


Fatjona Matraku pianiste dhe profesoreshë e pianos në shkolla të muzikës në Paris prej 12 vjetësh, në një rrëfim për gazetën Dielli të Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpalos për publikun e gjërë historinë spektakolare të krijimit të reportazheve mbarëkombëtare “Music Through Us” ku promovon muzikën, historinë, kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Fatjona Matraku analizon me detaje nevojën për promovim ndërkombëtar të kulturës e muzikës shqiptare, kursin e pianos për fëmijët shqiptarë në diasporë dhe përpjekjen e vazhdueshme për promovim të talenteve e vlerave tona më të mira kudo në botë.
“MUSIC THROUGH US” DHE VLERAT ARTISTIKE, KULTURORE, HISTORIKE, GJEOPOLITIKE TË SHQIPËRISË
Gjatë karantinimit mu desh të përballesha me shumë sfida. Një ndër to ishte izolimi. Për ta luftuar atë, vendosa të krijoja një projekt që nuk më përfshinte mua personalisht, por të ishte diçka më e gjërë dhe e rëndësishme. Identiteti kombëtar është për mua thelbi i ekzistencës. Kështu nisa një rrugëtim disa mujorsh në një apartament të vogël në Paris dhe e quajta Music Through Us (Albania). Muzika Përmes Nesh është një seri reportazhesh ku paraqiten vlera të padiskutueshme artistike, kulturore, historike, gjeopolitike të Shqipërisë. Shqipëria, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Çamëria, Arbëria, zbulohen hap pas hapi nëpërmjet një bisede duke u shoqëruar me imazhe, harta, dokumenta, arkiva të kohës…Për të kuptuar si është ngjizur muzika e një vendi, duhet të shohësh përtej e të kuptosh si është “i gatuar” ai vend. Kjo qasje mu duk mënyra me e mirë për të paraqitur një Shqipëri ndryshe në sytë e ndërkombëtarëve. Disa nga linqet për të ndjekur reportazhet: https://youtu.be/ee9aWyvMcU0, https://youtu.be/2h4jkR6_X0M, https://youtu.be/sAH2nbK2DpQ, https://youtu.be/FAx9OqoM60I, https://youtu.be/4zsMf7k7yAI, https://youtu.be/UWroX1s8hTc
MUZIKË DHE HISTORI, NJË RRËFIM NGA IKONAT SHQIPTARE
Kur miq ndërkombëtarë panë reportazhet e Music Through Us, u mahnitën nga aftësitë komunikuese, nga njohuritë dhe paraqitjen dinjitoze të secilit prej të ftuarve. Pëllumb Vorpsi si një kompozitor dhe ambasador i një familjeje të mirënjohur Tiranase, shtjellon historinë e qytetit dhe të muzikës shqiptare. Sami Flamuri, një shkrimtar dhe studjues i mirënjohur që të zgjon dëshirën për të njohur Malin e zi më nga afër. Vehbi Bexheti, studjues, albanolog, ish i burgosur politik, që përshkruan më së miri kalvarin e shqipëtarëve në Maqedoninë e Veriut. Fisnik Ismaili që prek me dëshminë e tij mbi betejën e Koshares. Silvana Licursi që përcjell kulturën arbëreshe përtej detit dhe surprizon me njohuritë e saj. Akademik Beqir Meta që tregon historinë e Çamërisë si askush tjetër. Të gjithë këta personalitete janë ambasodorët më të mirë për vendin. Janë ata që i japin vendit tonë vlera dhe na dhurojnë krenari.
DIPLOMACIA E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË TË PROMOVOJË ARTIN SHQIPTAR
Patjetër që Shqipërisë nuk i mungon aftësia diplomatike, por besoj fort që mungon dëshira për të punuar përtej përfitimeve. Shqipëria dhe Kosova janë të papërfillshme kur vjen puna në shpalosjen e artit në botë. Ambasadat nuk luajnë rol nxitës për zhvillim. Kjo është një arsye përse ne, Shqiptarët e diasporës jemi të detyruar të bëjmë sa mundemi personalisht për sa i përket paraqitjes denjësisht të kombit sepse shpesh jemi vetëm ndërkohë që shtete të tjera bëjnë të pamundurën që të sjellin historitë e tyre nëpërmjet artit. Nuk duhet lënë pa përmendur që lahuta vazhdon e njihet si një instrument serb në UNESCO. Dua të cek 2 ngjarje që më bënë të ndihesha mjaft e revoltuar: 1- Naissance De La Grèce Moderne 1675 ‐ 1919 (Lindja e Greqisë Moderne)
Nje ekspozite në muzeun e Louvrit që u ndoq nga miliona Framcez dhe njerëz nga e mbarë bota ku shfaqeshin në më të shumten e rasteve elemente arvanitase dhe çame. Të gjitha këto u paraqitën si greke, që nga veshja e Kryeziut, deri te pikturat për Marko Boçarin. 2-TRADITIONS D’ÉPIRE (traditat e epirit) Një koncert në sallën më prestigjioze Pariziene (Philarmonie de Paris) që u prezantua si një muzikë greke e lashtë. Është tepër e vështirë për një çame, që në mes të Parisit, të dëgjojë nga studjues të shquar që kjo muzikë na qënka greke. Është tepër e vështirë për mua që asnjë institucion shqiptar nuk tha asgjë për këto dy nisma. Kjo ka qënë një shuplakë që na ka dhënë shteti grek mbi kulturën tonë.
SHOQËRIA SHQIPTARE KULTURALISHT NË TRANZICION
Shoqëria shqiptare është në një udhëkryq të madh. Me dëshirën për ti ngjarë perëndimit, do të fshijë e shfarosi gjithshka ka ndërtuar apo trashëguar. Vrulli i modernizmit i ka marë përpara duke mos kuptuar që ky është një gabim fatal identitar!
Kudo që të shkosh, kushdo të duash të bëhesh, nuk mundesh kurrsesi ta arrish pa ditur nga vjen e pa i mbajtur ato vlera që të kanë bërë kush je. Këtë mund ta shohim mjaft qartë te shkatërrimi i arkitekturës. Tiranës ju shkatërrua Teatri Kombëtar. Janë shtuar vinça nëpër qytet sikur të ishin kërpudha. Nuk ka parqe për fëmijë… Dëshira për ta përqafuar ç’do të keqe për bukën e gojës është vrasje më vete. Në muzikë, rinia shqiptare përqas TurboFolkun. Jam e bindur që ata që e dëgjojnë këtë muzikë nuk e dinë që kjo rrymë ka nisur nga Ceca, gruaja e një gjakatari që ka bërë krimet më të mëdha të luftës në Kosovë. Për të mos folur për Bregoviç që ka qënë një mbështetës lufte dhe sot ka çelësin e Tiranës…Ky është për mua gjenocidi më i madh që po na bëhet si komb! Shfarosja kulturore! Prandaj, e vetmja mënyrë që ti bëjmë ballë kësaj lufte të padukshme është edukimi. Mësimi i gjuhës te shqiptarët e Diasporës, përçuarja e traditave pa komplekse inferioriteti dhe përqafimi i asaj ç’ka jemi në të vërtetë janë disa nga pikat më kyçe që shoqëria duhet të bazohet për zhvillim.
KURSI I PIANOS PËR FËMIJËT E DIASPORËS, MËSOJMË SHQIP E KËNDOJNË SHQIP
Një mënyrë e mrekullueshme për zhvillim personal është të marrurit me muzikë. Të luajturit një instrument të zhvillon jo vetëm nga ana mendore, qoftë kjo memorja, kapaciteti për të trajtuar probleme, aftësia e përqëndrimit, etj, por më së shumti zhvillon inteligjencën emocionale. Ajo çbën komplekset dhe çliron mga frikëra të ndryshme të brëndshme. Prandaj është e këshillushme që fëmijët edhe të rriturit të dinë të luajnë të paktën një instrument muzikor. Janë të ftuar shqiptarët e Diasporës që të kryejnë mësime online piano nëpërmjet SOLFAM akademi, si një nismë për të mos harruar gjuhën por edhe për të mësuar instrumentin e bukur të pianos.
KUSH ËSHTË FATJONA MATRAKU?
Fatjona Matraku pianiste dhe mësuese pianoje. Profesoreshë në shkolla të muzikës në Paris që prej 12 vjetësh, ka themeluar SOLFAM, Akademi Pianoje në linjë dhe paralelisht ajo është Producente dhe Moderatore e reportazheve mbarëkombëtare “Music Through Us”. Fatjona, e konsideruar si një fëmijë “prodige” filloi të luante në piano në moshën gjashtë vjeçare. Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme në identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, hartimin e strategjive në mësimdhënie dhe shoqërimin e studentëve drejt suksesit në shkolla muzikore multikulturore. Fatjona Matraku është gjithashtu një poliglote me një përvojë solide në ndërtimin e marrëdhënieve dhe menaxhimin e projekteve nga konceptimi deri në përfundim. Aktualisht ajo ndan kohën e saj midis Ballkanit dhe Francës.