
Flamur Vezaj
(Mashqip.com)/
“Mos harroni nga keni ardhur dhe punoni për çështjen kombëtare!” – me këtë mesazh që preku zemrat e të pranishmëve dhe me lot në sy, ish-kongresmeni amerikan me origjinë shqiptare Joseph DioGuardi iu drejtua komunitetit shqiptar në Boston gjatë një takimi të veçantë të zhvilluar në ambientet e Universitetit Harvard, në kuadër të aktiviteteve për nder të Pavarësisë së Kosovës.
Aktiviteti u organizua nga VATRA dega Boston në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, duke sjellë në një sallë studentë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit që përjetuan nga afër një nga momentet më emocionale të viteve të fundit.
Në rrëfimin e tij, DioGuardi kujtoi fillimet e vështira të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara dhe amanetin e të atit që e ka udhëhequr gjithë jetën: të ndihmojë shqiptarët sepse “është gjaku ynë”. Ai ndau kujtime nga rrugëtimi i tij politik, bashkëpunimet me kongresmenë ndër vite dhe veçanërisht vlerësoi mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin Tom Lantos, si një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të Kosovës në Kongresin Amerikan. Dëshmitë e tij historike përpara Kongresit për krimet e regjimit të Millosheviçit dhe nevojën për të ndihmuar popullin e Kosovës u ndërprenë disa herë nga duartrokitjet e gjata të sallës.
Po aq prekëse ishte fjala e Shirley DioGuardit, e cila kujtoi betejën e gjatë për ndërgjegjësimin e politikës amerikane mbi dhunën në Kosovë, lobimin për njohjen e UÇK-së si forcë çlirimtare dhe punën e pandalur deri në shpalljen e Pavarësisë.
Kryetari i Vatrës – dega Boston, Mentor Maksutaj, e cilësoi familjen DioGuardi si misionarë të çështjes shqiptare dhe ndër njerëzit më të rëndësishëm për lirinë që gëzon sot Kosova, ndërsa ndau edhe kujtime personale nga periudha e luftës dhe rrugëtimi drejt Amerikës.
Në emër të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit foli Faton Limani, i cili solli dëshmi nga jeta në Kosovën e viteve të regjimit serb dhe theksoi se familja DioGuardi meriton nderim të përjetshëm nga shqiptarët. Ai e mbylli fjalën me vargjet e Fan Nolit: “Mbaju nënë, mos ke frikë, se ke djemtë dhe vajzat në Amerikë.”
Në përmbyllje të aktivitetit, Faton Bislimi falënderoi organizatorët në emër të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ndau mirënjohje për Mentor Maksutajn dhe Faton Limanin. Ndërkohë, Vatra nderoi Joseph dhe Shirley DioGuardin me certifikata mirënjohjeje për kontributin historik për kombin shqiptar, ndërsa mirënjohje u ndanë edhe nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.
Fjalë të ngrohta mbajti edhe shkrimtari Namik Selmani, i cili zbuloi se në librin e tij të ardhshëm një vend të veçantë do ta ketë familja DioGuardi, duke e mbyllur aktiviteti me një poezi.
Ky nuk ishte vetëm një takim përkujtimor për Pavarësinë e Kosovës, por një moment frymëzimi dhe bashkimi për shqiptarët e Bostonit – një rikujtim se amaneti për kombin vazhdon dhe se brezat e rinj duhet ta mbajnë gjallë atë.