
Ornela Radovicka
Qëndra albanologjike themeluar nga At Bellusci 1980 \ Frasnitë\ Kalabri/
Ditën e Martë 2 Prill 2024 arbëreshët festuan “Dita e Valljes”. Për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë ceremoni zhvillohet ditën e martë pas pashkëve tek arbërershët e Kalabrisë në qytezat Frascineto e Civita, të cilat janë ngulime arbërteshe. Ceremonia, formën më antike e kanë ruajtur arbëreshët e Frasnitës, ndërsa tek në Civita ka marrë forma më “moderne”.
Dua të rikujtoj se Frasnita është një ngulim ku në gjirin e saj ka mbajtur “trurin i Arbërisë” së Kalabrisë. Në këtë qytezë lindën, krijuan dhe vepruan personalitet të botës arbërdshe që punuan dhe punojnë me mish e me shpirt si: Vincenzo Dorsa 1823-1885, Achille Parapugna, Bernando Bilota, Emanuele Giordano, Francesco Solano, Domenico Bellizzi , Beniamin Frascini, Papas Domenico Magnelli, Luca Perrone, Costantino Arcuri, Antonio Bellisci, Agostino Giordano e shumë të tjerë.
Ceremonia “ Vallja” është pjesë e ciklit të Pranverës, por në brëndësi të saj shoqërohet me rituale të tjera si rapsodi për Skënderbeun, për eposin Konstandini e Durentina, Puthja e kafkës, Pjelzat, Motërmat etje .
Vallja, është një tip koreografi e formuar nga të rejat arbërshe të veshur me kostum tradicionale, të cilët lidhen si hallkat e zinxhirit, nëpërmjet një shamie në formën trekëndëshi, të udhëzuar nga dy figura të veçanta, që nuk janë gra, por dy burra të cilët nuk janë me kostum tradicional ( sepse burrat arbëresh nuk e ruajtçn veshjet e tyre)të cilët quhen “flamurtarë” (bartës).
Në rolin e tyre këta “Flamurtarë” sa të heshtur por edhe aq “ bartës” pozicionohen njëri në fillim, dhe tjetri në fund e së bashku gjarpërojnë nëpër rrugët e gjitonisë duke kënduar. Kënget, në ceremonisë së Valljes janë thirrje, janë klithma, dhe rrjedhin herë lehtë dhe herë si një ujvarë e furishme. Grupe të tilla vërshojnë nëpër rrugë dhe majnë një formë ritmi.
Jo më pak se 10 vjet, Dita e Valljes në Frasnitë ishte një tetër i vërtet, mbushur me rituale të tjera si psh: fitorja e e madhe e udhëheqësit trim shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu kundër sulmeve të armiqve pushtuesit, përkatësisht të martën pas Pashkëve, 24 prill 1467. Ushtria e vogël shqiptare mundi ushtrinë turke, të udhëhequr nga Ballabani, duke kursyer qytetin e Krujës.
(Në foto imitimi i ushtarëve të Skënderbeut, të cilët kanë kapur rob ushtarët otoman, gjatë ceremonisë së Vallja në Frasnitë 2014)
Këngët në këtë ceremoni janë një polifoni e gjallë.
Forcën rrengjethëse,ceremonia arrin kur këndojmë vargjet e Rapsodisë “Kostandini e Jorundina”. Ishte pikërisht ajo “Besë” e dhenë që e bënë kaq të shenjtë një të vdekur të ngrihet nga varri, për të mbajtur fjalën e premtuar.
“Ish nj’mëm shum e mir
E kish nënd bil hadhjar
E të dhjetëtën nj’vash
Çë jathojen Jurendin;
sa t’e kishen mbë krushqi”
Riti ,Tintori
Riti “Tintori”\blozaxhinjtë. Ky rit simbolizon ruajttjen e gjuhës arbërshe. Cilido që nuk dinte gjihën arbërshe identifikohej nëpërmjet një vule të zezë që iu lihej mbi fytyrë, kush nuk ishte arbërsh në ditën e ceremonisë së valles. Mjaftonte i drejtohej mysafirit që të shqiptonte frazën tipike “tumac me qiqrra / tagliatelle e ceci”. Arbëreshët kishin zgjedhur këtë shprehje për të konfermuar identitetin, sepse popullsia vëndase nuk shqiptonte dotë shkronjë “q”
Tintorët shërbenin edhe për një tjetër mision: Të evitonin rrëmujat gjatë ceremonisë së Valljes, të shkaktuar ndonjëherë nga pjesmarrës të popullsisë “jo arbëreshe” apo të ritit latin, që kishin si qëllim për të prishur festën. Karakteristikë ishte se tintorët iu linin shenjë vetëm burrave burrave dhe jo të grave.
Pjelzat\Pjellorët
Një tjetër rit, që zhvillohej në Ceremoninë Vallja, që mbi jetoi deri gjatë viteve 60\70 ishte edhe riti Pjelzat(pjellorët). Meshkujt e Frasnitës veshur me kostumin e grave parakalonin të Martën e Pashkëve në sheshin ku bëhej ceremonia “Vallja” për kryer vallëzime korale.
Riti i pjelzave praktikohej jo vetëm në Frasnitë, por edhe në katundin fqinj arbëresh Cifti. Ky rit pjesë e ciklti pranveror simbolizonin “diversitetin” ndryshushmërinë\llojshmërinë e natyrës, shperthimin e saj, sythëzimin, alegoria e shumëfishimit.
Ceremonia e Valljes, është jo vetëm emozionuese, por ajo merr dimensione, në hapsirë dhe në kohë, duke e shëndërruar atë në një: muze, teatër, filarmoni humane të përcjellë në shekuj kulturën, historinë, gjuhën e këtij populli të mbrekulluseshëm. Shumë studiues i ka tërhequr kjo mënyre e organizimit të tyre dhe midis tyre edhe të madhin Ernest Koliqin.
Në ditën e Valljes së djeshme 2 Prill 2024 grupet e ftuara, si edhe shumë mysafirë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, diaspora kërkonin që ti jepnin deri diku jete e mbështetje ceremoniosë. Mendoj se vendi i këtyre grupeve ishte jo të bashkoheshin me Ritin “ Vallja”, sepse kështu “ kontaminonin” identitetin e kësaj ceremoni të ruajtur në shekuj, por duhet të bëhen vetëm si pjesëz i këtij spektakli
Në rrugë kishin dalë ata pak arbëresh që frymojnë në këtë qytezë tashmë të shpopulluar. Dukeshin të heshtur, një dozë e lehtë malinkonie lexhet në sytë e tyre, por dëshira për të ndjekur këtë manifesim iu jepte vështrimit të tyre ato xixëllonja, që vetëm shpirtat e mallëngjyeshëm shënojnë në vështirm.
Për Ditën e Valljes 2024, ishin bërë përpjekje duke ftuar edhe grupet e tjera si :
Ajri i Lumit nga San Martino di Finita. Kreshnikët e Lirisë – San Benedeto Ullano, Shqiponjat e Santa Sofia D-Epiri . Me gjithë përpjekjet që kishin bërë për organizimin e Ditës së Pashkëve, mungonte ajo pjesëmarrja e gjallë që meritojnë në të vërtet “dita e Valljes”.
Mungonte shpirtit i fort i Arbërit.
Një Arbëri që po shuhet nga dita në ditë!
Një Arbëri që po kalon në konfuzion nga dita në ditë!
Një Arbëri që mungon pat’hosi !
Një Arbëri që po shuhet gjuha!
Një Arbëri që po dalim nga dita në ditë nga Arkitektura e të parëve të tyre !
Një Arbëri që pothuajse shumica e figurat politike vijnë vetëm Flash, për mos të thënë se vijnë sa për tu dukur!
Një Arbëri që e prek, por nuk pranon Agoninë e saj!
Një Arbëri me fasada dhe aspak “organike”!
Një Arbëri e lënë vetëm, për ata pak që punojnë!
Një Arbëri e përçarë!
Një Arbëri që po lëngon!
Një Arbëri e asimiluar në gjuhë nën moshën 40 vjeç.
Mungonte forca e “Appartenencës”.
Edhe pse me gjithë këto “minuse” mos harrojmë se Arbëria ngelet me hajthin e saj, si një mozaik apo afresk antik, që edhe pse deri diku i dëmtuar ngelet me emocionet e saj, me historinë e saj, me të veëantën e saj, sepse Arbëria nëng mund të vdes!
Në vijim disa foto nga ceremoni “Vallja” 2024