
Po jetojmë në një kohë pas pandemisë Kovid 19, kur te gjitha ekonomitë botërore po përjetojnë kriza ekonomike dhe financiare në njërën mënyrën apo tjetër. Nëse i hedhim një shikim shteteve tona shqiptare pas pandemisë, ekonomitë tona përballen me probleme të ndryshme por, me theks të vecantë shohim përballjen me inflacionin i cili në njëfarë mënyre sikur po anashkalohet ndonëse, është element tepër i rëndësishëm që po nuk u vu nën kontrollë, di të çojë deri në inflacion galopant dhe bankrotim të shtetit si në rastin e Greqisë.
Nën rrethanat e krizave ekonomike qeveritë gjegjëse mbledhin kokat e mençura për të hartuar strategji ekonomike dhe financiare efikase për tejkalimin dhe zgjidhjen e problemeve ekzistente. Derisa bota e zhvilluar punon në tejkalimin dhe stabilizimin e inflacionit, krejt cfarë shohim për momentin te qeveritë e dy shteteve shqiptare janë disa lëvizje minore në drejtim të stabilizimit të inflacionit që ka goditur direkt ekonomitë familjare shqiptare.
Përderisa çmimet e produkteve rriten, pagat ngelin ne nivelin e njejtë, gjë qe flet për fenomenin e inflacionit i cili paraqet një ngecje dhe jo zhvillim të ekonomisë mbarë shqiptare.
Përderisa, norma e përcaktuar e inflacionit nga Bashkesia Ekonomike Evropiane është 3%, Kosova filloi vitin 2023 me mbi 12 % inflacion, e Shqiperia me mbi 7,7%. I mora keto të dhëna financiare të fillim vitit meqenëse, nuk ka të dhëna aktuale të publikuara dhe të përmbledhura për 9 mujorin e vitit 2023, përveç 3 mujorëve të ndarë të cilët pritet të përmblidhen në raportin vjetor të Bankës Qëndrore të Kosovës ashtu edhe në ate të Shqiperisë.
Sidoqoftë, po i referohem shifrave që kemi në dispozicion për momentin e që nuk pritet ndonjë ndryshim i madh, duke pasur parasyesh rritjen e vazhdueshme të çmimit të shportës së konsumatorit si një indikator direkt në goditjen e ekonomive të brishta familjare shqiptare.
Vendimi i qeverive shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri për subvencionimin e pensionistëve dhe fëmijëve në fund te vitit 2023 është për t’u pershendetur por, që kjo nuk mjafton për ta zbutur situatën e krizës ekonomike që po mbretëron në të dy shtetet shqiptare. Po mos të ishin remitancat e diasporës tonë, veshtirë se do t’ia dilnin qytetarët shqiptarë financiarisht nga muaji në muaj. Ekonomitë e vogla familjare janë posaqerisht te goditura sepse, kostoja e shportës së konsumatorit sa shkon e rritet dhe është vështirë të përballohet, përderisa kurba e të ardhurave personale nuk rritet fare. Duhet të ketë një harmonizim në mes të rritjes së çmimeve të produkteve dhe të ardhurave personale në menyrë që të evitohet kriza ekonomike në të dy shtetet shqiptare. Në këtë kontekst duhet të reformohen edhe politikat fiskale dhe të harmonizohen hapat në bashkërenditje me politikën monetare.
Në këto rrethana të krizës eknomike duhet urgjentisht të ulën dy qeveritë shqiptare, në krye me kryeministrat, ministrat e ekonomisë dhe financave si dhe guvernatorët e bankave qëndrore, dhe të hartojnë strategji të perbashkëta afatmesme të zhvillimit ekonomik. Në kuadër të kësaj strategjie duhet dhënë prioritet stabilizimit të inflacionit, duke intensifikuar shkëmbimet e ndërsjellta tregtare, stimulimit të subvencioneve në sektorin bujqesorë dhe tregtarë, plasimit të prodhimeve vendore në trevat shqiptaro – shqiptare, subvencionimit të eksportit të prodhimeve bujqësore, gjetjen e tregjeve të huaja për plasimin e prodhimeve bujqësore të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rritjen e vendeve të punës në sektorin bujqësor qoftë edhe importimin e fuqisë punëtore nga vendet më pak të zhvilluara.
Sektorit bujqësore do të duhet ti jipet fokus i veçantë meqë, është sektor vital i cili me rritjen e prodhimeve të veta kontribuon direkt në stabilizimin e inflacionit, duke mos harruar që prodhimet bujqesore janë pjesë përbërëse e rezervave të detyrueshme shtetërore.
Një strategji efikase dhe konstruktive e politikës monetare dhe fiskale është tepër e nevojshme për luftimin e inflacionit të të dyja shteteve shqiptare. Politika monetare duhet të vëhet në levizje në mënyrë që të ketë influencë direkte në arritjen dhe ruajtjen e çmimeve gjegjësisht, vënien nën kontrollë të inflacionit. Bankat Qendrore këndej dhe andej kufirit duhet të fillojnë me operimet në tregun e hapur nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë në afate të caktuara varësisht nga kërkesa dhe oferta e parasë në tregun financiar.
Arsyetimet në Kosove se, nuk mund të kontrollohet sasia e parasë në qarkullim për shkak se Euron e emeton Banka Qëndrore Evropiane dhe jo Banka Qendrore e Kosovës, nuk qëndrojnë sepse, në momentin që përqafohet një valutë konvertibile në një treg financiar duhet të ketë mekanizma mbrojtës dhe kontrollues ashtu siç janë instaluar mekanizmat kundër larjes së paras, prejardhjes së saj, si dhe qarkullimet e dyshimta të parasë në tregun financiar kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Në bashkëveprim me Bankën Qendrore Evropiane si dhe mekanizmat e tjerë politikë të angazhuar në Bruksel për bisedime me Serbinë, qeveria e Kosovës duhet të kërkojë mbështetje dhe bashkëpunim të ngushtë me BEE- në, në mënyrë që të instalojë mekanizmat mbrojtës dhe mbikqyrës për qarkullimin e sasisë së Euros në treg dhe nevojën potenciale për likuiditet, në mënyrë që të aplikojë një politikë monetare dhe protekcioniste për tregun financiar te Kosovës.
Në anën tjetër të kufirit nuk e kemi problemin e kontrollimit të sasisë së qarkullimit të parasë meqë valuta zyrtare emetohet nga shteti shqiptarë, ashtu që inflacioni mund të luftohet edhe më lehtë se sa në Kosovë. Sidoqoftë, për të dy shtetet duhet ndërmarre hapat në vijim në mënyrë që të stabilizohet inflacioni :
Hapi i parë që duhet ndërrmarrin Bankat Qendrore ne Tiranë dhe Prishtinë, është fiksimi i normës referencë të interesit për tregjet financiare gjegjëse. Instrumenti bazë i politikës monetare mbetet norma referencë e interesit, e cila përfaqëson normën më të lartë të interesit me të cilën Banka Qendrore mund të tërheqë likuiditetin përmes operacioneve kryesore në tregun e hapur – operacionet e anasjellta të repove njëjavore që tërheqin likuiditetin e tepërt të parasë së sektorit bankar. Në të njëjtën kohë, duhet te kryhen ankandet e repove duke përdorur metodën e normës së shumëfishtë të interesit. Banka Qendrore, duke përcaktuar sasinë e likuiditetit që dëshiron të tërheqë dhe duke ndryshuar normën mesatare të ponderuar të repove, mund të rregullojë kushtet monetare ndërmjet seancave të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore, pa ndryshuar normat bazë të interesit – të cilat mundësojnë fleksibilitet në zbatimin e politikës monetare.
Hapi i dytë që duhet te ndërmarrin Banka Qendrore e Shqiperisë dhe e Kosovës është të përpiqen të arrijnë objektivin e vendosur të inflacionit , duke përdorur instrumentet që kanë në dispozicion në kuadër të regjimit të inflacionit të targetuar, si një strategji monetare që duhet aplikuar gjatë vitit 2024.
Banka Qëndrore si shtyllë e tretë e shtetit konform ligjit ka rrolin e këshilltarit financiar të qeverisë, dhe është e obliguar të marrë vendime për politikën monetare në mënyrë konsistente dhe në kohë, duke marrë parasysh projeksionin e inflacionit dhe lëvizjen e pritshme të faktorëve kryesorë të tij nga mjedisi i brendshëm dhe ndërkombëtar, duke parashikuar ndikimin e këtyre faktorëve në stabilitetin financiar. Gjatë marrjes së vendimeve, Banka Qendrore duhet të vlerësojë natyrën dhe forcën e presioneve inflacioniste dhe, në përputhje me rrethanat, duhet të ruajë fleksibilitetin e nevojshëm të politikës monetare për sa i përket shkallës së reagimit dhe përdorimit të instrumenteve, në mënyrë që të sigurojë stabilitetin e çmimeve në afat te mesëm, por edhe të vazhdojë të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Në mënyrë që të luftohet inflacioni ekzistues dhe ta parandalohet rritja e tij, këto hapa të përmendur më larte duhet të futen në strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankave Qendrore ne Tiranë dhe Prishtinë, gjë që nuk e hasa gjatë leximit të strategjive të publikuara për vitin 2022-2024.
Kryeministra te nderuar Rama dhe Kurti, ju lutem hapni rrugë bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve duke përpiluar strategji të përbashkëta për zhvillimin ekonomik e në veçanti te tregut financiar, si dhe të investimeve strategjike në sektorin bujqësore në mënyrë që të targetohet fillimisht ulja e inflacionit nëpërmjet prodhimeve vendore, si dhe të stimulohet rritja e eksportit dhe ulja e importit të prodhimeve bujqësore. Kështu me rritjen e eksporteve rritet bilanci tregtar, stabilizohet ngadalë inflacioni, rriten pagat e stagnuara, rriten vendet e reja te punës, rritet standardi i qyetarëve, ulet ekzodi potencial i ikjes së rinisë, fuqisë punëtore dhe ekspertëve në perëndim, e me këtë vendet tona shënojnë rritje të GDP-së dhe rritje ekonomike në përgjithësi.
Autore : Dr.Mag. Vlora Obërtinca – eksperte e tregjeve financiare dhe doktor shkence në lidership. Autorja ka qenë 5 herë drejtoresh në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo harton reformat ekonomike qeveritare si eksperte e pavarur.