Prend Ndoja/
Reportazh nga shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island, Nju Jork.
Nxënësit janë të ulur në klasë, pranë tavolinave të rreshtuara në formë kuadrati. Orendi të reja e komode, që të vegjëlit ta kenë sa më të kehtë përvetësimin e mësimit. Përpara tyre libri i dashur dhe i çmuar i abetares ,me të cilën për ta nis udha e njohjes së alfabetit, e germave të bekuara shqipe, udha e gjatë e dijes. Në vitet që vijnë secili do të rritet e një ditë do të nisë udhën e jetës me një profesion a zanat, por këtë nisje pranë abetares nuk do ta harrojnë kurrë.
Në ballë të klasës janë shpalosur flamuri kombëtar shqiptar dhe flamuri i Republikës së Kosovës. Aty pranë e pranë, në këto ditë kur afron festa e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duket sikur të dy flamujt duaj të përqafohen e të shkrihen në një, ashtu siç është ëndrra e shumë shqiptarëve anembanë globit. Në mure janë edhe tabela e mjete të tjera mësimore, të përgatitura me kujdes nga mësuesit, vizatime të nxënësve etj. Mësuese Fabjola Gjinaj , një intelektuale shumë e përgatitur, e cila e ka marrë me pasion punën në këtë shkollë, kalon nga njëra tavolinë në tjetrën, kontrollon nxënësit në bukurshkrimin e shkronjave dhe sytë i shkëlqejnë nga përparimi i tyre.
Jemi në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island të Nju Jorkut. Sa herë vij këtu, provoj emocione të veçanta. Në kujtesë më vijnë udha e shkronjave e patriotit Naum Veqilharxhi, Konica i andej dhe këndej oqeanit, gazeta “Dielli” e Nolit, Fishta e patriotë të tjerë të Kongresit të Manastirit, ABC-ja e Elbasanit, vuajtjet e mërgimtarëve, mbartja dhe mbjellja e germave shqipe në gjeneratat e reja që rriten në vende të ndryshme të botës, gjithandej ku ka shqiptarë. I mendoj këto, ndërsa përpara syve kam fëmijët tanë e të shumë familjeve shqiptare, që i vijojnë mësimet në këtë shkollë shqipe, që mban emrin e patriotit dhe shkrimtarit të shquar “Gjergj Fishta”, që është cilësuar si Homeri shqiptar. Kjo shkollë është hapur para disa muajsh, por sukseset janë të tilla,sa të duket sikur aty punohet prej vitesh. Janë prekës gëzimi që sheh në fytyrat e fëmijëve dhe shkëlqimi në sytë e tyre, sa herë që mësojnë një germë të re të alfabetit, apo kur mbajnë në librat e tjerë të programit të mësimit të gjuhës shqipe,që është ndërtuar posaçërisht për fëmijët e emigrantëve shqiptarë kudo në diasporë.
Kisha dëgjuar për përvojën e mirë që ka shkolla shqipe “Gjuha jonë” në qytetin e Filadelfias, e cila funksionon prej 20 vitesh nën kujdesin e shoqatës “Bijtë e shqipes”, ashtu siç kisha lexuar edhe për faktin që në Itali ishin hapur më shumë se 50 shkolla shqipe, apo për punën që bëhet me pasion e përkushtim nga shoqatat shqiptare në Greqi, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Suedi e deri në Australi, që fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të cilët lindin në tokë të huaj, të mos e humbasin gjuhën e nënës. Tani, gëzimi dhe malli më prekin thellë kur shikoj se sa të etshëm janë nxënësit e kësaj shkolle, se me sa gëzim shpirti i tyre plot dashuri e pranon rrezen e ngrohtë nga kombi i tyre, shkrim – leximin e gjuhës shqipe.
-Ne flasim shqip,-thotë me krenari një nxënës që emri i ti ishte Shqiptar, dhe vështron nga moshatarët e tij, shokë e shoqe të klasës. Shumë nga këto lule të pafajshme, fëmijë të mërgimtareve, që nuk e kanë ndjekur shkollën shqipe, e kanë humbur gjuhën amtare. Një fakt i tillë shkakton dhimbje, sepse tani janë krijuar të gjitha kushtet që familjet shqiptare t’i çojnë fëmijët në shkollat që janë hapur. Shumë prej familjeve janë ndërgjegjësuar dhe e shikojnë këtë si një ndihmë e lehtësim, sepse gjuha amtare nuk ruhet e nuk kultivohet vetëm duke e folur atë në shtëpi. Ajo edhe duhet shkruar, që fëmijët t’i njohin, t’i përkëdhelin e t’i shkruajnë shkronjat e arta, për të cilat dikur u sakrifikuan jetë njerëzish me vlera të larta kombëtare. Për këtë arsye, kjo shkollë, vatër e re e dijes dhe e kulturës, është bërë jo vetëm një çerdhe e dashur për fëmijët, por një vend takimi me vlerë edhe për prindërit, të cilët vijnë jo vetëm të sjellin apo marrin fëmijët nga shkolla, por edhe interesohen për mbarëvajtjen e saj e nëse shkolla ka nevojë për ndihmën e tyre.
Shkolla shqipe “Gjergj Fishta”, si gjithë shkollat e tjera që kryejnë këtë mision të çmuar, në brendinë e tyre u ringjall fëmijëve dashurinë për gjuhën amtare, gjuhën e miliona nënave tona. Nga përkushtimi i mësimdhënësve duket se çdo ditë,përveç mësimit të gjuhës, zhvillohet dhe kultivohet kultura jonë kombëtare, njihet historia e kombit dhe figurat e tij të mëdha, ruhen traditat e shquara, që na kanë evidentuar gjithmonë mes kombeve të tjerë. Pjesë e programit mësimor janë edhe aktivitetet e ndryshme kulturore. Nxënësit mësojnë të recitojnë apo të këndojnë në gjuhën shqipe. E kjo e bën më të dashur e më të kapshëm programin shkollor për ta. Ata e ndiejnë veten të lumtur e krenarë kur recitojnë, këndojnë apo hedhin vallen shqipe aty nën palat e flamurit kombëtar kuq e zi. Të lumtur janë edhe prindërit, sepse çdo ditë shikojnë se si po rrënjoset shqiptarizma në cepin e fundit të degës së shkëputur; çdo ditë po mbillet atdhedashuria në mendjet dhe në zemrat e fëmijëve. Përmes shkollës shqipe fëmijët tanë e dëshmojmë kulturën kombëtare dhe zgjuarsinë e tyre në mjedisin ku jetojnë. Përmes këtyre shkronjave, çdo ditë e kultivojmë e ndërtojmë një copë Atdhe, që të mbetet trashëgim edhe për të tjerat gjenerata që do të vijnë.
Ndërsa i shikoj fëmijët me mësuesit e tyre, që ndjekin e zhvillojnë aq bukur programin mësimor, më vijnë ndër mend ato ditë kur kam filluar jetën në këtë ishull të bukur të Long Island, Nju York. Ishte viti 1990 dhe unë isha në moshë të re. Si i ri, dëshiroja ta njihja sa më shumë gjithë rajonin, që të ambientohesha më lehtë. Pas pak kohe, në “Eastern Parkway” në Farmingdele, në pjesën e epërme të ballinës së një ndërtese më ra në sy flamuri shqiptar, i vizatuar me shumë mjeshtri artistike, që e mbulonte një sipërfaqe të madhe të një muri të jashtëm të një ndërtese. U gëzova pa masë. U ndala menjëherë aty, për të takuar ndonjë shqiptar. Por dera ishte e mbyllur dhe nga dritarja shihej hapësira e zbrazët. Dukej që ndërtesa ishte e braktisur. Nga pamja e kuptova se më parë këtu kishte qenë ndonjë klub shqiptarësh, ku shumë mërgimtarë i kishin ndarë gëzimet dhe hidhërimet ndërmjet tyre. Muri pritej të rrënohej së shpejti e, bashkë me të, do të rrënoheshin dhe zhdukeshin edhe gjurmët e tyre. Me shumë nostalgji mendoja sikur ata të kishin lënë ndonjë letër apo dokument të shkruar në gjuhën shqipe. Por asgjë. E një rrënim i tillë çon në humbjen e një pasurie të çmuar, siç është gjuha amtare.
Një gjë të tillë e kisha hasur aty nga viti ‘90-të, në një takim pune në “Deer Park”. Pasi bëmë pëlqimin dhe po përgatisnim dokumentet për nënshkrimin e një kontrate, pronari më pyeti:
-Are you Albanian? (A je shqiptar?).
-Po, -iu përgjigja me shumë kënaqësi.-Po ju nga e kuptuat?-e pyeta.
-Edhe gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë. Ata gjithmonë flisnin shqip në mes tyre.
-Domethënë edhe ju qenkeni shqiptar?-i thashë.
– Disi, ashtu, -u përgjigj.
-A dini ndonjë fjalë në shqip? -e pyeta me kureshtje.
-Po, -tha ai dhe filloi: -Dikur foll shumë, po arru, baba fol mir pak ship, mama mu rrit vogël…
Ngaqë me shumë mund i shqiptonte ato pak fjalë, filloi të skuqej dhe e mbuloi një ndienjë fajësie që nuk dinte ndonjë fjalë më shumë nga gjuha amtare. Ndërsa unë, kur e dëgjoja, u mbusha me një dhimbje shpirtërore, sa që isha gati të shkrehesha në vaj. Në mungesë të një shkolle shqipe rrjedhin mjerime apo asimilime të tilla. Sa pamje e vështirë ishte ajo atë ditë para syve të mi, sa e rëndë qenka të shikosh se si vdes etnia në genin tonë, në qenien tonë.
Raste të tilla më ka takuar të has shpesh ndër shqiptarët në mërgim, por sot e kam fjalën në veçanti për shqiptarët e Long Islandit. Në këto treva jam i bindur se ka pasur në të kaluarën me qindra familje, por në mungesë të një shkolle shqipe e humbën edhe identitetin e tyre kombëtar.Disa prej tyre as nuk e dinë që kanë qenë shqiptarë. Shumë prej tyre e dinë, por në mungesë të komunikimit dhe kontakteve me kulturën shqiptare, e kanë humbur ndienjën kombëtare…E të mendosh se në Kalabri e në Siçili të Italisë, ku ka me dhjetra e dhjetra fshatra arbëresh, ata i kanë ruajtur për mbi 500 vjet gjuhën amtare, kostumet, traditat, historinë, kulturën kombëtare. Në qendrën e çdo fshati arbëresh ngrihet busti ose monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Atje bëhet punë sistematike për ruajtjen e gjuhës amtare nga brezi në brez. Shembulli i tyre duhet të bëhet frymëzim e të ndriçojë arsyen tek secili prej nesh për të punuar me një përkushtim të tillë, sepse kushtet, zhvillimet tekonologjike, janë të tilla që na e lehtësojnë këtë mision.
Me nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta” punojnë me një përkushtim të veçantë profesoresha Fabjola Gjinaj dhe bashkëshorti i saj, dr. Paulin Marku. Duke qenë intelektualë në emigracion, ata nuk mund të rrinin indiferentë përpara plagës së asimilimit, e cila e “vret” në heshtje kulturën kombëtare. Ndaj iu vunë punës dhe e hapën shkollën shqipe. Nuk ishte e lehtë, por me pasion e dashuri për gjuhën amtare arrihet gjithçka. E tani në këtë shkollë mësohet vetëm shqip, këndohet vetëm shqip, aty fëmijët, po edhe prindërit brumosen vetëm me frymën tonë kombëtare. Është kënaqësi kur shikon se si prindërit lumturohen duke parë fëmijët e tyre që përparojnë në mësimin e gjuhës shqipe, e shkruajnë atë në mënyrë korrektë, recitojnë apo këndojnë në gjuhën e të parëve. E, me këtë rast, u drejtohem bashkëkombësve të mi: Nuk dyshoj në atdhedashurinë tuaj dhe ndjenjat e zjarrta për Atdheun që e doni si jetën tuaj, por nuk mjafton të ngremë flamujt dhe simbolet kombëtare shesheve, nëse ne nuk gjejmë një gjuhë të përbashkët për edukimin e fëmijëve tanë në frymë kombëtare. Kot themi se e duam kombin, nëse nuk e duam njëri-tjetrin me ndjenjën më të pastër vëllazërore. Nuk jemi të denjë ndaj kombit, nëse nuk e ruajmë gjuhën tonë. Rilindasi e patrioti Shahin Kolonja, fshehtas edhe te shqiptarët e burgosur i dërgonte shkronjat shqipe. Ne jemi të lirë. Të shndërrohemi në rilindas të kohës sonë, për të mirën e fëmijëve tanë dhe të kombit tonë. Në fushën e shkronjave dhe të letrave shqipe punët e rënda i mbaruan paraardhësit tanë, ashtu të robëruar e të persekutuar. Disa flijuan edhe jetën e tyre që ne të kemi alfabetin dhe mëvetësinë tonë kombëtare. Andaj, sillni fëmijët për të mirën tuaj, për të mirën e fëmijëve tuaj, në shkollën tuaj shqipe. Dyert e saj janë të hapura për të gjithë dhe ju presin me dashuri.
Ndërsa bëj këtë thirrje, shikoj se me sa dashuri i përshëndesin fëmijët, pas mbarimit të mësimit, mësuesit e tyre, Fabjolën dhe Paulinin. Me siguri mirënjohja ngul rrënjë të thella tek ata dhe do ta kujtojnë këtë punë të vyer edhe kur të rriten e do ta transmetojnë tek fëmijët e tyre. E nderimi për mësuesit do të jetë i përhershëm, siç e thotë edhe poeti në vjershë:
Edhe kur kryet të na e mbulojnë thinjat,
në mendje do sjellim një emër nderues,
emrin e dashur porsi fëmijëria,
emrin e thjeshtë, por të madh: Mësues!