![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/4-11-697x1024.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/5-8-683x1024.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/2-17-710x1024.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/3-15-742x1024.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/06/1-16-684x1024.jpg)
Dr. Etleva Lala
Budapest
Për Lidhjen Shqiptare te Prizrenit është shkruar mjaft deri sot, janë botuar monografi, studime dhe vëllime me dokumente e dorëshkrime, por, megjithatë ka mbetur një pjese e madhe e burimeve arkivore, lende kjo e dorës se pare, e pa botuar dhe pa hulumtuar. Studiuesit dhe specialistet e kësaj periudhe i pret një lëndë mjaft voluminoze dorëshkrimesh, dokumentesh, raportesh, relacionesh dhe materiali tjetër ne disa arkiva, siç janë ato te Vjenës, Romes, Vatikanit dhe Zagrebit. Gjatë viteve te kaluara, kemi shfrytëzuar pjesërisht disa nga fondet e këtyre arkivave dhe si kontribut modest, për ndihmese studiuesve shqiptare dhe te tjerë, ju ofrojmë rezultatet e kërkimeve tona, me dëshirë qe ato te shkojnë edhe me tutje, veçanërisht ne përvjetorët tjerë te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit.
Në arkivin shtetëror kroat në Zagreb, para disa kohësh në fondin arkivor “Dokumente për kryengritjen boshnjake”, 1871-1881 janë zbuluar rreth 200 raporte të konsullit gjeneral austro-hungarez në Shkodër, Fridrih Lipihut dhe të konsullit tjetër po ashtu të austro-hungarezë, në Sarajevë, Wasich -it.
F. Lipihu ka lindur në Lublanë në vitin 1834, ndërsa ka vdekur në vitin 1888. Ishte diplomat i karrierës, student i Akademisë Orientale të Vienës dhe “njohës i shkëlqyer i situatës në Shqipëri, në atë kohë”, siç përshkruhet në një tekst të shkurtër në botimin e ri të Leksikonit biografik Austriak, nga viti 1993. Në Shqipëri ka shërbyer 24 vjet, fillimisht në Prizren, pastaj pas vitit 1878 në Shkodër, si konsull gjeneral i Austro-Hungarisë. Siç ceket në Leksikonin e përmendur Austriak, raportet e tija, për zhvillimet dhe kundërshtimet e popullsisë shqiptare, kundër zbatimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit, i ka botuar ministria e punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, së atëhershme, në Vjenë, në botimet e saja zyrtare, të ashtuquajturat “Librat e kuq” për vitet 1877-1881.
Për F. Lipihun, kanë shkruar nekrologje edhe gazetat e Vienës, pas vdekjes së tij, në vitin 1888. “N. Prese,” e datës 4 korrik 1888 dhe “Viener Caitung” e datës 4 dhe 22 korrik të vitit 1888. F. Lipihu ishte shumë i zoti, i besuar por edhe diplomat i shkolluar karriere, me një përvojë të gjatë, siç vlerësohet nga gazetat e Vienës dhe Leksikoni Austriak; njohës i shkëlqyer i situatës së përgjithëshme të atëhershme në Shqipëri, si dhe njohës i disa rrymave ekzistuese shqiptare që dalloheshin në disa këshilla në qendrës së Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe i atyre çarqeve që ishin me ndikim shumë të madh në “Këshillin e Shkodrës”; të atij në Gjakovë dhe në vende të tjera, sikur që mund të vërehet nga raportet e tija të vitit 1878.
Në kuadër të këtij shkrimi, si një përmbledhje e burimeve dhe të dhënave themelore, kryesisht të lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, për Lidhjen e Prizrenit, si ngjarje mjaft e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, kemi shfrytëzuar lëndën e pabotuar e cila ruhet në këtë arkiv.
Në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, në fondin: “kryengritja boshnjake” [HDA, fond nr. 435, Dokumentet mbi kryengritja boshnjake /Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz – Verwaltungs – Praesidial/ 1878-1881,] kohë më parë kemi zbuluar disa qindra dokumente, përshkrime dhe raporte të konsullit austro-hungarez në Shkodër, F. Lippich-ut, i cili raportonte nga janari i vitit 1878 deri në dhjetor të vitit 1881, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Monarkisë Austro-hungareze, grofin Andrassy, për zhvillimet dhe organizimet e popullsisë shqiptare në “Ligën popullore” [Volkslige], për të mbrojtur vendbanimet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë në të cilat kishin jetuar denbabaden, të cilat do t’iu jepeshin fqinjëve sipas përfundimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, i cili, në muajin qershor të vitit 1878 kishte filluar punimet e tija, duke marr një seri vendimesh, për ndarjen e këtyre viseve dhe dorëzimin e tyre fqinjëve sllav, mbretërisë së Malit të Zi dhe mbretërisë së Serbisë dhe një pjesë Greqisë. Të gjitha këto shtete së bashku me Bullgarinë, sapo ishin çliruar nga sundimi konservator, jodemokratik dhe vjetruar nga çdo shikim i Perandorisë Osmane.
Këto raporte të konsullit gjeneral Lippich, në fillim, në origjinal i janë dërguar Ministrisë së punëve të jashtme në Vjenë; por, përshkrimet [Abschrifeten] ju janë dërguar për “dijeni” [zur Kenntnissnahme] nenmarshallit; baronit Fran Filipovich; komandantit të forcave ushtarake për Kroaci e Sllavoni si dhe gjeneralit të artilierisë në Zagreb: “…Feldzeugmeisters, Commandirenden Generals für Croatien und Slavonien, Exellenz, Agram”.
Baroni Franjo Filipoviqi ishte vëllai i gjeneralit, baronit Filipoviq, i cili drejtonte forcat ushtarake austro-hungareze me rastin e okupimit të Bosnjes dhe Hercegovinës. [Baroni F. Filipoviqi, me parashtesen “von Philippsberg,” ka lindur ne Gospiq më 12 tetor 1820; ndërsa ka vdekur më 8 qershor 1903 në Vjenë. Vëllai Josipi, gjithashtu gjeneral dhe nenmarshal, ka lindur në Gospiq, nga një familje krajshinike me tradita ushtarake, më 28 qershor 1819; ndërsa ka vdekur më: 6 gusht 1889 në Pragë]. Është evidente se gjeneral Fran Filipoviqi si udhëheqës ushtarak për Kroaci e Sllavoni, duhej të ishte i njoftuar për ngjarjet në Ballkan dhe në kufinjët me Bosnje e Hercegovinën, duke përdorur të gjithë mjetet për të okupuar këtë të fundit.
Së bashku me këto relacione të konsullit gjeneral nga Shkodra, Lippich-ut, në dokumentat që përmban ky fond, janë të ruajtura edhe disa raporte të konsullit gjeneral të Austro-Hungarisë, nga Sarajeve, Wasstisch-it; të adresuara për për udhëheqësin, gjeneralin F. Filipoviq në Zagreb. Një pjesë e këtyre raporteve bën fjalë edhe për çetat e shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë, në kuadër të radhëve ushtarake të njësive të Perandorisë Osmane, por edhe në anën e kryengritësve, duke ofruar shënime shumë interesante dhe të sakta. pushtuar nuk e mbështesin Malin e Zi.
Fondi 435, “Dokumentat për kryengritjen boshnjake, 1871-1881;” [Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz–Verwaltungs–Praesidial], i cili është në Arkivin Shtetëror Korat, në Zagreb [HDA] përmban një lëndë mjaft voluminoze dhe të pasur me dokumente për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ky fond për vitet 1878-1881, ka 24 kuti me dokumente origjinale dhe të pabotuara. Pothuajse të gjitha dokumentet janë në gjuhën gjermane, një pjesë fare e vogël janë në gjuhën frënge.
Pos raporteve dhe relacioneve që jepen për vitet e veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në këtë fond, ruhen edhe dokument të tjera para dhe pas kësaj periudhe kohe; por, nën konsullatën e Sarajevës dhe atë të Trebinjës, ka edhe një numër të konsideruar dokumentesh që bëjnë fjalë për rrezikun e zhvillimeve politike në Shqipëri, pastaj për veprimtarinë e qetave shqiptare në kuadër të ushtrisë turke; si dhe të qetave tjera që ishin mbështetëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Të dhënat që gjinden në këto dokumente janë, çuditërisht të sakta, precize, me shqiptim të drejtë dhe tepër korrekt si të toponimeve, mikrotoponimeve, emrave personal, por edhe ngjarjeve dhe datave të caktuara. Pothuajse në gjithë fondin, me pedanteri ushtaraku, janë shënuar ngjarjet në mënyrë kronologjike, pa lejuar ngatërrime, përsëritje apo tejkalime të mundshme.
Regestat që ofrojmë për botim, janë vetëm për vitin 1878, dhe atë jo për tërë vitin, por janë zgjedhur 20 sosh, me qëllim të një prezantimi sa më korrekt të dokumenteve, duke pasur parasysh që studiuesve dhe lexuesve të ju ofrojmë mundësin e një njohje sa më të përgjithshme me përmbajtjen e tërë fondit. Natyrisht, dokumenti i përmbledhur në vetëm disa rreshta, e kur ka raste, që në origjinal, ka disa dhjetëra faqe, mund të mos jetë pasqyrim besnik i tërësisë, por ne kemi bërë përpjekje që të ruajmë sa më besnikërisht thelbin e qëndrimeve dhe ideve të kohës kur është krijuar dokumenti.
Përshkrimet e raporteve të konsulit gjeneral austro-hungarez, F. Lippich në Shkodër, dërguar ministrit të punëve të jashtëme të Monarkisë Austro-Hungareze, grof. Andrassy-it, për ngjarjet politiko-ushtarake në vitin 1878 në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi; të cilat për dijeni i dërgoheshin edhe baronit, gjeneralit F. Philippovich, komandant i përgjithshëm ushtarak, për Kroaci e Slavoni, me seli në Zagreb.
Të gjitha dokumentat janë marrë nga fondi: Dokumentat për kryengritjen boshnjake, 1871-1881; [Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz–Verwaltungs–Praesidial], të cilat ruhen në Arkivin Shtetëror Korat, në Zagreb [HDA], vetëm për vitin 1878, për muajt mars – dhjetor. [sign. HDA, fondi 435, nr. 377-2945, 1878].
- Shkodër, 11 mars 1878
Nga pozita e guvernatorit të përgjithshëm civil dhe ushtarak, në Shkodër është larguar Mustafa Pashai. Në vend të tij është emruar Hysen Pashai, gjeneral divizioni dhe komandat i trupave ushtarake në Shkodër. Konsuli gjeneral austro-hungarez nuk i kushton rëndësi të veçantë këtij ndryshimi në këtë provincë, pos që vë në pah se Hysen Pashai në vendime politike është më energjik dhe ka moshë më të re se paraardhësi i tij. Komisioni i përzier, turko-malazias, i formuar pas nënshkrimit të marrëveshjes në janar të këtij viti, për përcaktimin e kufinjëve të përkohshëm në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, është shuar, pas nënshkrimit të paqes së Shën Stefanit.
- Shkodër, 19 prill, 1878,
Trupat malaziase në teritoret e okupura të Shqipërisë së Veriut (Tivari, Anamalas, Kraj, Ulqin) kanë rreth 1800 ushtarë. Mali i Zi, në raportet zyrtare paraqet numrin e ushtarëve prej 6000 vetësh. Para disa kohësh është nxierr urdhër që ushtarët të mbajnë armët në gjendje gadishmërie, dhe të sigurojnë edhe disa opinga shtesë. Në viset e okupura pozita e banorëve është gjithnjë e më e vështirë. Për shkak të situatës politko-ushtarake, fusha ka mbetur djerr; situata më e rëndë është në rrethin e Tivarit. Mungesa e ushqimeve dhe veshmbathjeve është njëri nga porblemet kryesore në Ulqin. Kanë shpërthyer epidemi të ndryshme sëmurjesh.
- Shkodër, 4 maj 1878,
Përfaqësuesit e fisit katolik malësor shqiptar, të Shkrelit, kanë deklaruar se janë të gatshëm për të luftuar kundër Malit të Zi. Lutem që qeverija austro-hungareze ti ndihmoj në ornaizim dhe ti furnizoj me ushqime. Theksojnë se nuk do të pranojnë humbjen e pavarsisë. Është më se e qartë se okupimi i Shqipërsië Veriore nga ana e Malit të Zi, ka shumë pak përkrahës. Nëse Mali i Zi, pretendon që të pushtojë pjesët malore, të cilit i kanë takuar me paqen e Shën Stefanit, (prill 1878), duhet të pregaditet për një luftë të përgjakshme. Shumicë e banorëve të pjesës së pushtuar nuk e mbështesin Malin e Zi.
- Shkodër, 15 qershor 1878
Qytetarët e Shkodrës të bashkuar, myslima e të krishterë; së bashku me përfaqësuesit e fiseve malësore dhe qyteteve të tjera, kanë bërë publik vendimin që i bashkohen Lidhjes Shqiptare, e cila është themeluar në Prizren. Shteetve pjesëmarrëse në Kongresin e Berlinit, do të ju dërgojnë një telegram [deklaratë] të përbashkët ku hapur do të deklarohen për mbrojtjen e kufinjëve dhe tokave shqiptare. Shkak për një veprim të tillë të qytetarëve shqiptarë si duke është zgjerimi i teritoreve malaziase në Veri të Shqipërisë, në dëm të shqiptarëve. Kishte edhe disa zëra të veçuar të cilët kërkonin autonomi dhe bashkim me Monarkinë Austro-Hungareze. Konsulli austro-huhgarez është i njoftuar për konceptin e deklaratës dhe nuk kishte vërejtje tjera, pos atyre gjuhësore.
- Shkodër, 22 qershor 1878
Pëfaqësuesit e pushtetit turk, janë përpjekur që lëvzijet e shqiptarëve në Shkodër, Prizren e gjetiu, ti paraqesin me një qëllim dhe karakter tjetër, duke tentuar që të ndryshojnë karakterin e tyre nacional, në favor të asaj se ata, shqiptarët, kërkojnë të ruajnë autoritetin qëndror të Portës së Lartë dhe lidhjen me të. Si duket qëllimet e Portës së Lartë janë që duke futur elemente të tjera nacionale, jo myslimane, dëshiron të vë në plan të parë qëllimin fetar e jo atë nacioanl që ka Liga Shqiptare. Megjithkëtë, Liga Shqiptare duhet të insistoj për barazi të plotë të besimeve dhe kështu do të fitonte një karakter të përgjithshëm popullor, duke kundërshtuar qëllimet e Portës së Lartë, që gjithë lëvizjes ti jap karakter të një kryengritje fetare.
- Shkodër, 30 qershor 1878
Delegatët shkodranë të Lidhjes Shqiptare udhëtuan për në Prizren, për të marrë pjesë në Kuvendin Qendror. Delegatët marrin rrogë të rregullt, por konsulli gjeneral nuk ka informata se nga kush fond. Ipeshkvi greko-katolik i Elbasanit përmes konsullatës së Durrësit ka kërkuar mbështetjen [mbrojtjen] e qeverisë Austro-Hungareze. Kërkesen e ka bërë gojarisht. Kërkesë të ngjashjme kanë bërë edhe priftërinjët katolikë.
- Shkodër, qershor 1878
Sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Tivari do ti takoj Malit të Zi, gjë që ka shkaktuar shqetësime të shumta të qytetarëve. Shqipëria, me këtë rast ka pësuar një humbje të ndieshme politke, por edhe teritoriale. Ky teritor gjithmonë i ka takaur Shqipërisë, si politkisht ashtu edhe sipas funksionit kishtaro-relegjioz. Jan dëgjuar zëra të fortë, të cilët kërkojnë se Tivari do të mbrohet me armë dhe se Lidhja Shqiptare në Prizren, do të duhej ti mbështeste financiarisht, me armatime dhe me ushtarë në një konflikt të mundshëm me Malin e Zi. Konsulli austro-hungarez, dyshon në mundësinë e mbrojtjes me sukses të Tivarit nga ana e shqiptarëve dhe Lidhjes së Prizrenit.
- Shkodër, 13 korrik 1878
Me rastin e vendimit të Kongresit të Berlinit që Tivari ti takoj Malit të Zi, qytetarët shkodranë kanë formuar një Këshill për mbrojtjen e territoreve shqiptare me program të njëjtë politik me Lidhjen e Prizrenit. Është bërë zgjedhja e kryetarit, anëtarëve të këshillit. Ka filluar mbledhja e mjeteve financiare. Bëhen përpjekje për formimin e një policie popullore me disa qindra anëtarë. Si duket, përfaqësuesit e pushtetit turk, kanë marrë vendim që Këshillit ti lejohen një pjesë e të ardhurave nga tatimet ushtarake-luftarake sid he disa të ardhura të tjera. Në Prizren është një situatë krejt tjetër. Atje, Këshilli ka ndërmarrë shumë veprime, ndërsa për hollësi të tjera, do të ketë në raportet tjera, njofton konsulli austro-hungarez.
- Shkodër, 20 korrik 1878
Vërehet një shqetësim i madh i Këshillit në Shkodër, me rastin e lëshimit të territoreve të: Zhablakut, Shpuzës e Podgoricës, Malit të Zi. Si duket Këshillin e Shkodrës e kontrollon Hysen Pasha. Në Prizren situata është shumë serioze. Populsia shqiptare atje është e armatosur me armë shumë moderne; ndërsa udhëheqësve ju është dhënë autorizim i pakufizuar në raport me organet qeveritare, pos tjerash edhe për çështje politike.
- Shkodër, 10 gusht 1878
Edhepse marrëveshja për paqe është ratifikuar, si duket Porta e Lartë nuk i ka dërguar fare instruksione guvernatorit të përgjitshëm të Shkodrës, Hysen Pashait, për tërheqjen e trupave nga zona e Podgoricës. Edhepse këto territore i ka fituar Mali i Zi, as ata nuk marrin ndonjë vepri m konkret, pos që bëjnë një sigurim formal. Guvernatori [qeveritari] Hysen Pashai këkron nga Lidhja Shqiptare e Pizrenit, që në rast të sulmit nga ana e malaziasve, Lidhja të dërgoj trupa ushtarake për ndihmë. Kanë arritur lajmet e para për marshimet e trupave austro-hungareze në Bosnjë. Ky lajm është pritur me disponime të ndryhsme, dikund me gëzim, e në disa raste me frikë e drojë.
- Shkodër, 16 gusht 1878
Guvernatori i përgjithsëm, Hysen Pashai, kërkon nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndihmë në njerëz dhe armatim, për shkak të ngjarjve ushtarake që po ndodhin në Bosnje. Por, shumë shpjet ka qenë i informuar se okupimi po bëhet në marrëveshje me Portën e Lartë. Në Prizren ka pasur shqetësime me rastin e okupimit ë Bosnjës.
- Shkodër, 24 gusht 1878
Një telegram që ka mbërritur nga Stambolli, njofton arritjen e Mehmet Ali Pashait dhe sqaron se ai kishte për detyrë të çarmatoste popullsinë e armatosur shqiptare; të shpërndate Këshillin Nacional Shqiptar [Lidhjen Shqiptare të Prizrenit], t’i dorëzonte Plavë e Gusi, Malit të Zi, të qetësonte vendin dhe të siguronte paqen si dhe zbatimin e vendimeve të Kogresit të Berlinit. Ardhjae tij ka shkaktuar tërbimin e shqiptarëve të tubuar rreth Lidhjes së Prizrenit. Këshilli i Shkodrës bën përpjeke të bind fiset e malësorve të Veirut, që janë të besimit të krishterë, për të kundërshtuar dorëzimin e Podgoricës, Malit të Zi. Përfaqësuesit e fiseve e kanë qartë se territoret e tyre mbeten në Shqipëri, ndërsa Grudën e Triepshin, Mali i Zi duhet të ja kthej Shqipërisë.
- Shkodër, 1 shtator 1878
Marshali, Mehmet Ali Pashai ka hasur në vështërsi të shumta për zbatimin e obligimeve që kishte marrë nga Porta e Lartë. Në një nga rrugët kryesore të Prizrenit, është vrarë telegrafisti i marshallit Mehmet Ali Pashai. Është pikëpyetje e madhe në do të reagojë Porta e Lartë apo jo? Ngase ata vetë po organizojnë dhe drejtojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si mjet për të realizuar interesat e tyre në territorin e Shqipërisë.
- Shkodër, 14 shtator 1878
Në Gjakovë, është vrarë, marshalli, Mehemt Ali Pashai, në një sulm që kanë organizuar fiset malësore shqiptare. Në këtë vrasje është e përzier edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka flijuar marshalin Mehmet Ali Pashain, edhepse ne mledhjen e saj të mbajtur me 27 gusht 1878, Lidhja kishte pranuar të njihte kufinjët e përcaktuar nga Kongresi i Berlinit. Megjithatë, nuk duhet pritur ndonjë reagim energjik të Portës së Lartë lidhur me këtë ngjarje tragjike, ngse udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, nuk janë asngjë tjetër pos figura që me to udhëheq Porta e Lartë.
- Shkodër, 21 shtator 1878
Situata politike në Shkodër ka filluar të qetësohet, pas tentimit të destabilizimit të rendit dhe qetësisë publike. Disa qindra hapa larg nga konsullata e Austro-Hungarisë, në dretim të saj, është shtirë me armë zjarri. Rastin e ka marrë që ta hetojë personalsiht Hysen Pasha. Këshilli Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bën sikur ka hequr dorë nga rrethet të cilat kanë marrë pjesë në vrasjen e marshallit Mehemt Ali Pashait në Gjakovë. Problemi qëndron aty se: Prizreni e ka organizuar të gjithë këtë rrëmujë, por ju ka frikën pasojave.
- Shkodër, 29 shtator 1878
Këshilli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për Gjakovë, është akuzuar nga Këshilli Qendror i Lidhjes së Prizrenit, në Prizren, për pjesmarrje në vrasjen e marshallit Mehmet Ali Pashait. Mund të vërehet se Lidhja Shqiptare është duke e humbur ndikimin që kishte në zhvillimet politike në botën e jashtme; por edhe në vetë Shqipërinë. Një nga shkakqet e mundshme është edhe mos harmonija në kryesinë e saj. Në ndërkohë shumë trupa ushtarake turke po përqëndrohen në drejtim të Kosovës. Ekziston një rrezik i ri për një luftë të mundshme në Kosovë. Përfaqësuesit e fiseve malësore të Veriut janë të gatshëm ti përgjigjen thirrjes së Lidhjes Shqiptare për luftë kundër Malit të Zi. Okupimi i Bosnje e Hercegovinës ka përfunduar.
- Shkodër, 5 nëntor 1878
Ka mbërritur ftesa e Sheh Mustafait nga Prizreni, që delegatët e Shkodrës të shkojnë për një këshillim, në Këshillin Qendror të Lidhjes Shqiptare, në Prizren, gjë që ka shkaktuar ndarje mendimesh në mesin e anëtarëve të Këshillit shkodran. Sipas mendimit të tyre Lidhja Shqiptare e ka bërë shpenzime të shumta, pa treguar rezultate konkrete; për këtë arsye disa nga anëtarët e këshillit shkodran janë skeptik. Nëdrsa në anën tjetër, kur Shkodra kërkoi ndihmën e Lidhjes Shqiptare në Prizren, ata nuk reaguan fare, por heshtën. Këshilli i Shkodrës ka kërkuar mendimin e Hysen Pashait, por ai nuk ndodhej në Shkodër. Kjo do të ishte hera e parë, që një udhëheqës zyrtar i Portës së Lartë, publikisht të tregonte qëndrimet e ija ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
- Shkodër, 12 nëntor 1878
Dorëzimi i Gusisë, Malit të Zi, ende është shumë porblematike. Një anëtar i nderuar i fisit të Kelmendit e ka vizituar konsullin e monarkisë austro-hungareze në Shkodër. Me dorëzimin e Gusisë, Malit të Zi, edhe ky fis humb disa territore të rëndësishme. Arrijnë lajme se pas vrasjes së marshallit Mehmet Ali Pashait, ka përpjekje për riorganizimin e Lidhjes Shqiptare, por në veprimtarinë e saj e cila është nën ndikimin e Stambollit, çdo herë e më shumë vërhet një qëndrim armiqësor i hapur kundër Monarkisë Austro-Hungareze.
- Shkodër, 18 nëntor 1878
Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodër, ka marrë vendim, meqenëse kthimi i guvernatorit, Hysen Pashait u zgjat shumë, që në takimin e Këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare në Prizren, të dërgoj një anëtar të vetin, për të marrë të gjitha njoftimet sekrete nga Sheh Mustafai. Bejlerët e Dibrës ende nuk janë të gatshëm për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të riorganizuar. Nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të ndjek politikën e saj parimore, nuk do të ketë mundësi që ti shmanget një konflikti të afërt me Monarkinë e Austro-Hungarisë. Nëse trupat e ushtrisë austro-hungareze okupojnë Novi Pazarin dhe Mitrovicën e Kosovës dhe drejtohen për Prizren e Prishtinë, atëher, edhe Dibra me siguri se do të okupohej.
- Shkodër, 18 dhjetor, 1878,
Raport mbi pregaditjen dhe gjendjen e gadishmërisë së trupave ushtarake turke, nën komandën e Ali Sain Pashait dhe ushtrisë së Malit të Zi, në pozicionet rreth Tivarit. Oficieri austro-hungarez von Thymel është i angazhuar për studime të hollësishme për gjendjen e trupave malaziase. Në popullsim shqiptare të besimit musliman, janë të pranishme parashikimet e mundshme që ushtria Turke të mbrojë Shqipërinë nga pretendimet teritoriale malaziase. Fiset e shqiptare të malësorve të krishterë nga krahina e Mirditës (Kastrati, Hoti, Gruda, Shkrlei, Kelmendi) organizojnë forcat ndihmëse për mbrojtje kundër Malit të Zi.
Pos dokumenteve të cituara si regesta dhe atyre të përmendura, duhet veçuar edhe dhjetëra dokumente të tjera nga fondi i: “Mëkëmbësit të mbretit për Dalmaci” për vitet 1875-1881. [Sot ruhen në Arkivin Shtetëror të Zarës, fondi 88]. Në këtë fond, ruhet një numër i konsideruar i raporteve të konsullit gjeneral nga Shkodra, Wasich-it, i cili një vit më vonë, siç e kemi cekur më lartë, emërohet konsull në Sarajevë. Raportet e konsullit gjeneral Wasich nga Shkodra, i dërgoheshin Mëkëmbësit për Dalmaci, gjeneral Rodiqit. [Gjeneral Gabrijel Rodiqi ka lindur në Vrginmost, më 12 dhjetor 1812; ndërsa ka vdekur në Vjenë, më 21 maj 1890. Në vitin 1869 emërohet udhëheqës ushtarak për Dalmaci. Nga viti 1870 emërohet “Mëkëmbës” për Dalmaci, me seli në Zarë].