Dr. Iris Halili/
Viti 1983. Komunizmi ishte në kulmin e tij. Varfëria ishte po e tillë. Unë isha në klasën e gjashtë të 8 – vjeçares. Dajën e kishin çuar në burgun e Qafë – Barrit që ishte një skëterrë në rrëzë të humnerës. Gjyshja ( të cilën ne e kemi thirrur gjithmonë nëna ) vazhdonte lutjet që komunizmi të rrëzohej. Por ja që stinët i linin vendin njëra – tjetrës dhe asgjë nuk ndryshonte në jetët tona. Ajo shpesh kujtonte të atin që për sa ishte gjallë mundohej ti jepte gajret duke i thënë: “Duro Gano, sa te bien gjethet pa do bien edhe këta. Stinët ndërronin, gjethet binin dhe nëna i kthehej të jatit: “Ja mor baba edhe gjethet ranë dhe këta prape janë në pushtet”. “Ej moj bij , prit sa të dalin gjethet”. Kështu ranë dhe dolën kaq shumë gjethe, prindërit e nënës u plakën dhe ndërruan jetë, po kështu po plakej dhe vetë ajo ndërkohë të tjera gjethe binin dhe dilnin sërisht, por komunizmi shqiptar qëndronte stoik duke mbjellë terrorin që ujitej nga lufta e klasave, këtij eksperimenti të pashoq shoqëror që kultivoj vëllavrasjen. Burgjet populloheshin gjithmonë e më shumë me viktima të pafajshme dhe tashmë rradha u kishte ardhur fëmijve dhe nipërve të armiqeve të popullit pasi lufta e klasave duhej shtrirë kurdohere dhe pa mëshirë. Kampet e internimit ishin kthyer në varreza njerzish të gjallë që vuanin pa ditur psenë. Banorët e tyre ishin nga të gjitha moshat, nga më të vjetrit deri tek bebet që lindeshin, rriteshin dhe martoheshin në rrethim pa guxuar as të pyesnin “përse?”.
Si çdo pushtet që arrin të shfrytëzojë pikërisht ato karaktere njerzore që i shërbejnë më mirë qëllimit të tij, komunizmi u mbështet tek shpirtrat e ligj dhe individët sociopat që në emër të idealit të partisë nuk kursenin ti shkatërronin jetën kujtëdo që urrenin apo xhelozonin. Këta lloj ushtarësh të partisë komuniste shqiptare nuk bënin gjë tjeter vetëm se kopjonin modelin e kryeudhëheqësit të tyre.
Sindroma e kompleksit të inferioritetit apo xhelozisë djaloshare që mori kaq jetë njerzish të pafajshëm përbën një tjetër analizë të Enver Hoxhës, udhëheqësit sociopat që drejtoi me dorë të egër vendin tonë. (Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), sociopatia është një model i sjelljes dhe një gjendje komplekse e shëndetit mendor që karakterizohet nga një model i vazhdueshëm i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Karakteristikat kryesore janë mungesa e empatisë, mashtrimi, impulsiviteti, irritueshmëria, agresiviteti dhe një prirje për të manipuluar ose shfrytëzuar të tjerët për përfitime personale. Ata mund të mos ndiejnë keqardhje për veprimet e tyre, edhe kur këto veprime dëmtojnë të tjerët, dhe mund të përsërisin sjellje që kanë pasoja negative pa mësuar nga përvojat e mëparshme).
Padyshim figura më ikonike që u viktimizua prej tij mbetet vajza e mënçur shqiptare, shkrimtarja e parë, politikania e parë, sociademokratia e parë, e emancipuara e parë, disidentja e parë grua Musine Kokalari.
Unë pata dëgjuar për Musinenë shumë vite më parpara se emri i saj të njihej nga brezat e fillim viteve 90-të. Musineja ishte mikja më e ngushtë e gjyshes sime në kohën e rinisë, të dyja lindur në 1917-tën dhe mbaruar Shkollën e Nënës Mbretëreshë në 1937-të. Më parë të dyja kishin studiuar në shkollën e Dakos ku mësimin e kishin marrë nga vetë Motrat Qiriazi. Në ato vite rinore ishin deklaruar si motra gjaku. (Ky është një zakon i lashtë dhe i veçantë që ka ekzistuar në traditën shqiptare dhe jo vetëm. I njohur ndonjëherë si “ritual i gjakut” ose “vëllazërim me gjak”. Dy ose më shumë individë ndanin gjak duke përdorur një mjet të mprehtë për të shkaktuar një lëndim të vogël, dhe më pas e shkrinin gjakun e tyre së bashku. Rituali kishte për qëllim të krijonte një lidhje të të pandashme midis individëve, që shpesh konsideroheshin si vëllezër ose motra, edhe pse nuk ishin në të vërtetë të lidhur biologjikisht).
Gjyshja më rrëfënte se Musineja ishte shumë e shkathët, gati si djalë çamarok. Të dyjave u pëlqente të intepretonin dramat që luheshin në shkollë. “Ishte në fakt teatri që na lidhi më shumë. “Musineja ishte e apasionuar pas leximit dhe bashkë diskutonim për librat dhe shkrimtarët e preferuar. Atë më shumë se çdo gjë e tërhiqte letërsia, ndërsa mua kimia. Shkruante me shumë pasion dhe ëndrra rinore ishte të bëhej shkrimtare”. Librin ‘Siç më thotë nënua plakë’, ma pati dhënë me dedikim dhe kur hetusia më zbarkoi në shtëpi ditën e arrestimit të djalit, çfare nuk më punuan kur e gjetën në biblotekë . Filluan të ulërisnin dhe kërcenonin: “Pale ke edhe librin e të deklasuarës, armikes së popullit; Do të të çojmë dhe ty atje ku është ajo”. Rrëmbyen të gjithë koleksionin e librave përfshirë edhe botimin e parë të “Qerbelasë” që Naim Frashëri ja kishte dhuruar stërgjyshes tuaj Sabrete Vila Fratari të cilën poeti i kombit e kishte mbesë”. Nëna më pas më rrëfente se me Musinenë flisnin për çdo gjë, bile ajo edhe i pat rrëfyer si Enver Hoxha i pati propozuar për martesë . ‘Ai, budallai më ka propozuar, martesë, pale e kam edhe kushëri moj Gano’. Musineja nuk kishte pikën e respektit per Enver Hoxhen dhe në një farë mënyre ja kishte shprehur edhe atij. Seç i kishte gjetur edhe një nofkë alla gjirokastritshe, por që tani me gjithë shtrydhjen e kujtesës nuk më vjen ndër mënd”.
Sipas arësyetimit të nënës, “Enveri ishte i djallëzuar dhe nuk duhej nënvleftësuar pasi kishte “aftësine e të pa- aftëve”, që është aftësia e njerzve pa inteligjencë të spikatur, si dhe pa talent apo intelektualitet. Kështu ata perfeksionojnë djallëzine dhe ligësinë dhe falë këtyre janë në gjëndje të plotësojnë ambicjen që nuk u njeh kufi”.
Ndryshe nga shumë vajza të tjera të shkollës Nëna Mbretëreshë, nëna dhe Musineja nuk ishin përfshirë në lëvizjen komuniste. “ Musinenë në fakt e tërhiqte politika, megjithëse ishte shumë e drejtë për të qënë pjesë e saj pasi ishte një vajzë parimore dhe atdhetare. U kthye në Shqiperi me shpresën se komunistët do ta njihnin pluralizmin dhe lirinë e fjalës, sikur u patën premtuar popullit gjatë luftës. Por idealizmi dhe guximi i saj u tapos burgjeve dhe internimeve”.
Me instalimin e diktaturës komuniste fati i Musinesë dhe i gjyshes sonë morri tatëpjetën, njëra se kishte dalë kundër sistemit dhe tjetra se kishte patur bashkëshortin kundër sistemit. Njëra u damkos armike e popullit dhe tjetra bashkëshortja dhe më pas nëna e armikut të popullit. Jetët e tyre ishin kështu të “dënuara” nëpër Shqipëri dhe asnjëra nuk e kishte takuar më tjetrën deri kur një ditë dimri të vitit 1983 teta Ermioni, komshija jonë e dashur me orrigjinë nga Gjirokastra ( djali i të cilës punonte infermier në spitalin e burgut) vjen në mëngjes më heret se zakonisht dhe jep lajmin se Musineja po lëngon nga kanceri dhe e kanë sjellë urgjentisht në spitalin e burgut. Po atë pasdite nëna vendosi të vizitonte miken e vjetër -motër për të cilën kishte shume mall dhe dashuri. Ne të tjerët prisnim me ankth kthimin e saj dhe mbaj mend sapo hyri në korridorin e apartamentit pa hequr mirë këpucët u vesh në lot, të cilat i kishte mbajtur gjatë gjithe rrugës për të mos u dalluar nga kalimtarët. Ajo qante dhe tregonte në të njëjtën kohë: “E takova Musinenë dhe nuk e njoha, ishte transformuar e gjitha. Nuk donte që ta zgjaste takimin me mua. ‘Gano pse ke ardhur moj motër, ik sa më parë mos të të shikojnë këtu me mua, boll ke hallet e tua , edhe unë të duhem. Ik të keqen mos të të shohin’. I çova ca portokalle, por as ato nuk donte ti merrte. ‘Nuk i ha dot Gano, dhe këtu nuk do mi lënë ti fus në gojë. Merri mbrapsh dhe çoja mbesave’. Më pyeti për të gjithë. Kujtesen e kishte shumë mirë por vete ishte firasur e tëra. Nga Musineja që pata njohur kishte mbetur vetëm zëri vibroz që akoma përcillte shpirtin virtuoz. Kur i thashë “ Si na iku jeta jonë kështu moj Musine e dashur” ajo ma ktheu : ‘Eh moj Gano, por të paktën ti ke dy fëmijë, pa më shih pak mua….’ Kështu me zemër të plasur u ndamë dhe po e ndjeja që ajo më ndiqte me sy. Me ata sytë që nga të bukur, të mëdhenj dhe ngjyrë kafe ishin kthyer në të vegjël dhe kishin marrë një nuancë si të verdhë”.
Teta Ermioni të nesërmën na tregonte që në spitalin e burgut urdhri për Musinenë ishte që të trajtohej fare minimalisht dhe të kthehej sa më shpejt nga kishte ardhur. Per shumë kohë më vonë nëna na fliste pothuaj çdo ditë për Musinenë. Kur e mësoi vdekjen e saj u trondit edhe më shumë, por në ato kohra lajmet që vinin për njerzit e dashur ishin gjithmonë dhe më të renda, kështu që stinët, bashkë me gjethet që binin dhe dilnin sërisht, sillnin vetëm shtimin e lotëve të nënës që sikur gjithmonë na thonte: “Nuk po më thahen kurrë ”.
Shumë vite më vonë një mikja ime, juriste e njohur me origjinë nga Rubiku, më rrëfente që ndonëse ishte fare e re në moshë i kujtohej shumë mirë gruaja fisnike Musine Kokalari që fshinte rrugët e qytetit. “Njerzit kishin frikë ti flisnin. Por edhe ajo nuk shoqërohej me askënd. Një zymti më vëte ishte varrimi i saj. Vetëm shoferi i komunales dhe tre a katër ‘të tjerë të deklasuar’ që jetonin po në Rubik e shoqëruan në banesën e fundit që në fakt për Musinenë nuk kishe shumë ndryshim nga “banesat” ku ajo kishte jetuar prej mëse 40 vitesh skëterre. Banorët e provincës veriore ndiqnin këtë “kortezh” tragjik pas dritareve apo dyerve të hapura aq sa për të vendosur njërin sy; Kaq mjaftonte për ti dhënë një vështrim të fundit asaj zonje që me stoicizmin e saj në fakt kishte fituar respektin e heshtur në të gjithë zonën”.
Enveri apo “aventurieri”, sikurse e quante Musineja, nuk zgjodhi ta vrasë, pasi si sociopat që ishte ai ndjente më shumë kënaqësi kur shihte si ajo vuante çdo ditë e më tepër. Qëllimi i tij ishte ta poshtërronte dhe denigronte Musinenë, por këtë nuk e arriti dot pasi ajo nuk u përkul kurrë, por i qëndroi deri në fund bindjeve të saj nacionaliste, antikomuniste dhe pluraliste duke mbetur kështu femra opozitare më fuqishme në politikën dhe demokracinë shqiptare.
Dhe pyetja që të vjen natyrshëm në këto raste është: Ku jane sot “musinetë”? Fakti që nuk marrim dot përgjigje e bën edhe më të madhërishme figurën e saj, por edhe lëndon më shumë fatin tonë si shoqëri shqiptare që fatkeqësisht asnjëherë nuk kemi ditur të zgjedhim njerzit e duhur në kohën e duhur!