Shkruan: Pjetër Jaku/*
Në Kafe “ KUVENDI”, me datën 2 tetor 2013, Kryesia e Degës së Vatres në Michigan organizoi një takim festiv për ditëlindjen e njërit prej vatranëve veteran, e njërit prej miqëve më të mirë, të secilit të pranishëm, Julian Çefes. Siç po bëhët traditë përkujtimi i rasteve që kanë miqtë tanë, Dega e Vatrës në Michigan dhe Stafi i Revistës “ Kuvendi”, bëjnë oragnizimin e këtyre eventeve, duke dhënë një mundësi më shumë për t’u njohur me njëri – tjetrin dhe punën e secilit, me praninë e përsonave, për të cilët bëhët fjalë. Edhe në rastet e mëparshme, si edhe në këtë rast, asnjërit prej tyre nuk u përkujtuam numra, siç bie fjala u be kaq apo aq vjeç, por u bë përpjekje për t’u kujtuar punët e mira të tyre, të cilat të shëmbëllejnë për më të rinjët. Vitet janë vetëm numra, në kohën kur njeriu e mat jetën e tij me punët e mira që ka bërë, me miqtë e mirë që ka dhe me çdo gjë që i ka lënë emrin kohës së tij.Me Julin festuan, miku i tij i kahershëm në emigrim Ekrem Bardha e deri tek me të rinjët, anëtarët e sapopranuar në Vatër, Zef Marku, Gjovalin Gjelaj dhe Fran Marku. Me Julianin e për Julianin folen e kënduan Alfonsi e Gjetoja, Ekremi e Dom Frani, Sela e vëllezrit Marku, Kujtimi e Pjetri,Luvigji e Bedriu, Dom Frani e Dom Pashku, e të gjithë sëbashku.Pjetër Jaku do ta hapte këtë festë me pak fjalë për Julianin, për t’i lënë radhën Kryetarit të Degës së Vatrës për Michigan, Alfons Grishaj, i cili uroi Julianin e të pranishmit dhe hapi darkën.
Të gjitha madhështitë e botës nuk vlejnë sa një mik i mirë
Këtë thënie të njohurit Volter, më duket me vend ta përmend për këtë rast. Ekrem Bardha do të thonte një të vërtetë që i përket plotësisht dhe i ngjitet aq mirë Julian Çefës!” Njeriu më modest që kam njohur në jetën time. Kur në komunitetin tonë ka nga ata që duan të përvetësojnë edhe punë që të tjerët i kanë bërë, Julian Çefa nuk vuri kurrë në dukje punët e veta. Më vjen shumë mirë që ju e bëni këtë për mikun tonë të mirë.” Në të vërtetë është një përcaktim ekzakt i Ekremit, çka na lenë fare pak për të thënë ne të tjerët.Ishte viti 1967, kur Juliani 30 vjeçar erdhi në Amerikë e pikërisht në Michigan. “ Në atë kohë, – kujton Juli, – nuk kishte më shumë se katër –pesë familje malësore. Kishte fare pak shqiptarë, krahasuar me numrin e sotëm. Vatra kishte degën e saj dhe, që në fillim u angazhova aty. Më vonë punova edhe me radion shqiptare, të cilën e drejtonte aktivisti i njohur Gjon Lulgjuraj. Po me këtë radio punoi edhe aktivisti Kujtim Qafa e disa kohë në fillim edhe Gjergj Dedivanaj. Kishte një përkushtim atdhetar model, ku të gjithë e ndihmonin radion dhe e konsideronin si të tyren. Kur na u mbaronin paratë për transmetim, i drejtoheshim Ekremit, që përherë u tregonte i gatshëm të na ndihmonte. Por, ka pasë edhe nga ata si Baba Rexhepi që, të paktën njëherë në vit, na thirrte vet e na ndihmonte me 500 dollarë, ku për atë kohë nuk ishin pak.” I emocionuar, Juliani falnderon organizatorët e kësaj mbrëmje, të gjithë të pranishmit dhe, në veçanti, priftërinjët: Dom Fran Kolen, Famullitar i Kishës së Shën Palit, Dom Pashkun e ardhur nga Kosova dhe Dom Robert Kolen i ardhur nga Dioqeza e Sapes.Më pas, në kujtimet e tyre, aktivistët Gjeto Ivezaj dhe Kujtim Qafa sollën disa momente të bashkëpunimit më Julianin dhe për rëndësinë e këtyre aktivitetve, që sapo vijnë e bëhën më cilësore, për të cilat komuniteti ynë ka shumë nevojë.Dom Robert Kola, i ardhur nga Dioqeza e Sapës, ku përfshin disa fshatra të Shokdres, Lezhës dhe Pukës, në përshëndetjen e tij, solli para të pranishmëve një thënie brilante të Pader Anton Arapit. “ Në vitin 1946, disa priftërinj i thonë Pader Antonit se Partia Komuniste e ardhur në fuqi do t’i burgoste e vriste priftërinjët dhe do t’i mbyllte kishat. “Roftë Shqipëria pa ne!” – ishte përgjigja e Pader Antonit. Jam i bindur se, edhe ju kur të detyruar “i kthyet shpinën” atdheut, thatë të njëjtat fjalë.Biznesmeni Selë Çela, përveç fjalës së tij përshëndetëse si vatran i kësaj dege, por edhe si bashkëqytetar i Julianit, u kujdes për gjithë anën argëtuese, duke kënduar disa nga këngët më të njohura shkodrane, nën shoqërimin muzikor të Bedri Rukaj.
Julianit i dhuruan disa punime simbolike Valentin Lumaj dhe Luvigj Sterbyçi, ndërsa Dom Fran Kola i dhuroi librin “ Udha e kryqit” të Dom Robert Kolës. Si edhe në rastet e mëparshme, edhe kësaj here nuk mungoi fjala artistike nëpërmjet artistit të njohur, Ndue Gjekaj.
* Botues i Revistes”KUVENDI”