Një grup vizitorësh nga Kosova ishin mysafirë në Shtëpinë e Vatrës, të premten me 19 prill 2013. Departamenti i Shtetit, që i kishte ftuar për marrje përvoje në luftën kundër korrupsionit, në axhendën e vizitave kishte përcaktuar edhe një vizitë në Vatër, si për shumë nga grupete vizitorëve që vijnë nga trojet amtare në SHBA.
Grupi i mysafirëve përbëhej nga Major Emin Beqiri, Skënder Haziri, Dardan Nuhiu dhe Rahim Rama. Grupi shoqërohej nga z. Agron Alibali.
Mysafirët u pritën në Vatër nga kryetari i saj dr. Gjon Buçaj, zv/kryetari Agim Rexhaj, anëtari i këshillit Zef Balaj dhe editori Dalip Greca.
Dr. Gjon Buçaj u uroi mirësardhjen mysafirëve dhe i njohu ata me veprimtarinë dhe historikun e Vatrës. Ai u ndal edhe në qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në hapësirat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Çamëri.
Më pas dr. Buçaj u prezantoi mysafirëve edhe përgatitjet që po bën Vatra për Kuvendin e saj, që do të mblidhet me 27 prill.
Në emër të mysafirëve përshëndeti z. Rahim Rama. Ai informoi se ata kishin mësuar shumë nag viziat në ShBA, duke fituar përvojë konkrete në luftën kundër korrupsionit. Ata vinin në Vatër nga shteti i Arizonës dhe se kishin vizituar shumë shtete, por nuk mund të rrinin pa ardhur në Vatër.
Mysafirët i përshëndeti edhe zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj.
Më pas editori i Diellit, Dalip Greca, i shoqëroi në bibliotekën e Vatrës dhe në arkivin e saj, duke u përshkuar shkurtimisht përmes dokumentave, eksponateve dhe fotove, rrugën 101 vjeçare të Vatrës.