edhe ne jemi krenar me këta fëmijë dhe këtë festival dhe këta fëmijë.
Faleminderoj organizatorët e festivalit, që për çdo vjet dedikojnë kohë, talent dhe energji, që Festivali Shqiptar, të dalë sa i pasur dhe më i bukur.
Faleminderit të gjithë ju, për pjesmarrjen dhe përkrahjen tuaj, qofshit gjithmon të gjithë të lumitur e të gëzuar.” – Dom Pjetër Popaj
Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, me nderim, respekt dhe kënaqësi të veçantë njoftoj komunitetin shqiptaro-amerikanë dhe mediat në New York me rrethe, se me 5 dhe 6 nëntor 2022 do të mbaj në sallën e Illyria Community Center në Bronx NY, Festivalin e XXX-të Shqiptar, i cili në këtë jubile i përkushtohet themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA dhe në të gjithë Hemisferën Veriore mons. dr. Zef Oroshit, i cili themeloi me devocion Qendrën Shqiptaro-Amerikane, botoi dhe drejtoi revistën fetaro-kulturore Jeta Katholike Shqiptare (Jeta Katolike 1966-2022).
Në kujtim të 110-vjetorit të lindjes së prelatit të paharruar imzot dr. Zef Oroshit
Kjo është ngjarja më e Madhe Mbarëshqiptare në Amerikë, e cila si synim ka pasur dhe vazhdon të mbajë, shpalos dhe ruaj gjuhën, traditën dhe kulturën e gurrës shumë shekullore popullore, të këngëve e valleve burimore, shfaqjen e shumë ngjyrave të bukura dhe ornametëve, që pasqyron vazhdimisht folklori etnik shqiptar. Kështu artdashësit këtu do të kenë mundësinë për dy netë festive të argëtohen me këngëtarë të njohur të shumë trevave, grupet folklorike të cilët, sikurse çdo vit e pasurojnë Festivalin me instrumente, kostume dhe valle të ndryshme.
Kisha e jonë tregon të veçantën e tij, se Festivali i 30-të Shqiptar, i perkushtohet intelektualit dhe prelatit të shquar të komunitetit tonë mons. dr. Zef Oroshit, një ndër figurat më të shquara të mërgatës shqiptare, por edhe mbarë botës jashtë trojeve shqiptare.
Si për të mos mjaftuar me kaq, mësojmë se Shoqata “Trojet e Arbërit”, me qendër në Prishtinë të Kosovës, ka në proçes botimin e një libri special voluminoz, kushtuar mons dr. Zef Oroshit, ku janë të përmbledhur të gjithë kumtesat e ligjëruesve, që i mbajtën në muajin qershor 2022, në qytetin historik të Lezhës.
Po ashtu në Lezhë këtë vit, është përuruar busti kushtuar anti-komunistit dhe intelektualit të erudit mons. dr. Zef Oroshit, që për shumë dekada ruajti të gjallë mes shqiptarëve kulturën dhe gjuhën shqipe.
Ai ishte mik i ngushtë i intelektualëve prof. Ernest Koliqit, prof. Rexhep Krasniqit, prof. Zef Nekaj, pader Giacomo (Jak) Gardini, i cili ishte prift italian i dashuruar mbas Shqipërisë, që si shpëblim diktatura ateisto-komuniste e plandosi mizorisht në burg për 10 vjet (1945-1955)… atë prof. Zef Valenini, dom Pjetër Popaj (meshtar aktual sot në New York), atë prof. Andrew Nargaj ofm, prof. Arshi Pipës, Kapidani i Mirditës Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjomarku, Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, studiuesi Tomë Mrijaj (autori i 4 librave kushtuar klerikut dom Zef Oroshit, skurse e thërrisnin të gjithë këtu), etj.
Vijimsia e kulturës shqiptare në New York
Është bërë traditë zhvillimi i Festivali Shqiptar në New York, që përpiqet të indetifikojë, dokumentojë dhe promovojë artistë të folklorit dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar komunitetin tonë, pa dallim feje, ideje apo krahine.
Çdo vit Festivali këtu, ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.
Ai i ofron spektatorit të thjeshtë, mundësinë e mishërimit me thesarin e pasur të kulturës sonë. Tubimi mbarëshqiptar kulturoro-artistik, shpalos begatinë e pasur kulturore të komunitetit shqiptarë si një pjesë indetifikuese e komunitetit të përgjithshëm amerikan.
30 vjet këngë, valle dhe muzikë etnike në Amerikë
Shqiptaro-amerikanët, u mblodhën në sofrën e gurrës popullore artistët nga diaspora shqiptare e Amerikës. Festivali i XXX-të i Këngës e Valles Popullore Shqiptare, që mbahet në New York këtë vit festoi 30-vjetorin e saj.
Si gjithnjë, parada artistike e grupeve të ndryshme të muzikës me instrumente popullore tradicionale dhe moderne, valleve me larushisë e kostumeve të trojeve etnike, krahinave dhe nenkrahinave, gjatë 30 vjeteve në Festival, është përpjekur të idenfifikojë e përkrah grupet artistike dhe kulturore, që gjenden në disa shtete të ndryshme të Amerikës, shumëngjyrshmërinë e kostumeve, valleve, intrumenteve origjinale, traditave, zakoneve të lashta iliro-arbërore-shqiptare, të ruajtur ndër shekuj nga të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë këtu.
Ky është thesari i shpirtit të një populli të vogël, por me zemër të madhe, që ka një histori të lavdishme, me vlera kulturore shumë të pasura dhe të larmishme, për t’i treguar kombit të madh amerikan.
Sofra muzikore dhe koreografike kulturore këtë vit iu përkushtua bariut shpirtëror brilant mons dr. Zef Oroshit, që gjithë jetën punoi si misionar i Krishtit, pa u lodhur për komunitetin shqiptaro-amerikanë deri sa kaloi në amshim. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.
Larushia e perlave shpirtërore të kultivuar dhe ruajtur me kujdes dhe respekt brez mbas brezi edhe në Amerikë, u shpalosën me dinjitet në spektaklin Festivali i 30-të në New York, në kryeqytetin metroplolitan të kulturës shumë etnike botërore.
Ky ka qenë dhe mbetet edhe objektqëllimi kryesor (prej tre dekadash), për ribashkimin në një vatër të madhe festive, brenda mozaikut të vlerave folklorike të papërsëritshme burimore popullore të zonave dhe krahinave të ndryshme etnike gjithpërfshirëse.
Shqiptarët nga të gjithë trojet etnike, pa dallim feje sot kremtojnë së bashku, traditën tonë të bukur të ruajtur me kujdes prej etërve tanë ndër shekuj. Shumë këngë u dedikohen herojve tanë historik, që nuk kanë kursyer veten dhe kanë dhënë jetën për të ruajtur traditën dhe indetitettin tonë.
Shqiptarët, janë shumë krenarë, për të rinjtë dhe të rejat e komunitetit tonë, sidomos ata që kanë lindur këtu dhe nuk e harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Ata e duan gjuhën shqipe dhe krenohen se janë shqiptarë.
Dihet se institucionet e hershme të artit dhe kulturës në Shqipëri e kanë pasur zanafillën e tyre nga kisha katolike, gjë që dëshmohet nga burimet e shumta historike ndër shekuj, kurse në diasporën shqiptare në ShBA dhe posaçërisht në shtetin e New York-ut dhe rrethina në këto përgatitje si gjithëmonë rol të rëndsishëm kanë luajtut klerikë: katolike, si: imzot dr. Zef Oroshi (1912-1989), imzot Rrok Mirdita (1939-2015), dom Pjetër Popaj, dhe aktivistët e palodhur të komuniteti të vogël katolik shqiptarë (i përbërë krysisht nga emigrantë politik (1944-1990), është vendosur vonë në krahasim me komunitetin e hershëm ortodoks shqiptar (shekulli XVIII nga emigrantë ekonomik në vitet 1944-1990 ato politik dhe mbas vitit 1990 ato ekonomik) me qendrën e saj në Boston rreth kishës së shën Gjergjit.
Krahas ndërtimit të kishës së re, udhëheqësit shpirtëror meshtarët katolikë shqiptarë dhe artdashësit e kulturës tradicionale popullore, që kishin emigruar në Amerikë, bashkëpunuan dhe vendosën të themelojnë shoqëri, klube dhe grupe artistike kulturore.
Ishte pranvera e vitit 1978, kur në New York me inisiativën e asokohe mons. dr. Zef Oroshit dhe dom Rrok Mirditës, që filluan krijimin e korit të kishës, me një grup të vogël bashkëatdhetarësh, por që kishin dëshirën e madhe të bëjnë diçka të bukur dhe dobishme për kishën e tyre.
Nga ana e tjetër, meshtarët e palodhur dhe kudogjendur mons. dr. Zef Oroshi dhe imzot Rrok Mirdita, gjithëmonë kërkonin diçka motivuese të re, për të mbajtur të bashkuar komunitetin e vogël shqiptarë. Këto vizionarë largpamës dhe qëllimmirë, u provuan shumë herë ndër aktivitete, që pasuan më vonë në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike Shqiptare në New York.
Në ambientet e saj, lindi ideja e formimit të një grupi muzikor, me antarët e korit dhe të tjerë, që i afroheshin, kishës dhe komunitetit ndër gëzime e festa, dasma e kremtime të ndryshme. Të inkurajuar nga mons. dr. Zef Oroshi, imzot Rrok Mirdita, dhe aktivistë të tjerë të kishës, u formua grupi muzikor “Rozafati” (2008), që këtë vit përkujton 14-vjetorin e saj.
Xhubleta 5000-vjeçare dhe valet popullore në skenat amerikane
Me datën 20 tetor të vitit 1991, Presidenti i Bronx-it Fernando Ferrer, para 31 vitëve lëshoj një Proklamatë, në të cilën deklaroj Ditën e Shqiptarëve në Bronx, të cilën e solli në ditën festivalit Bill Aguado, drejtor Ekzekutiv i Zyrës së Arteve në qytetin Bronx, New York.
Festivali Shqiptar u kthye në traditë dhe përformimet artistike në skenë kanë vazhduar çdo vit. Me një thjeshtësi e ndjesi të thellë zemre bashkatdhetarët, me mendimet e tyre dashamirëse, po sillnin pjesë nga toka e maleve mbuluar me borë, xhubletën e hershme dhe të lashtë në historinë e Europës, puset e ujit të ftohtë, që burojnë nga bjeshkët kreshnike, vallet e lashta sa vetë historia e Ilirëve në trojet autoktone, Shqipërinë, Kalabrinë, Kosovën, Malësinë e Dedë Gjon Lulit, simbolet e krenarisë nacionale, në veshjet popullore, në ambientet ku sërisht u bashkuan shqiptarët, me buqetën e këngëve, valleve, që hijeshojnë interpretimet e tyre veshur me kostumet e bukura popullore.
Së fundi, foklorin ynë në skenë, si thesar i madh për popullin e vogël, duke risaktësuar shkencërisht lashtësinë, unitetin dhe diversitetin e shpirtit të pasur arbëror. Këto perla, janë ngjizur në shtresa të hershme historiko-shoqërore, duke dëshmuar unitetin krijues artistik të kombit tonë, që i përshkon një fill fin atdhetarizmi.
Pak esencë nga mënyja e Festivali XXX-të Mbarë Shqiptar
BRONX NY: Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, mbajti Festivalin e 30-të Shqiptar, për dy net me radhë (5 dhe 6 nëntor 2022) në sallën e koncerteve në Qendrës Komunitare Illyria në Bronx NY.
Për tre dekada, Festivali është duke sjell këngëtarë, istrumentistë, këngë e valle folklorike nga Kosova, Shqipëria, e mbarë trojet shqiptare.
Dom Pjetër Popaj, në cilësinë e mikëpritësit dhe organizatorit të Fest XXX, në fjalën e hapjes, mbasi foli per figurën e monsinjor dr. Zef Oroshit, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve, duke shfaqur kënaqësin pjesmarrjen ndër vite për të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë, që kanë lindur këtu në Amerikë, dhe janë duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare.
Njëri prej tyre i pranishëm pothuajse në çdo festival dy dekadat e fundit skenografi dhe piktori Astrit Tota, i dhurojë në mënyrë simbolike në këtë jubile dedikuar monsinjor dr. Zef Oroshit, në praninë e udhëheqësve të Festivalit XXX-të Shqiptar, biografit dhe mikut më të afërt i mons. dr. Zef Oroshit, në Amerikë, z. Tomë Mrijaj, shkrimtar dhe publicist, një pikturë me protretin e figurës së lartë të mërguarit, të ndjerit monsinjor dr. Zef Oroshit, themeluesit të Lidhjes Katolike Shqiptare, dhe Kishës së Parë Katolike në të gjithë Amerikën, por edhe në mbarë botën jashtë territorit shqiptar, shkruan gazetari i komunitetit tonë Beqir Sina.
Fest i XXX Shqiptar në Bronx, New York, u hap me vallen “Vallja e pranverës”, interpretuar nga grupi i valleve “Rozafati”, me koreografe Angelina Nika – Mjeshtre e Madhe, dhe, u mbyll sërisht me “Vallja me motive të Tropojës”, interpretuar grupi i valleve Rozafati nga Qendra Kulturore Artistike “Nëna Tereze”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja Shkodrës”, Hartsdale, NY.
Gjatë dy netëve ku dominuan simbolet kombëtare dhe ngjyra kuq e zi, u interpretuan: “Vallja e zogjve”, interpreton Grupi Artistik “Barbana”, nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah Demiri, Kënga “Albulena”, këndon Besim Muriqi dhe u duatrokit papushim nga spektatorët shqiptaro-amerikanë, që kishin ardhur nga New York, New Jersey, etj. Me duatrokitje frenetike u mirëprit vallja e “E dua vendin tim”, të interpretuar nga Grupi i Valleve “Gjergj Kastrioti”, me koreografe Joli Paparisto.
Disa nga vallet e tjera të bukura popullore si: “Vallja e Malësisë”, “Vallja me motive të Jugut”, “Vallja e pranverës”, “Vallja me motive të Matit”, “Vallja e luleve” etj., u interpretuan nga Grupi i Valleve “Rozafati”, me koreografi nga Angjelina Nika, kurse “Vallja e Tropojës”, u interpretua nga Grupi Artistik “Barbana”, nën drejtimin e Nadia Hoxha e Hannah Demiri. “Shpresa nuk vdes kurrë”, ishte një moment teatral interesant, që u interpretua nga Grupi “Shpresa e Shqiptarëve”, kurse “Këndojmë për komb e për flamur”, kënduan Avni Hoxha & Tomë Gjergji, bashkë me grupin e rapsodëve të “Bashkimi Kombëtar”. Më pas kënga “E din“ u interpretua nga Mikeila Nonaj dhe “Lozonjare“ u këndua me dashuri nga Edmond Nikolla, “Rrjedh në kangë e ligjërime”, si suprizë u këndua Nora Ernesti.
Me duatrokitje të ngrohta u mirëprit “Vallja me motive të Malësisë”, interpretuar nga Grupi i Valleve “Nora e Kelmendit”, e përgatitur nga Sebastian Tinaj, me muzikë të Agron Pllumaj, kurse “Nanë Shqipni”, u këndua nga Maria Lajçaj. Më pas “Vallja dyshe Matjane”, u interpretua nga Aleks Zhgjuni dhe Gjergj Dedvukaj të Grupit “Bashkimi Kombëtar”. Me nivel atistik u interpretua sërisht kënga “Kush ta mori erën tande”, kënduar nga Lap Logu dhe “Djemtë e Malsisë”, u këndua nga Vida Kunora.
Shenim: Video në kanalin YouTube, është realizuar nga gazetari Beqir Sina