Eva Marku/
Vetëm 15 vjeçe! E përndjekur nga një 32 vjeçar i martuar, që kishte arritur ta mashtronte, e më pas të abuzonte me të. Videot intime me adoleshenten i kishte shpërndarë te katër persona të tjerë. Ky ishte fillimi i makthit për 15 vjeçaren.
Kërcënime e shantazhe ndaj saj për të kryer marrëdhënie seksuale, ndaj të cilave u dorëzua. Marrëdhëniet seksuale të përsëritura e kishin shkatërruar psikologjikisht adoleshenten, që më në fund kërkoi ndihmë. Të pestë personat e përfshirë në këtë skandal, u vunë në pranga. Por makthet e vajzës nga Mirdita nuk kanë për t’u larguar kurrë. Ashtu si edhe rastet e tilla, në një botë që ka ndryshuar kryekëput, që kur interneti u bë pjesë e pandalshme e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve.
Bota virtuale nga dita në ditë bëhet më e pasigurt. Për këtë mjafton vetëm një kërkim në Google për të parë rastet e shumta që kanë bërë xhiron në mediat online dhe rrjetet sociale, që lidhen me abuzimin dhe shantazhin ndaj të miturve, veçanërisht ndaj vajzave minorene, të cilat bien pre e rreziqeve të shpeshta që teknologjia moderne iu ofron atyre.
Raporti i Policisë së Shtetit
Krimet kibernetike pothuajse janë trefishuar në dy vitet e fundit dhe po targetojnë një numër në rritje të miturish në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit.
Numri i krimeve në internet u rrit nga 166 raste të raportuara në vitin 2019 në 440 raste në vitin 2021, ndërsa gati 3 për qind e të dëmtuarve janë fëmijë.
Ekspertët e lidhin lulëzimin e krimeve kibernetike me pandeminë e COVID-19, e cila shtoi numrin e të miturve me akses në internet. Ata thonë gjithashtu se shifrat zyrtare janë vetëm “maja e ajsbergut”.
“Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve online me të miturit nga viti në vit kanë një rritje të frikshme” paralajmëron eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.
“Një nder problemet kryesore në Shqipëri është padija e prindërve mbi teknologjinë dhe rreziqet që ajo sjell. Gjithashtu një pjesë e madhe e viktimave nuk bëjnë denoncim dhe kjo pamundëson organet kompetente në ndjekjen e këtyre rasteve,” shtoi ai, ku ndër të tjera këshillon si zgjidhje të këtij problemi ndërhyrjen e shtetit edhe në sektorin e arsimit për edukimin e të rinjve në parandalimin e shtimit të viktimave të krimit kibernetik.
“Shteti duhet me patjetër të bëjë pjesë të kurrikulave shkollore mbrojtjen online dhe çdo shkollë të japë seminare me detyrim për prindërit ku të diskutohen të gjitha tipologjitë e këtij krimi bashkë me rrisqet që paraqet për çdo te mitur”- përfundon Semanaj.
Nga fronti tjetër, psikologët dhe punonjësit socialë që përballen në përditshmërinë e tyre në ambientet e shkollës, me të tilla raste, pohojnë se janë ngritur instanca të posaçme, grupe pune për t’u ofruar mbështetje dhe seanca këshillimi të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaz për rreziqet e internetit. Pjesë e kësaj nisme, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, janë përfshirë edhe prindërit, që sipas psikologes Enerisa Guberaj, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”, kanë rol kyç në parandalimin e të tilla rreziqeve.
“Në fillim prindërit e kanë të vështirë ta besojnë një incident që i ka ndodhur fëmijës së tyre. Duke e lidhur dhe me një situatë që më ka ndodhur para disa vitesh dhe kanë qenë të dyzuar midis asaj që duhej ta besonin siç është versioni real që na ka thënë vajza apo ajo që na kanë thënë të tjerët. Por unë jam gjithmonë dakord me versionin që prindërit duhet të besojnë fëmijën e tyre dhe t’i krijojnë siguri e mirëkuptim që mos të kenë frikë të shprehen. Sepse nëse nuk e tregojnë të vërtetën kjo ndodh për shkak të tyre, prej presionit të madh që i krijojnë duke i bërë të kenë frikë të tregojnë e kërkojnë mbrojtje. Prindërit duan më të mirën për fëmijën e tyre dhe kur unë ua kam treguar gjendjen se si po ndihet fëmija në ato momente ata e kanë përkrahur 100%. Nëse në fillim kanë qenë 20%, më pas kanë reflektuar”- tregon ajo, duke theksuar se nga viti në vit, nxënësit e kanë humbur interesin për të komunikuar, për të mësuar pasi janë të përqendruar në rrjetet sociale.
Të njëjtin vlerësim të situatës jep edhe kolegia e saj, punonjësja sociale, Erminda Meshini, e cila thekson se fëmijët me prindër të divorcuar, janë më të rrezikuar.
“Përpos pjesës së divorcit janë dhe problemet e sjelljes së fëmijëve pasi janë të pakontrolluara. Mungesa e autoritetit tjetër, kryesisht të babait, pasi kryesisht fëmijët qëndrojnë me nënën sipas ligjit deri nën 18 vjeç. Nëna është e detyruar të punojë për një kohë të gjatë dhe fëmija e humb kontrollin, është i ekspozuar ndaj teknologjisë, rrjeteve sociale, rreziqeve të tjera që vijnë nga interneti ku ata navigojnë. Ne, si institucion, shkollë, bëjmë pjesën tonë, që është e rëndësishme gjithashtu, por kujtojmë që prindërit kanë një rol shumë më vendimtar në mirërritjen e fëmijës”, tregon zonja Meshini.
Ndërsa instancat arsimore presin më shumë nga përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, nga ana tjetër këta të fundit shpresojnë pikërisht te këto institucione. Besa, është njëra nga mamatë, që punon me turne, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili gjithashtu e ka të vështirë që t’i qëndrojë “mbi kokë” vajzës së vogël, 13-vjeçare, që çdo ditë i duhen para për në shkollë, sepse përndryshe bullizohet nga shoqëria. Ashtu sikurse edhe psikologia na tregoi në një intervistë të gjatë, se bullizmi është çështja më problematike te fëmijët.
“Është shumë e vështirë të kontrollosh në ditët e sotme, një fëmijë në moshën e adoleshencës, pasi punojmë me turne dhe më shumë fokusohemi te shkollimi dhe mirëqenia e tyre; duke u kujdesur për t’i siguruar një jetë komode me aq mundësi sa kemi. Ndonjëherë e kemi edhe të vështirë që të ulemi dhe të flasim me to për çështjen e adoleshencës sepse nuk jemi në një brez të tillë. Çdo gjë është ndryshe, por fatmirësisht mundohem ta kuptoj dhe ta këshilloj si një nënë, duke e ditur edhe ndryshimin e sjelljes në këtë moshë”, – tregon zonja Besa.
Raporti i CRCA-së
Fatkeqësisht faktet na pohojnë një të vërtetë të dhimbshme, që rastet nga viti në vit veçse sa shtohen, në vend që të ulen apo parandalohen. Edhe pse janë ngritur struktura të posaçme në ndihmë të çdolloj personi që ndihet i kërcënuar apo bullizuar në jetën e tij, siç është edhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).
Në raportet e tri viteve të fundit, që kjo organizatë ka bërë, vihet re që ka rritje nga viti 2019-të në 2020-ën, ku janë 104 incidente të raportuara, 111 faqe të denoncuara në të parin dhe 193 raste, 6273 faqe në të dytin (2020-ën). Ndërkohë në 2020-ën, në platformën online ISIGURT.AL (të CRCA-së), janë denoncuar 93 raste, përfshirë 2885 faqe me përmbajtje të papërshtatshme për të miturit.
55% e rasteve janë raportuar përmes rrjetit social “Instagram”, 20% nga “Facebok” dhe pjesa tjetër nga Youtube, Tik-Tok, Snap Chat, Telegram dhe aplikacione të tjera.
Ankesat përkundrejt platformave apo faqeve të tjera janë më të ulëta, edhe pse disa prej tyre janë të lidhura me pornografi të fëmijëve, nuditetit apo gjuhën e urrejtjes ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. 25% e rasteve janë pikërisht viktimë e gjuhës së urrejtjes, ndjekur pas nga vjedhja e adresave apo postimi i fotove të tyre të papërshtatshme në rrjetet sociale. Në 2020-ën janë 8 fishuar rastet e pornografisë me të mitur, krahasuar me 2019-ën. Gjithashtu edhe në 2021-in, 97% e faqeve të denoncuara kanë përmbajtje pornografike.
Mosha më e prekur është ajo 15-17 vjeç, ku vitin e kaluar 64% e denoncuesve kanë qenë djem, 32% vajza, por sikurse raporton edhe CRCA, tipologjia e ankesave është më e rëndë nga ana e të rejave, të cilat bien viktimë e shantazheve, vjedhjes së fotove, ngacmimeve seksuale, kërcënimeve dhe përndjekjes.
Tirana është qyteti që kryeson në të tilla raste, ndjekur nga Elbasani, Peqini, Vlora, e të tjera qytete.
Rastet abuzive
Shqipëria është tronditur nga krimet seksuale të ndryshme ndaj minorenëve. Një prej tyre është rasti i Abaz Dokut, 64 vjeçarit që abuzoi me nxënësen 15 vjeçare, të shkollës ku ai punonte si roje në Babrru.
Në 5 shkurt të këtij viti, katër djem të rritur, mbi 19 vjeç, kanë shantazhuar një 17 vjeçare përgjatë një muaji dhe i kanë marrë shuma të ndryshme parash në shumën 200 mijë lekë të vjetra deri në 8 mijë euro.
Apo rastin e tmerrshëm të Kavajës, ku një e mitur u përdhunua në grup nga moshatarët e saj, nxënës po në të njëjtën shkollë dhe klasë ku ajo ishte. E shumë të tjerë, që nuk mungojnë të pasqyruar ndoshta edhe në formën më të patetike në mediat sociale.
Të tilla raste kanë shokuar shoqërinë shqiptare, por rritja e numrit të rasteve tregon që duhet bërë më shumë. Në të kundërt, media shqiptare do të vazhdojë që të raportojë për abuzimet e monstrave!