Besim Muhadri, New York/
Në pasditën e 3 prillit, në Bronx, Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, mbajti aktivitetin e vet letrar, me ç’rast u promovuan dy libra me poezi të poetit Idriz Çelaj: “Për ty dhe Arbanën” dhe “Arti i Fjalës”, për të cila floën krijues dhe studiues shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Në Nju Jrok, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka zhvilluar një aktivitet letrar, me çrast ka promovuar dy vepra të anëtarit të saj, poetit nga Rugova, Idriz Çelaj: Vëllimet petike “Për ty dhe Arabanën” dhe “Arti i fjalës”, të botuara kohë më parë. Aktivitetin letrar, i cili u zhvillua në në sallën e Amfiteatrit të Community and Wellness Center at Jacobi Hospital, Bronx, e udhëhoqi kryetari i Shoqatës, Mhill Velaj, ndërsa për veprën letrar të poetit Çelaj folën Adnan Mehmeti(president i Shoqatës), dr. Bexhet Asani, Dalip Greca, Idriz Lamaj, Besim Muhadri, Kozeta Zylo, Ramiz Mujaj, Bujar Alimani, Çelë Çelaj etj., ndërkaq, vargje nga krijimtaria e poetit deklamuan aktorët e komuntetit, Shaban Lajçi e Isa Breçani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, z. Adnan Mehmeti, këtë veprimtari letrare e quajti si një ogur të mirë, sepse, bashkë me pranverën si stinë, ky aktivet paralajmëron edhe pranverën e promovimeve të veprave të krijuesve shqiptarë, anëtarë të Shoqatës.
Nga ana e folësve në këtë promovim, poezia e Idriz Çelajt u vlerësua si një poezi që i qëndron kohës, ndërsa autori i saj si një poet i cili talentin e tij për poezinë mëton ta sublimojë përmes temave të larmishme, të cilat në fokus kanë fatin e njeriut të mërguar, por edhe atë atdheut dhe të vendlindjes, ku hasim të shkrirë shpirtin e njeriut të mërguar, që përbën edhe fatin e shqiptarit, rugovanit e njeriut të larguar, për të cilin lumturia, në të shumtën e herave, është e huaj dhe e mbytur në thellësi harrese e largësie.
Poezia e Idriz Çelajt u vlerësua edhe si një poezi e dhimbjeve dhe e përjetimeve, e frymëzuar nga ngjarje dhe histori të cilat kanë lënë gjurmë në jetën dhe veprimtarinë e tij. Largimi nga atdheu dhe mërgimi shumëvjeçar, kanë nemitur ndjeshëm shpirtin e poetit, duke e shndërruar atë në një ëndërrimtar të përjetshëm të ëndrrësë së kthimit. Kthimi dhe thellimi nëpër kohë, poezisë së tij i japin sharmin e një poezie plot shije që shpëfaqet nëpër vargjet e skalitura me kujdes nga një figuracion i zgjedhur stilistik, ku dominon metafora.
U tha se përmes poezive të tij në këto dy vëllime, Idriz Çelaj na shfaqet si një poet i meditimit, por edhe i përjetimit të thellë artistik. Krijimet e tij, të shkruara brenda një harku të gjatë kohor, na bëjnë të kuptojmë se ai, pavarësisht situatave jetësore, asnjëherë nuk e ka braktisur poezinë, e cila në rrugëtimin e tij jetësor ishte shoqëruesja dhe mikja më e mirë, edhe atëherë kur ai ndjehej i braktisur. Refereuesit gjatë këtij promovimi thanë se figurat e shquara të historisë kombëtare, por edhe familjare, që ishin pjesë përbërëse të kësaj historie, përbëjnë veçantitë e artit poetik të Çelajt.
Në fund, poeti Idriz Çelaj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë aktivitet, që u shoqërua edhe me shkëmbime mendimesh për letërsinë dhe inicitiva të tjera, të cilat do të jenë në të ardhmen në vazhdën e aktiviteteve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.