NGA ELIDA & SKENDER BUÇPAPAJ/“Photos et © Pierre Virot”/
Kosova është një shtet shumë i ri. Kosova është një vend që tash vonë ka dalë nga një luftë e përgjakshme dhe shkatërrimtare. Në mes këtyre dy paradigmave endet çdo vizitor, aq më tepër kur ai mbërrin nëpërmjet qiellit.
Kësaj përvoje nuk mund t’i shpëtojmë as ne, një grup i APES, Shoqatës së Gazetarëve të Huaj për Zvicër dhe Lihtenshtajn, Jean, Pierre, Ravi, Nefaili dhe ne të dy, në qëndrimin tonë të shkurtër, në prag të shënimit të 17 shkurtit, 10 vjetorit të zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Në Kosovë nuk ekziston asnjë gjurmë e luftës
Një mohore, që e gjejmë në nëntekstin e çdo bashkëbisedimi me vendësit dhe ndërkombëtarët: Kosova është ndërtuar nga zero. Lufta kishte shkatërruar qytete, qendra të banuara, objekte kulturore.
Nga zero janë krijuar institucionet shtetërore të Kosovës, nga baza në qendër, në gjithë shtrirjen dhe në gjithë hierarkinë e tyre, janë 116 njohjet ndërkombëtare, janë anëtarësimet në një mori organzatash ndërkombëtare.
Shembulli më i qëndrueshëm, më i prekshëm është vetë kryeqyteti, me përhapjen e tij të vrullshme e të pandalshme nëpër kodrat rreth e rrotull, është autostrada «Ibrahim Rugova», vazhdim i «Rrugës së Kombit» që lidh Durrësin me Prishtinën, autostrada në ndërtim drejt Shkupit e tjerë.
Është pasion për ndërtim, është etje për ndërtim, është garë për ndërtim, është vërsulje e shfrenuar për ndërtim. Në vetvete pothuaj secila ndërtesë është e bukur, solide, ndoshta edhe e dobishme, por në raportet mes tyre nuk ka harmoni, nuk ka rregull, nuk ka estetikë, sepse mungon vizioni urbanistik në kuadrin e vendit, në kuadrin e qyteteve, në kuadrin e qendrave të banuara. Është një «a concrete jungle” (një xhungël konkrete), një ndërtimtari e egër, nëse e themi shqip.
Na thonë se në një pjesë të madhe këto ndërtime të panumërta janë bosh, sepse nuk kanë gjetur treg. Pra, ka edhe një shpërpjesëtim të madh mes kërkesës së kufizuar dhe ofertës së tepëruar, të stërtepëruar, që nuk mund ta zgjidhin ndoshta as koniunkturat e çmimeve. E njëjta sëmundje si edhe në Tiranë. Ku për ndërtimet thuhet se janë investim i mafies.
A ka në Kosovë ndonjë gjurmë të luftës? Përgjigja është: Në Kosovë nuk ka asnjë gjurmë të luftës. Mund të jenë ruajtur pamje, filmime, objekte dhe ato të përbëjnë pavionë të cakuar të një muzeu të ardhshëm historik të Kosovës.
Kujtesa e luftës, gjithsesi, i lëndon bashkëkohësit, por është përmasa ndër më të domosdoshmet për brezat e ardhshëm të banorëve të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, të të gjithë shqiptarëve, të të gjithë miqve të shqiptarëve, të të gjithë fqinjve të shqiptarëve, e tjerë.
Secili nga ne që vijmë këtu si gazetarë në këtë prag jubileu, kemi vizituar vende të dalë nga lufta dhe, ndër prezantimet e para që na kanë bërë, kanë qenë pasojat e luftës dhe trofetë e luftës. Këto i mungojnë Kosovës.
Kosova dhe trashëgimitë e ish-Jugosllavisë
Gjurmët e luftës së fundit mungojnë në Kosovë, por nuk mungojnë gjurmët e historisë së jetës, të luftërave, të sfidave të panumërta e të pashmebullta që ka kaluar Kosova, Dardania e moçme e famshme, një nga faqet më të ndritshme e më të lavdishme të historisë, kulturës dhe qytetërimit njerëzor.
Sapo avioni kalon shtresën e reve dhe na shfaqet Kosova, bien në sy vjellat e mëdha të tymit të dy termocentraleve që vendi i ka trashëguar nga ish-Jugosllavia, dy ndotësve gjigantë të ajrit të Kosovës. Ngado që të kalosh, nga jugu në veriun e vendit, do të shikosh fabrikat e mbetura nga paralufta, ende të padobishme për shtetin e ri dhe për qytetarët e saj.
Vlera e tyre shkon në gjashtëqind milionë euro. Por falë mungesës së vizionit politik për ekonominë e vendit dhe tundimit për uzurpimin e pronës shoqërore të ish Jugosllavisë, ato vazhdojnë të jenë të askujt. Albin Kurti na thotë se Vetëvendosje ka në programin e saj kalimin e këtyre vlerave, në formën e dividendeve, në formë aksionesh të pjesëtuara, në duart e Diasporës, «në këtë mënyrë, Diaspora do të jetë investuesja më masive në Kosovë dhe paratë e saj do të mbeten në Kosovë». Kurti thotë se remitancat e Diasporës, zyrtarisht një miliard euro, faktikisht janë shumë më tepër. Por, mjerisht, paratë e diasporës, në formën e pingpongut, vijnë në Kosovë dhe dalin prej saj, nëpërmjet blerjes së mallrave të importit. «Raportet eksport-import në Kosovë janë 1 me 10 në favor të importit,” thekson Kurti dhe kjo shkon kryesisht në favor të importeve nga Serbia. Edhe ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet theksoi se kontributi i shqiptarëve me banim në Zvicër ndaj ekonomisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm. Ai thotë se në Zvicër banojnë rreth 200 mijë shtetas të Kosovës. «Në këtë numër, sqaron ai, nuk pëfshihen ata që kanë pasaportë zvicerane, sepse konsiderohen zviceranë.»
Një trashëgimi pozitive të ish Jugosllavisë bashkëbiseduesit tanë e konsiderojnë moscënimin e pronës private. Falë këtij realiteti, në Kosovë nuk ekzistojnë ngatërresa për pronën private. Dhe kjo ndihmon edhe që Kosova të mos ketë varfëri të ndjeshme ekstreme. Gjithkush, na thonë, ka një tokë të veten, një traktor, një lopë, disa dele, përgjithësisht kanë dikë që punon në emigracion. Ata që kanë qenë shpesh në Shqipëri na thonë se nuk ka të krahasuar me atje. Në Shqipëri, na thonë ata, mjerimi është gjerësisht i përhapur.
Veriu
Trashëgimitë më kundërthënëse të paraluftës, të luftës dhe pasluftës, ato që i rrinë lëmsh në fyt Kosovës, ato që i mbajnë peng proceset e Kosovës janë pikërisht në veriun e vendit. Pothuaj të gjithë bashkëbiseduesit tanë pajtohen se Serbia i mban peng zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën pikërisht nëpërmjet mbajtjes së veriut nën kontrollin e saj. Pyetjes sa do të zgjasë prania e Swisscoy në Kosovë, ambasadori zviceran i përgjigjet: Deri kur veriu të integrohet me pjesën tjetër të vendit. Z.Jean-Hubert Lebet nxjerr në pah se Kosova nuk rrezikohet nga destabiliteti, por mungesa e shtetit ligjor është një hendikap i madh për inverstitorët e huaj përfshi edhe ata zviceranë. “Po padyshim që ka investitorë zviceranë që kanë histori suksesi në Kosovë, por nuk ka kushte për investime të huaja masive.”
Serbia, kryesisht nëpërmjet veriut, arrin të pengojë proceset e Kosovës. Nëpërmjet pranisë së saj në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, Serbia ka arritur të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata; nëpërmjet rolit të Rusisë në Këshilli e Sigurimit, ka arritur të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pyetjes kur do të shndërrohet FSK-ja në ushtri të Kosovës, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, një ushtarak i dalë nga Akademia ushtarake e Zagrebit dhe luftëtar i UCK-së, i përgjigjet: Kur të integrohet veriu me pjesën tjetër të vendit. Edhe në selinë qendrore të Swisscoy-t na thonë se prania e KFOR-it, madhësia e tij, fundi i misionit të tij varen nga zhvillimet në veri.
Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje dhe lideri i opozitës, thotë se Kosova as rajoni dhe Evropa nuk e ka të nevojshme të ketë në veriun e vendit një Nikozia, një Mostar, një Jeruzalem të dytë, siç është sot Mitrovica. Qyteti që përbënte dimensionin kryesor të ekonomisë së Kosovës në kohën e Jugosllavisë, sot paralizon ekonominë e Kosovës dhe jetën e vendit. Mitrovica, thotë Kurti, është i vetmi qytet i Kosovës së pasluftës me zvogëlim të popullsisë – nga 106 mijë banorë, sot ka vetëm 80 mijë banorë. Kjo vjen kryesisht ngaqë prej veriut të qytetit prej 18 vjetësh janë larguar banorët shqiptarë, të cilët kanë atje shtëpitë e tyre, pronat e tyre, bizneset e tyre.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, është optimist se Ura e Ibrit do të hapet plotësisht dhe qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e qytetit do të rifillojë pas 18 vitesh, se 15 mijë banorët shqiptarë të përzënë me dhunë do të kthehen atje pas 18 vitesh, se miniera e Trepçës dhe Kombinati Malurgjik i Trepçës do të fillojnë të funksionojnë. «Para luftës, thotë zotëri Bahtiri, në simbolin e ekonomisë së Kosovës, në gjigantin e ekonomisë së Jugosllavisë, në një prej më gjigantëve të Evropës së asaj kohe, punonin 22 000 vetë. Sot atje punojnë vetëm 2 000 veta, kryesisht në mirëmbajtjen e gjigantit.» Z. Bahtiri shpreson dhe beson se, së shpejti, Trepça do t’i rikthehet ekonomisë së Kosovës dhe do ta gjallërojë atë.”Nuk do të ketë vetëm industri nxjerrëse por edhe përpunuese, nënvizon Agim Bahtiri.”
Ura e Ibrit
Mbi Urën e Ibrit qëndruam në një ditë të zakonshme. Na shoqëronin një grup zyrtarësh të komunës të Mitrovicës së jugut, midis tyre Blerina, një ekonomiste dhe nënë e re me plot ëndërra dhe shpresa për të ardhmen. Asnjëri prej nesh nuk mund të besonte se kjo është një nga Urat me histori të trishtë ndarjesh, konflikti, me Roje Urash, me blloqe betoni, me blinda dhe kontrolle. Nuk ka mbetur asnjë shenjë nga e shkuara. Veç tek ata që kanë qenë të detyruar të braktisin banesat e tyre dhe presin që të kthehen.
Në pjesën veriore valviteshin flamujt e Serbisë, por Ura e Ibrit është tërësisht e rindërtuar dhe në prag të startimit.
Në Mitrovicë ishim pak kohë pas vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviç. Nëse Oliver Ivanoviçi do të ishte gjallë grupi ynë i gazetarëve ndoshta do të ishte takuar me të. Vrasja e Ivanoviçit shërbeu si shkas që Beogradi të ndërpresë dialogun me Prishtinën në Bruksel, por të gjithë e kanë të qartë se Oliver Ivanoviçin nuk e kanë vrarë shqiptarët, ndërsa serbët deshën ta përdornin vrasjen e tij për qëllimet e tyre të vjetra. Ivanoviçin e vranë ata që duan ta mbajnë Urën e Ibrit, si simbol i luftës dhe ndarjeve, ndërsa kjo urë duhet të kthehet si simbol i bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve.
Veriu është pikëpyetja më e madhe që i vihet së sotmes dhe së ardhmes së Kosovës, madje edhe të rajonit
Në çdo bashkëbisedim, u shtrua pyetja nëse do të ketë ndarje të Kosovës për hir të njohjes nga Serbia, nëse do të ketë shkëmbim territoresh, një version tjetër që riaktualizohet vazhdimisht. Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, një ushtarak i dalë nga Akademia ushtarake e Zagrebit dhe luftëtar i UCK-së është kategorikisht kundër për shkak të reaksionit zinxhir. Ambasadori zviceran na thotë se kjo do të çonte në ndryshimin e kufijve të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, të njohur nga 116 shtete. Në Swisscoy na thonë se vetëm funksionimi i shtetit të Kosovës në kufijtë e saj kushtetues do ta stabilizojë gjendjen në Kosovë dhe në rajon. Albin Kurti thotë se çdo version jokushtetues është i papranueshëm. Edhe veriu i Kosovës, edhe Lugina e Preshevës (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc) janë toka shqiptare. Në çdo version kjo do të çonte në zvogëlimin e mëtejshëm hapësirës së banuar me shqiptarë, e cila edhe ashtu është e përgjysmuar: Përpara rreth 100 vjetësh shqiptarët banonin një hapësirë prej 90 mijë kilometrash katrorë, sot ata banojnë një hapësirë prej 45 mijë kilometrash katrorë, përfshirë këtu Shqipërinë, Kosovën, pjesën veriperëndimore të Maqedonisë e tjerë. “Serbia po bën një lojë shumë të rëndë me veriun e Kosovës, shton Kurti. Beogradi shpreson se një ditë Kosova dhe përkrahësit e saj perëndimorë do të lodhen dhe do të heqin dorë nga veriu i vendit.”
Kundër ndarjes dhe shkëmbimeve të territoreve shprehen edhe institucionet e Kosovës, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti e tjerë.
Ulpiana
Askund si në Kosovë nuk ndërthuren trashëgimitë e historisë si në Kosovë. Në një nga daljet tona të para nga Prishtina ne shkojmë në Ulpianë. Ulpiana qytet antik i periudhës romake, themeluar në shekullin II nga Perandori romak Traian, njihet si kryeqyteti i Dardanisë, ose emri i lashtë i Prishtinës.
Ulpiana është një emër me histori në antikitet çka e bën një qendër të rëndësishme arkeologjike që vazhdon të mbetet një qytetërim gati i gjithi i nëntokshëm. Në shekulin VI të erës së re, në kohën e perandorit me origjinë dardane Justinian, Ulpiana ka arritur një kulm zhvillimi, kur u quajt edhe Iustiniana Secunda. Po ashtu edhe gjatë periudhës së krishtërimit Ulpiana ishte një qendër e rëndësishme ipeshkvnore. Në Ulpianë janë gjetur shumë vlera të çmuara për arkeologjinë, si monedha, qeramikë, stoli, mozaikë, varre.
Gërmimet kanë vazhduar pas luftës, por janë vetëm në fillimet e tyre. Qyteti iliro-romak shtrihet në 120 hektarë. Jean Musy, kolegu ynë, presiden i APES na thotë se është i pasionuar pas arkelogjisë sepse vajza e tij është arkeologe. «Tani qytete të tëra nëntokë mund të zbulohen nëpërmjet dronëve,» shpjegon ai, duke shtuar se sot arkeologjia bashkëpunon me fizikën e shkencat e tjera. Diçka që ne na e kujton menjëherë fantazinë e Lovecroftit për qytetet e nëndheshme. Ulpiana mbetet e gjitha për t’u zbuluar!
Graçanica
Ulpiana dhe Graçanica janë as një milje larg me njëra-tjetrën. Graçanica një enklavë serbe ndodhet në komunën e Prishtinës. Por shenja ndarje nuk duken askund.
Vizitojmë edhe Manastirin e Graçanicës, trashëgimi e kishës ortodokse serbe, një monument i trashëgimisë kulturore botërore e mbrojtur nga UNESCO. Të njëjtin format duhet të ketë edhe Ulpiana!
Ciceroni serb me pasion na tregon historinë. Manastiri është ndërtuar në kohën e mbretit serb Stefan Milutin më 1321 mbi rrënojat e një kishe të shekullit 6-të. Manastiri është i mbushur me afreske dhe portrete shenjtorësh. Sa janë na pyet ? Seicili prej nesh e tha një numër. Janë 4 mijë portrete engjejsh dhe shenjtorësh në faqet e mureve, në kubetë e tavaneve, portrete që ngjajnë të freskët e të gjallë si në çastin kur u hodh boja në to para shumë shekujve. Mitet historike, religjioze, mitet e legjendave i vijnë në ndihmë njëra tjetrës. Ciceroni tregon portretin e Simonidës së famshme, gruas të mbretit Milutin. Na e tregon edhe vendin sekret, ku, e imtë ashtu si vetëm ajo, Simonida mënjanohej, dhe me sytë e saj të bukur, ngjitej nëpër disa shkallë të vogla në një korridor të ngushtë për të medituar kur e kapte mërzia dhe për të mos e parë kush. Ciceroni na tregon edhe portretin e Konstandinit të madh.Ka lindur në Nish na tha, një fakt që ne e dinim shumë mirë se Perandori romak Konstandini i madh që njihet si themelues i krishtërimit ishte me prejardhje ilire.
Me plot përshtypje si nga Ulpiana ashtu edhe nga manastiri i Graçanicës marrim rrugën për në Prizren.
Prizreni
Një pasdite deri në mbrëmje ia kushtojmë qytetit të Prizrenit. Një emocion i veçantë i pamasë brenda emocionit të jashëzakonshëm të vizitës në Kosovë. Djali ynë i madh, Prizreni, e mban emrin e këtij qyteti.
Arrijmë në qytet nga dreka. Por na merr kohë gjetja e selisë qendrore të Swisscoyt. Gabimisht përfundojmë tek KFOR-i gjerman. Aty lidhen me Swisscoyn dhe dikush vjen e na merr. Këtu na japin një pasqyrë të plotë me KFOR-in në tërësi dhe me Swisscoyn si pjesë përbërëse e tij. Nga 50 000 trupa sa ishin më 1999, tani janë 4800 trupa. Kontigjenti aktual i Swisscoy është 235 trupa. Si KFOR-I ashtu edhe Swisscoy është bërë një pjesë e natyrshme e Kosovës, në një bashkëjetesë të përditshme me qytetarët e tij. Për qytetarët e Kosovës KFOR dhe Swisscoy do të thotë siguri, NATO dhe BE. Në Swisscoy na tregojnë se incidentet me bazë ndëretnike tashmë janë rralluar tej mase, edhe ato pak incidente, janë raste të lehta.
Vazhdojmë vizitën në qytetin e Prizrenit. Do shënuar se Prizrenin nuk e ka dëmtuar lufta, ashtu si do shënuar se në këtë qytet bashkëjetojnë lashtësia me mesjetën, kohën e vona dhe bashkëkohësinë, bashkëjetojnë stilet antike romake, bizantine, osmane dhe ato autoktone. Duke dashur ta krahasojmë bukurinë e Prizrenit me qytetet e tjera shqiptare, ne arrijmë në bindjen se Pizreni i ka të gjitha bukuritë që i kanë të gjitha qytetet e tjera shqiptare së bashku.
U ndalëm pranë njërës nga urat e shumta mbi Lumbardh, lumin që e përshkon qytetin e Prizrenit. Pjesën më të madhe të rrugës deri tek Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e kalojmë në këmbë, duke bërë foto, duke biseduar me qytetarët. Na bien në sy hotelet e bukur supermodernë. Dhe na mrekullon harmonia që kanë me stilet e mëhershme të ndërtimeve dhe të infrastrukturës qytetëse në tërësi. Këtu edhe diçka: Na thonë se këto hotele ishin shumë të populluara dhe qyteti i Prizrenit ishte shumë i parapëlqyer para se të ndërtohej autostrada “Ibrahim Rugova”. Deri atëherë rruga për në Shqipëri binte për në qytetin e Prizrenit. Pas ndërtimit të autostradës tregtia dhe jeta e qytetit në përgjithësi është vënë në kërkim të mundësive të reja. Kur dolën nga restauranti ku drekuam u gjendëm të rrethuar nga zëri i Ezanit. Kjo gjë u bëri përshtypje edhe kolegëve tanë të huaj. Ezani dhe xhamitë ishin si një përrallë në jetën dhe rrugët e Prizrenit të mbushur me rini të bukur!
Në koleksionin e fotove që bëri Prierre, duhet të jenë me qindra, rezultonte vetëm një grua e mbuluar, që ai e kishte futur në fokus, por ne nuk pamë asnjë ngado ku shkuam, në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë.
Prishtina
Vizitën e pare në Kosovë e bëmë tek Ministria e FSK-së e Republikës së Kosovës. Na del për të na pritur Jashar Ramadani, vëllai i mikut tonë të shtrenjtë Agim Ramadani, Hero i Kosovës, Hero i Kombit. Flasim me lotë në sy për kujtimet tona me Agimin. Ndërtesa e Ministrisë është e bukur dhe madhështore. Në hollin qendror na pret ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Gjeneral Rrustem Berisha. Është një nga bashkëluftëtarët e afërt të Agim Ramadanit dhe është figurë e njohur për ne që në kohën e Betejës së Koshares, më të famshmes në historinë e betejave për çlirimin e Kosovës më 1999, kur gazetarët e «Bota sot», kolegët tanë në frontin e luftës, e portretizonin edhe komandant Rrustem Berishën.
Në zyrën e tij, ministri na flet për FSK-në dhe për të ardhmen e saj si ushtri e Kosovës. Gjenerali na thotë se FSK nga pikëpamja e kuadrit është e gatshme të shndërrohet në ushtri qysh në momentin kur të miratohet neni përkatës i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kuadrot tona ushtarake, thotë Gjenerali, janë shkolluar dhe kualifikuar gjatë këtyre gati njëzet viteve e po shkollohen me rezultate të shkëlqyera në akademitë ushtarake të vendeve të NATO-s, kryesisht në SHBA, në Britani, Gjermani, Itali, Austri e tjerë. FSK-ja ka marrë pjesë me sukses në dhjetëra stërvitje dhe operacione me anëtarë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe. Shndërrimi i FSK-së në ushtri për mbrojtjen e vendit, sqaron Gjenerali, kërkon miratimin e nenit përkatës në Kushtetutë. Dhe kjo Kushtetutë parashikon që ndryshimet në nenet e saj mund të bëhen vetëm me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës dhe me dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve shumicë. Beogradi, nëpërmjet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, e pengon shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Kjo pengon edhe mundësinë që Kosova të aplikojë për anëtarësim në NATO, një ëndërr e madhe e çdo ushtaraku të Kosovës dhe e vetë popullit të Kosovës.
Pasi ndahemi nga Gjenerali, ne vizitojmë qytezën ushtarake, ku ndodhen kazermat, mjediset kulturore e tjerë të shoqëruar nga ushtarakët Jashar Ramadani, Sejdi Elezi, Remzie Zeqiraj e tjerë. Së bashku me ushtarakët e kalojmë drekën në mencën e tyre.
Në Prishtinë është trafik i madh, diçka e përhershme në kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Detyrohemi të zbresim nga minibusi ynë dhe të ecim në këmbë deri tek qeveria e Kosovës.
Fytyra e parë e njohur që ne takojmë në Prishtinë është aktori Çun Lajçi. Ne i thërrasim dhe ai na përgjigjet po ashtu me zë të lartë. Takohemi dhe flasim të përmalluar. Është rrugës për në Tetovë, ku e presin për një veprimtari kulturore. Ishte një takim nga ato që i rregullon veç Zoti, Zoti kishte dasht me na taku me të madhin Çun Lajçi!
Takohemi me ministren e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha. Zonja ministre na flet për sfidat e integrimeve dhe për vendosmërinë e Kosovës për integrimet evro-atlantike të vendit.
Dalim në Sheshin “Skënderbej”, pastaj në Sheshin “Ibrahim Rugova”, pastaj në sheshet “Nënë Tereza” e “Zahir Pajaziti”. Pasi vizitojmë katedralen e bukur dhe madhështore Nënë Tereza, me ashensor ne arrijmë në krye të saj, prej nga shikojmë Prishtinën anembanë. Prishtina po shtrihet në kodra, një konfiguracion më i bukur edhe se i Romës (Vite më parë, në një vizitë bashkë me djemtë tanë, ne e kemi parë Romën nga pika më e lartë e Shën Pjetrit, në Vatikan). Shoqëruesit tanë na i tregojnë lagjet për të cilat ne pyesim dhe lagjet e shumta të reja të ndërtuara pas çlirimit. Në lëvizjet tona nëpër kryeqytet, ne e bëjmë zakon të kërkojmë nga shoqëruesit që të na tregojnë se ku po kalojmë. Dhe kështu shikojmë nga afër Rektoratin e Universitetit, Bibliotekën e Kosovës, Pallatin Rinia, Akademinë e Shkencave e tjerë, por edhe Stadiumin e ri të Futbollit të Kosovës në ndërtim e sipër, qiellgërvishtësen 42 katëshe, tashmë ende në katet e saj të para e plot ndërtime të të tjera të reja.
Natën para largimit nga Prishtina, ne të dy u takuam me mikun tonë të vjetër dhe kolegun Gani Mehmetaj. Pasi shetitëm qendrën e kryeqytetit në këmbë, në orët e vona të mbrëmjes kaluam me makinë nëpër lagjet e reja, sidomos zonat e mëdha të tregtisë, ku binin në sy komplekset e mëdha të supermerkateve shumëkatëshe. Ganiu na thotë se Presidenti Ibrahim Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e kryeqytetit. Madje nën kujdesin e tij u hartua një projekt për zgjerimin e qytetit, ku parashikohej që qyteti ekzistues të konservohej ashtu si ishte, ndërsa të gjitha ndërtimet e reja të bëheshin sipas një plani urbanistik të mirëfilltë. Projekti u miratua në Kuvendin e Kosovës. Por pas vdekjes së Presidentit, ndërtimet jashtë qytetit të vjetër nuk iu përmbajtën më asnjë projekti.
Kosova ndaj Shqipërisë
Nëpër Kosovë flamujt kombëtarë s’janë të rrallë. Edhe flamujt shtetërorë s’janë të rrallë. Në mjediset e brendshme, në veshjet e shqiptarëve kudo që shkuam flamujt kombëtarë dhe simbole të tjera kombëtare janë të pranishëm.
Na thonë se nga Prishtina çdo ditë nisen për në Shqipëri, për në qytetet e saj që nga Shëngjini në Sarandë tetë autobusë me udhëtarë. Nga çdo qytet i Kosovës përditë nisen për në qytetet e Shqipërisë plot autobusë me udhëtarë. Pa llogaritur veturat që mbushin papushim autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Rrugën e Kombit”. Qarkullimi i qytetarëve shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri është shumë i madh. Lufta dhe paslufta kanë krijuar lidhje të papërfytyruara më pare midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Janë lidhje familjare, miqësi individuale. Të rinj dhe të reja të Kosovës e shikojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si hapësirë të mundshme të promovimit të talenteve të tyre artistike, kulturore dhe të gjithanshme. Lidhjet pa protokolle zyrtare janë ato që e bëjnë bashkimin e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë.
Populli i Kosovës, krahas popullit të Shqipërisë, do të jetë faktori vendimtar i këtij bashkimi. Udhëheqjet politikobiznesore në Prishtinë dhe Tiranë, në rivalitet kryesisht të heshtur, janë të frustruar nga komplekset e tyre të lavdisë dhe të përfitimeve prej saj.
Kolegët tanë të huaj ua shtruan të gjithë bashkëbiseduesve në institucionet dhe në politikën e Kosovës se a janë për bashkimin kombëtar, a janë për ndarjen e veriut të vendit, a janë për shkëmbimin e territoreve. Pranë presidentit aktual dhe kryeministrit aktual të Kosovës ka këshilltarë që, duke mos pasur asnjë vision, asnjë ide për krijimin e identitetit shtetëror të Kosovës, e pështjellojnë atë me trumbetimet e krijimit të një identitet të ri kombëtar “Kosovar” sa më të ndryshëm nga identiteti kombëtar shqiptar. Ata shprehen me fjalë kundër ndarjes së veriut, por me veprime nuk bëjnë asgjë për ta parandaluar.
Këtu ka çuar ujë deri tani edhe dialogu me Serbinë. Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti thekson se vazhdimin e dialogut Beogradi e ka shoqëruar me rritje të dukshme të agresvitetit ndaj Kosovës dhe proceseve të saj të brendshme e të jashtme, në të gjitha drejtimet.
Dihet tradita e ngulitur në Kosovë me dekada të tëra dhe e përtërirë edhe në këto vite të pasluftës për t’iu vënë fëmijëve emra të qyteteve, të krahinave, të lumenjve, të maleve të Shqipërisë. Këto kohë bëri bujë në media kur 45 vajza, nga qindra të tilla me emrin Saranda, organizuan vizitë të përbashkët në qytetin e Sarandës.
Në nivelin e qytetarëve të thjeshtë është kudo e dukshme dashuria e pakufishme për Shqipërinë.
Qarkullimi i shqiptarëve të Shqipërisë në Kosovë ende nuk është i madh, por nuk është as i vogël. Kosova është destinacion i shqiptarëve nga shteti amë.Një nga trashëgimitë pozitive të Jugosllavisë në Kosovë është turizmi dimëror. “Nuk e kuptojmë pse pushuesit në Shqipëri parapëlqejnë turizmin dimëror në Mal të Zi apo Maqedoni, kur turizmi dimëror në Kosovë është në nivel të lartë shërbimi dhe i leverdishëm sa iu përket çmimeve,” na thonë bashkëbisedues të ndryshëm.
Popull qytetës
“Ardhsh i bardhë si vera!” Kjo është përshëndetja tradicionale shqiptare që e pret çdo vizitor të Kosovës sapo del nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Çka na bëri ne përshtypje të veçantë që nga aeroporti dhe kudo që shkuam në Kosovë është se askund syri nuk gjen një letër, një mbeturinë, një papastërti të hedhur në rrugët apo anës rrugëve.
Në Prishtinë dhe në qytetet e qendrat e banuara ku qëndruam apo kaluam vihet re pothuaj në çdo orë të ditës dhe netëve deri shumë vonë lëvizja e madhe e njerëzve, sidomos të rinj e të reja. Askund nuk krijohet më e vogla zhurmë as më e vogla rrëmujë.
Syri i të huajve, sidomos perëndimorë, sapo merr takimin e pare me Kosovën, kërkon të kapë femra me shamija, shenja të orientalitetit në paraqitjen e jashtme dhe sjelljet e qytetarëve, sidomos të rinjve, por askund në Kosovë, asnjë shenjë e tillë nuk mund të gjendet.
Ne ishim në Prishtinë në lokalin “Kaffe Z”, një lokal në qendër, kryesisht plot me të rinj dhe të reja. Dhe e shpërndamë në facebook me telefon një pamje, duke iu kërkuar miqve se ku ndodhet ky lokal. Miqtë përgjigjeshin se ndodhet në Amerikë, në Angli, në Francë, në këtë apo atë metropol në botë. Njëri nga miqtë e jepte adresën e saktë “Jeni në Prishtinë, tek Kaffe Z, tek Tre sheshirat.” Dhe vërtet lokaleve në Kosovë nuk iu mungon asgjë perëndimore.
Kultura qytetëse është një përmasë sa e bashkëkohësisë, aq edhe e traditës në Kosovë. Kjo është e dukshme edhe në Prizren, qytetin që i kultivon të dyja njëkohshëm. Ne qëndruam në këtë qytet tek Ura e famshme e Dashurisë. Me mijëra dryna (dryrë), të kyçur në hekurat e anësoreve të saj, ku janë të shkruar emrat e çifteve të lidhur me betim të përjetshëm mes tyre. Në njërin skaj të urës presin të shiten dryna të gatshëm për ato çifte që duan të bëjnë ritualin. Gazmendi 12 vjeçar, që na shpjegon gjithçka, nuk pranon të identifikohet në fotot tona.
Aspekt i kulturës qytetëse në Kosovë, çka ne e ndeshëm veçanërisht në Prizren, janë vajtjet e organizuara në lokale. Një mrekulli që vështirë se e ndesh tjetërkund.
Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës ne bisedat me ne nuk e fshehin mungesën e perspektivës që ua krijon atyre gjendja aktuale e vendit, si dhe pamundësia për ta vizituar Evropën pa viza. Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet na thotë se numri i kërkesave për viza është tejet i madh, personeli konsullor është tejet i mbingarkuar paçka se procedura e aplikimit është lehtësuar. Kosova do të përfitojë liberalizimin e vizave pas përmbushjes së reformave, shton ambasadori zviceran.
Pengesë e deritashme konsiderohej mosmiratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, kusht të cilin zyrtarët e Kosovës e quajnë të padrejtë. Arritja këto ditë, siç thuhet, e marrëveshjes midis Podgoricës dhe Prishtinës për demarkacionin, pritej të jepte dritën jeshile për liberalizimin e vizave. Kjo duket se nuk mjafton. Lista Serbe nuk e voton demarkacionin, nëse nuk miratohet edhe Asosacioni, një kurth tjetër që Prishtina ia ka ngritur popullit të Kosovës.
***
Asnjë bashkëbisedues, që nga qytetarët tek zyrtarët më të lartë apo edhe ndërkombëtarët, nuk i mohon arritjet e Kosovës në vitet e pasçlirimit, sidomos në vitet pas zyrtarizimit të pavarësisë, siç nuk mohon se këto arritje janë larg pritshmërive të qytetarëve të Kosovës, çka e shton pakënaqësinë në rritje tek populli i Kosovës.
Vendi me moshën më të re të Europës, vuan nga plaga e papunësisë e cila arrin mbi 60%. Viktimë e kësaj papunësie është rinia që nuk sheh në Kosovë asnjë perspektivë dhe mban qëndrim kritik ndaj qeverisjes të kallur në korrupsion.
Përveç kritikave për korrupsion dhe mungesë të shtetit të së drejtës, një befasi e padëshiruar për diplomatët e huaj në Kosovë ishte edhe kthesa e Hashim Thaçit ndaj Gjykatës Speciale si dhe falja që ai i kishte dhënë tre të dënuarve për vrasjen e një familje, mdis të cilëve ishin edhe tre fëmijë.
***
Në axhendën e APES ishin edhe takimet me Thaçin si president i vendit, Haradinajn si kryeministër i vendit, Pacollin si zëvendëskryeministër dhe minister i Jashtëm, por largimi i tyre për në Amerikë, çka nuk ishte parashikuar, e pamundësoi. Edhe kryeparlamentari Veseli në çastet e fundit para takimit, u largua për në Zagreb.
Pavarësisht kësaj, vizita jonë në Kosovë pak ditë para shënimit të jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë, ishte tejet e suksesshme, një pasuri e vërtetë, e pazëvendësueshme, mbresash dhe jehonash për rikthim.
“Kosova më ka befasuar, me atë që lexojmë dhe shohim në disa media në Zvicër dhe Evropë, tha Jean Musy, presidenti i APES që drejtonte grupin tonë të gazetarëve. Jam befasuar nga kontaktet me njerëzit, me njerëz të rinj, bujarë dhe mikpritës. Kosova ndoshta vend pak i varfër, por e pasur në zemër. Këta të rinj nuk janë vetëm perspektivat e Kosovës, por edhe perspektiva e evropianëve “.
Në mbrëmjen para nisjes bëmë edhe një shëtitje nëpër Prishtinë, qytetin me mesatare moshe 28 vjeç. Kishte nisur ndërtimi i skeletit të skenës për kremtimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë. Aty do të performonte vetëm disa ditë me vonë Rita Ora, ikona e rinisë shqiptare! Axhenda e ngjeshur nuk na la mundësi të takohemi me miqtë tanë që i kemi në të gjithë Kosovën dhe u kërkojmë ndjesë. U ndjemë shume mirë kur vëllai i Agim Ramadanit, Jashar Ramadani, shef kabineti i Ministrisë së FSK, na tha se babai i tyre na donte fort paçka se nuk ishin takuar ndonjëherë. Me mendje u betuam se herën tjetër do të shkojmë patjetër në Zhegër!
Mëngjesin e nisjes aeroporti Adem Jashari ishte plot, dikush përqafohej, dikush përlotej, dikush rrinte në heshtje dhe priste.
Vetëm në mëngjes me destiancion Zvicrën prisnin tre avionë, njëri me destinacion Gjenevën, tjetri Zyrihun dhe i treti Bazelin.
Ndërsa linjë Tiranë Zvicër nuk ka!
Aty midis pamë një kioskë të vogël që shiste libra të shtëpisë botuese Koha. Blemë disa, midis tyre Këmbët e Gjarpërit të Veton Surroit, McMafia të Misha Glenit etj.
Kur avioni u ngrit në qiell ne nuk i shqisnim sytë nga relievi i Kosovës që sa vinte e zvogëlohej dhe na largohej, por largësia ishte vetëm një fiksion surreal!
“Photos et © Pierre Virot”
Tek Rugova
Bashkia e Mitrovicës, me ne Blerina, ekonomistja e Bashkisë të Mitrovicës
Tek selia e Vetvendosjes
Në takim me Z.Jean-Hubert Lebet, Ambasadorin e Zvcrës në Kosovë, në selinë e Ambasadës në Prishtinë
Në pritjen e Ministres së Integrimit Europian, Dhurata Hoxha
Lumëbardhi, në Prizren
Me ministrin e FSK-së Rrustem Berisha