
Akademia e Studimeve Albanologjike/
Një ditë e trishtë për arkeologjinë ndërkombëtare sot. U nda nga jeta personaliteti shkencor dhe bashkëpunëtori e miku i arkeologjisë shqiptare, Profesor Pierre Cabanes.
Pierre Cabanes u lind më 30 dhjetor 1930 në Puy-en-Velay të distriktit Haute-Loire në rajonin Auvergne-Rhône-Alpes në Francë. Përfundoi studimet në fushën e historisë. Në vitin 1965, mbrojti gradën shkencore “Doktor” me temën “Epiri nga vdekja e Pirros deri në pushtimin Romak (272-168 para Krishtit)”.
Në vitin 1969, Profesor Cabanes filloi mësimdhënien në Universitetin Clermont-Ferrand dhe në vitet 1977-1982 u zgjodh presidenti i parë i Universitetit Clermont-Ferrand II. Në vijim u zhvendos në Universitetin X-Nanterre në Paris, duke mbajtur për disa kohë edhe pozicionin e drejtorit të kërkimit në CNRS.
Aktiviteti i pasur shkencor i Profesor Cabanes numëron mbi 120 artikuj shkencor dhe 20 vepra të botuara, ndër të cilat përmendim: “L’Épire, de la mort de Pyrrhos à la conquête romaine (272-167 av. J.C.); “Albanie: le pays des aigles”; “Le Monde hellénistique. De la mort d’Alexandre à la paix d’Apamée”; “L’Histoire de l’Adriatique” – direction de la rédaction, préface de Jacques Le Goff; “Introduction à l’Histoire de l’Antiquité” etj. Vepra e tij renditet ndër kontributet e spikatura të studiuesve francezë të territorit të Ilirisë së Jugut dhe Epirit.
Kontaktet e para me mjedisin arkeologjik shqiptar zënë fill në vitet 1971 dhe 1974 për të vijuar me bashkëpunime të pandërprera me kolegët shqiptarë të arkeologjisë. Ai ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në akordimin e Medaljes së Artë për revistën “Iliria” nga Akademia Ndërkombëtare e Lutèce-ës (Francë) në vitin 1983.
Në vitin 1991 Profesor Cabanes u bë organizues dhe bashkëdrejtues i projektit të misionit arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri, fokusuar kryesisht në qytetin antik të Apollonisë për një periudhë dhjetëvjeçare. Rezultatet e këtyre kërkimeve reflektohen në katër volume të korpusit të mbishkrimeve greke të realizuara në bashkëpunim me kolegët shqiptarë Faik Drini dhe Neritan Ceka. Të shumta janë aktivitetet ndërkombëtare, organizuar prej Profesor Cabanes, mbi tematika të ndryshme të lidhura me Ilirinë e Jugut dhe Epirin.
Ai ka drejtuar botimin e Hartës Arkeologjike të Shqipërisë, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë profesorët Muzafer Korkuti, Apollon Baçe dhe Neritan Ceka. Ka orientuar me dijet dhe përvojën e tij Shoqatën “Patrimoine sans frontières” për angazhimet e saj në promovimin e Fototekës “Marubi” në Shkodër si edhe për programin e restaurimit të kishave në Voskopojë. Profesor Cabanes qëndron po ashtu pas iniciativës dhe realizimit të shtëpisë së arkeologëve në qytetin antik të Apollonisë.
Punimet dhe angazhimet e tij të shumta në dijet historike dhe arkeologjike janë dëshmi të një personaliteti shkencor elitar, me energji të pazakontë, me saktësi dhe skrupulozitet shkencor.