Faik KRASNIQI/Prishtine/
Kisha shumë gjëra për të thënë, por në këtë moment është heshtja që mbizotëron, heshtje e çuditshme, një heshtje që bërtet me gjithë shpirt.
Shpesh herë kam heshtur, ndoshta për mos të lënduar, ndoshta për mos t’u grindur, ndoshta s’e kam thënë me veten nuk ja vlen. Por, duke ruajtur heshtjen me ambientin jashtë vetes, hapa luftën brenda vetes. Mijëra zëra mendimesh rebeloheshin dhe bërtisnin. “Ti duhej të flisje të na lije deshifrimin, në komunikim, sepse në trurin tënd ne lindëm, tani zgjidh dhe merr, sepse ne nuk do të heshtim deri sa ti të reagosh dhe të na lirosh nga heshtja jote”. Kështu, nga ajo mori, zhurmë që nuk heshtë në trurin tim, mësova të mos heshtë…
Heshtja vetëm heshtë, tjetri nuk mund të kuptojë heshtjen tënde, formën dhe mesazhin e saj. Ndaj heshtja heshtë, nuk flet, dhe si rrjedhojë nuk mund të thuash që heshtja ka kuptim. Për mua nuk ka…
Heshtja mbi të gjitha është një ndrydhje e shpirtit brenda një trupi të ligështuar. Në disa raste shfrytëzim i një lirie mendimi të brendshëm në masa të kufizuara.
Dëshira për t’i mbijetuar ndërgjegjes së thellë në saje së cilës vetëm shpirti mund t’i përshkojë hallet, problemet e një monotonie të vazhdueshme, si rrjedhim i këshillojnë vetëdijes të qëndrojë brenda këtij kufiri të limituar. Një favor relativ që i bëjmë koshiencës sonë duke mos pasur guxim të përballemi me gjendjen e jashtme reale (pra heshtja), duhet pasur kujdes sepse në epërsi e sipër ai zhvillohet dhe kthehet në një makth – një makth i cili e çon njeriun në ndrydhje të plotë ku çdo gjë që i rrethon e bën atë skllavin e errësirës së thellë!
Nga brendia më pëshpëriti diç, heshtja nuk është zgjidhje, vetëm tejkalim i problemeve pa zgjidhje!
Të heshtur do të jemi vetëm atëherë kur të vdesim. Sa të jesh njeri i gjallë, në lëvizje, në kontakt me shoqëri e gjithçka tjetër që na rrethon, nuk kemi pse heshtim! Ne duhet të flasim në kohën e duhur dhe të mbrojmë interesat tona nëpër mes fjalës. Nuk jam dhe shumë dakord me thënien ‘’heshtja është flori’’, sepse në këto kohë që po jetojmë duhet të jesh shumë dinamik e më potencial. Aty ku është e drejta të flasësh nuk ke pse hesht jo.