NGA PELLUMB LAMAJ/
Është ora pesë pasdite dhe pasi kemi arrdhur nga galeritë e kemi ngrënë atë pak supë,si gjithë të burgosurit e tjerë, i lodhur jam shtrirë edhe unë në dyshekun e kashtës në katin e dytë dhe me sytë drejt dërrasave të katit të tretë që shërbejnë edhe si tavane për ne të katit të dytë, mundohem tu jap rrugë e ti arratis mendimet dhe mallin për familjen, kur dëgjohet zeri i tellallit të burgut që thërret emrin tim për takim me familjen.
Ngrihem menjëherë nga dysheku e përpak përplas kokën në dërrasa.Emocione të shumta më pushtojnë papritur.Është takimi i parë me familjen pas gjithë atyre muajve në qeli.
Bashkëvuajtësi pranë meje më thotë me zë dashamirës;
Ishallah është Nëna !.Sytë më mbushen me lot dhe një lëmsh më mblidhet në fyt.
Qëndro i fortë- më thotë sërish bashkëvuajtësi- duke më rrahur supet – jepi kurajo Nënës e mos ua bëj qejfin hjenave të kuq e unë veç tund kokën pa nxjerrë asnjë fjalë.
E prisja me ditë këtë takim e tani që isha veç pak çaste e hapa larg ,mezi tërhiqja këmbët duke ngjitur shkallët e ashtu mbërthyer nga emocionet, u nisa drejtë portës së madhe prej hekuri që shërbente edhe si postbllok ,edhe si vend takimi me familjet me vështrimin e etur për të dalluar cili pjestar i familjes kishte arrdhur.Në hetuesi kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini dhe nënkryetari Meramet Hila me kishin thënë se ju jeni një strofkë ujqërish si familje,armiq të betuar të partisë dhe popullit dhe tani do t’ju kalbim të gjithëve në burg dhe kjo më kishte munduar më shumë se gjithë torturat gjatë kohës që isha në qeli.Mos ndoshta dikush tjetër nga familja ishte bërë kurban ? Në horizont dallova siluetën e një gruaje veshur me të zeza me dy trasta në duar që vinte drejt portës.Kur u afrua edhe më,zemra më rrahu fort dhe shtërngova duart në hekurat e portës. Ishte Nëna .Pas Nënës vinte vëllai madh edhe ai ngarkuar me trasta që vështronte herë majtas e herë djathtas ngaqë nuk më shihte mua që qëndroja në koluben midis hekurave.
Kur mbriti te porta,sa më pa,Nëna lëshoi trastat në tokë,drejtoi trupin,morri frymë thellë,rregulloi shaminë e zezë ne kokë dhe me buzët dhe duart që i drridheshin,s’mundi ti fsheh dy pika loti prej syve të përgjëruar që ngrine si dy copa akulli në fytyrën e saj dhe me kokën lart ,që në çast mori pamjen e një copë gjigande mermeri,lëshoi një oh që përshkoi qiellin e gërvishur me shtylla e gjemba teli e si një shkrepje vetëtime, ju bashkua ofshamave të pafundme të Nënave spaçiane;
Po me ty ç’patën biri i vogël i nënës,nuk u ngopën gjithë jetën me ne ?
Polici ju bëri me shenjë të futen në koluben që ndahej në dy sportele hekuri ku i burgosuri dhe familjarët mundet vetëm të takonin duart.Njeri polic qendroi në anën e tyre e tjetri kaloi në anën time.
I zgjata duart,i preka dhe nisa ti lëmoj gishtrinjtë e ftohtë që i dridheshin dhe i thashë;
Ti je mësuar me dallgë o Nënë,do kalojë dhe kjo stuhi,kështu na ke mësuar – dhe u përpoqa ti buzëqesh ,buzëqeshje që në çast u shndrrua në shtërngim dhëmbësh dhe pastaj shtërngova duart e vëllait i cili pasi mi shtërngoi fort shpërtheu;
Qëndro burr,do të të vimë prapa kudo që të jesh, sa të kemi frymën – dhe disa pika lot i rrëshqitën faqeve dhe si ai Luani plagosur shkundi kokën.
Vëllanë e madh e kishin thirrur për bashkëpunim me armën famkeqe të sigurimit të shtetit para arrestimit tim e ai natyrisht ua kishte dhënë reston e në ato çaste, ai ndoshta e ndjeu veten ”fajtor” që unë më i vogli i familjes isha kryqëzuar në vend të tij.
Në çast u ndje zëri i policit që lajmëroi mbarimin e takimit.
Me njerën dorë shtërgova duart e Nënës dhe tjetrën ato të vëllait .
Ah mor bir – psherëtiu Nëna – Nuk më bëjnë këmbët të iki !
E si mund të ndodhte ndryshe në ato çaste të dhimbshme kur një portë gjigande hekuri ku sipër dy kupola me ushtarë me bajoneta e automatikë drejtuar nga ne e ndërtuar nga mendja djallezore e hijenave të kuqe,ndante Nënën nga djali e vëllanë nga vëllai më pa të drejtë.
Shpejt ,shpejt – klithi polici – po presin të tjerët në rradhë !
E brenda portës me duart shtërnguar në hekurat e saj,i pafuqishëm për ta shqyer,veç i vështroja si largoheshin e tërhiqnin këmbët zvarë me shikimin prapa nga unë.
Në çast mu kujtuan vargjet e Kudret Kokoshit në burgun e Burrelit kur ai kishte takuar për herë të parë Nënën pas shumë kohësh.
Të pashë o Nënë pas kaq kohe larguar
Te krrusur,te plakur e të tretur
Të pashë o Nënë mbi një shkop mbështetur
Mermer i gjallë vuajtjesh e mjerimi.
E ashtu si në vegim tek i shikoja të largoheshin si hije, dëgjova klithmën e policit.
Ç’pret – merri trastat e zhduku apo don ti flak në përrua !
DITARI I BURGUT Spac Gusht 1979