Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Në trevën historike të Hotit të Vendit në juglindje të liqenit të Plavës, në shek. XVIII jetnonin disa vllazni hotjane qëndrestare vitale: Mahmudët e Kurtët e Hotit – derë e hershme, e madhe, e fortë. Gjonët e Hotit – rriten në këtë truall në vargbrezni me dy barqe, të Haxhaj e Sinanaj, dhe nga Haxhajt krijohen degëzime të reja: Mehaj, Hysenaj e Mujaj. Gjokët e Hotit – tevona çvendosen brenda krahinës, në Dosugja të Gucisë, tek pllaja e Dodës, të njoftun edhe si Beqirhotaj apo Gjelaj.
Disa vllazni hotjane shtegtuan pakthim trojenik kryesisht rrjedhave lumore të Limit, Tarës, Valbonës e Moraçës. Markët e Hotit u ngulën me truall e kulla në Rahovecin e sotëm, në Krushë të Madhe e, prej kësaj vllaznie, është politikani martir, filozofi e shkrimtari i shquar, Ukshin Hoti. Gjeloshët e Hotit nga lugina e Jasenicës u shpërngulën në Sanxhak-Tregu i Ri, ku tashti, në bashkari me hotjanë të tjerë, numërohen mbi 200 shtëpi. Nga vllaznia Sinanaj ka të larguar për në Rrozhajë, të cilët kryebigohen ndërveti me lidhje gjaku tek Gjoni i Hotit. Nga të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit ka të ikun në vise shqiptare nën Malin e Zi, drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, etj.. Në Nju Jork të Amerikës këto pesë dekadat e fundit është formue një komunitet i madh e aktiv etno-kulturor i hotjanëve, një “Hot i Dytë i Plavës”.
Vllaznitë e sotme hotjane në vendlindje, në Hotin e Vendit e në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, si edhe në çdo vendbanim tjetër shqiptar e mërgimtar e mbajnë emrin e një paraardhësi të tyre të shquar për mbiemër të vet. Nganjëherë, familje apo individ e mbajnë për mbiemër edhe emrin e fisit të tyre të lashtë, etnik, historik. Mehajt e kanë emblemë të mbiemrit të vet: Mehin, i cili veprimtaroi emërmirë për shtëpinë, fisin e kombin e vet deri në kufijtë e legjendave, deri në ditën e fundme të jetës.
2.
Lindja e Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit ka mbajamendje, pasi përkon me një ngjarje historike tragjike, me vrasjen e Kara Mahmud Pashës, Vezirit të Shkodrës, në fundshtator 1796, pas një çarje rrethimi në Pipër, teksa u fut në kishën e Palabardhit, gjatë një përballje luftarake për rikthimin gjeo-politik të tri krahinave shqiptare: Kuçi, Pipëri, Palabardhi në juridiksion plotor të Pashallekut të madh të Shkodrës.
Ujka (Ujkani), baba i Mehit, sëbashku me qindra malësorë nga Hoti i Vendit e Plavë-Gucia, mori pjesë në këtë luftë në mbështetje të Vezirit të Shkodrës. Pas tërhjekjes sprapsuese prej kurthit luftarak të betejës, duke luftue në rrethim, bash në Pipër, u vra atdhetari i flaktë Gjyla Begu i Rexhepagajve, sundimtari i pashoq i Plavë-Gucisë. Ky ishte mik i fismë i derës së Kara Mahmud Pashës, i cili ka verue shpesh herë në brigje të liqenit të Plavës, ndaj ende majemali në këtë trevë thirren “Maja e Vezirit”. Këta dy burra të mëdhenj, probatima ndërveti, në këto kohë tepër të vështira, e kanë mbrojt Plavë-Gucinë për mos me u pushtue e aneksue si krahinat e tjera etnike shqiptare në brigje të Moraçës nga Mali i Zi i shovinistit vladika Pjetër I Petroviç-Njegosh.
Ujka Haxha i Hotit të Vendit, baba i Mehit, i mori disa plagë në trup gjatë këtyre luftimeve dhe falë kalit të tij mjaft të stërvitur mundi të tërhiqej nga fronti i përgjakshëm me pjesën e ushtrisë së mbetur, të mundur e në largim. Diku përtej sheshbetejës e kanë marrë me veti hotjanët e Rrafshit, të cilët e kanë njoft me nji të pame me sy. Kah mesi i dimnit ka mujt me ecë në kambët e veta. Në të çelun pranvera me gjethe lisi e lule fushe e kanë ngjit në Hotin e Vendit. Rrnoi disa vite. Mesa dijmë i la mbrapa vedit tre djemë trashëgimtarë: Haxha, Muja, Mehi, të cilët, këta dy të fundit, tevona dolën bark më vete, ndanë toka e ngritën kulla.
Mehi, i pari i Mehjave të derisotëm, ishte ma i madhi ndër tre vëllezërit e tij dhe kishte shumë motra. Kjo, atij, i dha krahë mirësie me i forcue lidhjet e miqësisë me krahina të tjera përrreth Limit, Moraçës e Drinit. Tek Mehajt traditor nuk ka ndodh me pasë marrje e as dhanie me martesa në Hotin e Vendit.
3.
Kajmekani faqezi i Gucisë, Zija Beg Rexhepagaj, kunat me Hudaverdi Pashën e Mahmudbegollëve të Pejës, pas luftës së gjatë austro-otomane (1683-1699), i shpërnguli përdhunshëm dhjetra familje etnike shqiptare (jo)kryengritëse nga Brezovica, Metehi e deri në afri të Hotit, në luginën e lumit Gjyriq (i thirrun dikur “Lumi i Mirë”). Vendoj në këto territore rreth 241-360 familje nga Moraça, Palabardhi e Ciklina e Çetinës duke iu dhanë toka vrrini si edhe lartësi bjeshktare në Çakorr, Babinë, Bogiqe. U çue në kambë Hoti i Vendit për mos me i lanë me u shpërngul forcërisht asnjë familje hotjane dhe mos me e lëshue asnjë hap tokë të vet për këta kolonë të rinj, pasi boll ishin rrudhë hotjanët e Plavës me territore etno-historike përgjatë shekujve. I ngjeshën armët. Hipën në kuajt e luftës. Kajmekan Riza, ma i keqi i kazasë së Plavë-Gucisë në dymbëdhjetë breza sundimtarësh nga dera e Rexhepagajve, u nis me të vetët me iu dalë para hotjanëve tek Guri i Gjokës. Ai nuk donte me e mësy trimat e Hotit të Vendit deri tek “Sokaku i Hotit”, tek territori i hershëm i tyre në afri të liqenit të Plavës. Fjala e Hotit shkoi deri në vesh të Zotit. Askush nuk ia shkeli asnjë fije bari kësaj treve etnike historike.
Kit’ histori thuhet se e kishte mjaft për zemër Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit, ashtu sikurse edhe pasaardhës të tij bio-genetik të Mehajve e të vllaznive hotjane Haxhaj, Sinanaj, Mujaj e Hysenaj. Kjo, qyshse në hershmëri, kallxohej në oda hotjane e në kuvende tek Kodra e Rexhës, tek kisha skej lumit në Jasenicë. Kudo. Edhe kjo histori i ka frymëzue në breza hotjanët e tri luginave të hershme e hotjanët e sotëm në dy faqet e luginës lumore të Hotit, nga Shkambi i Zi deri në bjeshkën e Horolacit tue fillanis vrrinit me 1.050 m e mbrri deri në 2.199 m. lartësi mbidetare në bjeshkë.
Herët, bjeshkët alpine janë kanë me ndore të shtetit otoman. Ato jepeshin me traminë (porestin). Hoti i Vendit bante përjashtim prej kësaj rregullsie shtetërore të kohës. Mirëpo, tregimohet se një ditë Mujë Ujka Haxha, i pari i vllaznisë Mujaj, e pati pa një andërr sikur ua morën bjeshkët “me ba haraç”. I thirri Mehi Ujka Haxhës, të parit të Mehajve, e dolën bashkarisht në Koshuticë të Hotit. Aty panë zyrtarë të qeverisë osmane. Fjalafolën me ta. Po s’u tërhoqën nga marrja e bjeshkës. Ua nisën pushkën. Bjeshka i mbeti prapë Hotit të Vendit. Tashti ata i kanë varret në Koshuticë, në krye të Çardaqeve.
Pas akteve të tilla me shembuj qëndrestarie dekteri në fillime të shek. XX nuk i hyni kush në pjesë toke Hotit të Vendit, veçse kur hotjanët i dhanë ato në raste apo rrethana të caktuara me klering apo valutë të kohës, si fjala vjen ofertuesve Rexhepagaj.
Në kohën e Kraljevinës, në vitin 1924, me të ashtuquajtunen “Reformë Agrare”, iu morën Hotit të Vendit kullota e male nga Jugosllavia e Parë, që iu kanë rikthye veçse një pjesë e vogël 181 hektarëshe tek Koshutica e Hotit. Prapë në kohën e Titos, Jugosllavia e Dytë, me tjetër platformë e praktikë të ashtuquajtun “Nacionalizimi”(1955-1961) ua mori gjithato prona hotjanëve e, prej asaj dite e deri më sot, kanë mbet’ prona shtetërore. Vitet e fundit, ky shteti i Gjukanoviçit, në këtë kohë të riaktivizimit në rrugë diplomatike e politike të ashtuquajtunes “Jugosllavia e Katërt”(!), prapë po synon e sulmon marrjen e tjetërsimin pronësor të tokave të Hotit të Vendit me anë të Parkut Ballkanik të Paqes “Prokletje”(!)
4.
Gati një çerek mijëvjeçari po kalon nga kohëlindja e Mehi Ujka – i pari i Mehajve dhe, ende hotjanë, plavë-gucias e të tjerë, fjalaflasin me admirim për emrin e bëmat e Mehit aqsa një bashkëvendas i moshuar më pohon krenarisht: “veçse krahët nuk i ka pasë”.
Luftëtari i maleve shqiptare, Mehi Ujka, sëbashku me disa hotjanë të Plavës, patën konflikte të përgjakshme me armë me ekstremistë nga Vasojeviçi i Epërm (Nahija e Vasojeviçit), krahinë e sapo futun forcërisht nën Sanxhakun e Cerrnagores, në kohën kundërshqiptare të peshkopit-princ Peter I Petroviç-Njegos. Kjo i detyroi përkohor me e lanë Hotin e Vendit dhe me ra në qytetin e Shkodrës, kryeqendrën e Sanxhakut të Shkodrës, kaza e të cilit ishte edhe Gucia me rrethina të hapëta nga ana administrative.
Mehi Ujka i Hotit tue ecë me kusherinjtë e vet nëpër Shkodër ndal tek një dugajë. Hyjnë brenda. I sheh do patkoj të varun aty. Fjalathotë: “Po sa i kie ata patkoj, o dugajxhi, se po më duken pak si të hollë?! Dugajxhia i përgjigjet tue e ndjek terezinë e vet, duke e reklamë mallin e vet. Atëherë, Mehi ia pret: Unë me i kap qitash i thej me dorë, i baj dy copësh! Dugajxhia ia kthen: N’mujsh me i thye, i kie një teste (50 copë) me patkonj dhe për çdo patkue edhe nga nji thumb falas…
Si u tha edhe u ba. Mehi e tereziti mirë patkoin në dorë, i dha vetes kivet e ta këputi në mes. I dha krahut me forcë e ta ngjujti neltas një pjesë të patkoit, i cili u ngul në një tra të tavanit të dugajës. I mori patkonjtë e thumbat e premtuem prej dugajxhisë. Iu dha prej tyre edhe kushërinjve të vet, sepse dihet: hotjanët janë tepër të dhanun pas kuajve, një traditë e kahershme, e mbartun dhe e përcjellë qyshse nga paraardhësit e vet, nga Autariatët ilirianë.
Një ditë tjetër, bash në qendër të (krye)qytetit të Shkodrës, u borokatke një shkodran truplidhun e shtatlartë tue piskatë me ritme daulleje: O në këtë sanxhak, në 12 fise të Malësisë, nuk ka burrë si më del me u ndesh përballë!
Shumkush në Shkodër ia kishte ndie zanin ose pa faktikisht forcën Mehi Ujkës së Hotit të Vendit, prandaj e thirrën një ditë vere me u kap trupas me shkodranin bejlegxhi. Kusherinjtë e vet iu lutën me e hjek “gujen”, veshjen malsorçe, hotjane, po ai iu gjegj atyne me bindje të ngultë: “Gujen nuk e hjeki. Ajo delme që nuk e ban bashkën e vet nuk i duhet gja kujt…”.
Mehi po don me hjek merak për mos me çue në Hotin e Vendit ngatrresa të idhta e as gjakderdhje hakmarrëse, prandaj ia bani me dije paraprakisht shkodranit, i vnon kusht para se me u ndesh ndërveti: O burrë i dheut, në kit Shkodrën tonë, në kit’ ditë, ba me ia thye dorë a kambë njani-tjetrit, me e mbyt shoqi-shoqin, nuk kena fjalë e as pushkë mbrapa? Shkodrani ia dha besën se kurrgja kësosh nuk do të ndodhin në këtë ditë tregu, në këtë ndeshje force mes tyre, në mes farefisnisë së tyre.
Njerëz si bleta ishin mbledhë me plot kureshtje e komente përrreth tyre, në pritje të duelit e të fitimtarit. Një spektakël i tillë force kishte ngjarë shpesh në kryeqëndren e sanxhakut, në ditën e pazarit të madh.
Kur e kapi rrokas po dvet shkodrani: A je kap Mehi? E ky hotjani me urtësi force ia kthen turrtë: Po, po. Mos kie gajle! Prapë shkodrani në kit ndeshje force po don me e dit’ me atë kryelartësinë e vet: “A po m’i jep ti para trupit apo unë me t’dhanë ty?” Ia pret Mehi: “Jo, ti epëm mue…!” Shkodrani boll i dha vetes fuqi po nuk mujti me e luejt Mehin prej vendit. Rrinte si lis bjeshke.
Rradha po i vjen Mehit. I vikati për me ndie edhe të tjerët: “Tashti unë po due me të dhanë ty para! Pritëm mue!”. Ia ngjiti fort, çobanisht. E cingloi prej toke. I lvritshin kambët sikur miut. E gjuejti plastim për tokë. I gufi gjaku prej goje e hundësh. Ia mbyti byrykamen. Shkodrani nuk doli ma në mejdane të tilla.
Atëherë njerëzia, të mbledhun aty, e morën Mehin dhe e ngritën mbi supe, tue ecë një copë kohë e rrugë nëpër pazarin e Shkodrës. Jehonin thirrjet e fuqishme: Mehi! Hoti!… Këtë histori dueli e mori vesh edhe sanxhakbeu i Shkodrës…
Mehi Ujka i Hotit ishte jetëgjatë e fort i mbajtun. Thuhet se e kapërceu qindin tue ecë mbi kali shale për në bjeshkë të Koshuticës. Me pamje nga afër nuk i dallohej mosha e madhe. Ndoshta të gjitha këto e shpjegojnë faktin se Mehi mori pjesë edhe në të madhen e të përgjakshmen “Betejë të Ostrogit” (1853) në krahinën e Bjellopavliçit kundër forcave pushtuese e aneksuese të Malit të Zi të princit shoven Danilo I Petroviç-Njegosh.
Plaku i moçëm Mehi Ujka i Hotit thuhet se e ka varrin e tij në atë të përpjetën ku Jasenica kap prej bjeshke, atje tek Vorret e Vjetra.
5.
Tahir Meha i Hotit të Vendit nuk ishte njeri i pazakontë, trupmadh e muskulfortë si i ati, po nuk i pati lanë gja mangut për nga trimëria e zgjuarësia.
Ai kishte edhe një vlla tjetër disa vjet ma të madh se vetin, Isufin, i cili ishte çoban i zoti dhe pati një vdekje natyrore të parakohshme tue lanë një djalë të vetëm, Sinanin, e katër çika njana pas tjetres.
Luftëtari atdhetar Tahir Meha i Hotit të Vendit shquhet në një nga betejat ma të mëdha e ma të vështira shqiptaro-malazeze, në atë të Grahovës (28 prill–1 maj 1858), si dhe ka marrë pjesë në disa luftëra lokale në mbrojtje të Plavë-Gucisë me rrethina.
6.
Shaban Tahir Meha i Hotit të Vendit duket se i përngau gjyshit të tij, Mehit, pasi ishte një burrë i fuqishëm. Në fletore të shenimeve për Hotin e Vendit disa bashkëbisedues në Plavë-Guci e në Nju Jork-Amerikë ma përshkruajnë si “një trup mjaft leshtor” aqsa edhe dimrave tepër të ftohtë “e mbante vetëm një goxhup”. Ai ishte aq punëtor i rrallë sa edhe toka ia njihte dorën dhe ia ndiente frymën.
Asokohe, Shaba, siç e thirrnin shkurt e me afri, e ngriti një kullë trekatëshe në truallin e vet, sikurse edhe Alush Smajli Haxhaj, Ukshin Arif Sinanaj, Malë Rrustem Hysenaj, Ibër Mustafa Haxhaj (dykatëshe) e, ndonjë tjetër. Këto kulla e banin Hotin e Vendit edhe ma të bukur e ma të lumtur, iu jepnin forcë qëndrese e frymë zhvillimi ekonomik e kulturor hotjanëve. Kur Mali i Zi e pushtoi e aneksoi me gjak e flakë Plavë-Gucinë (1912-nëntor 1913) i dogji edhe kullat e besës e qëndresës të Hotit të Vendit.
Edhe sot e kësaj dite, afër kullës të dikurshme të Shabës trim e gjallnik, gjenden gjurmët e dy furrave gëlqereje që i ka pasë ndërtue në kohën e vet. Këtij vendi, ku e pjeki e nxorri gëlqeren për veti e për treg, i ka mbet’ toponimi i përhershëm: “Qerrshahe e Shab Tahirit të Mehajve”.
Shab Tahiri me djemtë e Mehajve të kohës së vet gjerdanonin në unison me bashkëfistarët e vet hotjanë në Hot, Jasenicë, Zabel, tek “Balli i Gjahut” (kodër thepore, në hymje të Hotit, kah lindja, në të majtë të liqenit të Plavës), tek ngjiteshin e dirgjeshin nga bjeshka, kur merrnin udhë për në tregun e Plavës e atë të Gucisë, kur rrugëtonin për në Pejë apo Shkodër. Këta të tre i jepnin bukuri e krenari vendit e kuvendit, udhëtimit e argëtimit. Burrat e Hotit, edhe brenda krahinës (kaza, kapiteni, komunë) në qytetet Plavë e Guci, binin në bashkari deri në mbi 20-30 vetë, me kuaj shale e armë, të veshur si për ditëmadhe pazari, etj.
7.
4 Dhjetori 1879 i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është sipari i një prej luftërave kombëtare ma të mëdha në historinë shqiptare: “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit “ (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, Brezovicë…), e cila u përmbyll me gjak e flakë më 11 janar 1880. Kjo luftë njihet ndryshe edhe si “Dy betejat e Nokshiqit” (dhjetor 1879, janar 1880). Mbi të gjitha historiografia shqiptare e vlerëson si një nga faqet e ndritura të “prologut” të Pavarësisë së kryer më 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit.
Pak kush e din se heroi i kësaj dite historike, dëshmori i parë i kësaj lufte historike, është një luftëtar i madh, njeriu i thjeshtë, (Murat) Osman Murati i Mahmudëve të Hotit të Vendit, një personazh historik i padalun në dritën e vërtetë të historisë kombëtare, në breza të shuar nëpër luftëra me sllavë të Jugut e otomanë të Lindjes. Ai i përket një vllaznie të vjetër sa vet Hoti, trime si vet Hoti, ndaj thirrej edhe me emra simbolik: “Mahmud-hoti”,“Murati”. Gjithandej cilësohej si njeri “i lindun me orë”, më fjalathonë Ahmet Murati i Sinanajve, Rexhë Mehmeti i Sinanajve, Sinan Isufi i Mehajve, Halil Ukshini i Sinanajve, Ilmi Murat Mujaj, etj. Boshnjakët e Plavë-Gucisë, ma së forti shqiptarë të asimiluar, thoshin shpesh se nuk ka luftë pa Muratin, e përdornin shprehjen e njohur: “Nema rata bes Murata”. Ky, në syçelje të dritës, në syfyr, lëshoi kushtrimin tek Kodra e Rexhës e dukej se eci ma shpejt se jehona e zanit të tij nëpër luginën e Hotit e të Gjyriqit, trupon urën e Limit, i bie përfund Brezovicës e pa hi në Pepaj i paradalin nja 100 shkije në fushim. Mbante me veti buzdavanin, shpatën e thikat e mprehta. I ka zhdrip kalit të shalës tek grupi ma i parë ulandejas i shkijeve e iu tha: Kam ardh me iu pru i xhevap… E nxori shpatën nga brezi e thuhet se i ka pre 15 krena pushtuesish malazezë. Ai shkoi si hero, e dha jetën si hero, tue e ndez luftën e pashembullt.
Alush Smajl Haxhaj, Dera e Parë e Hotit të Vendit, përcjell jehonën e kushtrimit luftarak e, hypi në kalë të bardhë dhe, sëbashku me vëllezërit e vet: Asllanin, Currin, Medin, Tahirin, Rexhin i cokatin e i ngjeshin armët për luftë kundër ushtrisë malazeze.
Luftëtari trim, Shab Tahiri Mehaj, rreth 30 vjeçar, siç shkruhet tek monografia “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” (Zenel R. Haxhaj, USA, 1998) kushtrimon malsorçe “nga shkëmbi i Horllacit, nga Mehajt, rranxë bjeshkëve të hotjanëve” dhe mori pjesë ballas në të dy betejat e Luftës së Nokshiqit, duke marrë edhe një plagë më 11 janar 1880.
Nga Hoti i Vendit, 33 apo 37 ose 43 luftëtarë nga vllaznitë Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e një i Dedushaj, Bajram Musa, ranë tek kulla e Jakup Ferrit në Plavë e, siç më kuvendon në Nju Jork veterani diamantor, Rexhep Gali Balidemaj, “dolën në ballë të luftës në Nokshiq”. Strategjia e luftës së Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit) kishte planet e veta të (pa)shpalosura, po të parët strategë të saj atdhetarë idealistë e luftëtarë të pakompromis ishin hotjanët, që u ndoqën njëherash e përflaktas nga nokshiqasit…e rugovasit… Historia ka fillue me folë…
8.
Isuf Shab Mehaj, i dyti ndër djemtë, ishte e mbetet në kujtesën e vllaznisë së tij e të hotjanëve të Plavës si “sokol djalë”. Sipas traditës hotjane të lashtë, ishte i dhanun mbas garave me kuaj, biles me kalin e tij të bardhë dilte shpesh i pari ndër të tjerët. Si ai ma, me talent të rrallë e ushtronte currulajen me soha. Ishte shtëpiak, dinte me vnue e me mbajt pasuni. Në “kohën e Krajlit”ka dalë kaçak se e ndiqte shteti jugosllav. Në vitet ’30 i erdhi papritur vdekja natyrale e parakohshme, duke lanë tre djemë: Ramadanin, Bajramin e Sinanin, e, ndër vite, plot nipa e mbesa me vila në vendlindje e në Amerikë.
Djali i tretë i Shab Tahiri Mehaj, Hamza, i shkathët e i zgjuar, e ka humb jetën aksidentalisht në lumin Buna në moshën 18 vjeçare.
Brezi i dytë i Isuf Mehajt, Ramadani, ishte i aktivizuar me forcat nacionaliste antikomuniste, pjestar me djemtë e Haxhajve të Hotit, po aksidentalisht e preu kambën e nuk mujti me shkue me ta në terren. Kryeplaku i fshatit të Hotit të Vendit, Musë Sadiku, i çon fjalë se forca partizane e kanë në shenjestër të hakmarrjes, prandaj për dy metra borë ra në Deçan e, prej andejna, në pranverë, ndejti tek dajtë e vet, tek Mulosmanajt e Krasniqes në Malësinë e Gjakovës.
9.
Sadri Shab Mehaj, i lindur kah fundshekulli XIX, i rritur në një familje me tradita e kontribute atdhetare, që me mend e sakrifica kishte arritë të jetë një nga ma të pasurit në Hotin e Vendit, biles në vitet ’20 deri më ’40 veçohej si një nga pasanikët ma të mëdhenj në krahinën e Plavë-Gucisë. Përveç angazhimit të përditshëm të familjes së vet kishte të punësuar edhe 5-6 punëtorë aktiv, të përhershëm.
Kur ka hy komunizmi në Hotin e Vendit, në kohën e Jugosllavisë së Dytë, Sadri Shab Mehaj, kishte 112 dhenë, rreth 30 lopë, 12 penë kije (qe), të cilat i çoi për dimnim në Kosovë e, me të dalë pranvera, shumicën i përcolli në Shqipëri. Në Gjarpën të Mulosmanajve ia dha Halil Alisë të Llugajve (Tropojë) 112 dhenë përgjysmë për tre vjet e çka të shtohen me i nda përgjysmë ndërveti. Nja 8 lopë i çoi në Selimaj të Valbonës (Tropojë) dhe nja 8 lopë në Lugun e Beranit në Pejë. Kur u interesue për pasurinë e vet të shpërndarë iu dha një përgjigje e njëjtë: Na i kanë marrë komunistat… e Enverit e të Titos! Mazen e bylmetnat ua morën partizanët. Asokohe, edhe një lopë me e pasë duhej me i pague taksimin, përndryshe, “reksvecicia”, një farë politike që e shkretoi Hotin e Vendit.
Sadri Shab Mehaj ishte njeri i ditun, pleqnar, i ndihej dhe i ecte fjala, folke me rend e me vend ne kuvende, i lypej mendimi në odat malësore. Atij i peshonte fjala dhe i ndihej hapi. Ai pati një djalë: Xhemën, që me fëmijët e tij i mbajtën mirë traditat e vllaznisë së vet.
Luftëtari Sadri Shab Mehaj ishte pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Kujtime për Sadrinë nga kjo kohë lufte më përcjell edhe 86 vjeçari Halil Ukshin Sinanaj në shtëpinë e tij në Amerikë më 3 shtator 2012. Pas qëndrimit në Shqipëri në vitet 1945-1946, Sadria, me t’u kthye në Hotin e Vendit e prangosen në burg për shtatë muaj proçes hetimor. Kur doli nga burgu jetoi disa vite gjersa ndrroi jetë në vendlindjen e vet.
Hotjanët kanë një betim të moçëm: Pasha Tokë e Qiell! Duket se hotjanët flasin lirisht me Tokën e me Qiellin, pasi në vendlindjen e tyre ende ka ditë me diell…
SAMI says
TËGJITHA KTO TRGIME HISTORIKE JAN POR DERI SOD ASNJI NUKI KA SHPALOSUR SE KANPATUR TRUSNI POLITIKE APO NUK KANGUXUE MEU IMPLIKUR NËKET DREJTIM KSILLOJ HISTORIJE ATHER AKDEMIJA AKTUALE KA OBLIGIM MORAL SHKENCOR DHE HISTORIK QË TË DEL DHE TISPJEGON GJITHA STAGNIMET ME PARAMENDIM DHE TRUSNIT QË JAUKN BA KTYRE AKADEMIKVE SE KOHA KA ARDHUN DHE DUHET MEU BASHKUE TROJET SHQIPTARE DESHTI APO NUK DESHTI DIKUSH JAN SHUM PAK PUN EDI SE DISA HAJNAVE APO QËJAN SHITUR BASHKIMI JUPENGON POR BASHKIMI DUHET MENDODH PAQETËR SE NUK STABILIZOHET RAJONI [ MEKTO NGATRESA QË NDODHIN.]