Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/
Ditën e shtunë në datën 21 shtator 2012, në Montreal u hap viti shkollor në shkollën që mban emrin e bamirëse së shquar shqiptare Nënë Tereza. E veçanta e këtij viti shkollor është fakti që, drejtuesit e Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal e kanë bërë mësimin e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht shkollën shqipe, prioritetin e tyre numër një të punës së tyre. Kështu që nga zgjedhjet e reja gjer në ditën e hapjes së shkollës, Bashkësia ka organizuar disa aktivitete dhe ka ngritur në këmbë një strukturë të tërë për mirë funksionimin e shkollës shqipe. Kështu është organizuar një forum enkas për shkollën shqipe nga i cili doli një komision që organizoi rishikimin e programit dhe përshtatjen e tij në përshtatje me orientimet e forumit të qershorit 2013. U përzgjodhën mësuesit që do të realizojnë programin e ri dhe u sigurua baza materiale. Duke mos dashur të citojmë të gjithë ata që ndihmuan në këtë aksion, një merit i takon përgjegjësit për edukimin në këshillin drejtues të bashkësisë z. Gerti Bajraktari që ishte edhe kryesues i të gjitha veprimtarive për mbarëvajtjen e shkollës shqipe.Duke parë pjesëmarrjen e prindërve dhe fëmijëve të tyre në ditën e parë, mund të themi se puna e kaq muajve i ka dhënë frutat e para. Sigurisht, ngelet shumë për t’u bërë pasi në Montreal mendohet se jetojnë 3-4 mijë shqiptarë dhe nëse bëjmë një raport të thjesht shifrash, numri i nxënësve pjesëmarrës duhet të ishte dhe më i lartë.
Në ceremoninë e hapjes së vitit shkollor ishin të pranishëm veç prindërve dhe nxënësve, edhe kryetari i Bashkësisë së Shqiptarëve të Montrealit z. Hysni Marku, anëtarët e kryesisë zotërinjtë Idriz Beha, Besnik Bashi, Ilir Orana, Gerti Bajraktari e Ajet Nuro si dhe kryetari i komisionit për të ardhmen e shkollës shqipe dhe selisë së Bashkësisë së Shqiptarëve ë Kebekut në Montreal z. Laze Leskaj.
Z. Hysni Marku duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët tanë si shprehje e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar si dhe rëndësinë që i ka kushtuar këshilli drejtues i bashkësisë mbarëvajtjes së shkollës shqipe.
Pastaj anëtari i kryesisë së Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal, z. Gerti Bajraktari prezantoi dy mësuesit që do të sigurojnë mësim-dhënien në dy grup moshat (5-8 vjeç dhe 9 deri në 13 vjeç) zotin Alban Zeneli dhe zonjën Etleva Xhaferi.
Drejtues të shoqatës dhe prindrit e pranisëm shkëmbyen mendime për mbarëvajtjen e procesit mësimor
Drejtuesit e shoqatës kishin marr masat për t’u ofruar të pranishmëve pije freskuese dhe ushqime të çastit si dhe dhurata për fëmijët pjesmarrës.
Pastaj filloi regjistrimi dhe dita e parë e mësimit. Uroj më që entuziazmi i ditës së parë t’i shoqëroj fëmijët tanë gjatë gjithë vitit shkollor. Vit të mbar dhe suksese!
Montreal, 22 shtator 2013