Mos mungoni në votime – zgjidhni më të mirët – dita e votës është një ditë e shenjtë për demokracinë.
Nga Harry Bajraktari
Ditën e 9 Shkurtit, Kosova do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Bashkatdhetarët tanë brenda dhe jashtë vendit duhet të votojnë masivisht. Vota është mënyra me të cilën të gjithë themi fjalën tonë për të ardhmen e vendit.
Populli i Kosovës ka sakrifikuar shumë për të siguruar votën e lirë. Për të fituar të drejtën që të zgjedhë ata që e qeverisin. Tani e kemi vetë në dorë se kë duam që të kujdeset për ekonominë tonë, se kë duam që të jetë përgjegjës për sigurinë tonë brenda dhe jashtë vendit. Se kë duam të drejtojë arsimin dhe shëndetësinë në Kosovë.
Është dashur shumë mund, dhimbje, dhe gjak, për të fituar këtë të drejtë prandaj nuk mund ta injorojmë. Po nuk votuat sot, mos u ankoni nesër për qeverisjen dhe njerëzit në pushtet.
Shqiptarët duhet të shkojnë në votime këtë të dielë dhe të votojnë për partitë dhe kandidatët që duan. Duhet të votojnë të lirë atë që u thotë mendja dhe zemra.
Mes kandidatëve të shumtë, duhet votuar për ata që kanë dëshmuar seriozitet në punën për ta begatuar Kosovën. Një ekonomi e fortë e bën shtetin të fortë dhe i jep autoritet edhe në fushat e tjera, sidomos në sigurinë e vendit dhe të qytetarëve, në politikën e jashtme dhe kudo tjetër. Të votojnë për ata që dinë se si të ndihmojnë sektorin privat, sepse ai sjell hapjen e vendeve të punës. Vendet e punës me paga të mira ndihmojnë shqiptarët që të ardhmen e tyre ta shohin në Kosovë, që të kenë një jetë me dinjitet për vete dhe familjet e tyre.
Vota duhet të shkojë për ata politikanë që tregojnë vëmendje dhe kujdes për edukimin dhe shëndetësinë. Ka shumë probleme në Kosovë sot, por ka edhe potencial të madh. Duhet të votojmë për ata që kanë treguar se kanë vizionin e duhur për ta çuar Kosovën përpara.
Mendoni të gjitha këto e probleme të tjera të jetës përpara se të votoni – jo vetëm çështjet e mëdha ndërkombëtare.
Dita e Zgjedhjeve është Ditë e Shenjtë, sepse vota eshtë e shenjtë. Është dita që i jep popullit mundësinë që të zgjedhë se kush do ta qeverisë për katër vitet e ardhshme.
Prandaj i lus shqiptarët e Kosovës brenda dhe jashtë atdheut. Të mos mungojnë në votime. Të dalin i madh e i vogël dhe të thonë fjalën e tyre.
Për katër vjet më radhë kanë folur politikanët. Tani e ka radhën populli të thotë fjalën e tij.
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.