Ne Teatrin Qendror “Madelene” te Gjeneves, te mbushur me mbi 500 spektatore, u shfaq per here te pare nje shfaqje teatrore Shqiptare: “z.Ibrahim dhe lulet e Kuranit” e shkrimtarit te shquar francez
Erich Emmanuel Schmitt/
Shkruan: Rina Çela Grasset /*
Mos kini frikë nga arti !
Librin “Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit” Shkrimtari Eric Emmanuel Schmitt e ka shkruar brenda disa ditësh, në një cep tavoline në një kafene që zhurmonte jetë. Autori nuk do ta imagjinonte kurrë se ato faqe që i shkroi me lehtësinë me të cilën merrte frymë, do të përktheheshin e do të bënin xhiron e botës nëpër salla teatresh. E si mund t’i mungonte kjo pjesë teatrale skenës së teatrit shqiptar ? E si mund t’i mungonte Mirush Kabashit ky rol në karrierën e tij artistike ?
Në pjesën teatrale “Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit” kemi një copë Paris, që nuk ngjan me Parisin që njohim. Jemi në Lagjen Blu që nuk është blu. Arabi i ushqimores nuk është vërtet arab. Kurani i tij, që i ka mësuar gjithçka di, në vend të bindjes së verbër fsheh dy lule të thara dhe një letër.
Skena është e thjeshtë : një kanape, një karrige; në sfond një bibliotekë e zymtë. Mirush Kabashi është i vetëm në këtë dekor pothuajse të zhveshur. Dekor i zhveshur deri në çastin kur ai hyn në skenë. Si kameleon, ai u jep jetë personazheve diametralisht të kundërt : një baba i ftohtë që rrit pa dashuri një vogëlush të trishtuar; prostitutat e rrugës “Parajsa”, Brixhid Bardonë tërë naze, një nënë që ka braktisur një foshnje disa ditë pas lindjes;, djalin e vogël që vjedh konserva në dyqanin e arabit që ëndërron të bëhet burrë por, mbi të gjitha, të mençurin zotin Ibrahim.
Mirush Kabashi na i sjell të gjitha këto personazhe, plot emocion, me artin e tij të madh. Në këtë pjesë që të mban frymën pezull, spektatori lëkundet mes të qeshurave e lotëve. Ekuilibrin e gjejmë tek urtësia që rrjedh si lumë nga Zoti Ibrahim, që i mëson vogëlushit të braktisur që e vjedh, se ç’është jeta, ç’është dashuria, ç’është ngrohtësia, ç’është buzëqeshja, ç’është falja, ç’është mirëkuptimi.
Titulli i pjesës i lë skeptikë shumë njerëz. Kur dolëm nga shfaqja dëgjova shkarazi njerëz që thoshin se shumë veta nuk kishin ardhur vetëm nga titulli i saj. Besimtarët kishin frikë se do të fyheshin, mosbesimtarët gjithashtu. Më erdhi keq për paragjykimet e tyre.
Zoti Ibrahim na mëson me urtësi se besimi i vërtetë nuk është bindje e verbër. Është liria për t’i pranuar njerëzit siç janë e t’i duash për atë që janë, me të metat e me cilësitë; të mëson t’i kuptosh e të mos i paragjykosh aktet e tyre, deri të falësh një nënë që braktis një fëmijë, apo një baba që nuk di të japë ngrohtësi. Ja shpjegimi i këtij titulli misterioz, që i le në dyshim njerëzit para se të blejnë biletën për të hyrë në teatër.
Të shunën mbrëmë, me rreth pesëmbëdhjetë veta të Shoqërisë Shqiptare Iliria, u nisëm nga Lioni për në Gjenevë në teatrin Madëlene. Në skenë një copëz Paris që nuk ngjante me Parisin që njohim. Rruga Blu nuk ishte blu. Arabi i ushqimores nuk ishte vërtet arab. Por Mirush Kabashi ishte gjithnjë i njëjti aktor i madh. Që na bëri të qeshim e na bëri të qajmë. E në fund ta duartrokasim me sa fuqi kishim për artin e tij. Ky art që, si vera, me kalimin e viteve, bëhet edhe më i çmuar.
*Rina Çela Grasset
(perkthyese)
* Shfaqja u dha te Shtunen e 24 Janarit 2015 ne Teatrin Qendror “Madelene” te Gjeneves