Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të martën do të diskutojë me komisionerin e BE-së për çështje të brendshme dhe migracion,Dimitris Avramopoulos, çështjen e ‘pezullimit të përkohshëm të kushtit për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave për Kosovën’.
Në Komisionin Evropian, njofton bashkëpunëtori i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thonë se takimi me kryeministrin Mustafa është një rast i mirë ‘për të analizuar gjendjen momentale në procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës’.
Ata thonë se Kosova ka bërë përparim të madh në këtë proces dhe kanë vlerësuar ‘përpjekjet e saj për të përmbushur edhe dy kushtet e tjera, përfshirë kushtin e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi’.
Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë thënë se ‘marrëveshja e Demarkacionit duhet të përmbyllet sa më parë në mënyrë që KE të mund të japë dritën jeshile për liberalizim vizash edhe me Kosovën’.
Por, ata nuk kanë pranuar që të japin një përgjigje rreth pranueshmërisë së idesë së kryeministrit Mustafa.
Marrëveshja për damarkimin e vijës kufitare ndërmjet Prishtinës e Podgoricës u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Mali i Zi e ratifikoi në Kuvendin e tij, duke i hapur rrugën vendit drejt anëtarësimit në NATO.
Por, ajo ngjalli reagime të fuqishme të opozitës në Kosovë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të parandaluar miratimin e saj në Kuvend.
Një projektligj në Kuvend u tërhoq nga Qeveria, vitin e kaluar, e cila pohoi se do ta rikthejë ‘në kohën kur të ketë arritur numrin e mjaftueshëm të votave’.
Partnerët në koalicionin qeverisës thanë se janë pajtuar që brenda ditësh ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, pas bisedave me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee.
Por, opozita ka këmbëngulur sërish se marrëveshja do të kundërshtohet meqë, sipas saj, ‘Kosova me demarkacion humbet mbi 8 mijë hektarë tokë të saj’.
Propozimi i kryeministrit Mustafa, për pezullim të përkohshëm të kushtit të demarkacionit ndërkaq është diskutuar të martën me deputetët e Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.
Kryeministri Mustafa gjatë ditës do të takojë edhe Joseph Daul kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, pjesë e së cilës, në cilësinë e vëzhguesit është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.