
Arben Çejku/
Ky është artisti Muhamet Kërpaçi, një piktor i shquar dhe mjaft i dashur për mijëra shqiptarë dhe turistë të huaj, që e vizitojnë çdo ditë në studion e tij të vogël – një kthinë bazamentin në këndin e pallateve Agimi, aty ku kryqëzohet bulevardi “Bajram Curri” me rrugën “Ibrahim Rugova”. Në këtë kryqëzim emrash të personaliteteve të shquara kombëtare, midis Rugovës dhe Bajram Currit, merr kuptim simbolik edhe origjina kuksiane e vetë Muhametit, i cili me artin e tij ka bërë dhe po bën krenar këdo që e njeh! Kaloj shpesh në studion e piktorit të mrekullueshëm, veprat e të cilit janë prezent në çdo cep të botës, duke ndihmuar artin shqiptar të bëhet i njohur gjithnjë e më shumë!
Në këtë studio modeste, artisti i palodhur, është mikpritësi i mijëra turistëve, të cilët dëgjojnë me endje rrëfimet e tij të shtrira në sy kohë, në dy shekuj me sytë tek piktura e radhës. Ai është një dëshmitar i kohës që shkon dhe krijues i kohës që vjen!
Karikaturisti i dikurshëm, ka bërë një revolucion artistik brenda vetes, duke gjetur shtegun e ngjyrave të tij unike dhe kompozimin shprehës, i cili të befason edhe kur është në formën e peisazhit, portretit apo formave të tjera kubiste me të cilat autori shpeshherë provokon. Me kaçurrelat e bardha dhe portretin simpatik, shpesh herë më nxjerr mallin e piktorit të famshëm shqiptaro-francez, Omer Kaleshi, të cilin e kam takuar disa herë. E njëjta pastërti dhe dashamirësi në portretin e një fisniku malësor, e njëjta qetësi dhe mprehtësi fjale, i njëjti shikim depërtues tek objektet përreth dhe ngjyrat e freskëta në telajo dhe, secili në stilin e tij, ka gjetur vetveten! I ndjeri Kaleshi, dallohej për stilin e tij të veçantë në pikturimin e kokave, kurse Kërpaçi, ka gjetur veten tek një gurgullimë ngjyrash të freskëta e të forta, duke gërshetuar me kujdes ekspresionizmin me realizmin.
Si në një furkë, në telajon e tij, ai tjerr ngjyrat nga njëra pikturë tek tjetra, duke sjellë gjithnjë diçka të re, pa tejkaluar stilin e tij unik!
Nga duart e Kërpaçit kanë dalë me qindra e mijëra portrete të figurave historike dhe kombëtare të kombit shqiptar, të cilat janë shpërndarë në të gjithë botën.
Ambasadori i artit shqiptar, Muhamet Kërpaçi, është një nga artistët bashkëkohor më të njohur në botë, por modestia e tij dhe neglizhenca tradicionale e institucioneve të kulturës, e kanë lënë në hije vlerën e krijimtarisë së tij. Për fat të keq, ne kemi traditën e një vlerësimi “post-mortum” për krijuesit dhe artistët, por së paku në rastin e Kërpaçit atë e mbajnë gjallë mijëra mesazhet, që i vijnë nga ata që kanë blerë veprat e tij dhe u gëzohen nga aty ku i kanë ekspozuar!
Personalisht, sa herë më jepet mundësia ndalem dhe shkëmbej dy fjalë me këtë artist të jashtëzakonshëm, i cili më nderon duke ma lënë penelin që edhe unë të guxoj të lë një gjurmë të vogël në veprat e tij, siç ndodhi me këtë autoportret të tij. Uroj që një ditë Kukësi, por edhe Tirana dhe të gjithë ne që e njohim, ta nderojmë artistin tonë, i cili merr fuqi nga çdo fjalë e mirë që i thuhet dhe nga cdo mik të ri që takon.
Muhamet Kërpaçi nuk është aty për të bërë karrierë dhe as për t’u bërë i famshëm, por duket sikur na ka zënë pritë si një dëshmitarë i kohës që iku, i kohës që jetojme dhe asaj që projektojmë për nesër! Me shikimin e tij të çiltër dhe depërtues, sa herë flet, na merr në provim ndërgjegjen tonë, sinqeritetin tonë dhe mbajtjen e fjalës së dhënë!..
Si një artdashës dhe mik i piktorit, mendoj se qasja ndaj tij dhe artit të tij të veçantë, na fton për një reflektim qytetar, institucional dhe kombëtar, në drejtim të vlerësimit dhe promovimit të veprës unike të këtij artisti të madh, i cili ka në karrierën e tij dhjetra ekspozita brenda e jashtë vendit. Jo vetëm mesuesit e shkollave, por edhe artistët si Muhamet Kërpaçi, e meritojnë sot urimin e përzemërt: Gëzuar 7 Marsin Maestro!