
Nga Eugjen Merlika/
Ditët e para të prillit 2005 pllakosën botën e globalizuar në të gjithë larmitë e saj politike, kulturore, fetare e ideologjike, në gjithë ndryshueshmërinë e popujve, të racave, të mirëqënies, të nënzhvillimit, me një lajm që, në sajë të televizionit, nga Roma u përcoll deri në skajet më të largëta në pak sekonda: Papa është sëmurë rëndë. Orë të gjata ankthi për shumicën e njerëzve, linja telefoni të mbingarkuara me Vatikanin, nëpërmjet të cilave kryetarë shtetesh e qeverish e personalitete të ndryshme informohen vazhdimisht mbi ecurinë e sëmundjes, kisha të mbushura me besimtarë që luten, rradhë të gjata qytetarësh të Romës e pelegrinësh nga Vende të ndryshme që ecin në rrugën e Pajtimit për në Sheshin e Shën Pjetrit.
Në paraditën e 2 prillit zëdhënësi i Vatikanit, Joakin Navarro Vals, i komunikon shtypit botëror fjalët e fundit të Papës. Është mesazhi i Tij i fundit dhe i drejtohet të rinjve të cilëve, pesë vite më parë në Tor Vergata, i u kishte besuar misionin më të lartë e më të vështirë: “Ju takon juve të ndryshoni botën!”. Fjalët e fundit, të nxjerra me ndërprerje e me shumë vështirësi, janë këto: “Un dhe u thirra, ju erdhët un u falënderoj.” Ka një kuptim të thellë në këtë frazë. Ati i Shenjtë, që tashmë e ka mbaruar misionin e tij të jetës tokësore e pregatitet të marrë gjykimin për veprën e jetës së tij atje lart tek Krijuesi i Gjithësisë, projekton në t’ardhmen hijen e atij misioni, vazhdimësinë e tij, e përciell atë tek brezi i nipave, tek ata që do t’i japin formën shekullit të ri. Është sendërtimi i thelbit të veprës së Tij, për më shumë se një të katërt qindvjeti në drejtimin e Kishës së Romës, synimi më i lartë që njeriu Vojtila i kish vënë vetes që në rininë e Tij: të luftonte me të gjitha forcat për të ndryshuar botën në ato pjesë ku ajo është ndërtuar keq. Në kllapinë e çasteve të fundit të jetës ndoshta i shfaqet misioni i pakryer plotësisht e kërkon që, deri në frymën e fundit, të porosisë vazhdimin e tij.
Asnjëherë në historinë e njerëzimit jeta e një njeriu dhe vdekja e tij kanë qënë objekt i interesit të kaq shumë njerëzve. Pjesëmarrja shpirtërore e popujve të ndryshëm të botës së krishterë e jo, në dramën e dhimbëshme të aktit të fundit të jetës tokësore të Papës Vojtila, është një dukuri e pashembullt. Ajo tregoi forcën cilësore të karakterit të personazhit, ndjeshmërinë e hollë ndaj problemeve madhore të njerëzve, kushtimin deri në vetmohim për zgjidhjen e tyre, koherencën në respektimin e parimeve të Ungjillit, ngulmimin e pafund në përballimin e betejave për lirinë e paqen. Ai nuk ka fuqi ushtarake apo ekonomike. (Dikur Stalini pyeste: “Sa divizione ka Papa?”). Fuqia e Tij është morale, shpirtërore. Ajo buron nga zbatimi i mësimeve të Krishtit e, si e tillë, ajo është fuqia e bariut që i prin tufës së deleve duke i rënë fyellit. Muzika e atij fyelli magjeps, rrëmben, entuziazmon, ngre peshë shpirtëra individësh, bashkësish, popujsh, sepse ajo muzikë ka në qendër të frymëzimit njeriun, krijesën e Zotit në shembëlltyrën e Tij, njeriun që jeton mbi këtë tokë, që përpiqet, punon, dashuron, urren, mëkaton, pendohet e së fundi largohet për të ndërruar jetën e për t’u gjykuar në “Mbretërinë e qiejve”
Funerali i Gjon Palit II, që do të zhvillohet më 8 prill në katedralen e Shën Pjetrit, ka gjasë të jetë më madhështori e më i ndjeri i gjithë historisë së njerëzimit. Prania e rreth dyqind dërgatave nga të gjitha shtetet, e katër Presidentëve në jetë të SHBA, e më shumë se njëqind kryetarësh shtetesh apo qeverish, nderimi para arkivolit nga miliona vetë prej shumë Vendeve të botës, miliardët e ngujuar para televizorëve në të gjitha anët e globit, do t’i japin formën një ngjarjeje epokale, që do të ruhet gjatë në kujtesën historike të planetit.
Karol Vojtila, ish arqipeshkvi i Krakovias, që u shugurua Papë, për një rastësi të çuditëshme, në ditën kur Enver Hoxha festonte 70 vjetorin e lindjes, bir i atij brezi të lindur fill mbas luftës së parë botërore, shpirt poeti e trup atleti, prelati i parë jo italian në fronin e shën Pjetrit mbas 445 vitesh, ka mbartur në vete një seri parësish. Ka kohëgjatësinë më të madhe të qëndrimit si Papë, mbas Piut IX e, ndoshta, mbas Shën Pjetrit, ka vizituar shumicën e Vendeve të botës, duke udhëtuar më shumë se gjithë parardhësit të marrë së bashku, ka numurin më të madh të fjalëve të shkruara e të shqiptuara, një seri mahnitëse enciklikash, letrash apostolike, mesazhesh, diskutimesh, librash. Ai ishte i pari Kryetar i Kishës katolike që hyri në një xhami në Siri, i pari që hyri në një sinagogë në Izrael, i pari që puthi tokën në të cilën shkonte si mik. Ai ishte një nga nismëtarët më të zellshëm të dialogut ndërfetar me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme e, kryesisht, me ata që i besojnë një Zoti të vetëm si myslimanët e ebrejtë. Ai ka kurajon të sfidojë haptas e të kërkojë falje për episodet e turpëshme të së shkuarës së Kishës së Romës si inkuizicioni, të kërkojë falje tek muri i Jeruzalemit për tragjedinë e ebrejve në shekuj, të kërkojë falje në emër të Evropës së krishterë për dukurinë e shëmtuar të shitblerjes së skllevërve nga Afrika.
Veprimtaria e Tij i kalon shumë caqet zyrtare të Vikarit të Krishtit. Ajo rrok në thellësi mesazhin e Mjeshtrit dhe synon t’i avitet atij në metodën e përhapjes e të vënies në jetë, megjithë vështirësitë që paraqet epoka bashkëkohore me tërësinë e saj jo të favorshme. Imazhi i Tij, që është bërë pjesë integrale e qënies sonë, do të jetojë gjatë por fjala e Tij do të na mungojë shumë e do të jetë mjaft e vështirë për atë që do t’i zerë vendin t’a plotësojë atë mungesë. Shprehja zhbiruese e syve, buzëqeshja çarmatosëse e fytyrës, lëvizjet e duarve në përshëndetje, trupi i kërrusur dhe ecja karakteristike do të mbeten të ngulitura në kujtesë si figurat e prindërve që nuk janë më, sepse Ai qe një prind për të gjithë. Dorën e Tij të ngrohtë mbi shpatulla, fjalën e Tij ngushulluese e t’ëmbël, pjesëmarrjen e Tij në dertet e popujve, në këta 27 vite Pontifikati i kanë provuar një pjesë e madhe e botës. I kanë munguar ato vetëm dy popujve të Rusisë e të Kinës, në të cilët komunizmi nuk i fali kurrë Papës polak ndihmesën e dhënë për shëmbjen e tij. Ishte një brengë e madhe në shpirt dëshira e paplotësuar për të shkuar në kryeqytetin rus. Nuk e di nëse Patriarku Aleksej e ka ndërgjegjen e qetë për murin që ngriti mes tij e Papës polak. Ndërsa Kina, kaq shumë e dëshiruar kohët e fundit nga Evropa si partnere ekonomike, sa t’i heqë edhe embargon e armëve si shenjë vlerësimi për “demokratizimin” e saj, ndaj Vatikanit e personalisht ndaj Atit të Shenjtë ka mbajtur qëndrimin tipik komunist. Një qëndrim të tillë mbajti dhe Enver Hoxha e banda e tij më 1981 kur, në brigjet e Puljes, Papa Vojtila do të hidhte vështrimin e Tij dashamirës mbi “ tokën e dashur të Shqipërisë” e do të lutej për të.
Ishte shtator 1991. Në qytetin e Latinës vinte për vizitë Papa Gjon Pali II. Në stadiumin e qytetit Ai do t’i epte kungimin gjithë adoleshentëve që ishin krezmuar ato ditë. Mes tyre ishte edhe një vajzë shqiptare që vinte nga Grabiani, një fshat, kamp internimi i Lushnjes. Babai e porositi që kur t’i afrohej Atit të Shenjtë për të marrë osten t’i thoshte se ishte shqiptare e t’i kërkonte të lutej për Vendin e saj. Vajza e plotësoi porosinë e Papa i vuri dorën mbi shpatulla e i buzëqeshi ëmbël. Me atë buzëqeshje ndoshta desh t’i thonte asaj vajze të re se Vendi i saj ishte në zemrën e tij.
Do t’a vërtetonte këtë me vizitën që bëri më 25 prill 1993, kur solli mesazhin e shpresës për “ tokën e fshikulluar nga përndjekjet”, mirëkuptimin dhe dhimbjen e sinqertë të babait për bijtë e martirizuar sepse predikuan Ungjillin e Krishtit “ Ajo që ka ngjarë në Shqipëri , të dashur vëllezër e motra nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit.” Janë fjalët e Gjon Palit. II në mitingun e Tiranës. Është pohimi i një të vërtete historike së cilës shumë të tjerë nga Perëndimi i kanë anashkaluar. Papa këtë të vërtetë e shpall me forcë, madje dhe në hollësi, kur flet për priftërinjtë e besimtarët e përndjekur nga regjimi. Por mesazhi i Atit të Shenjtë nuk synon të ndalet vetëm në këtë të shkuar aq të hidhur e të dhimbëshme e nuk kufizohet vetëm në sferën e viktimave reale të diktaturës komuniste. “Kam ardhur për t’i shfaqur çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këtë fazë delikate të kalimit historik dhe shumë të dëshiruar, të ringjalljes shoqërore dhe shpirtërore..” ishin fjalët përgëzuese dhe inkurajuese që Kreu i Kishës katolike botërore i drejtonte një populli bujar e mikpritës, por që në gjirin e tij kishte vetëm një të dhjetën e tij katolikë. Dëshmojnë për strategjinë e atij institucioni për t’i dhënë përparësi harmonisë e mirëkuptimit në shoqëritë e kombet shumë fetare për të shmangur kundërshtitë e ndryshme që mund të lindnin nga këta faktorë e, që në historinë e vjetër e të re të botës, kishin shkaktuar male kufomash.
Në atë vizitë Ai i bëri një thirrje kontinentit të vjetër duke u shprehur: “Evropa nuk duhet të harrojë!”. Donte t’i kujtonte asaj se misioni historik i saj nuk mbaronte me rrëzimin e Murit të Berlinit, se nuk mund të quhej i kryer përderisa në Evropë të kishte Vende të tilla si Shqipëria që “dilte nga një dimër i dhimshëm vuajtjesh” , e të cilat komunizmi i kishte kthyer në gërmadha. Ringjallja e tyre materiale e morale ishte një detyrë e çastit dhe e së ardhmes për kontinentin që me kohë do të bëhej një entitet i vetëm politik.
Në atë frymë dashamirësie ndaj Shqipërisë duhet parë edhe emërimi i kardinalit të parë shqiptar në historinë e gjatë të kishës së këtij Vendi, në personin e Mikel Koliqit, njërit ndër klerikët më të shquar që patën fatin të mbijetojnë ndaj kalvarit të gjatë të terrorit komunist.
Zëri i Papës Vojtila tingëlloi i fuqishëm e i paprerë, vite me rradhë , për të ndaluar masakrat në ish Jugosllavinë dhe pati një ndikim të madh në vendimin e NATOs për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, në prani të genocidit serb mbi banorët shqiptarë të saj.
Këto e të tjera konsiderata mbi rolin e luajtur në historinë e botës, në mënyrë të veçantë ndihmesa tepër e rëndësishme në shembjen e komunizmit e në fitimin e lirisë, na bëjnë që të përulemi me nderim sot para arkivolit të Tij, e të respektojmë thellë në zemër Karol Vojtilën si një kampion të Krishterimit, të lirisë e të paqes në botë.
Romë, 6 Prill 2005
Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011