


– Prof. Dr. Luljeta ISAKU e Universitetit të Tetovës i dhuroi Bibliotekës së Vatrës kolanën prej 12 librash të shkrimtarit të njohur tetovar Murat Isaku./
Dy intelektualë të njohur nga Tetova, Prof.Dr. Luljeta Isaku, ligjëruse shumëvjeçare në Universitetin e Tetovës së bashku me Prof. Dr. Qerim Kamberi, vizituan Vatrën në mbrëmjen e së Mërkurës, 5 Qershor 2019. Ata u pritën nga sekretarja e Vatrës Nazo Veliu, anëtari i kryesisë së Vatrës , njëkohësisht kryetar i degës së Vatrës në Queens, Dr. Skënder Murtezani me bashkëshorten Linda. Në takim ishet dhe anëtari i kryesisë së degës së Vatrës së Queensit Veiz Belliu. Sekretarja e Vatrës u uroi mirëseardhjen në Vatër mysafirëve dhe u prezantoi veprimtaritë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA.
Dr. Skënder Murtezani informoi rreth veprimtaritë të degës së Vatrës së Queensit, lidhjet me komunitetit, bashkëpunimin e ngushtë me studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet amerikane dhe përfshirjen e tyre në veprimtaritë të karkaterit kombëtar dhe kulturor të degës së Vatrës.
Editori i Diellit, Dalip Greca, përcolli një historik të shkurtër të Vatrës dhe informoi për festimet e 110 vjetorit të Gazetës DIELLI.
Prof. Dr. Luljeta Isaku dhe Prof. Dr. Qerim Kamberi falenderuan për mikpritjen në Vatër.
-E kam passë ëndërr një vizitë në Vatër, tha zonja Isaku. Jam e dashuruar me veprën dhe figurën kombëtare të Fan S. Nolit, prandaj mezi e prita këtë takim. Shkuam edhe në Boston, ku bëmë homazhe tek varri i Imzot Nolit, tha ajo.
Më pas profesorja e Letërsisë, u interesua se përse eshtrat e Nolit nuk i dërgohen për tu prehur në Shqipëri, atje ku po prehet miku i tij, bashkëthemelusi i Vatrës Faik Konica.
Dr. Skënder Murtezani shfaqi pikpamjen e tij dhe degës që drejton, duke shpresuar se një ditë Noli do të shkoi në Shqipërinë, që e deshi fort dhe i kushtoi jetën e tij.
Prof. Dr. Luljeta Isaku vizitoi bibliotekën e Vatrës dhe i dhuroi editorit kolanën e veprës së plotë të babait të saj, shkrimtarit të njohur, Murat Isaku.
Shkrimtari Murat Isaku, u lindi në Gajre të Tetovës më 1928 dhe ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005. Sipas jetshkrimit, ai Mësoi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren etj
Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës dhe më tej u emërua zv. drejtor i kësajë shkolle. Një pjesë e veprimtarisë së tij përfshinë punë disavjeçare si redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe, ku dhe doli në pension.
Shkrimtari i njohur Murat Isaku shkroi për dashurinë dhe për qëndresën; ai përcolli mesazhe jetësore, dhe kishte moto të krijimtarisë: Letërsia ruan dhe i shërben identitetit kombëtar, kulturor e gjuhësor. Në veprën e tij, që tash e kemi të plotë në bibliotekën e Vatrës, trajtohet tema e qëndresës, e burgut, ku të burgosurit politikë shqiptarë dënoheshin pa faj me akuza të fabrikuara, tema e dashurisë etj. Një vend të rëndësishëm në kolanën e veprës së tij i kushtohet tokës, vendlindjes dhe familjes..
Siç kanë shkruar studiuesit, Murat Isaku “krijoi një kështjellë monumentale artistike, të ëndërrt e flatërore, duke përdorur shajni e makthe, hije e delire, dhembje dhe zhgënjime, tragjikë e groteskë. Murat Isaku krijoi një vepër të thellë e shumëdimensionale.”
Ai u vlerësua për talentin dhe shpirtin e veçantë poetik. Njihet si romancier me stil të veçantë dhe është kurdoherë poet edhe kur shkruan romae. Pra lëvroi prozë poetike. Shkrimtari Murat Isaku, nuk e braktisi asnjëherë poezinë.
Prof. Dr. Luljeta Isaku, bëri këtë shënim shoqërues në librat që dhuroi: VATRËS, në shenjë të mirënjohjes për kontributin e çmuar që i ka dhënë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si dhe për zhvillimin e mendimit politik shqiptar.
Ia dhuroj Bibliotekës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA kompletin e veprave të babait tim, shkrimtarit Murat Isaku.
Kolana e veprës së shkrimtarit Murat Isaku, që iu dhurua bibliotekës së Vatrës përbëhet nga:
1- Vepra e Parë: POEZI-2- PLAGËT-Roman 3- RRENGU-Roman 4-Rreckajt-Roman 5-ETJE-Roman 6-DAMKAT-Roman 7-FATPRERËT-Roman 8-BANESA NË KATIN E TRETË-Roman 9-SHTJELLA-Roman 10-SHESHTINA-Roman 11-GËRSHETAT-Roman 12- DOLLA E FUNDIT- Ku përmblidhet një studim rreth veprës së shkrimtarit Murat Isaku, shkruar nga Prof. Dr. Xhevat Gega, ndërsa 140 faqe e tjera të këtij libri janë me poezi, që përfshihen në ciklin “Njeriu pa biografi”. Vepra e plotë është përgatitë për botim nga Ali Aliu dhe Xhevat Gega.
PS: Per me shume foto shkoni ne Facebook
(D G- Gazeta DIELLI)