
Hysen S.Dizdari/
Me daten 19 Tetor 2025 në Komunën arbëreshe Ururi në rajonin e Molizes në Itali, u inagurue monumenti i ri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Presidenti i Republikës Z.Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në komunat arbëreshe të Rajonit Molizës në Itali, ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.(1) Në komunën arbëreshe Ururi(Ruri) Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj theksoi: “Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe vizionar e bashkues, pararendës i Shqipërisë evropiane, që ka mbetur përherë e lidhur me qytetërimin perëndimor. Sot, ai flet me ne përmes frymës së bashkimit dhe vetëdijes kombëtare që na la trashëgimi”.(1,3)
Komunën e Ururi është një vendbanim arbëresh, me rreth 3000 banorë, që ndodhet në Molizen e Ulët, në një kodër jo larg nga brigjet të detit Adriatikut.
Kjo Komunë (Uuri-Ruri) kufizohet në veri dhe në lindje nga Komuna e San Martino in Pensilis, në perëndim nga Komuna e Larinos dhe në jug nga Komuna e Montorio nei Frentanit dhe Komuna e Rotellos.
Me pushtimin e Arbërisë nga pushtuesit otoman,shqiptarët emigruan në Italia,sidomos pas vdekjes heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sidomos pas rënies së Kalasë së Krujës dhe kalasë Shkodres në duart e pushtuesve otoman, në prill të vitit 1479. Shtegtimi i arbëreshëve filloi nga viti 1460, për të vazhduar në vitet 1468, 1479, 1488 , 1500, 1583 dhe më vonë. Ndër familjet e para arbëreshe që u vendosën janë familjet: Pleshia, Muzaka, Peta, Likursi , Gllava, Syziu, Intrevado, Vasili , Koka, që edhe sot janë të pranishëm në këtë vendbanim.(5)
Arbëreshët e këtij venbanimi kanë ruajtur mrekullisht për mbi 550 vite, nga emigrimini tyre në Itali gjuhën ,kulturen ,letersinë gojore,veshjet dhe traditat e lashta shqiptare.(1.2,6)
Studjuesi i njohur i komunitetit arbrëshë në Itali Z.Fatmir Toçi, autor i dy librave kushtuar arbëreshve në Itali thekson:
“Arbëreshët, këta shqiptarë të Italisë kanë mundur të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.
Qëndresa e vetëdijshme dhe krenare e tyre i kanë bërë ata si një nga rastet unikale në botë e në të gjitha kohërat, që një sfond historik i një shoqërie të tërë në periudhën e Mesjetës të sillet e konservuar deri në ditët tona, si një relike dhe njëkohësisht si një pasuri e rrallë, jo vetëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore botërore.
Sot, në të gjithë Italinë, njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe apo shqiptarë të Italisë, siç njihen ndryshe. Nga këto 41 komuna dhe 9 fraksione (qendra të vogla banimi), të shpërndara në 7 qarqe (regioni) të Italisë së Jugut dhe ishujve në Jug rezultojnë që jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë.
Sipas censusit të vitit 1921 rezultonin mbi 82.000 arbëreshë, sipas atij të vitit 1997 rezultonte një popullsi shqiptare prej 197.000 banorësh, edhe pse në vitin 1998 Ministria e Brendshme e Italisë e ka përcaktuar minorancën shqiptare në Itali në 98.000 vetë.”(5)
Duhet të theksuar se në Itali në bazë të studimeve të autorit njohur Z,Fatmir Toçi mbi ngulimet arbërshe në Itali,janë më shumë se tridhjetë fshatra të lashta shqiptare që kanë humbur,identitetin e tyre kombëtarë në periudha të ndryshme historike dhe për arsye të ndryshme, sidomos mos përdorimin i gjuhës shqipe në shkolla, kështu ata kanë humbur trashëgimininë historike dhe kulturore shqiptare-arbëreshe.(2,3,6)
Prandaj sot është detyrë e rëndësishme e Ministrisë Arsimit dhe Ministrisë Kulturës e shtetit në Shqipëri dhe Kosovë, që ti japin rëndësin e duhur , studimit njohjes shkencorë dhe mbrojtjes e ruajtjes të gjuhës e traditave kulturore të komunitetit shqiptarë-arbëreshë që sot jeton në Itali dhe kudo nëpër botë.
Literatura:
1.www.presidenti.al
2.Fatmitr Toçi: Arbëreshët midis ralitetit dhe mitit ,Botimet “Toena”,Tiranë ,2022.
3.Fatmitr Toçi: Arbëreshët e Italisë ,Botimet “Toena”,Tiranë, 2024
4-www.topchanal .al
5-Fatmitr Toçi :www.ballkanweb.com ,datë,12 dhjetor 2016
6.www.infoarbresh.it
7.www.toena.al